Kopshtin pas shtëpisë, babai e mbillte veçse rrush. Më të shumtën e bënte raki kurse çka mbetej e hanim ne. Ende pa filluar vjelja, detyra e nënës ishte ta ruante se mos e hanim pa karar, apo shpërdoronim, si thoshte babai. Edhe pse im atë nuk ia kursente spërkatjet, shpesh rrushi kalbej sa fillonte pjekja, ndaj niste vjelja pa hyrë shtatori. Mua më pëlqente të kaloja kohë mes vreshtit ku vetja më dukej si ata shkrimtarët e famshëm të cilët shkonin në det apo në mal për të krijuar.
“Nëse vonohet vjelja apo fillon vapa e murrme, -thosh babai, – prite kur rrushi të bjerë përtokë e të mbetemi pa pikën e rakisë!” E kujt i bëhej vonë se nuk do të zienim raki, kur atë e pinte veç ai e ndonjë mik i tij kur shkelte për vizitë! E urreja rakinë, pasi më dukej se ajo ishte mollë sherri mes ne të gjithëve e tij nesh. I vetmi argëtim për mua, atje mes vreshtash, ishte Egla, e reja e Sofies, fqinjës sonë më të hershme. Kopshtet tona shihnin nga njëri-tjetri. Egla kishte veç katër muaj nuse në atë shtëpi por hynte e dilte e zhdërvjellët, sikur të ishte rritur aty. Flokët plot onde e të lyer me këna i tundeshin bashkë me vithet, si të kishin në mes një hendek. Lodronte me ajrin si një shtojzovalle. Jo pak herë kishim këmbyer edhe ndonjë fjalë përshëndetëse te gardhi. Kishte një të folur pak hundore çka tregonte se nuk ishte nga anët tona. Aq bukuri rrezatonte, sa kur më afrohej, më shumë belbëzoja e skuqesha se sa thoja ndonjë fjalë të mençur. Përgjatë gushtit e shihja shpesh të vilte gjithë mundim fikun e bardhë që kishin kufitar me ne, ndaj një ditë i ofrova ndihmë. S’di pse trembesha, se mos binte, pasi sipas nënës sime hija e fikut ishte e rëndë dhe rrëzimi prej andej kish’ pasoja fatale për jetën.
Edhe pse ishte shumë e bukur, ajo ishte martuar me Sandrin, një djalë sa i ngathët aq edhe i ngurtë si shtyllë elektrike, a thua e e zinte gjumi në këmbë. Kaq vite fqinj nuk ia kisha dëgjuar kurrë zërin sa u binda se ishte memec. Për çdo ditë e shihja nga barku Eglën, se mos po i rritej, pasi zakoni e donte që fill pas dasme, të vinte fëmija.
Kështu që, ditën që pranoi ndihmën time, kapërceva gardhin dhe iu afrova fikut me një trajstë bezeje në krah. Edhe atë ditë si herë të tjera ajo u mbështet te druri i fikut, duke i kthyer shpinën shtëpisë së saj e nisi të lodronte me duart duke këputur gjethe fiku, dhe qeshte me vete.
-A të vjel shumë? – e pyeta duke ia ngulur pa turp sytë fytyrës së saj të bukur.
-Jo, jo, zbrit tani se vjelim neser përsëri, – ma priti.
Më pas hyra në shtëpinë e saj për të larë duart. I elektrizuar i gjithi nga mendimi se isha vetëm për vetëm me të, harrova për çfarë hyra, dhe nisa të kontrolloja me sy rreth e qark për njerëz tjerë. Më mbushi një gotë lëng trëndafili të ftohtë e më ftoi të ulesha pranë saj. Më hodhi krahun në qafë e më foli kaq ëmbël sa gati po dehesha. Në ditët që pasuan, kjo filloi të përsëritet sa herë nënë Sofia largohej nga shtëpia dhe Sandri ishte në punë. Herë më pyeste për mësimet, për profesionin që doja të zgjidhja kur të rritem apo nëse pëlqeja ndonjë vajzë në shkollë a në lagje.
Digjesha nga dëshira për t’i treguar gjithë të fshehtat e mia pasi në një farë mënyre doja të dukesha më i rritur e më i fortë se sa isha vërtet! Më kuptonte më mirë se moshataret e mia. I shoqi punonte roje nate te “frigoriferët e tregtisë”, 24 orë në tri ditë e në ditët pushim vetëm flinte. Nga sa kuptova, në katër muaj martesë, gjithë gjithë kiwhin kaluar një muaj bashkë.
