KreuOpinionVrasësi i Pushkinit: fakte tronditëse për të cilat tekstet shkollore heshtin

Vrasësi i Pushkinit: fakte tronditëse për të cilat tekstet shkollore heshtin

Në historinë e letërsisë ruse ka dy kryekeqbërës. Njëri është personazh letrar, ndërsa tjetri është krejtësisht real. Dhe, nëse Salieri të paktën vuante nga brejtjet e ndërgjegjes në dramë, vrasësi i Pushkinit, Zhorzh Dantesi, duket se nuk u mundua aspak prej tyre. Për shumë vite e kemi përfytyruar si një francez të pashëm e të lëmuar, një aventurier mendjelehtë, që e shkatërroi gjeninë krejt rastësisht. Por realiteti është shumë më i frikshëm dhe më i mbrapshtë.

Një nga sekretet më pikante që rrethojnë figurën e Dantesit ishte lidhja e tij me të dërguarin holandez, baronin Lui Hekern. Në vitin 1836, diplomati 42-vjeçar, i cili nuk ishte martuar kurrë, birësoi oficerin 24-vjeçar. Dhe kjo, ndonëse babai biologjik i Zhorzhit ishte gjallë e shëndoshë.

Shoqëria e lartë e Peterburgut, që e kishte fort për zemër thashethemin, nxori menjëherë përfundimet e veta. Princi Trubeckoi shkruante hapur: «Nuk di si ta them: jetonte ai me Hekernin apo Hekerni me të… Nga sa duket, në marrëdhëniet me Hekernin ai luante vetëm një rol pasiv».

Kjo lidhje skandaloze i siguroi aventurierit të ri jo vetëm një mbiemër, por edhe hyrjen në shoqërinë e lartë, para dhe lidhje. Pikërisht Hekerni, «burri i rritur», u dashurua me oficerin e pashëm dhe e bëri «birin e tij të adoptuar», në mënyrë që ky të mund të shkëlqente në oborrin perandorak.

«Me kënaqësi të madhe e bëra këtë lajm publik»

Ironia e fatit qëndron në faktin se vetë Pushkini, pa e ditur, përhapte për vrasësin e tij thashethemin më poshtërues për një burrë. Në ditarin e vet, poeti shkruante: «Unë isha i pari që mora vesh se Dantesi jepej pas mëkatit sodomit dhe, me kënaqësi të madhe, e bëra këtë lajm publik. Këtë e mora vesh nga vajzat e bordellos ku ai shkonte…».

Po, duke hedhur dritë mbi lidhjen e shthurur të francezit, vetë poeti, pa dashje, u shërbente atyre që po e shkatërronin, duke lënë të kuptohej, me nënkuptime pikante, natyra e vërtetë e marrëdhënies. Vetëm më vonë bashkëkohësit kuptuan se e gjithë kjo histori ishte veç maja e ajsbergut. Birësimi i Dantesit ishte kryer duke shkelur tri pika të legjislacionit francez. Hekerni kishte po aq nevojë për Dantesin, sa edhe Dantesi për të.

Martesa cinike me të kunatën e Pushkinit

Në prag të vitit fatal 1837 shpërtheu skandali. Për ta mbyllur çështjen dhe për të larguar nga vetja dyshimet për lidhjen me gruan e Pushkinit, Dantesi bëri një veprim që të trondit me cinizmin e vet. Ai i kërkoi dorën Jekaterina Gonçarovës, motrës së madhe të Natalisë, gruas së poetit. Shpotitësit e salloneve mondane e quajtën menjëherë vajzën e gjorë «bishti i fshesës», duke aluduar për pamjen e saj, që ishte larg idealeve të bukurisë.

Qëllimi i vërtetë i kësaj martese ishte i neveritshëm: duke u bërë zyrtarisht kunati i Pushkinit, Dantesi fitonte një arsye të ligjshme për të hyrë në shtëpinë e Gonçarovëve dhe për të vazhduar flirtin me Natalinë. Nëpër qytet nisën të qarkullonin zëra se martesa me «motrën e shëmtuar» ishte vetëm një mbulesë për lidhjen me bukuroshen më të madhe të Peterburgut. Pushkinit ia thoshin këtë thuajse hapur, dhe pikërisht ky tërbim, bashkë me ndjenjën e turpit publik, e shtynë drejt duelit fatal.

Pleqëria e lumtur e vrasësit

Por fakti më tronditës për Dantesin gjendet përtej kufijve të kësaj drame: jeta e tij jashtëzakonisht e suksesshme pas vrasjes. Menjëherë pas duelit, baroni u çgradua dhe u dëbua. Sipas ligjeve ushtarake të kohës, atë e kërcënonte dënimi me vdekje, por u treguan të mëshirshëm me të. I trembur për vdekje, ai iku nga Rusia me aq ngut, sa arriti të përshkonte 800 versta në vetëm katër ditë.

Pasi u kthye në Francë, Dantesi bëri një karrierë të shkëlqyer politike. U bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, deputet, kryetar i qytetit të lindjes dhe mik i ngushtë i perandorit Napoleon III. Më 27 mars 1852 u emërua senator i përjetshëm i Perandorisë së Dytë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1870.

Për më tepër, ky njeri, që i kishte lyer duart me gjakun e një gjeniu, punoi si agjent i ambasadës ruse. Deri në vitet 1880, ai i përcillte Peterburgut informacione tejet të çmuara. Vitet e fundit të jetës i kaloi në kështjellën e familjes, i rrethuar nga fëmijët dhe nipërit, dhe vdiq në moshën 83-vjeçare.

Monument për vetveten

Dantesi nuk ndiente kurrfarë faji. Deri në fund të jetës mburrej se pikërisht dëbimi për shkak të vrasjes i kishte mundësuar të bënte karrierë. Sipas nipit të tij, Lui Metmanit: «Gjyshi ishte krejtësisht i kënaqur me fatin e vet… dhe thoshte jo rrallë se karrierën e tij të shkëlqyer politike ia detyronte vetëm largimit të detyruar nga Rusia për shkak të duelit».

Ai mendonte se «dielli i poezisë ruse» kishte perënduar për t’i hapur udhë mirëqenies së tij personale. Gjeniu vdiq që vrasësi të jetonte në rehati. Për gati dy shekuj, e vërteta është mbuluar me mite, por një gjë mbetet e pandryshuar: përpara nesh nuk qëndronte një dashnor i zjarrtë, as një viktimë e rrethanave, por një aventurier gjakftohtë dhe llogaritës, biografia e të cilit është ende e aftë të tronditë.

Sipas portalit “Russkaja semerka”
Përkthimi; ExLibris

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË