More
    KreuLetërsiBibliotekëAgim Vinca: Orfeu shqiptar dhe kënga shqipe e dashurisë

    Agim Vinca: Orfeu shqiptar dhe kënga shqipe e dashurisë

    (Çka më nxiti t’i hyja hartimit të kësaj antologjie?)

     Ideja për hartimin e një antologjie të lirikës shqipe të dashurisë – prej fillimeve e deri në ditët e sotme – më ka lindur shumë vjet më parë, ndërsa shfletoja një ditë librin me titull Libri i artë i lirikës botërore të dashurisë, të hartuar nga poeti dhe përkthyesi i njohur kroat (jugosllav) i poezisë, Nikolla Miliçeviq. Në këtë libër voluminoz prej rreth një mijë faqesh, vepër e një autori kroat, domethënë ballkanas, tek kishin zënë vend poetë nga pothuajse i gjithë rruzulli tokësor, kush me më shumë e kush me më pak poezi, nuk ishte përfshirë, për çudi, asnjë poet shqiptar dhe asnjë poezi shqipe. Asnjë për farë![1]

    Si ligjërues i poezisë bashkëkohore shqipe në fakultet, por edhe si poet, atëbotë isha thuajse ditë e natë me libra poezie në dorë; i lexoja dhe rilexoja vazhdimisht; mbaja shënime e bëja komente; i analizoja me gojë e me shkrim; ua lexoja studentëve në orët e ligjëratave e ushtrimeve dhe kërkoja mendimin e tyre për to; mësoja përmendsh vargje e strofa, por edhe vjersha të tëra (natyrisht ato më të bukurat) dhe kërkoja edhe nga studentët e mi që të vepronin njësoj. Me një fjalë, isha shumë i lidhur me poezinë në përgjithësi dhe me poezinë shqipe në veçanti (siç jam, pak a shumë, edhe sot) dhe nuk mund të pajtohesha lehtë që të injorohej a anashkalohej ajo nga kushdoqoftë. Nuk mund të pajtohesha, prandaj, kurrsesi me qëndrimin që kishte mbajtur ndaj poezisë shqipe – në rastin konkret ndaj poezisë erotike shqipe – autori i Librit të artë të lirikës botërore të dashurisë, pavarësisht në ishte ky qëndrim pasojë e mosnjohjes apo e paragjykimeve eventuale për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

    Atëherë vendosa t’i hyja hartimit të një antologjie të lirikës shqipe të dashurisë, ku do të përfshiheshin perlat e lirikës shqipe me këtë temë, duke filluar nga letërsia gojore e deri te vjershat e poetëve të kohës sonë. Dhe i hyra punës në këtë projekt ambicioz e afatgjatë. Në një fletore e dosje të veçantë shënoja ditë pas dite e vit pas viti titujt e vjershave dhe emrat e autorëve; bëja shënime e komente rreth tyre; i shtypja në makinë ose i përshkruaja me dorë (për t’i përjetuar më mirë) tekstet e vjershave, qofshin edhe të gjata; e plotësoja herë pas here “listën” me emra të rinj poetësh e tituj të rinj vjershash; e braktisja këtë punë për një kohë, herë më të gjatë e herë më të shkurtër, për t’iu rikthyer përsëri.

    Kjo punë zgjati, siç thashë më lart, me vite e dekada. Shënimet, fillimisht të mbajtura në një fletore dhe të mbledhura në një dosje, më vonë, pas depërtimit të kompjuterit në mesin tonë, i barta në memorien e “kutisë magjike” nën shifrën: “Orfeu shqiptar”, që pata menduar edhe t’ia vija si titull kësaj antologjie.

    (Erosi hyjnor dhe dashuria tokësore)

    Orfeu në mitologjinë antike është simbol i njeriut, i cili, me këngën e tij, zbuste kafshët e egra, i detyronte lumenjtë të ndalnin rrjedhën, pemët të përkulnin degët dhe gurët të lëviznin nga vendi. Ishte i dashuri i nimfës Euridikë, që vdes nga kafshimi i gjarprit. Me lejen e Zeusit zbret në mbretërinë e nëntokës, ku me këngën e tij mallëngjen Hadin, i cili ia lejon ta marrë me vete Euridikën, por me kusht që të mos e kthente kokën pas për ta parë derisa të arrinte në tokë. I përmalluar së tepërmi, Orfeu nuk duroi deri në fund, ktheu kokën dhe e humbi përgjithmonë të dashurën e tij.

