More
    KreuIn memoriamAndrin Kabashi: Shënim për Maks Brodin

    Andrin Kabashi: Shënim për Maks Brodin

    Hebreu gjerman-folës, Maks Brod, i lindur në qytetin e errët të Pragës më 27 maj 1884, është ai që bota e njeh si mikun më të afërt të Franc Kafkës. Mendoj se pos tuberkulozit, Kafka vuajti nga depresioni tërë jetën e tij, dhe duke marrë parasysh se të dy u njohën qysh nga adoleshenca e vonë, vërehet qartë se Brodi ishte mbështetësi më i madh që Kafka kishte në jetën e tij, deri në vdekje – madje edhe pas saj.

    Me plotë gojë mund ta them se, tradhtia më e bukur në historinë e letërsisë, por ndoshta edhe më gjerë, është tradhtia e amanetit të Kafkës. Të gjithë e dimë se sa pesimist dhe sa vetëmohues ishte Kafka, sakaq arriti deri në atë shkallë sa që shkrimet e tij të pa imagjinuara më parë nga lexuesit, t’i hidhte para zjarrit e t’i jepte fund njëherë e mirë për t’u mos u gjendur kurrë më. Por Brodi nuk e bëri këtë. Ndoshta mund të themi se ne nuk do njiheshim kurrë me shkrimet e Kafkës, po të mos ishte për Brodin, ky tradhtar i jashtëzakonshëm.

    Është e çuditshme në fakt, sesi Kafka nuk i dogji vet shkrimet e tij. Këtë mund ta bënte fare lehtë. Nuk është se tuberkulozi do e pengonte diçka që ai t’i bënte grumbull të gjitha letrat e t’u vinte flakën. Mendoj se këtu ka diçka tjetër. Ndodh shpeshherë që miqtë kuptohen vetëm nga një mimikë, vetëm nga një zë apo në raste të veçanta edhe pa shenja fare. Mund të ketë ndodhur që Kafka nga pesimizmi i tepruar, ta ketë urdhëruar Brodin t’i digjte shënimet, duke e ditur se ai nuk do e bënte kurrë, mirëpo brendia e tij e errët nuk e linte të qetë dhe nuk i jepte shpresë se dikush, diku në botë, apo hiç më larg se në Pragë, do i pëlqente e do i admironte shkrimet e tij. Mund të ketë ndodhur gjithashtu që Kafka nuk i dogji letrat dhe ia la Brodit, me të vetëm dëshirë dhe qëllim që ato një ditë ta shihnin dritën e botimit, ashtu siç edhe la në amanet: “Nuk them se mendoj se nuk ia vlen të publikohen.” – por megjithatë Kafka u mbyll në brendinë e tij të errët sikurse bënte gjithmonë, në fizikun e insektit kurriztrashë.

    Në letra të shumta, Kafka na flet se, në fund të ditës, Brodi ishte mik i mirë, i besueshëm dhe i afërt – ashtu siç në të vërtetë duhet të jetë një mik jete. Ata pinin bashkë, hanin bashkë, flisnin bashkë për vajzat, madje edhe në plazh shkuan së bashku. E çka mund të donte një njeri më tepër se një mik si Brodi.

    Shpesh mendoj me vete për miqësi të tilla si e Kafkës me Brodin, dhe jo rrallë shoh se herët a vonë, njëri nga të dy do e bëj i pari aktin e tradhtisë, sado të afërt të jenë. Por sërish ndalem e them se, këtë radhë, tradhtinë Brodi e ruajti për në fund, dhe bëri një tradhti të mrekullueshme.

    24.5.2022 – Prishtinë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË