bisedoi Marcela Tringaj
Alketa Xhafa Mripa është artiste dhe aktiviste e njohur edhe përtej kufinjve të diasporës, e fokusuar në çështjet e të drejtave të njeriut, identitetit, kujtesës, gjinisë dhe emigrimit. Një aktiviste e zellshme e një nga zërat më me ndikim në Kosovë, e cila përmes artit dhe aktivizmit të saj ka kontribuar në fuqizimin e grave dhe komuniteteve të margjinalizuara. Një grua e guximshme që bën artin të buçasë atë që fjalët as nuk mund të pëshpërisin.
Publikimi i librit ‘Vepra e saj – 100 gratë pioniere të Kosovës’ është përpjekja më e fundit e Alketës për të na njohur më mirë me historitë personale të 100 grave pioniere nga Kosova, që me mund të madh e vullnet të palëkundur çuan përpara ëndrrat e tyre të guximshme e që besuan në talentin, pasionin dhe aftësitë e tyre për të lënë gjurmë të thella në shoqërinë kosovare. Ato vijnë me kontribute në fusha të ndryshme, që nga arti, arsimi, shëndetësia, ekonomia, shkenca, sporti e deri te forma të llojllojshme të aktivizmit shoqëror.
Libri ka në fokus edhe fëmijët, pasurimin e diturisë së tyre, me qëllim që t’i njohin e të frymëzohen nga arritjet e këtyre grave të zonja, të cilat me mund të madh prekën majat e profesioneve të reja e të vjetra. Ndonëse mijëra gra meritojnë të jenë pjesë e librit, Alketën e lehtëson fakti se zëri i tyre do të ketë hapësirë në vëllimet e mëpasshme. Këtë na rrëfen sot Alketa! Jam e bindur se edhe sikur të mos isha artiste,edhe sikur idetë e mia të mos ishin shkrim, projekt a instalacion, prapë do të ekzistoja përmes artit.
Një libër për ëndrrën e grave dhe vajzave të guximshme që besuan te talenti, pasioni dhe aftësitë e tyre për të lënë gjurmë në shoqërinë kosovare. Kujt i drejtohet realisht ky libër?
Gjeneratave të reja dhe atyre që ëndërrojnë të ardhmen e tyre. Fëmijëve. Lexueses së re, mbi të gjitha. Por edhe shoqërisë, si një mundësi për të kujtuar kolektivisht dhe për të mbajtur gjallë veprën e tyre.
Po një libër për veprimtaret shqiptare, a thua do të vijë së shpejti?
Çdo herë e mendoj, por shpresoj se do realizohet një ditë. Një libër ose projekt tjetër multidimensional për veprimtaret në Shqipëri do të ishte realizim i një ëndrre të kahmotshme. Historia e vajzave dhe grave nga Shqipëria e shekullit XX është aq e bujshme, saqë ka formësuar gjenerata veprimtaresh edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Ç’vlerë ka për një komb lartësimi dhe kujtesa e veprimtareve, e grave që nuk tuten kollaj?
Vlera kryesore është gruaja, por edhe më shumë fuqia e guximi i saj.
Gruaja për mua është shtylla kurrizore e një shoqërie.
Në një periudhë bashkëkohore, kur ajo ende vazhdon të shtypet, të dhunohet e të vritet, lartësimi dhe kujtesa e gruas veprimtare është më i domosdoshëm se kurrë.
Aktive për mbi 15 vjet, tek ndërthur artin me të drejtat e njeriut, identitetin, kujtesën, gjininë dhe migracionin. Ku fillon e ku mbaron zemra, guximi e zotimi i një aktivisteje kaq gjithëpërfshirëse?
Gjithçka fillon nga të qenit grua, pastaj nënë. Kam lindur e jam rritur në kohëra shumë të vështira për popullin tim, dhe sakrifica e tyre për t’i mbijetuar atyre vështirësive më ka bërë shumë të fortë dhe më të guximshme si zë, si grua dhe si artiste. Por zemra, guximi dhe zotimi ndaj rolit që kam nuk mendoj se mbarojnë në një pikë të caktuar. Ato veçse bëhen çdo ditë e më të forta dhe marrin forma të ndryshme, gjithnjë e më të artikuluara në raport me përkushtimin tim si aktiviste.
Po mos të ishe ti autorja e këtij libri, do të të gjenim si personazh doemos. Si do ta kish ënda të t’i njihnim kontributet?
Përmes artit, sigurisht. Jam e bindur se edhe sikur të mos isha artiste,edhe sikur idetë e mia të mos ishin shkrim, projekt a instalacion, prapë do të ekzistoja përmes artit. Për mua autorësia nuk ka shumë rëndësi, edhe pse shpesh ndodh të jetë e nevojshme të theksohet, kur dihet sa të ndjeshme mund të jenë temat me të cilat përballem gjatë punës sime.
A ndodh rëndom në Shqipëri e Kosovë që mungesa e të drejtave dhe lirive të grave ngjall më së shumti pezmatim e përbuzje, por jo revoltë të mirëfilltë për një ndryshim?
Është e pritshme dhe shpesh e rëndomtë që të drejtat e tyre ngjallin përbuzje, madje edhe atëherë kur vërtetohet plotësisht se gruaja është viktimë e sistemit ligjor bashkëkohor. Zëri aktivist është shumë i pranishëm, sidomos nga gratë shqiptare, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, por nevojitet më shumë përkrahje për t’i zgjeruar protestat e tyre ndaj këtij sistemi të padrejtë shoqëror e ligjor.
A po gjen feminizmi përkrahjen e duhur në Kosovë?
Për mua, Kosova ka feministë të jashtëzakonshëm, gra e grupe grash që lobojnë vazhdimisht për të drejtën e gruas, e fatkeqësisht më shumë për padrejtësitë që u bëhen atyre. Unë gëzoj një bashkëpunim të madh dhe mjaft të vlefshëm me komunitetin aktiv e feminist në Kosovë. Por se duhet të ketë më shumë përkrahje, këtë mundohem të vërtetoj e të theksoj çdo ditë.
Mes Londrës e Prishtinës: ç’të mirave u gëzohesh dy shtëpive të tua?
Prishtina, Kosova dhe njerëzit e mi në Kosovë, mbi të gjitha, janë vatra e identitetit tim. Nuk ka ndjenjë që mund ta zëvendësojë lidhjen time me Kosovën. Londra është organ i historisë sime si artiste, si nënë, si grua, por me Kosovën jam ajo që jam.