Ajo më tregonte për familjen e vet, për ëndrrat e saj si piktura dhe fëmijët. Herë-herë qeshte me të madhe me shakatë e mia si të më kishte moshatar e herë më shtrëngonte pas vetes si fëmijë
-Sa ti, kam vëllanë.-më tha teksa iu afrua dritares së kuzhinës që binte në kopësht. Më pas iu mekën fjalët e mbushi sytë me lot. Ndoshta e kishte marrë malli për të vetët. Ndoshta edhe mua ndaj më afronte!
Si u përhumb pak çaste, më tregoi se ishte grindur me të vjehrrën. Filloi të mallkonte ditën që ishte martuar me të birin, dhe shkak të asaj martese të dështuar quante të ëmën. Diçka kisha dëgjuar nga ime më, që nënë Sofia e kishte zgjedhur vet nusen e të birit nga një fotografi e mbesës së saj. Nuk i kuptoja shumë këto gjërat e grave, as arsyen pse për sherrin me të vjehrrën mallkonte të birin, por di që as mua nuk më pëlqente nënë Sofia. Më dukej grindavece, e ftohtë dhe qeshte pak. Njerëzit që qeshin pak më kanë lënë përshtypjen se janë me zemër guri. Kur ia thashë këto, Egla u ndje e çliruar aq sa më puthi e më shtrëngoi fort pas vetes. Ishte puthja ime e parë nga një femër, e për më tepër aq e bukur sa Egla!
Martesa e saj dukej më së shumti se ishte bërë me të vjehrrën.
-A dilni në pastiçeri me Sandrin, ndonjëherë? – e pyeta
-Ndonjë të diel, kur kthehemi nga varri i të atit.
Kur volëm rrushin i kërkova leje prinderve, që të mbushja një kanistër për nënë Sofinë. Ankthi i mos prekjes së rrushit kishte kaluar, kurse vjeshta me zhveshjen e vreshtit e fillimin e shkollës po i jepte fund qëndrimit tim në kopësht. Nëna ime gjithmonë e kishte zemrën të bardhë ndaj pa një pa dy e mbushi plot, por fjala e fundit pritej nga babai. Ndryshe nga ajo, ai nuk e gjente gjuhën me asnjë prej fqinjëve, pasi i ishte mbushur mendja top se ata shtynin kufijtë. Për ato të shkreta ndizte sherrin, e nuk fliste me gjysmën e lagjes. Nënë Sofia nuk shquhej për këtë, por tim eti nuk ia hiqte kush nga mendja se sëmundjet e hardhive na vinin prej saj! Gjithë akuzat e babait për fqinjët më dukeshin absurde, por kujt ia mbante ta kundërshtojë.
Madje, vazhdoj të mendoj se babai do të lumturohej, nëse ne do t’i urrenim të gjithë ata që urrente ai. Si për ta bindur, i thashë babait se nusja e Sandrit e pëlqente shumë rrushin, por ata nuk kishin mbjellë. Kaq u desh që ai të më mbante një leksion të gjatë për njeriun punëtor dhe të mirat e këtij virtyti për t’u ushqyer në jetë.
Rrushi ishte shkaku për të shkuar tek Egla kur të ishte vetëm.
Nuk e ndaja dot në më pëlqente ta shihja , prej bukurisë së saj, apo prej shpengimit që e karakterizonte. Herë më dukej se isha i vetmi njeri të cilit ajo mund t’i hapej për mërzitë e jetës së saj. Po ndiheshq si shpëtimtar!
Isha vetëm 14 vjeç, por me shtat të gjatë e rregullt e ndonëse nuk më kishin dalë qimet në fytyrë, më dukej vetja i burrëruar para saj.
Pasi ruajta nënë Sofien të dalë nga shtëpia, i trokita nga deriçka e kopshtit. Në të u shfaq Egla si zanë me një këmishë të kuqe sateni! Flokët ngjyrë karrotë e me onde të mëdha lëshuar mbi supe, gjoksi gjysmëzbuluar, shalët pothuaj lakuriq, i shkonin shumë përndezjes së fytyrës. Nuk di nëse arrita t’i shpjegoj arsyen pse kisha shkuar, por diçka belbëzova siç ndodhte rëndom kur gjendesha para saj. Ndryshe nga ç’prisja, Egla mori shportën, e si më falënderoi bashkë me një” ditën e mirë “e mbylli derën.
