Prej Mhill Markut që e botoi romanxin e parë në anglisht në 1955 me titull The Red Pioneer, i cili përqendrohet mbi instalimin e diktaturës enveriste në dekadën e parë të saj, e deri te romani Brenga, i autorit Pashko Camaj na ndajnë 70 vjet. Në këto shtatë dekada, në mënyrë aktive flitet për nji diktaturë e cila për ma shumë se 45 vjet mbeti proces i nji qeverimit atipik komunist në rajon e ma gjanë, dhe për pjesën tjetër postenverizmi shqiptar, mbeti nji proces i penguem i nji shoqnie që nuk e pau kurrë me sy të lirë shëmtinë e vet në kurrfarëlloj pasqyre të mundshme.
Si nji lexues e shkollar që ka kontribuue kjartas, si në Shqipni ashtu edhe në Amerikë, për letërsinë shqipe, e sidomos për letërsinë e ekzilit dhe të pos-komunizmit shqiptar, kur e lexova romanin Brenga, nuk mujta me ndêjtë pa u brengue. 35 vjet mbrapa, dhe tematikat e hoxhalisë janë prezente në letërsinë shqipe. Kjo tregon se arkivi i kujtesës shqiptare asht i painventarizuem plotsisht dhe i parehabilituem, çka të ban me mendue se intenca (apo qëllimi) i autorit mund të ketë burue përtej shpjegimeve vetjake që ka mundsue për lexuesin në prolog. Asht njimend me interes me mendue sesi Pashko Camaj, i lemë në ish Jugosllavi, i emigruem në Shtetet e Bashkueme të Amerikës njatëherë kur dikatori Hoxha dha shpirt, përkitazi i njohun me enverizmin shqiptar, trajton nji temë të Shqipnisë në komunizmin e saj ekstrem. Paralelisht na bjen me mendue se Martin Camaj, i lemë në Shqipni, i arratisun në 1948, i zatetun në Beograd, i zhvenduem në Romë, dhe mandej i paqtuem në Mynih kurrë nuk e ka përjetue dhe letrarizue sinkronin e enverizmit përpos se alegorikisht e me shumë sofistikim. Ndryshe ban Arshi Pipa në veprën e tij madhore Libri i burgut. Nësa autori për të cilin u mblodhën më 19 Prill, 2026 në Michigan, flet për nji postfactum enverian dhe tematizon diktaturën e Shqipnisë komuniste. Këtu në krye të herës me lejoni me përmendë, se synimi i shkrimit tim nuk asht me folë thelbsisht për fabulën e romanit; këtë send der tash e kanë krye respektivisht shkrime të publikueme nga autorë të ndryshëm. Unë kam dëshirë me u ndalë te letërsia memuaristike, stilistika e veprës, funksionaliteti gjuhësor dhe sesi mund të përshênjohet kjo vepër në tri dekada e gjysë të postnarrativës enveriane.
Romani siç vrehet ka në thelb nji hero, i cili asht si shumë të tjerë asht nji i arratisun prej Shqipnisë enveriste, i tranzituem në ish Jugosllavi dhe Itali, i ardhun në Amerikë, ku ka lidhë themele të reja, punue me faqe të bardhë dhe ku ka kontribuue për komunitetin shqiptar simbas informacioneve që mund të gjejmë mbi të. Mbrapa, në telat me gjamba ka lanë shokun e jetës, Markun, i cili personifikon fëtyrën e njimendtë të dikaturës së Hoxhës, e ma vonë Alisë. Nji flî e bamë për hir të absurdit të nji pushteti skizofren dhe me baza radikale. Në nji vend ku mujshe lirisht me u dënue dhe për mendime që mund të mos i kishe pasë kurrë si p.sh. Mirash Ivanaj, Arshi Pipa e sa sosh. Lêne ma me folë për bashkëpunime, që u kthenin në akuza të çuditshme, por merrnin jetë reale në gjyqsore të atëhershme.
Stili i autorit prîhet drej nji letërsie të fakticitetit, si shembulli i disa autorëve shqiptarë mbas 90s; gjuhë kronikane, dokumentative, e zhdërvjelltë, emotive kryesisht dhe me dinamizëm deri diku të mirë.
Çka asht realizue mirë në këtë roman? Synimi me e ba personazhin kryesor protagonist të nji rangu universal, dhe jo sesi e paraqiste nji shkrim/recensë, si kryengritje të Malësive të Veriut të Shqipnisë. Kjo kjartas tregon se autorja Konda ka perceptim rajonal, dhe për pasojë dhe religional, tue iu referue vetë protagonistit të romanit. Mbas mendjes sime, rasti i Tonin Mirakajt asht shembull ekuivalent i disidencës së Europës Lindore në gjysën e dytë të shekullit XX. Por këtu kurrsesi nuk duhet me u barabitë me rastet e arratisjes së M. Camajt, A. Pipës a të ndokujt tjetër. Kjo e këtyne asht disidencë intelektuale-politike, sidomos te Pipa, i cili kaloi 10 vjet burg dhe u arratis me not bashkë me të motrën dhe letrat e duhanit qepë për tesha ku ishte shkrue Libri i burgut, botue së pari në Romë, në 1959. Rasti i Pipës asht ndër ma unikët në faqen e ish bllokut. Rasti i Marakajt në gjykimin tim asht disidencë rrethanore-politike; fis me Mirakajt e anatemuem prej enverizmit, ndër ma të përndjekunit, etc. Kurse sa i takon historive të arratisjeve në Shqipninë totalitare mundemi me shestue se ajo e familjes Mirakaj përfshihet ndër arratisjet spektakolare, të ngjashme në Shqipninë e asokohe, si për mal si për ujë, ku disa janë ma të zashme e disa ma pak të zashme.