    Sipas gojëdhënës Orfeu është poeti i parë në botë, por jo edhe ai që ia dha emrin poezisë së dashurisë. Këtë privilegj e gëzoi Erosi, perëndia e dashurisë. (Në mitologjinë romake njihet me emrin Amori ose Kupidoni).

    Në mesin e perëndive të Olimpit, ai ishte “më i bukuri, më i miri dhe më i shenjti”. Përfytyrohej si një djalosh i bukur, që mbante në njërën dorë harkun, në tjetrën shigjetën, me të cilën i qëllonte njerëzit në zemër. Shigjetat e Erosit shprehin fuqinë e dashurisë në jetën e njerëzve.

    Platoni te Elozhi i Dashurisë thotë se “nëse do të mund të krijohej një shtet apo një ushtri e përbërë vetëm nga njerëz të dashuruar, ata do të ishin në gjendje ta pushtonin botën”, sepse “vetëm ata që dashurojnë janë të gatshëm të vdesin për të tjerët”. 

    Koncepti i Platonit për dashurinë ishte idealist dhe u quajt “platonik”; “dashuria platonike” (e jo fizike) ishte e vetmja dashuri e denjë për banorët e “shtetit ideal” të filozofit antik.

    Te Hesiodi (Teogonia) Erosi paraqitet si një krijesë me fuqi të mbinatyrshme, që ka vetinë t’i nxisë njerëzit të bashkohen. Madje, jo vetëm njerëzit, por dhe qeniet e tjera. Sikurse nëna e tij, Afërdita, Erosi ka dy fytyra: “qiellore” dhe “tokësore”, andaj ndjenja që nxit ai shkakton jo vetëm gëzim e lumturi, por edhe vuajtje e dëshpërim.

    Pikëpamje të përafërta për forcën magjike të Erosit, ka edhe në vargjet e poetëve shqiptarë, veçanërisht te Naim Frashëri dhe Lasgush Poradeci, dy nga lirikët më të mëdhenj të shqipes.

    Perëndinë e dashurisë, Erosin, Naimi ynë e himnizoi në poemën e tij greqisht, O Eros (1895),[2] ku shigjetarin hyjnor e quan “nektar pavdekësie” dhe “shpirti i gjithësisë”. Më vonë, te Bukurija, do të këndojë, në shqip, “Perëndinë bukuroshe”, e cila, konform konceptit të tij panteist mbi botën, gjendet kudo: “Në qiej, në dhe, në hënë,/ Në diell, në shënjë, në yje,/ Ndër lule, ndër drurë, ndër pyje” dhe që si e tillë i jep “shije gjithësisë”.

    Pashko Vasa, në vëllimin Rose e spine (Trëndafila dhe gjemba), të shkruar në italisht, do të ndjekë modelet e poetëve italianë (Petrarka, Leopardi etj.), duke krijuar poezi erotike formalisht të rregullta, por disi të ftohta. (Krejt ndryshe do të veprojë te kryevepra e tij, O moj Shqypni, ku këndon për një dashuri tjetër, dashurinë ndaj Atdheut, në gjuhën amtare dhe me frymëzim kombëtar).

    Romantikët arbëreshë, De Rada, Serembe, Skiroi e të tjerë, do të krijojnë poezi me vlerë, duke u mbështetur në rapsoditë e sjella nga atdheu i të parëve, por edhe në poezinë romantike evropiane, në radhë të parë atë italiane.

    Dishepull i Naimit në jetë dhe në krijimtari, Çajupi do të krijojë jo pak poezi dashurie, por me përmbajtje më realiste, të ngjashme me ato të poezisë popullore, që e kishte burim frymëzimi, ndërsa në ndonjë poezi më të vonë do të shkruajë edhe vargje të guximshme erotike (vjersha Nyja tri…), që ta kujtojnë erotikën franceze nga Ronsari e këndej.

    I afërt me të, por më i gjerë dhe më i kultivuar, është edhe Asdreni. Në secilën nga përmbledhjet e tij (gjithsej katër), ky poet ka nga një cikël të veçantë me vjersha dashurie, shumica e të cilave janë poezi për vajza të bukura fshatare e djem çapkënë (Thëllënxa e Lekës, Prej katundit etj.), kurse disa të tjera meditime për bukurinë dhe dashurinë, që asimilojnë mitet antike dhe simbolikën e tyre (E bukur’ e dheut, Thaisa etj.).

