More
    KreuIntervistaAg Apolloni: Dokuroman, një zhanër për ruajtjen e kujtesës historike

    Ag Apolloni: Dokuroman, një zhanër për ruajtjen e kujtesës historike

    Bisedoi Elona Gjata

    E. Gj: Zoti Apolloni, faleminderit që e pranuat ftesën time për këtë intervistë. Kjo intervistë do t’i referohet dy romaneve të fundit nga krijimtaria juaj “Një fije shprese, një fije shkrepse” dhe “Kësulkuqja, përrallë për të rritur”, të cilët i përkasin një zhanri mjaft interesant, por jo aq të lëvruar në letërsinë shqipe. Pra, zhanri dokuroman.

    A.A: Në fakt, pastërtisht dokuroman është Një fije shprese, një fije shkrepëse, ndërsa Kësulëkuqja është roman me dy linja, nga të cilat vetëm njëra (ajo e përdhunimeve) është e dokumentuar dhe e dokumentueshme. Por, gjithsesi, pavarësisht përqindjes së ndryshme të dokumentaritetit, të dy romanet mund të klasifikohen si rrëfime dokumentare.

    E. Gj: E si parantezë të kësaj interviste po ju drejtohem sërish me pyetje: përse kjo zgjedhje?

    A.A: Letërsia e mirëfilltë gjithmonë e ka mbajtur një lidhje të fortë me realitetin. Në shekullin e kaluar janë shfaqur disa raste të romaneve dokumentare, por që konsiderohen përjashtime, ndërsa në shekullin e ri ato tashmë janë rregull, jo përjashtime. Unë kam zgjedhur të rrëfej artistikisht me fakte, sepse fakti tërheq më shumë se fantazia. Ndoshta, në kuadër të letërsisë shqipe, këtë tip letërsie e kam çuar deri në ekstremitet, mirëpo përderisa ka kaq shumë interesim (dhe jo vetëm nga shqiptarët), mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.

    E. Gj: Përpara se të vazhdojmë më tutje, dua të informoj lexuesin se kjo intervistë do të jetë e ndarë në tri pjesë.

     Pjesa I: Kësulëkuqet e Kosovës

    E. Gj: Cili është qëllimi i rimarrjes së figurës së Kësulëkuqes dhe përshtatja në këtë lloj zhanri letrar?

    A.A: Ishte rastësi. Po lexoja për origjinën e përrallave, dhe më bëri përshtypje të veçantë Kësulëkuqja, që supozohej se ishte një histori përdhunimi me origjinë nga Mesjeta. Kjo hipotezë ma ndezi imagjinatën për një roman dhe pastaj më çoi kah historitë e përdhunimeve në luftën e fundit në Kosovë.

    E. Gj: A është kjo vërtet një përrallë për të rritur apo një përrallë e domosdoshme për lexuesin?

    A.A: Le të themi se kjo është një përrallë e domosdoshme për lexuesin e rritur.

    E. Gj: A synojnë të dy romanet e tua, “Një fije shprese, një fije shkrepse” dhe “Kësulkuqja, përrallë për të rritur” ndërtimin e kujtesës historike mbi luftën e fundit në Kosovë te gjenerata e re shqiptare, si edhe te lexuesi gjithashtu?

    A.A: Njëri nga funksionet e këtyre romaneve mund të jetë edhe kontributi në ndërtimin e kujtesës historike. Por, romanet e mia kurrë nuk e kanë vetëm një funksion. Pas botimit të romanit Një fije shprese, një fije shkrepëse, disa lexues më kanë shkruar se, para se ta lexonin këtë roman, nuk e kanë ditur çfarë ka ndodhur në Kosovë, dhe më falënderonin që i kisha informuar. Për mua, lufta ishte aq afër sa më dukej e habitshme që fëmijë të lindur pas mbarimit të saj, ishin rritur dhe po mësonin për të nga librat e mi. Para se t’i lexoja ato emaile të lexuesve, ende e mbaja veten për të ri.

    E. Gj: Në sa gjuhë janë përkthyer këto dy vepra? Dhe cili është qëllimi i përkthimit të tyre?

    Është e vështirë të jepet një përgjigje e saktë këtu, meqë ka shpërthyer një interesim për këto dy romane, aq sa para se të botohet kjo intervistë, mund të rritet numri i përkthimeve të botuara. Deri tani, Një fije shprese, një fijë shkrepëse është botuar në tri gjuhë të huaja (anglisht, gjermanisht, holandisht), është përkthyer edhe në katër të tjera (frengjisht, bullgarisht, sllovenisht, serbisht) dhe është në proces përkthimi edhe në disa gjuhë të tjera. Ndërsa, romani “Kësulëkuqja” është përkthyer në anglisht dhe gjermanisht, ku do të botohet së shpejti, ndërsa në proces përkthimi është edhe në holandisht. Qëllimi i përkthimit është të zgjerojë rrethin e lexuesve. Gëzohem që reagimi për këto dy romane ka qenë kaq afirmativ.

    E. Gj: Në veprën “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, tema e përdhunimit paraqitet si tabu për shoqërinë kosovare, madje edhe në ditët e sotme. A vazhdon të jetë tabu dhe në jetën reale? 

    A.A: Si temë diskutimi, përdhunimi është temë e sikletshme për të gjithë njerëzit, pa dallim kombësie. Për dhunën kurrë nuk është e lehtë të diskutohet, aq më pak për dhunën seksuale.

    E. Gj: Në vepër ka fragmente ku rrëfehen histori të ndryshme mbi këtë temë nga personazhet tuaja. A ka nga ndonjë personazh real në vepër të cilin ju e keni kamufluar artistikisht?

    A.A: Të gjitha rastet e përdhunimeve që përmenden, janë të vërteta. Unë kam ndryshuar formën, jo faktet.

    E. Gj: A ju është dashur të kryeni kërkime arkivore për shkrimin e këtyre veprave? Nëse po, a mund të ndani ndonjë eksperiencë personale me lexuesin?

    A.A: Po, kam përdorur dokumente të ndryshme, kam selektuar, kam modifikuar ndonjë gjë në aspektin stilistik, dhe, kur është fjala për romanin Kësulëkuqja, jam kujdesur që përveç rasteve, që tashmë vetë viktimat i kanë bërë publike, të mos jap detaje identifikuese. Por, sigurisht, disa gazetarë dhe hulumtues, mund t’i identifikojnë lehtë personazhet e mia. Ndërsa, për romanin Një fije shprese, një fije shkrepëse, përvec materialeve në Kosovë, kam shfrytëzuar edhe shumë materiale (fjalime, dokumente, incizime, video, reportazhe etj.) nga jashtë, sidomos nga “arkivi i ngrirë” i Shtëpisë së Bardhë. Ky është një arkiv nacional, me qasje të hapur, i cili ruan materialet që lidhen me pozicionin dhe përfshirjen e SHBA-së dhe Presidentit Klinton në Luftën e Kosovës.

    Pjesa II: Nioba e Gjakovës

    E. Gj: Perse e keni quajtur personazhin e veprës “Një fije shprese, një fije shkrepse”, Ferdonije Çerkezin, Nioba e Gjakovës? Çfarë kanë të përbashkët këto dy personazhe?

    A.A: Është ngjashmëri në fatkeqësi. Si Nioba mitike, edhe Ferdonija humbi tragjikisht familjen. Gruaja mitike u kthye në gur vajtues, ndërsa dhimbja e e nënës gjakovare peshon si një gur në zemrën e çdo qenie humane që njeh fatin e saj.

    E. Gj: Paralelisht në vepër zhvillohet dhe historia e nënë Pashkës Si do ta përkufizonit shkurtimisht për lexuesin historinë e saj?

    A.A: E kam thënë pothuajse në të gjitha prezantimet e librit se rasti i Pashkë Markut më ka prekur jashtëzakonisht shumë, kur kisha lexuar lajmin për fundin tragjik të saj. Në librin tim, ajo nuk është figurë vetëm tragjike, por edhe filozofike. Më shumë sesa person, ajo është simbol, simbol i njeriut thellësisht besimtar, të revoltuar ndaj mizorisë njerëzore dhe indiferencës hyjnore.

    E.Gj.: A vazhdon të ruhet ende në Kosovë guri që simbolizon aktin a vetëflijimit (atë vetëdjegies) të nënë Pashkës?

    A.A: Për habinë time dhe, besoj, të shumë shqiptarëve, para disa muajsh ai gur u hoq nga pronari i arës, ku e ndjera ka djegur veten. Supozohet se kjo heqje u bë për arsye fetare (pronari, një shqiptar musliman, kishte frikë së aty mund të ndërtohej ndonjë kishë). Fatkeqësisht, organet shtetërore u treguan shumë të qullëta për ta kthyer atë gur në vendin ku ajo grua e fortë i kishte dhënë fund jetës. 

    Pjesa III: Kosova, një luftë morale

    E. Gj: Një nga personazhet tuaja në veprën, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, është një nga të mbijetuarit e Holokaustit, shkrimtari hebre, Eli Vizel, i cili shprehet se për amerikanët Kosova është një luftë morale. Çfarë do të thotë kjo?

    A.A: Kjo do të thotë që ata nuk intervenuan për përfitime materiale, por për arsye humanitare. Amerikanët e shpëtuan një popull nga shfarosja dhe nga shpërngulja, e cila mund të çonte drejt asimilimit. Prandaj është e kuptueshme pse shqiptarët e Kosovës i janë kaq shumë falënderues amerikanëve dhe nuk bëjnë asgjë pa u koordinuar me ta. Ne mbijetuam falë amerikanëve, të cilët jo rastësisht dërguan në kampet tona të shpërnguljes një hebre që u kishte mbijetuar kampeve të shfarosjes. Pra, nuk është e rastit që një njeri që kishte humbur familjen në Luftën e Dytë Botërore u dërgua të bënte një raport për vuajtjet dhe traumat e shqiptarëve të shpërngulur si pasojë e luftës së viteve ’98-’99. Duke qenë një figurë e madhe morale, Eli Vizeli denoncoi fuqishëm spastrimin etnik që po u bëhej shqiptarëve.

    E. Gj: A ishte lufta e fundit holokausti i shqiptarëve të Kosovës?

    A.A: Edhe pse lufta e Kosovës ishte një tragjedi e madhe, nuk mund të krahasohet me holokaustin, numri i viktimave të të cilit është më i madh se numri i banorëve të Kosovës dhe Shqipërisë të marrë së bashku.

    E. Gj: Cila është gjëja e parë që ju vjen në mendje nga udhëtimi i djaloshit 16-vjeçar (që jeni vetë ju) nga Kaçaniku për në Stagovë, dhe më pas drejt Maqedonisë së Veriut, gjatë luftës së vitit 1999, te vepra “Kësulkuqja, përrallë për të rritur”?

    A.A: Unë dhe familja ime kemi shpëtuar në mënyrë rastësore. Kishim vendosur të mos iknim nga shtëpia, por ishte xhaxhai që insistonte të na largonte nga aty. Meqë babai im ishte prej vitesh në Gjermani, xhaxhai do ta ketë ndjerë si detyrë ta shpëtojë familjen e vëllait të tij, kështu që këmbëngulte aq shumë sa s’mundëm ta refuzonim. Nga lagja ime deri në Stagovë nuk është ndonjë rrugë e gjatë, rreth tre kilometra. Mirëpo nga aty, të nesërmen në mëngjes, u nisëm për Bllacë, ku arritëm pas mesnate. Ishte një udhëtim nëpër male, therra, përrenj, me devijime të shumta, gjithmonë me frikën se mund të na zinin serbët. Udhës, të këputur nga lodhja, rrëzoheshin të moshuarit dhe fëmijët, disa i merrnin në shpinë, të tjerët i linin aty ku binin. Nga ai varg njerëzish dëgjoheshin vazhdimisht rënkime dhe qarje. Ishte një kalvar që s’mund ta harroj. Vetëm pasi u vendosëm në Shkup dhe, pas ca ditësh, në Tetovë, dëgjuam për vrasjet në lagjen tonë. Atje e morëm edhe lajmin për vrasjen e xhaxhait, i cili na kishte shpëtuar nga vdekja e sigurtë.

    E. Gj: Çfarë do të thonit si shkrimtar për shqiptarët e Kosovës?

    A.A:  Shqiptarët e Kosovës janë janë popull i vogël në një vend të vogël, ndaj të cilit fqinji veri-lindor ka pretendime territoriale. Lufta e fundit, me vrasjet dhe dëbimet, e ka zbritë numrin demografik nga mbi dy milionë, në më pak se një million e gjysmë. Ndërsa, po të mos ndodhte intervenimi i NATO-s, në Kosovë s’do të mbetej asnjë kosovar. Edhe po të mbetej, s’do të guxonte të deklarohej dhe s’do të mund të regjistrohej si i tillë. Do të doja që shqiptarët dhe serbët ta zgjidhnin njëherë e mirë këtë problem dhe të jetonin në paqe me njëri-tjetrin. Duhet zgjuar ndjenja e fajësisë te fqinjët që shkaktuan aq shumë dhunë dhe traumë në Kosovë, dhe duhen zbutur ndjenjat nacionaliste te të dy palët. Krekosjet krijojnë konflikte.

    E. Gj: Dhe si përfundim këtë intervistë dua ta mbyll me një pyetje dhe një mesazh njerëzor.

    Çfarë është shpresa dhe liria për shkrimtarin? Po për një kosovar?

    A.A: Për shkrimtarin, liria është e domosdoshme në të tashmen, ndërsa shpresa motiv dhe ngushëllim për të ardhmen. Kosovari është një njeri që bën qëndresë dhe, në rrethana sado të vështira, shpreson në mbijetesë. Për arsye se i ka munguar aq shumë dhe aq gjatë liria, ai e di rëndësinë e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË