“Dua të ndahem nga burri im”, tha Penelopa dhe i zgjati kërkesëpadinë gjyqtarit. Gjyqtari i seksionit familjar ngriti kokën ngadalë dhe e pa gjatë.
“Si e keni emrin?” pyeti ai.
“Penelopë.”
“Penelopë?” Gjyqtari ndaloi një çast. “Ju mos jeni ajo…?”
“Unë jam ajo që po kërkon zgjidhjen e martesës me ish-burrin tim”, ia ndërpreu ajo, duke i këputur fillin e pyetjes.
“Përse e kërkoni këtë zgjidhje?”
“Ai iku. Më la këtu si një kërcure. Më gënjeu. Dhe të gjitha këto janë shumë pak.”
“Mendohuni edhe një herë”, tha gjyqtari. “Jeni ende e re. Mund të jeni duke u nxituar.”
E tha më shumë me veten sesa me gruan që kishte përballë.
“Të nxitohem?” Penelopa e pa drejt në sy. “E dini ju sa kam pritur? E dini sa kam vuajtur? E dini çfarë do të thotë të presësh? Po çfarë do të thotë të vuash?”
“Zonjë, ju lutem…”
“Si më luteni? Unë e mora nga larg dhe erdha këtu me të. Ndërsa ai iku. Iku dhe më la. Ndoshta shkoi pas të tjerave në atë ishullin e mallkuar, ku u nguroftë përgjithmonë.”
Gjyqtari u çudit nga shpërthimi i saj i papritur.
“Zonjë, ju i përkisni një kohe që…”
“Unë nuk i përkas askujt”, tha Penelopa. “Dua të ndahem nga burri im.”
Ajo e pa gjyqtarin drejt në sy.
“Atëherë ejani përsëri. Do t’ju caktoj datën e seancës. Duhet të jetë edhe Odiseu. Duhet të marrë njoftim për procesin. Nëse mungon, duhet të ketë një përfaqësues ligjor.”
Penelopa heshti. Për herë të parë pas shumë vitesh, emri i tij u dëgjua jo si kujtim, por si një pengesë ligjore.
Fustani
Po i vidhej gjithë familjes. Shkaku ishte ai fustan. Mbyllej në atë dhomë, mes perdeve të rënda që vareshin si forma të çuditshme, si jaka luftëtarësh të vjetër. Pasi largoheshin të gjithë, ulej mbi makinën qepëse dhe niste punën. Zhurma e saj përhapej nëpër shtëpi. Një tingull i njëtrajtshëm, i ngjashëm me goditjet e fshehta të një tezgjahu, që herë e qetësonte dhe herë e kthente përsëri në mendimet e saj. Aty brenda ishte gjithçka. Kukullat. Fotografitë e tij. Lulet.
Dhuratat e dërguara nga njerëz që, kush e di përse, kërkonin të afroheshin me trupin e saj, duke besuar se një dhuratë e bukur mund të hapte një derë që ajo e mbante mbyllur. Por më shumë se çdo gjë tjetër, ajo priste zilen e derës. Sa herë binte, Penelopa dridhej. Fshehte copën e fustanit ende të papërfunduar, ose, nëse nuk kishte kohë, e çmblidhte shpejt me duar dhe rrinte para saj duke menduar se çfarë forme duhej të merrte. Pastaj niste përsëri nga e para. “O Zot, deri kur kështu?” Kaq gjatë pret njeriu për një njeri tjetër? Po kandidatët? Ata kishin kohë që nuk ishin më të njëjtët. Të lodhur nga pritja, të jargosur nga dëshira për një përgjigje, me flokë të gjatë a të shkurtër, të dehur nga vetja dhe nga shpresat e tyre, rrinin në shtëpitë e tyre dhe prisnin radhën. Padurimi i tyre kishte marrë zë. Telefonat binin pa pushim. “Edhe sa?” “Kur do të mbarojë fustani juaj, Penelopë, që të vijmë?” Dhe pyetja që dikur vinte me respekt, tani vinte pa durim.
“Ti duhet të zgjedhësh.”
Edhe fjala kishte ndryshuar. Nuk ishte më “Ju”. Ishte bërë “Ti”. Por fustani ende nuk merrte formë. Jo atë formë që do ta bënte fitimtar dhe shpëtimtar përballë gjithë asaj zhurme, gjithë atyre pritjeve, gjithë atyre zërave që kërkonin një fund. Penelopa vazhdonte të qepte. Dhe sa më shumë afrohej fundi, aq më shumë i dukej se diçka ende mungonte.
Vendimi
Vendimin e gjyqit e mori në një nga ato ditë maji, kur zhurma e zogjve përzihej çuditshëm me krismat e armëve. Seanca ishte zhvilluar në mungesë të Odiseut. Pas disa njoftimeve të pasuksesshme dhe kërkimeve pa përgjigje, gjykata e kishte shpallur të pagjetshëm. Sekretari shtyu regjistrin drejt saj.
“Ju jeni Penelopa?”
“Po.”
Ajo e tha emrin pa krenari, pa trishtim.
Thjesht si dikush që kishte kaluar aq shumë vite duke e dëgjuar atë emër, sa tani mezi e njihte.
“Ju lutem, firmosni këtu.”
Penelopa mori stilolapsin. Në korridor, ende varej njoftimi për seancën. Një letër e bardhë, e gozhduar në mur, ku emri i Odiseut ishte shkruar me të njëjtën bojë si emri i çdo njeriu tjetër. Asgjë heroike. Asgjë legjendare. Vetëm një dosje. Vetëm një numër. Vetëm një proces. Ajo firmosi. Sekretari e pa për një çast.
“Sipas ligjit,” tha ai, “duhej të prisnit edhe pak.”
“Kam pritur mjaft.”
“Duhej të provoheshin edhe rrugë të tjera.”
“Nuk kanë mbetur.”
Sekretari uli zërin.
“Madje… edhe ai fustani…”
Penelopa ngriti kokën.
“Çfarë dini ju për fustanin tim?”
Sekretari buzëqeshi me siklet.
“Nuk di vetëm unë.”
Ajo heshti.
“E di gjithë qyteti.”
Për herë të parë, Penelopa ndjeu se dera e dhomës së saj nuk kishte qenë kurrë e mbyllur. Çdo trokitje. Çdo zhurmë makine. Çdo natë pa dritë. Çdo copë pëlhure, ishin bërë pjesë e jetës së të tjerëve.
“Mos vallë…” tha sekretari me zë të ulët, “…po e qepni për një burrë tjetër?”
Penelopa e pa drejt.
“Jo.”
“Atëherë për kë?”
Ajo nuk u përgjigj. Sepse, në të vërtetë, nuk e dinte më. Mori vendimin e gjykatës, e palosi me kujdes dhe doli. Jashtë frynte një erë e lehtë. Për herë të parë pas shumë vitesh, ajo ndjeu se nuk ishte divorcuar vetëm nga Odiseu. Ishte ndarë edhe nga pritja.