    Fishta, ndërkaq, është një rast i veçantë në këtë mes. Poet i frymëzimit kombëtar e religjioz, në njërën anë dhe kritik i rreptë i veseve, në tjetrën, poeti i Lahutës… dhe i Anzave të Parnasit, do të krijojë edhe poezinë e famshme Nji lule vjeshtet, në të cilën këndon (ma mirë me thanë vajton) për një grua të vdekur: të papërcaktuar e “ambige”, së cilës frati i dashuruar, me fjalën e tij të fuqishme, dëshiron t’i ngrejë një “përmendar” mbi varr.[3] 

    Pas krijimit të shtetit shqiptar (1912) dhe sidomos pas konsolidimit të tij (nga vitet ’20 e këndej), do të ndryshojë, pak a shumë, gjendja shoqërore dhe politike e shqiptarëve. Në situatën e re të krijuar, poetët shqiptarë brenda kufijve shtetërorë, një pjesë e të cilëve kishin filluar të shkruanin qysh më parë, jashtë shtetit, do të manifestojnë një mënyrë të re të konceptimit të dashurisë: motive të reja, ndjeshmëri të re dhe, deri diku, edhe mjete të reja shprehëse.

    Periudha e Pavarësisë, të cilën qëllimisht e kam quajtur Independenca, sepse ky term përdorej në atë kohë, është shumë e pasur, e frytshme dhe cilësore në poezinë erotike. Atë e kanë krijuar individualitete të shquara poetike, që shquhen me pasionin dhe përkushtimin ndaj këtij lloji të poezisë lirike, si Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Nexhat Hakiu (autor i njërës nga lirikat më të bukura të dashurisë në gjuhën shqipe, Madrigal), Lazër Shantoja, Ernest Koliqi, Mid’hat Frashëri, Migjeni etj.

    Për herë të parë në lirikën erotike shqipe shfaqet figura e gruas intelektuale, “me do letra n’dorë”, si thotë Shantoja te cikli i tij sonetik Për nji puthje të vetme, një krijim me vlerë të rrallë artistike dhe me një harmoni të përkryer kompozicionale. Edhe Koliqi te Tingëllimet e dashunis (I-V) flet për një grua a vajzë që subjekti lirik e veneron “kur shkon kah shkolla me libra n’dorë”; imazhe të tilla ka edhe te disa vjersha të Vedat Kokonës. (Nuk ndodh kështu te Lasgushi, Ali Asllani a Nexhat Hakiu; te këta gruaja është e papërcaktuar nga pikëpamja profesionale, për të mos thënë edhe sociale; te Hakiu, sipas traditës, del “çobankë”).

    Me talentin e tij gjenuin dhe me punën këmbëngulëse me vargun, Lasgushi do të arrijë shkallën më të lartë të estetizimit të fjalës poetike shqipe. Dashuria për të është, siç thoshte Kuteli, “gjenerator i jetës dhe i energjisë së përjetshme”, por te Lasgushi, gjithnjë sipas Kutelit, hasen dy linja kryesore të lirikës dashurore: ajo e poezisë rustike – esencialisht shqiptare dhe e poezisë si ndjesi thellësisht universale. Lasgushi është poet ezoterik, që bredh në qiell, por di të zbresë edhe në tokë, pa e zhveshur asnjëherë ndjenjën e dashurisë nga veli i misterit dhe i fshehtësisë. “Se s’ dashuronja-as un’ as ti,/ Po dashuronte dashurija: / Një dashuri – një fshehtësi/ M’e fshehur sesa fshehtësija”.

    (Një nxënës shpirtëror i Lasgushit, disa e quajnë edhe epigon të tij, është poeti Nexhat Hakiu, pak i njohur nga publiku shqiptar dhe i pavlerësuar nga kritika letrare. Me poezinë e tij të viteve ’30-40, ky poet ndërlidhet me një pjesë të poezisë së Lasgushit, atë rustikale dhe i afrohet asaj me bukurinë e shprehjes, por nuk arrin te vizioni i Valles së Yjve dhe i Kamadevës). 

