Gjekë Marinaj, “Paradigma e parajsës”, poezi,
“Faik Konica”, Prishtinë 2022.
Në hyrje të librit “Paradigma e Parajsës”, Gjekë Marinaj na lë një interpretim i cili shkon përtej një parathënie të zakonshme. Ky shënim është një rrëfim mbi dashurinë si themel i poezisë dhe i jetës. Duke e lidhur këtë vëllim me 30-vjetorin e martesës së tij me Dusitën, autori na bën të kuptojmë se çdo poezi në këtë libër është e rrënjosur në një përvojë personale, por duke e ngritur në një nivel universal, dashuria bëhet jo vetëm subjekt poetik, por edhe paradigmë e jetës.
Vetë titulli, “Paradigma e Parajsës”, mbart në vete një tension të frytshëm, një koncept gjuhësor përballë një nocioni filozofik-teologjik. Paradigma është model, dhe mënyrë organizimi, kurse Parajsa është dritë, shpresë dhe përjetësi. Kur këto dy nocione takohen, sipas autorit, krijohet një hapësirë ku dashuria mund të shfaqet si emocion i pastër dhe si metaforë poetike. Ky bashkim i një fjale të gjuhësisë me një fjalë të liturgjisë shënon edhe rrugën e vetë librit. Kjo poezi ndërtohet si një sistem ku shpresa dhe ndjenja, mendimi dhe bukuria, marrin formë të përbashkët.
Në këtë kuptim, poeti Gjekë Marinaj vendos një rregull të qartë poetik, andaj poezia e tij nuk do të futet në “turbullira”, në mjegulla të pakuptueshme. Qartësia, thjeshtësia dhe transparenca janë pjesë e përgjegjësisë së tij ndaj lexuesit. Ai e sheh marrëdhënien me fjalën poetike si një përgjegjësi të njëjtë me fatin e dashurisë: delikate, e thellë, e brishtë dhe njëkohësisht e fuqishme.
Struktura e librit është një udhëtim i organizuar në pesë cikle: Dashuria dhe fati, Bukuria dhe estetika, Ëndrra dhe ëndërrimi, Ndjenja dhe pëlqimi, si dhe Vetëdija dhe vullneti. Secili cikël me poezi është një stacion ku dashuria merr formë dhe interpretim të ndryshëm. Nga përkushtimi bashkëshortor, tek admirimi i bukurisë, nga hapësirat e imagjinatës dhe ëndrrës, tek ndjenjat e rafinuara, nga lufta e brendshme mes vetëdijes dhe vullnetit, tek bashkjetesa e harmunizuar si virtyt e si vlerë, e bëjnë pöezinë e vëllimit “Paradigma e parajsës”, me vlerë të veçantë dhe artistike njëkohësisht. Kjo ndarje nëpër cikle i jep lexuesit mundësinë ta përjetojë motivin e dashurisë si një univers me shumë shtresa, ku secili cikël dhe secila poezi është një dritare me një dimension të ri të saj.
Në qendër të këtij universi poetik qëndron Dusita, bashkëshortja e poetit. Ajo nuk është thjesht adresuese e lirikës së dashurisë, por figurë që i jep kuptim dhe themel gjithë krijimtarisë. Edhe poezitë e shkruara përpara njohjes me të, thotë Gjekë Marinaj, duket sikur e kanë pasur Dusiten si epiqendër e pashmangshme e dashurisë. Në këtë mënyrë, dashuria personale shndërrohet në një paradigmë universale, në të cilën çdo ndjenjë e saj e përjetuar [më parë apo më pas] është reflektim i asaj dashurie që tashmë bëhet “parajsë” etike dhe poetike e vëllimit “Paradigma e Parajsës”.
Një nga idetë më të fuqishme që del nga ky shënim është se dashuria dhe poezia kanë si emërues të përbashkët metaforën. Autori e sheh veten si subjekt të një hapësire metaforike që e ka orientuar jo vetëm në art, por edhe në jetë. Kjo e bën qëndrimin e tij të veçantë, andaj për Gjekë Marinajn, të gjithë njerëzit e mirë janë poetë në mënyrën e tyre. Dallimi qëndron vetëm tek forma e shprehjes dhe tek përgjegjësia publike që ka poeti lirik.
Në fund të fundit, libri shfaqet si një proces i pandërprerë rritjeje dhe kërkimi. Autori e përshkruan dashurinë si një mal që ngjitet gjithmonë, por nuk dëshiron të arrijë majën. Sepse në momentin që do të shihte “anën tjetër të dashurisë”, magjia do të humbiste. Ky imazh është një nga më të bukurit e gjithë shënimit. Dashuria nuk është një stacion përfundimtar, por një udhëtim i pafund.
“Paradigma e Parajsës” është, pra, një vepër që bashkon përvojën intime me reflektimin universal, një vëllim ku dashuria dhe poezia shndërrohen në dy pasqyra të njëjta. Për Gjekë Marinajn, poezia e dashurisë është mision, përgjegjësi dhe dhuratë.
Pra një përpjekje për të ndikuar pozitivisht në jetën e njeriut dhe për ta bërë botën më të kuptueshme, më të bukur dhe më të drejtë, dhe krejt kjo mund të realizohet vetëm përmes dashurisë.
St. Gallen, 01 shtator 2025.
* Fragment nga libri në dorëshkrim “POEZIA E GJEKË MARINAJT KUNDRUAR NGA “PARADIGMA E PARAJSËS”.