Kreu Arte pamore ANARKIA SI LIRI SUPREME - Shenja nga brezi i artë

ANARKIA SI LIRI SUPREME – Shenja nga brezi i artë

Nga Vladimir Myrtezai

Të etur për liri, vijimi i viteve nëntëdhjetë do shënonte kulmin e një kalimi të lartë në përjetimin e stadit elementar të të qenit i lirë në një vend ku mund të ndodhte gjithçka. Të derdhur në të drejtën për të rimarrë pozicionime që rrjedhin nga vullnete vetjake, i madh e i vogël u lëshua në një vetidentifikim masiv e marrosës në luftën e madhe për të jetuar një tjetër status, të pakontrolluar tashmë. Ngjyrime, transformime dhe cytje nga më të papriturat kundër çdo konvencioni që disiplinon mundësinë njerëzore për të ndezur një ëndërr, një shans.
Të gjithë bashkë, të dekontraktuar, të derdhur, njerëzorë, në sfidë, flirtues, shkatërrimtarë, poetikë, vandalë, të uritur, seksomanë, guximtarë, trima të shkalluar, asketë e lundërtarë të poezisë së gjallë në rrugë. Kjo ishte panorama që sundonte rrënajën populiste të atyre viteve.
Parë nga një mungesë baze dhe edukimi, përballë mundësisë për të realizuar një ëndërr qëndronte tehu kryesor e në ngut në axhendën e gjithkujt. Në kërkim të të gjitha shenjave, lënë pas në fis e farë dhe në të gjithë rremat e fshehur të identiteteve në kërkim, të gjithë kundër të gjithëve, e manifestonin të qenit gjallë plot fuqi e ndjenjë për të pushtuar çdo hapësirë të mundshme. E kush nuk do të donte të gjendej në një skenë të tillë apo në një përmbysje të madhe, qoftë dhe me statusin e dëshmitarit, për ta rrëfyer më pas këtë rropamë ngjethëse, kur gjërat ndryshonin me ditë dhe njerëzit konvertoheshin pa mundësinë e një testi në kohë.
Fillesa shënoi njomjen e dorës me rrëmbim të parave të para që mund të fitoheshin lehtësisht në bursën e rrugës. Nxorën kokën paratë e para me fajde dhe tregtia e rrugës, tregtia me gjithçka, jashtë çdo rregulli loje. Një qejf i madh në skamje, ku mund të hidhje si vlerë tregu çdo gjë, duke filluar nga trupi, sendet, pasuritë e luajtshme e të paluajtshme e ç’të të kapë mendja e dora.
Nga një hierarki e varfër e skematike në opinionin publik, filluan të shfaqeshin kapërcimet e para dhe diferencat njerëzore, ku çdo gjë po hynte në xhepin e individit dhe kurrë më për të mirën e përbashkët, një nocion të cilin donin ta shkulnin me rrënjë, ngaqë e ndërlidhnin me regjimin pararendës. Në shfaqje të tripluara në skenën shoqërore gjallonte ende kriza e rezistencës në komunitetin e artistëve, duke dhënë shenja jete si pjesa më e ndjeshme e një shoqërie, që në përmbajtjen e saj kaloi një nga krizat më të rënda të ndërgjegjes, veçanërisht ata që e kishin konsoliduar shenjën e tyre agresive në memorien publike.
Artet pamore kishin pësuar shembjet e para dhe ishte tronditur e gjithë skena, pasi kish humbur “përmbajtjen” e gatshme me të cilën ushqehej. Për shkak të përmbysjes, ripozicionimet e para u paraprinë nga një lloj lëvizjeje si underground, që kish nisur që në vitin 1985 me rebelime sporadike, por të dukshme, të talenteve që nuk po u përmbaheshin dot kornizave nënshtruese dhe të përziera me një kompromis që lëngonte në shtratin e përsëritjes.
Më vonë pata vërtetuar që në frymën e këtij ndryshimi kishim kuptuar se një lëvizje arti ishte perpetuum mobile, që nuk kishte gjithnjë nevojë për përmbysje totale, pasi kjo ndodh vetvetiu në ndërgjegje të larta e të ndjeshme, si një ndryshim pa kthim. Por, sfondi i madh i përmbysjes i dha një hov të ri e të paimagjinuar kujtesës dhe lirisë së këtyre krijesave që, në fakt, kishin lindur të ndryshuara apo në një modus kërkimi për t’u vetëkryer. Gjithsesi, në këtë rropamë duheshin “vrarë” idhujt dhe duheshin rilindur parashikuesit e së ardhmes. Qe një ngërç historik që, në njëfarë leximi linear të historisë, do të quheshin pushtuesit e rinj, të favorizuar për t’i dhënë kuptim një shndërrimi të ri e tejet të distancuar nga një e kaluar që të ngarkonte me ndjesinë e fajit. Faza ndërmjet viteve nëntëdhjetë dhe dy mijë ishte dëshmi e një tranzicioni të fortë e traumatik që, në fakt, lëvizi dhe u dha të gjitha bazamenteve kulturore një mundësi për të përqafuar një ndryshim që zakonisht ndodh një herë në njëqind vjet, si një kafshatë e fortë, por edhe si një gjetje e fatit të individit për të përjetuar e për t’i dhënë kuptim një lëvizjeje që dekodifikon një identitet unik. Gjithsesi, në vijën e parë të këtij ndryshimi, siç ndodh në të gjitha përmbysjet, kishte edhe keqkuptime të mëdha, që morën formën mikluese të ëndrrës dhe u panë si beteja të larta të përqafimit të një lirie pa kushte.