    Nuk mund të flitet për lirikën shqipe të dashurisë pa poetin Ali Asllani. Si te asnjë poet tjetër shqiptar tek Ali Asllani gjen shprehje filozofia epikureane e carpe diem-it dhe e rubairave të Khajamit, por edhe bota shpirtërore e njeriut shqiptar, burra e gra, pleq e të rinj, që ai e njeh mirë dhe e sublimon në mënyrë mjeshtërore në poezinë e tij patriotike e shoqërore, sikundër edhe në poemën Hanko Halla dhe në poezitë satiriko-humoristike, por në mënyrë të veçantë në lirikën e tij dashurore. Përmbajtësisht lirika e tij ushqehet nga dashuria për jetën, gruan, natyrën, të cilat i sheh të ndërlidhura me njëra-tjetrën (Vishet mëni, zhvishet vasha), ndërsa në planin artistik lirikën e tij e karakterizon vargu i lidhur e i rimuar me një bukuri e akustikë të rrallë.          

    Migjeni, si gjithmonë, del nga korniza. Ndryshe nga pararendësit dhe bashkëkohësit e tij, ai sjell tone të reja edhe në poezinë erotike. Te Migjeni dashuria ka një thelb tragjik. Natyra e saj shprehet në vargun e parë të vjershës Ndeshja: “O grue, që të ndesha në ditën e fatkobit tem!”, që përsëritet edhe dy herë të tjera, por me një ndryshim të vogël:  “O grue, që të ndesha në ditën e fatkobit tonë!”. Gruaja për të cilën këndon poeti i Vargjeve të lira është grua e jo hyjneshë. Në poezitë e tij, që stigmatizojnë moralin e rrejshëm të shoqërisë, shfaqet shpesh figura e prostitutës. Ajo është viktimë e kushteve sociale, por edhe e instinkteve të veta sensuale. Në lirikën erotike të Migjenit ka diçka bodleriane: dashuria është fatale, por krijime si Dy buzë dhe Z. B. pikturojnë portrete grash, me theks te buzët dhe sytë e tyre si shprehje e bukurisë.

    Poezia bashkëkohore shqipe, si ajo e krijuar në Shqipëri nën firmën e realizmit socialist, ashtu edhe kjo e krijuar në Kosovë, me kufizime në planin ideor, por më e hapur ndaj rrymave moderne, sjell tema, ide, motive, përmbajtje dhe prirje të shumta poetike, si dhe individualitete të ndryshme. Disa nga këta poetë, krahas poezisë me motive të tjera, kryesisht shoqërore dhe historike, kanë krijuar edhe vjersha dashurie të denja për t’u bërë pjesë e çfarëdo përzgjedhjeje.

    Kadareja, Agolli, Arapi janë “treshja”që dikton tempo edhe në këtë plan. Në krijimtarinë e tyre hasen gjendje të ndryshme emocionale, por edhe një këndvështrim i përbashkët përkitazi me ndikimin e poezisë në jetën e njerëzve. Dashuria te këta poetë shihet edhe në prizmin social: të luftës kundër kanunit dhe patriarkalizmit, sepse vetëm dashuria e lirë dhe e paimponuar është tregues i emancipimit shoqëror, por nuk mungojnë as mesazhet filozofike dhe sintezat figurative.

    Duke asimiluar në mënyrë krijuese traditën e vargut shqip, përfshirë edhe artin oral, por në kontakt edhe me rrjedhat e poezisë botërore, klasike e bashkëkohore (që të tre janë njëkohësisht edhe përkthyes të poezisë),  këta poetë, secili në mënyrën e vet, i zgjeruan kufijtë e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX dhe krijuan një korpus lirikash erotike me vlerë të pakontestueshme.

    Në këtë rrugë do të ecin, si në planin tematik, ashtu edhe në atë stilistik, edhe poetë të tjerë, më të rinj apo edhe më të moshuar se ata. Poet me frymëzim të pashtershëm dhe me imagjinatë të harlisur, Vehbi Skënderi ka shkruar disa nga poezitë më të bukura të dashurisë në letërsinë e sotme shqipe. Si një Bodler shqiptar ai kërkon me ngulm të bukurën, qoftë edhe në ferr, kurse gruan e ngre në piedestal, duke e marrë në mbrojtje arketipin e saj, Evën, nga mëkati primordial: kafshimi i mollës së ndaluar!

    I një natyre tjetër është Dhori Qiriazi, i butë, lirik, subtil, krijues që duke jetuar në provincë, sillte në poezinë e zhurmshme shqipe të kohës (atë të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar) tonin e qetë e elegjiak (kujto vjershën Dikur në vjeshtë, që është ekzemplar i kësaj prirjeje poetike).

    Edhe një poet militant si Llazar Siliqi, ka shkruar disa poezi të bukura dashurie, si për të treguar se shoqëria socialiste nuk ia mohonte këtë ndjenjë “njeriut të ri” dhe se doktrina që e përvetësuan ai me shokë, me e pa dëshirë, nuk e ndalonte poezinë me këtë motiv.

    Poezi dashurie janë shkruar edhe në periudhën e realizmit socialist.

    Nga poetët këndej kufirit me vargjet e tyre intime shquhen poetë si Azem Shkreli, Adem Gajtani, Qerim Ujkani etj., deri diku edhe Enver Gjerqeku e Din Mehmeti, kurse nga poetët arbëreshë i pashmangshmi Vorea Ujko, i cili, si me frymën, ashtu edhe me gjuhën dhe stilin, inkuadrohet natyrshëm në rrjedhat e poezisë shqipe këndej Adriatikut.

    Zëra të veçantë të lirikës bashkëkokore shqipe me temë erotike janë edhe Arshi Pipa, që ka krijuar një nga poezitë më sensuale në letrat shqipe (poezinë Epsh), në të cilën, me një gradacion të paparë, jepet pasioni i një gruaje Gorgonë në shtrat; Mihal Hanxhari me vargun e tij muzikal me tharm universal; Pano Taçi me hukamat e tij të Venusit; Bilal Xhaferi me peizazhet e trishta si jeta e tij; Jorgo Bllaci me vargjet që iu kundërvunë rrymës dhe që, për pasojë, e pësoi sikurse Xhaferi (njëri në burg, tjetri në mërgim); Ilijaz Bobaj, një poet që e zotëron mirë motivin që trajton dhe ia përshtat edhe mjetet shprehëse; poetesha Adelina Mamaqi, e para grua shqiptare që botoi një libër me poezi për të rritur, ku shfaqet bota skofiare e vajzës shqiptare, etj.

    Emrave të mësipërm u bashkohen edhe poetë pak më të rinj në moshë dhe me prirje më moderne si Frederik Rreshpja, Koçi Petriti, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Moikom Zeqo, Natasha Lako, Besnik Mustafaj, Ilirian Zhupa, Agim Spahiu, Skënder Rusi, Preç Zogaj, Abdullah Konushevci, Shazim Mehmeti etj., disa prej të cilëve shkëlqejnë me vargjet e tyre të një erotizmi sa fluid aq edhe sensual, intuitiv e racional.

    Me liberalizimin e jetës pas vitit 1990 dhe sidomos në dekadën e fundit të shek. XX dhe në dy dekadat e para të këtij shekulli (XXI), që vazhdojmë ta quajmë kohë e tranzicionit, poezia erotike shqipe njohu dukuri të reja, të panjohura më parë. Poezia e kësaj kohe, ndryshe nga ajo e mëparshmja, mund të quhet “erotike” në kuptimin e plotë të fjalës. Nga një poezi gati puritane (përjashto një pjesë të lirikës popullore), tani poezia erotike shqipe bëhet voluptuoze (epshndjellëse).

    Rënia e sistemit të censurës shënoi edhe rënien e tabuve. Madje, në këtë plan sikur pati një garë, në të cilën, për çudi, prijnë krijueset femra, gra e vajza.

    Duke folur për këtë çështje, studiuesi Gjergj Zheji, rreth njëzet vjet më parë, pati thënë: “Është interesant fakti që në Shqipëri poezinë e dashurisë po e krijojnë dhe e lëvrojnë më shumë gratë”, duke veçuar “si një prurje fare të veçantë në këtë drejtim” poeteshën Rita Petro. (Më gjerësisht për këtë autore shih shënimet në fund të librit).