“Ndoshta do të jetë Sandri pushim!” justifikova Eglën sapo kapërceva gardhin e kopshtit. Pamja e Eglës, me të cilën u shfaq para meje, dukej sikur sa kiehte dalë nga ndonjë betejë. Nuk ishte as ditë pushimi për të shoqin. I dhashë një mendje të ftohtë atij dyshimi e u riktheva në kopshtin tim. Hapa ditarin e fillova të shkruaj. Fillimvjeshta ishte pa ndonjë ndryshim të dukshëm në temperatura nga vera. Ndërkohë, nuk i ndaja sytë nga kopshti i nënë Sofisë. Një çast, një kërcitje dere bëri të përqëndrohem ku dallova dikë që me të shpejtë përshkoi kopshtin, kapërceu një gëmushë e u hodh nga kopshti i Matajve! Dallova djalin e tyre të vogël, Metin, ai që ishte martuar me një grua sa një fuçi. Pa kthyer kokën as majtas as djathtas, ai u zhduk si hije.
-Çfarë e ka Meti nënë Sofinë? – Pyeta prindërit, të cilët të ulur në verandë, po gjerbnin në heshtje kafen e pasdites.
-“ Lakra në kopësht” shpotiti babai me ato batutat e tij të hidhëta. – Matajt janë muslimanë si ne, kurse këta të Sofisë, ortodoksë.
Ndasia e parë vinte nga feja pastaj nga gjaku sipas babait tim. Atë çast vetja m’u duk një idiot i tërë.
-Pse pyete? – m’u kthye nëna, sikur donte ti vërë kufi kuriozitetit tim.
-Kot, kot. – nxitova t’i përgjigjem – Ngaqë kanë shtëpitë ngjit e ngjit .
Nëna ime mërzitej po të flitej për të tjerë në mungesë. Edhe nëse ndodhte, ajo thoshte vetëm fjalë të mira. Mua me të vërtetë m’u duk e çuditshme prania e Metit te shtëpia e Eglës, por këtë dyshim nuk ia tregova nënës pasi trembesha nga reagimi i saj. Ajo “asgjëja” e babait më ndezi dyshimet. Nëna kishte kuptuar, apo dinte diçka më shumë nga sa unë fola, ndaj dhe priti çastin që babai u largua, për të më porositur se kurioziteti nuk bënte për burrat, e tani isha bërë i tillë.
-Çfarë e sheh e dëgjon rreth fqinjëve, të vdesin me ty. Ata kemi në të mirë e në të keq. Nuk kemi dalë të rregullojmë punët e tyre, por ti respektojmë e pranojmë si janë, – e mbylli ajo ligjëratën..
Heshtja ime ishte një lloj pohimi e premtimi njëherazi, por të hidhja herë pas here sytë fshehurazi nga deriçka e kopshtit të Eglës mu kthye në ves.
-Dhe mjaft ndjenje në kopësht, me ato shkrimet e tua, se do të çmendesh! – u përpoq të sigurohej nëna që e kisha marrë si duhet mësimin. Burrat nuk merren me poezi. Mësoji ca zanate pas babait, se do të duhen në jetë.
Se pse të shkruaje nuk ishte punë burrash, vetëm nëna e dinte.
-Kush leu, mendt e veta pëlqeu, ndaj rri larg familjes së tyre, hë për hë. – vazhdoi sërish ime më, duke parë nga shtëpia e Eglës.
U turbullova ca , ndaj sa mbaroi ligjëratën nëna, ia mbatha në shtrat i mërzitur. Gjumi im u përpëlit mes gulçesh tërë natën.
Të nesërmen dola herët në kopësht, duke i kthyer shpinën deriçkës së Eglës. I kisha premtuar vetes që do të sillesha sikur ajo nuk ekzistonte. Më mbërtheu një ndjenjë e fotë xhelozie për të birin e Matajve. Mu bë një lëmsh në stomak sa një maçok. E çuditshme pasi për Sandrin nuk e kisha një ndjesi të tillë. Mes këtyre mendimesh dëgjoj pas shpine zërin e Eglës të më thërrasë. Më ftonte në shtëpi, të zhvendoste një bibliotekë nga një dhomë në tjetrën. Nuk u mëdysha fare si të mos isha betuar. Si këlysh i bindur ndoqa veç instiktin. Pothuaj fluturova nga fjalët e saj. Me sa kuptova, Egla ishte ndjerë në faj për ditën më parë, pasi biblioteka u harrua.