Vështruar nga një distancë e mjaftueshme, rreth dy dekada e gjysmë, e gjithë kjo rropamë të shkakton ndjesinë e një shkulmi morboz të ngjyruar nga personazhe ëndërrimtarë, që në emër të lirisë dhe fjalës së lirë e gjetën veten si yshtarë që nuk ishin të sigurt nëse do të mbeteshin në histori apo kjo e fundit do t’i zvogëlonte shumë shpejt, si një fllad ere në një pikë të horizontit. Kjo e ndihmoi lëvizjen për të ndryshuar, ose thjesht për të qenë pjesëmarrëse në një kohë me interesa të zhvendosur ftohtë, pa mëshirë.
Sidoqoftë, në një vështrim të shpejtë, shumë njerëz jetuan kohë domethënëse dhe faktuan ripozicionimet me veten, si dëshmitarë apo protagonistë me vlerë, gjë që i ekspozoi ndaj një gjykimi të hapur, qoftë edhe përballë mundësisë për t’u fshirë nga historia.
Ky shkrim merr një ngjyrim shtesë për ata që kanë lindur “në të ardhmen”, pa një të shkuar të tillë, ku do të kishin mundësinë të shijonin efektet e një kaosi apo të një anarkie si një ngjarje e madhe që kaloi vendi ynë, me personazhe që – pa modesti – mund të quhen aktorë të kohëve të arta. Askush nuk mund ta mohojë që përveç shkaqeve objektive, sistemi komunist nuk mund të binte si një skenar i lehtë dhe si në një deja vu ekranesh. Çdo gjë pati shkaqet dhe protagonistët e saj, që në një alarm të panatyrshëm ëndërruan se një moment po bënin histori. Nëse nuk do ishte ky delir i nënshtresës njerëzore apo kjo prirje e kushtetutës së brendshme, nuk do të kishte asnjë lloj ndryshimi. Në rregullat e pashkruara të ambicies e genit njerëzor do të ndizej një flakë që do të zgjaste gjatë, për të zënë vend në raunde të pandalshme zhvillimi. Në këtë sfond anarkie e kaosi do profilizohej edhe historia akoma e padokumentuar e disa njerëzve, që në vend të një interesi material, u dhanë e u sheshuan pas ideve, pasi u duk se erdhi momenti për t’u barazuar së brendshmi me fuqinë e egos dhe të sakrificës që, krahasuar me interesin ditor në rritje, ngjante si një ëndërr e zhubravitur.
Shumë artistë të pakryer dhe të tjerë në trend kohe, nxituan si në jerm që të shënjonin një turravrap të pazakontë: të shfaqen në një ekspansion të padë-gjuar e të pashkruar për nga irracionaliteti dhe zëri i instinktit, duke rrokur e afruar pjesë të veçuara të publikut; duke shfrytëzuar një uri të papërmbushur të tij. Një hare jashtë çdo imagjinate.
Për shkak të ndrydhjes së ushtruar mbi lirinë e shprehjes, tanimë mund të fluturonte çdo gjë, si hapësirë e pamatë dhe e pakorrektueshme nga asnjë lloj sistemi vlerash. Kështu vazhdoi për një kohë të gjatë një ëndërr mes ëndërrimtarësh që shiteshin e bliheshin në një qark krejt të mbyllur e pa rregulla loje. Në këtë çakordim masiv u bënë të lexueshme profile të reja që s’i kishin lënë akoma atelierët e Akademisë së Arteve e cila, në fakt, ishte kthyer në një laborator mundimi për të ndarë mjeshtëritë nga format e reja të perceptimit, ku të talentuar e rrokës të apasionuar të dijes u kthyen në një digë për lumin e kohës, për t’i dhënë njëfarë kuptimi ëndrrës, si dhe për t’i shtruar disi me ngut strategjitë e reja se çfarë mund të ndodhte me lirinë krijuese; duke vënë kështu në krizë ndërgjegje të holla dhe ndjeshmëri të gatshme për të qenë të hapur e sfidues.