    (Nga puritanizmi te voluptuoziteti)

    Revolucioni i quajtur “seksual”, që në Evropë do të fillojë në vitin 1968, te ne do të arrijë në vitet 2000. Duket se erdhi koha që shqiptarët të flisnin lirisht për erosin edhe në jetën publike, kurse letërsia shqipe t’i kishte, më në fund, Henri Milerët, Bukovskët dhe Anais Ninat e saj. Erosi bëhet hero i frymëzimeve poetike, kurse Frojdi dhe pasardhësit e tij, sado me vonesë, lektyrë e preferuar e shkrimtarëve tanë, të rinj e të vjetër, poetë e prozatorë. (I kësaj kohe është edhe Fjalori erotik i gjuhës shqipe i Edmond Tupjes, botuar në vitin 2004, i pari i këtij lloji në kulturën shqiptare).

    Erosi është pjesë e jetës, andaj edhe e letërsisë, sidomos poezisë si lloj që reagon më shpejt ndaj së resë, por në letërsitë e vonuara, çfarë është edhe kjo jona, ekziston rreziku i kalimit nga një ekstrem në tjetrin: nga puritanizmi në perversitet.

    Filozofi frëng Zhorzh Bataj, i cili citohet shpesh kur flitet për këtë temë, thekson se “vetëm njerëzit kanë mundur ta shndërrojnë aktivitetin e tyre seksual në aktivitet erotik dhe këtu qëndron dallimi mes njerëzve dhe kafshëve”. Me fjalë të tjera, “erotizmi është ajo që e dallon aktin seksual të njerëzve nga akti seksual i kafshëve”.

    Pa u lëshuar në teorizime të mëtejshme për këtë çështje, që nuk është objekt i interesimit tonë në këtë rast, le të themi dy fjalë për prurjet e poezisë së poetëve të përfshirë nën siglën “Postmodernistët” dhe disa nga tiparet e saj.

    Epoka e internetit e ndryshoi në masë të madhe statusin e shkrimit, përfshirë edhe poezinë si avangardë e artit letrar. Tani vargjet, më shumë se në libra e revista, si dikur, botohen e lexohen në portale elektronike e rrjete sociale, e aty ka gjithçka: hartime mediokre e pseudovlera më shumë se  krijime me vlerë. Është detyrë e kritikës t’i diferencojë ato, por zëri i kritikëve tanë dëgjohet pak ose aspak kur është fjala për problemet vitale të letërsisë, përfshirë edhe receptimin e saj.

     Veshja dhe sjellja e njerëzve ndryshojnë nga epoka në epokë, por zemra njerëzore në thelb mbetet e pandryshueshme. E aty e kanë folenë, të shprehemi kështu, dhimbja dhe dashuria. Edhe frika nga pleqëria dhe vdekja, e vetes dhe e atyre që i duam dhe pa të cilët nuk mund ta paramendojmë jetën. 

    Poetët tanë “post-modernë” (në mungesë të një zgjidhjeje më të mirë po e përdorim këtë term) i qasen dashurisë pa kompleks e paragjykime, sikurse edhe vetë poezisë. Përmbajtja e vjershave të tyre është e gjerë (njeriu me tundimet e tij është në qendër të vëmendjes), kurse struktura gjuhësore dhe artistike proteike. Shumë nga këto poezi shkruhen në idiom ose janë një përzierje e standardit me ideolektin, kurse “armë” kryesore kanë ironinë, humorin e zi dhe lojë me fjalë, që e sjellin, herë-herë, vjershën në kufi me batutën.

    Duket si paradoks, por prirja për eksperimentim shoqërohet nga “rivizitimi i traditës” si gjedhe që gjeneron art të pavdekshëm. Abdulla Tafa, Teodor Keko, Petrit Ruka, Adem Gashi, Gjekë Marinaj, Kolec Traboini, Agron Tufa, Ervin Hatibi, si dhe poetët e një brezi më të ri, por tanimë të afirmuar, brenda e jashtë, Lulzim Tafa, Ag Apolloni, Alket Çani etj. janë disa nga emrat…

    Po “femrat”?

    I lamë për në fund “femrat”, krijueset vajza dhe gra, këto zonja të vogla të letërsisë shqipe, siç do të thoshte Kadareja i Kafe Rostand, ashtu siç lihet ëmbëlsira në fund të gostisë. (Gosti është edhe ajo që shtron Platoni për nder të Erosit, ku pasi flasin me radhë Fedri, Pausania, Eresimaku, Agatoni dhe Aristofani, fjalën e fundit e thotë Sokrati). Krijuese si Mimoza Ahmeti, Besa Myftiu, Rita Petro, Ledia Dushi, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi/Ahmeti, Donika Dabishevci, Vjollcë Berisha, Rudina Çupi, Nurie Emrullahi e të tjera, me vargjet e tyre “heretike”, i zgjerojnë kufijtë e lirisë sonë dhe e bëjnë më joshëse e më moderne lirikën erotike shqipe, duke i dhënë asaj një shije të veçantë.