Kishte gatuar revani e më gostiti duke më pyetur për shkrimet e mia. E shihja dhe fantazoja Eglën e një dite më parë. Gjaku më hipi në kokë aq shumë sa kur po largohesha ndala një hop në prag dhe vrullshëm pa marrë parasysh pasojat e reagimin e saj, u zgjata majë gishtash, mbylla sytë dhe e putha. Çuditërisht ajo nuk më kundërshtoi. Nuk di sa ndjenja ashtu duke ndjerë lagështinë e buzëve të Eglës por trupi m’u rrënqeth e zemra sa nuk më doli vendit. Aroma e asaj puthjeje më dehu të gjithin. Sa nevojë kisha patur për të! Sa shumë e kisha ëndërruar! A thua të ishte kjo dashuria që thurnin vargje poetët e mëdhenj? Ndoshta pas kësaj puthjeje mund të quheshim të dashur. Do të isha mashkulli saj, do të kujdesesha ta bëj të lumtur. Akoma më e bukur bëhej kur qeshte. Do t’i shprehja dashurinë me fjalë shpirti e ato përjetimet e netëve të mia, ndoshta do të bëheshin realitet tashmë. Në shtratin e saj fantazova veten në vend të Sandrit.
Të nesërmen e gjeta në kopësht duke ngashëryer! Ndoshta ishte grindur sërish me të vjehrrën, ndaj bëra të kapërcej gardhin por ajo refuzoi me dorë. Egla më ngjante si njeri me hënë, me gjendjet e saj qaj e qesh, afro e largo.
Për një javë rresht ra heshtja në kopshtin fqinj, gjersa një të enjte dalliova sërish Metin të përvidhet nga kopshti i Eglës për në të vetin. Shkolla kishte filluar, por unë drekave e gjeja veten mes vreshtash. Më shtohej malli kur nuk e shihja e nuk i dëgjoja zërin po aq sa më hipte gjaku në kokë kur nuk ma varte. Më vinte ti futesha në shtëpi, ta puthja e ndukja . Bëhesha burrë pranë saj.
Pikërisht kur fillova të zbeh shpresat , mes lotësh, ajo më fton në shtëpinë e saj. Më tërhoqi prej dore në dhomën e saj, më zhveshi e nuk di më ç’ndodhi prej marrisë që më zuri… Më kish marrë virgjërinë, e unë nuk e kundërshtova për asnjë çast.
-Pse nuk ndahesh nga Sandri, – i thashë duke u veshur. – Ai nuk bën për ty.
Mes lotësh, ajo më tregoi se, ai nuk e përkëdhelte kurrë. Vizitat në shtëpinë e Eglës u bënë të shpeshta aq sa, e shpërfilla praninë e Metit që nuk mungonte çdo javë të dilte nga deriçka e kopshtit duke vrapuar. Kurrë nuk i rashë në sy për të pasi më dukej se do ta humbisja
Një pasdite nënë Sofia me një ngjyrë të çuditshme në fytyrë m’u afrua, duke më parë drejt në sy sikur donte të m’i lexojë ato. Më përkëdheli flokët e më pyeti:
-A vjen shpesh tek shtëpia jonë, ti mor bir, pasi nusja thotë që të ka si vëllanë e vet?!
Më dha një dorë biskota” Pranvera”, e pasi më dëgjoi gjer në fund mori frymë thellë. Duhet të jem skuqur nga fjalët e mua që ishin fund e krye gënjeshtër, por nënë Sofinë duket se e lehtësova. E si mund t’i thosha se bëja dashuri me nusen e të birit, ndaj iu përgjigja shkurt, për të mos tradhëtuar vehten.
Të nesërmen, Egla, që përtej gardhit, më tregoi se dikush i kishte shtënë në vesh të vjehrrës se një burrë futej në shtëpinë e tyre nga deriçka e kopshtit. Diçka nuk shkonte, pasi unë nuk isha burrë, por një katërmbëdhjetë vjeçar. Megjithatë bëmë një pakt: të ndaleshim për pak kohë, derisa të harrohej kjo.