Klod Dedja, Anri Sala, Alban Hajdinaj, Altin Lika, Gent Gjikopulli, Rovena Agolli, Edit Pulaj, Eri Daka, Flor Haxhihyseni, Suela Allmuça, Diana Mato e më pas të tjerë, si Doris Sala, Ilir Dupi, Edison Çeraj, Rudina Hyka… – të gjithë të çmendur, pa kompromis; ëndërrimtarë të pakrahasueshëm, parakalonin të tashmen të tërhequr nga graviteti i së ardhmes. Qe një brez i ardhur posaçërisht si faktor ndryshimi, bashkëpunues për të qenë në mbështetje të thellë të një shndërrimi sa më vital për kulturën pamore. Ishte brezi i ashtuquajtur i artë, sepse e ngritën në një stad të ri e të pjekur thellësinë e të menduarit dhe pikat e përafërta të referimit. Një kohë e lumtur e mbushur me energjinë e ndryshimit, por edhe me supozime të mbetura si një arkiv i vyer për të dëshmuar këtë ndryshim. Klod Dedja apo Kloshi, siç e thërrisnim në afri, ishte magjia e parë e ndryshimit në ato vite, ku pa dyshim që i tejkaloi të gjitha standardet akademike me një pjekuri të lartë e me një instinkt të ngulët. Anri Sala, me elegancën dhe racionalitetin e zhvillimit të konceptit, duke na asociuar e vënë në krizë edhe vetë ne artistët që bënim zë në atë kohë. Apo Alban Hajdinaj, Parid Çefa e Astrit Vatnikaj, që yshteshin në thellësi të pamata, me shenja të forta (ri)zbuluar nga e shkuara identitare e tyre. Pastaj befasitë ndërlidhëse në medium, akoma të panjohura për publikun, të Altin Likës, Rovena Agollit, Gentian Shkurtit e me radhë.
Por, e gjithë kjo skenë në lëvizje e gjakim të lartë në zgjedhje, bërje e zhbërje në distancë, afri të mrekullueshme në flirte e me dashuri të përziera, nuk do kishte kuptim pa nxitësit e formuluesit e saj; pa lëvizjen kyçe të viteve nëntëdhjetë, ku faktori popull do zhbënte një skenë të ngulitur për shumë vite, jofunksionale tashmë; pa zdërhalljen trysnishumë të Edi Ramës, që pozoi si kryelëvizës alarmant i kohës, mbi të cilën u shtri gjerë e gjatë me trajektoren se ky vend duhej bërë. Pa harruar këtu elegancën e rafinuar të Ardian Klosit, Teodor Kekos, Rudolf Markut, Bujar Xhaferrit, Shpëtim Nazarkos, Arben Imamit, Tos Baxhakut, Agim Isakut, Xhil Muçit, Gaz Lekës, Ilir Pojanit, Pjerin Kolnikës, Skënder Buçpapës, Bardh Londos e shumë të tjerëve, me të cilët po më vë në siklet kujtesa. Po ashtu, e gjithë kjo nuk do të kishte kuptim edhe pa qëndrimet skeptike në territorin e njohjes nga murgjit e heshtur: Petro Zheji, Jusuf Vrioni, Danish Jukni, Franc Ashiku…Duhet kujtuar këtu edhe sfondi i butë ndarës në gropa të padukshme dashuri-urrejtje i femrave protagoniste: Moza Ahmeti, Najada Hamza, Ornela Vorpsi, Anisa Markarian, Monda Bulku e me radhë. Por, për më tepër nuk do të kishte kuptim pa memorien e njerëzve që u radhën në këmbim të një realiteti të stërpërfolur mbi qëndresën dhe vuajtjet e tyre në një peshë të çliruar tashmë të vlerës e protago-nizmit si mur i heshtur: Fatos Lubonja, Ali Oseku, Edi Hila, Edison Gjergo, Daut Gumeni, Maks Velo, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Ejëll Çoba, Musine Kokalari, etërit katolikë Dom Simon Jubani, At’ Zef Pllumi, Vinçes Prenushi, Lazër Shantoja, At’ Bernardin Palaj e shumë të tjerë. Do të duhej një mur i madh emrash për ta ligjësuar në një peshë specifike këtë faktorizim të kohës që jetuam, si një anarki e lartë në një dialog e kundër-dialog përjashtimesh ku u ndërtua kaosi dhe përmasa e stërmadhe e “shndërrimit të të gjitha vlerave”, si një nevojë njerëzore për ta jetuar kohën duke u shfaqur në pafajësinë që mëkëmb të qenit dëshmitar. Sot, si më ftohtë, nga larg e në pozicione të konsoliduara, vështrojmë më ashpër për të dëshmuar kohën e festës së madhe kur flakej arsyeja dhe vendin e saj e zinin sërish kampuset e pashmangshme të parastësisë e racionalitetit, për të kuptuar derdhjen e paparë të instinktive të zgjedhjes fillestare, që u shkaktua ndër njerëz që shijuan lirinë në hurth të parë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...