     (Mbi kriteret e përpilimit të kësaj vepre)

    Vetëkuptohet se në hartimin e kësaj vepre autori është udhëhequr nga disa kritere të cilave është përpjekur t’u përmbahet gjatë punës së tij.

    Pikësëpari do thënë se kjo është një antologji tematike, që ka në fokus një temë: temën e dashurisë dhe si e tillë e para e këtij lloji në letërsinë shqipe.[4]

    Më është dukur e arsyeshme që kjo përzgjedhje të fillojë me lirikën popullore, ku tema e dashurisë është tejet e pranishme dhe ku ka krijime poetike, të cilat, herë-herë, të mahnisin me bukurinë e tyre.

    Natyrisht që raporti ndërmjet lirikës gojore, të mbledhur e të botuar, dhe asaj që quajmë “poezi e shkruar” është dukshëm në favor të së dytës.

    Numri i poezive me të cilat prezantohen poetët ndryshon varësisht nga vendi që zë motivi erotik në krijimtarinë e aksh poeti, si dhe nga realizimi artistik i krijimeve të tyre.

    Si çdo vepër me përmbajtje të gjerë, kjo antologji mbështetet mbi një klasifikim. 

    Materiali i përfshirë në të ndahet në gjashtë pjesë a kapituj: POETI ANONIM, LETËRSIA E VJETËR, RILINDËSIT, INDEPENDENCA, BASHKËKOHORËT dhe POSTMODERNISTËT. Emërtimi mund të mos jetë shumë koherent, por brendapërbrenda ndarjeve ka koherencë të mjaftueshme tematike dhe stilistike.

    Renditja e poetëve brenda kapitujve i përmbahet kriterit kronologjik, i cili bën të mundur të shihet evoluimi i poezisë shqipe të dashurisë në diakroni, sikundër edhe i ndjenjës që e frymëzon atë. (Te zëri “Poeti anonim”, natyrisht, nuk vlen kjo renditje).

    Dilema e vjetër: antologji e vjershave më të mira apo e poetëve më të mirë, këtu është zgjidhur me një “kompromis”: në të janë përfshirë poetët e shquar, që e kanë kultivuar me sukses edhe lirikën e dashurisë, por edhe poetë “minorë” që kanë krijuar ndonjë poezi të veçantë me këtë motiv.

    Jam i vetëdijshëm se jashtë kësaj antologjie kanë mbetur edhe krijues dhe krijuese, që do të meritonin të gjendeshin në të, por si çdo gjë tjetër edhe librat kanë një kufi. (Mu për këtë, në fazën përfundimtare të punës, më është dashur të bëj jo pak herrje e shkurtime të dhimbshme).

    E hartuar nga një njeri që është edhe vetë poet, por njëherësh edhe studiues i letërsisë dhe mësimdhënës i saj shumëvjeçar, është e kuptueshme që në formësimin e kësaj vepre të ketë ndikuar edhe shija e autorit, afiniteti i historianit të letërsisë dhe përvoja e pedagogut universitar. Fundja, çdo antologji është vepër e një subjekti dhe mban vulën e kulturës së tij. (Antologjia jam unë, do të mund të thoshim duke parafrazuar një thënie të njohur).

    Duke u marrë gjatë kohë me të, duke lexuar, rilexuar e korrigjuar tekstet e radhitura, nuk kam mundur t’i bëj ballë tundimit për të bërë shënime e komente, të cilat janë vënë në fund të librit a kapitujve. Këto shënime, që vijnë a posteriori, pra pas teksteve, e jo para tyre, janë bërë edhe në funksion të racionalizimit të parathënies, sepse, siç pat thënë dikur Lekë Gruda, alias Luigj Gurakuqi, parathëniet e gjata janë të mërzitshme. 

    (Në vend të përfundimit)

    Thuhet se poezia si art, lirika posaçërisht, i takon rinisë, por edhe se dashuria nuk njeh moshë e as kufij. Ajo shkruhet në çdo moshë e në çdo vend e, madje, edhe në rrethana jonormale, fjala vjen, në burg, siç dëshmon rasti i poetit Visar Zhiti (dhe jo vetëm) i prezantuar këtu me një poezi të shkruar në burg.          