Sandri ndërroi punë ndaj çdo pasdite ishte në shtëpi. Malli po më gërryente për Eglën, ndaj një natë vonë vendosa të afrohem te dritarja e dhomës së saj të gjumit, rreth mesnatës. Këtë çast ndjeva deriçkën të hapej. U bëra hi nga frika se mos më merrnin për hajdut. U bëra njësh me murin duke pritur të mbyllej ajo derë. Por pas një hopi hija e një njeriu që nga flokët kuptova se ishte Egla shkoi e u fsheh në rrëzë të fikut e po priste. U mata të dal duke menduar se Egla ishte grindur me të shtëpisë e po qante si zakonisht. Por ç’të shoh… Ajo ishte aty me Metin, cullak, duke bërë dashuri përtokë si të marrë. Përnjëherë mendja shkoi te Sandri e u përpoqa të zhbiroj përmes dritës së abazhurit brenda dhomës së gjumit. Nga drita e abazhurit te shtrati e pashë të flinte për shtatë palë qejfe. Rreth orës katër të mëngjesit Egla u fut në shtëpi.
U xhelozova keqas për Metin. E dija që Eglës i duhej një burrë prej vërteti e ndoshta unë nuk isha ende i tillë megjithë fjalët e nënës. Më pikonte në shpirt palumturia e saj por kurrë s’e mora vesh se përse nuk e ndante të shoqin e të martohej me Metin. Me të kalonte gjithë mbrëmjet dhe rrallë, shumë rrallë, më ftonte mua ditën. Kjo më thoshte që Metin e donte më shumë.
Një mëngjes herët sirenat e ambulancës zgjuan lagjen kur i zunë derën nënë Sofisë. Nuk e kuptova se për kë erdhi, por kur trokita në deriçkën e kopshtit ajo ishte e hapur dhe nuk gjeta askënd brenda.
E përgjova gjatë kopshtin e Eglës për të mësuar se ç’kishte ngjarë. Nuk pipëtiu kush për një javë gjersa pashë nënë Sofinë me një sëpatë që godiste pemën e fikut.
-Egla duhet të jetë me Sandrin në spital ? – mendova pas zërave se ky i fundit ishte helmuar me ilaç gjumi! Sandri pasi doli nga spitali kalonte i vetëm orë të tëra në kopësht. Egla nuk dukej asgjëkundi.
-More vesh or burrë, e reja e nënë Sofies kalonte natën në shtëpinë e oficerëve pasi i jepte valium të shoqit në ushqim?
Ja gjeti dhe vet kuçedrën e uruara! Desh ja mbylli derën të shkretës pa ju shëruar mirë plaga e të shoqit, tregoi nëna , babait teksa i lante këmbët!
Ende nuk po u besoja veshëve nga ato që dëgjova!
-Çfarë, çfarë?! – briti babai.
Dhe nëna nisi të tregonte gjithë dyshimet e saj, që nga djali i vogël i Matajve deri tek përdredhjet e vitheve kur kalo te para burrave. Nuk po i besoja veshëve me këtë ndryshim të nënës.
Shkonte dhe ky yni ca si tepër në shtëpinë e tyre , e vulosi nëna rrëfimin!
-Çthua moj grua, ky yni është ende fëmijë!
M’u prenë gjunjët aty fshehur pas dere. Më vrau besimi i tij. Goja mu tha e fryma po më mbahej. Përfytyrova Eglën cullak mes aq shumë burrave në hotelin e oficerëve. M’u shemb mbi kokë gjithë bota që kishq ngritur rreth saj. Për herë të parë, nënë Sofia nuk mu duk aq e keqe sa thoshte Egla. Nëna më gjeti zhgërryer në zhavorrin e rrugës me kokën ulur. Dukej sikur vazhdoi fillin e bisedës me babain.
-Ia pashë tymin asaj femre, që kur solli vdekjen e Zoit sa vuri këmbë në atë shtëpi.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se ç’lidhje kishte vdekja e xha Zoit me ardhjen e Eglës, por s’e ngava më tutje bisedën se isha tym për vete. .Dukej se ajo kërkonte arsye për ta dënuar duke qenë në rregull me Zotin. E dija që i trembej gjykimit të tij.
-Këmbëters sa hyri! Mjerë nëna që e ka! Mos bëftë hajër, se desh mori në qafë djalin!
Lagjja gumëzhiu gjatë për tradhëtitë e Eglës, por mua më merrte shumë malli për të po aq sa e urreja njëherazi.
Babai i preu hardhitë si të vjetëruara, e mbolli kalema të rinj, ku unë shkrova edhe tregimin e parë me titullin “Tradhëtarja”. Shokët e klasës e kopjuan me shkrim dore dhe e shpërndanë, duke më parë si njeri të ditur në lidhje me çështjet e zemrës.
Nusja e re e Sandrit nuk më përshëndeti kurrë.