Tjera, që duhet çmue në këtë roman asht narrativa e integrimit. Të gjithë shênjuesit në roman të bajnë me kuptue se nyjet shtjellojnë narrativën e nji persone (jo personi) në odiseadën e integrimit në nji vend të huej, mbasi ka vendosë me u arratisë tue parakuptue e pranue kostot jetësore, për ato jetë që la mbrapa në Shqipninë e bunkertë. Në krah tjetër qitet paralele dhe me kalvarin e Markut, konkretisht me viktimat e regjimit. Der këtu mundemi me thanë se Pashko Camaj e ka qitë mjeshtrisht kulmin e shtëpisë ashtu si ato me baskija në vendlindjen e protagonistit të romanit të tij. Kjo gja e ka futë këtë vepër në rreshtin e letërsisë shqipe-memuaristike si proces ex auditu (pra me të ndieme prej tejtërkujt). Edhe kjo asht punë bukur e zorshme, me ndêjtë përkrah letërsisë ex visu (pra përjetue direkt) si Arshi Pipa, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Át Zef Pllumi, Dom Simon Jubani, Fra Konrrad Gjolaj, Maks Velo, Lekë Tasi, Ejëll Çoba etc.
Çka mund të ishte ba ma mirë në këtë roman? E para, romani duhet të kishte pasë nji redaktim ma profesional. Ka momente që vepra ka lëshime drejtshkrimore (khs Iter për lter në citimin e Mateut 5, 23-24 përkthimi i Dom S. Filipajt); dyshoj kështu edhe për emnin e Vocërr Prelës, gjyshit të protagonistit, që del Vocër (f. 18-passim); njejtë emnat mashkullorë në shqipe, si Pertro e Mark kur dalin të trajtë të shqueme janë Petroja e Marku. Po kështu gjuha në do momente del e automatizueme: “Kur u kthyen, Preka u shpall i vdekur” (24) ndërkohë që krejt natyrshëm kishte me qenë “Kur u kthyen, u mor vesh se Preka kishte vdekur”; “Të premten pasuese, Tonini…” (113) ndërkohë “Të premten tjetër, Tonini…”. Ka momente që gjuha, tue ndjekë përvijë standardin e shqipes, ka humbë regjistrin familjar dhe kontekstin e personazheve gegëfolëse që bahen viktimë e kësaj gjaje. P.sh, dikund flitet për Marash Dedën, nji çoban që thotë “Shto dru në zjarr”, – i pëshpëriti së shoqes. “Mund të kenë ftohtë”. Ndërkohë që “Qiti dru zjermit”, e kishte dinamizue diskursin e ba ma të prekshme botën e folësit. Po kështu asht kudo protagonisti, që nuk bart asnji element gegë në gjuhën e tij. Po ndalem vetëm në nji pasazh të fundit: “Te shkijet?” – i pyeti ai prerë, sikur po i provonte fjalët për helm. – “Doni t’u drejtohemi serbëve për ndihmë? Atyre… Ata janë armiqtë tanë! Si Sigurimin, ata kanë UDB-në dhe janë po aq komunistë. Janë identikë, përveç faktit se Tito dhe Hoxha janë në hasmëri me njëri-tjetrin. Ky është i vetmi ndryshim. Protesta e tij u shua në heshtje.” (61-2). P.sh, në nivel redaktimor kemi probleme teknike në disa aspekte. Përdorja e etnocizmit shkje/shkije, mund të parakuptohet dhe kontekstualizohet në Lahutën e Malcís, po jo në nji roman të 2025. Këtu kujtoj, mes tjetërve që munden, regjizorin serb dhe me protagonist i lëvizjes artistike jugosllave Crni val, Želimir Žilnik, në Rani Radovi (1969) e tenton eleminin e përdorimit të termit shqiptari prej gojës së nji prej protagonistëve të filmit. Këtu protagonistja Jugoslava e korrigjon shokun e vet marksist, se duhet me iu drejtue ndryshe pa konotacion etnik. Tjetra “Sikur po i provonte fjalët për helm” kuptimi del i turbullt në nivel semantik. E mandej krejt çka vijon e ban Toninin të panatyrshëm gjuhësisht në rezistencën e tij. Për ta mbyllë, me nji sugjerim ma shumë se miqsor, në ribotimin e këtij romanit tue pá se ka qarkullue pëlqyeshëm dhe ka me pasë nevojë për nji botim së shpejti, tham se autori duhet me ia besue veprën nji profesionisti në redaktim, që me ardhë ma cilësisht.
E si konkluzion final, mundemi me pohue se romani Brenga, xên vendin e vet të merituem në letërsinë shqipe-memuaristike dhe i ban ftesë publikut me folë, me kuptue, dhe reflektue mbi të shkuemen e Shqipnisë totalitare, aq ma tepër gjeneratës së re, si mbenda vendit si jashtë vendit, për me u aktivizue në vepra që thërrasin drejtsi sociale dhe katharsis kombtar. Deri të mbërrîhet kjo punë, procesi real i studimit të komunizmit shqiptar ka me qenë brenga e çdo shqiptari që e don njimend Shqipninë.