    Si rregull vjershat e dashurisë shkruhen në moshën e rinisë, por dashuria u takon të gjitha moshave. E gjithë jeta njerëzore, secila fazë e saj, ka hisen e vet në këtë “parajsë”, që jo rrallë mund të shndërrohet edhe në “ferr” a “purgator”.  (Në lirikën popullore shqiptare dalin shpesh si personazhe plaku dhe i riu – secili aspiron të bukurën, por “rivaliteti” përfundon, natyrisht, në favor të të riut). Gëtja i madh, autori i Elegjive romane, nga është marrë motoja e kësaj parathënieje, thoshte: «Dijeni se vetëm kur të humbas interesin për dashuri, kam vdekur», ndërsa shkrimtari i famshëm bashkëkohor latino-amerikan, autori i romaneve me skena të papërsëritshme erotike Njëqind vjet vetmi dhe Dashuri në kohën e kolerës, nobelisti Gabriel Garsia Markes, rreth dyqind vjet më vonë, shton: “Njerëzit e kanë gabim kur mendojnë se pushojnë së dashuruari kur plaken, duke mos ditur se ata plaken kur pushojnë së dashuruari”.

    Dhe ja edhe një mendim interesant, që nuk vjen nga ndonjë shkrimtar i shquar, e as nga ndonjë dijetar erudit a orator elokuent, por nga një aktor mendjemprehtë. Duke iu referuar moshës së poezisë, komiku italian Roberto Beninji (Benigni), i porosit poetët: «Mos shkruani menjëherë poezi dashurie. Ato janë më të vështirat të shkruhen, prisni sa të shkoni 80 vjeç pa të filloni t’i krijoni».

    (Dhe ja edhe një rastësi interesante, nga ato që vijnë kur s’i pret, si një verdikt hyjnor: autori i kësaj antologjie po ua ofron atë lexuesve tani që po i afrohet edhe vetë moshës proverbiale të Beninjit). 

    Kanë kaluar vite e dekada nga koha kur më lindi ideja fillestare për këtë antologji e deri më sot kur po i jap fund asaj për t’ua bërë dhuratë lexuesve – besnikë të fjalës së bukur shqipe, kudo që janë, në tërë hapësirën shqiptare apo edhe në botën e madhe. Edhe të huajve që interesohen për vlerat shpirtërore të shqiptarëve si komb, sigurisht.

    Autori i asaj antologjisë së lirikës botërore të dashurisë, që injoronte poezinë shqipe si të mos ekzistonte, me siguri nuk jeton më; edhe libri i tij “i artë” tashmë është harruar ose ka mbetur si një relike në raftet e bibliotekave, por poezia shqipe e dashurisë jeton, vazhdon të jetë e gjallë, si thesar shpirtëror i popullit që i takon, por edhe si pjesë e traditës letrare e shpirtërore ballkanike, evropiane dhe botërore.

    Prishtinë, shtator 2024

    (Parathënie e librit Antologji e lirikës shqipe të dashurisë, botuar nga shtëpia botuese “Artini”, Prishtinë 2024)


    [1]  Mosnjohja dhe përçmimi i letërsisë shqipe vërehen edhe te botime si Antologija svjetske lirike (Antologji e lirikës botërore, Zagreb 1965), ku poezia shqipe prezantohet me dy poetë, me Gjergj Fishtën (poet në radhë të parë epik) dhe me një vjershëtar sot krejtësisht të harruar me emrin Skënder Arrëza.

    [2]  Kjo poemë është përkthyer në shqip nga Spiro Çomora.

    [3]   Pandani i tij shkodran, Mjeda i Andrrës së jetës, që krijoi portretet brilante të Lokes, Trinës dhe Zogës, nuk do të na sajojë një befasi të tillë, ndërsa peshkopi shqiptar i Amerikës, Noli, botoi me pseudonim të vetmen vjershë të tij “licencioze” Plak, topall dhe ashik.

    [4]  Libri i Xhevat Gegës: Lirika erotike shqipe I (zgjedhje) (Shkup 1995), nuk ka pretendime antologjike dhe nuk e përfshin poezinë bashkëkohore e as lirikën popullore. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË