FAZILETI, BASHKËSHORTJA FISNIKE E FATMIR HAXHIUT
Nuk e di pse e kam shtyrë kaq gjatë shkrimin për Faziletin ose Letin, zonjën e madhe fisnike dhe bashkëshorten e piktorit Fatmir Haxhiu, të bijën e Ismail Strazimirit, figurë shumë e njohur në Dibër dhe rrethina, protagonist i shumë ngjarjeve pas të 28 Nëntorit 1912 dhe më pas. Lexoni librin e tij “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”(Kujtime), botuar nga Shtëpia Botuese “Naimi” (2010) dhe më pasthënie të Prof.Dr. Shaban Sinani.
Ismail Strazimiri është dëshmori më i moshuar i Luftës Antifashiste, që ra heroikisht në Sllovë, pas një beteje me gjermanët më 23.11.1943. Baba vdiq siç shkruan djali i tij Rushiti, ashtu siç i pat hije. Vdekje ma të bukur nuk kishte, duke luftuar me pushkë në dorë kundër gjermanëve e tradhëtarëve të vendit.
Ajo është motra e Gani, Siri, Rushit dhe Lutfi Strazimirit, personalitete në fusha të ndryshme, ku do të veçoja atë të Gani Strazimirit, emrin e të cilit mbanë Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Fazileti është motra e Detes, të mirës Dete dhe e Drita Agollit, aktore, regjisore e njohur e teatrit shqiptar dhe pedagoge e disa aktorëve që kanë bërë emër në skenën dhe filmin shqiptar. Për piktorin e shquar Fatmir Haxhiu, një nga miqtë e mi të vyer e të paharruar, kam shkruar disa shkrime. Nuk e di pse nuk kam shkruar për Faziletin. E meritonte sa ishte në jetë ajo një shkrim vlerësues si grua, bashkëshorte, nënë. Në librin “Fatmir Haxhiu, piktori i historisë” të studiueses Suzana Varvarica Kuka, citohet një thënie e Fatmirit: “Nuk mund të harroj edhe kontributin e madh që ka dhënë bashkëshortja ime, e cila ka mbajtur peshën e familjes, për të më lënë të lirë në të krijuar ”.
Unë, si një nga miqtë e familjes Haxhiu, dëshmoj për këtë përkushtim të Faziletit. E kam përmendur këtë në shkrimin “Këmbanat që duhet të bien”: “Ishte gushti i vitit 1981. Tirana digjej nga i nxehti i verës. Në orën shtatë të mëngjesit, të një dite të nxehtë gushti, piktori Fatmir Haxhiu nisi një nga betejat krijuese më të mëdha, realizimin e afreskut “ Bashkimi i Principatave Shqiptare”. Dhe për 40 ditë (si në librat e shenjtë), ai përjetësoi një nga epokat më të lavdishme të historisë shqiptare, Skënderbejadën. Tabloja u organizua në 40 pjesë nga piktori dhe çdo ditë duhej realizuar patjetër një pjesë. Ndryshe gjithçka do të zhbëhej.
Bashkëshortja e tij Fazileti, tregon se për 40 ditë rreshtë edhe ajo jetonte me ankthet e të shoqit”. Edhe në shkrimin “ Bota e madhe e piktorit Fatmir Haxhiu” për Letin kam shkruar: “Pasi mbyllte portën e madhe të studios kështjellë dhe lutjeve për ta shoqëruar edhe unë shtëpi, sepse Leti kishte përgatitur një drekë të shijshme, kapërcente me shpejtësi rrugën e Kavajës. Në orën trembëdhjetë e tridhjetë minuta, dilte nga dyqani i bukës, që ndodhej poshtë pallatit përballë dhe me hap të shpejtë kalonte mes lulishtes Rinia, tek ura e Lanës, për të dalë në krah të Piramidës. Në orën katërmbëdhjetë, gjithmonë në këtë orë, ulej në tavolinën e ngrënies, ku nuk mungonte asgjë, falë përkushtimit të Faziletit”.
Jeta ime me artin e Fatmirit kurrë nuk më është rënduar, sepse sakrificat si grua e një artisti, si nënë, si punonjëse, i kam bërë me dëshirë, ka thënë ajo.
Tiranë, fillim marsi 2025

MIKPRITJA E FAZILETIT
Kishte kaluar mesi i viteve ´80. Mund të ketë qenë viti 1986. Mbaj mend mirë muajin shtator, kur dolëm me Fatmirin nga Galeria Kombëtare e Arteve. Bulevardi i Madh ishte mbushur me ata që bënin çdo mbrëmje atë që quhej xhiro. Kishin ardhur studentët, që e gjallëronin dhe e bënin më të bukur Tiranën. Kaluam urën e Lanës dhe morëm trotuarin në të djathtë. Në afërsi të këndit të lodrave, Fatmiri qëndroi dhe tregoi me gisht pallatin pesëkatësh, që ishte matanë. Do vish sonte nga unë, tha ai. Njihu me Letin, Artanin, Karminën dhe dy mbesat e mia të vogla. I zgjata dorën, duke i thënë se ishte vonë e se mund të vija ndonjë ditë tjetër. Do vish sonte, tha Fatmiri. Mos e diskuto, shtoi duke më hedhur krahun dhe tërhequr pas vetes. Leti është shumë mikpritëse. Shumë mikpritëse. Megjithë jo-në time, pas pak u gjenda në katin e pestë. Dera ishte e hapur. Fatmiri hyri në koridor dhe më pas në dhomën që ishte në të djathtë. E ndoqa nga pas. O Fatmir. Erdhe? Ke sjellë ndonjë mysafir tjetër sonte? Se e ke zakon ti. Fatmiri u kthye nga unë e duke qeshur tha: “A të thashë o Enver. Shiko sa mikpritëse është gruaja ime”. Leti ishte ulur në mes të kuzhinës, me kurriz nga hyrja. Vura re se u ngrit në këmbë dhe kur pa buzëqeshjen time, m´u hodh në qafë, sikur të ishim të njohur të vjetër. Ky ishte takimi im i parë me Faziletin, që e përmëndte shpesh, veçanërisht momentin kur tha fjalët se… Që nuk u zemërove, shtonte, por buzëqeshe. Nuk do ta harroj kurrë atë natë, veçanërisht mikpritjen, shpirtbardhësinë e të gjithëse, sytë e qeshur të Letit, mirësinë e kësaj zonje dibrane, që ka pritur e përcjellë dhjetëra njerëz, kolegë piktorë të Fatmirit që vinin nga rrethet, ish studentë të tij, piktorë nga Kosova etj.etj. Që nga ajo natë, unë u bëra si pjesë e familjes Haxhiu. Jo vetëm unë, por edhe familja ime, veçanërisht nëna. Mbaj mend që sa herë vinte nëna ime në Tiranë, njoftoja Letin. Kam disa foto të Letit me nënën time. E mira dhe e përkora Fazilet e kishte bërë për vete nënën time me thjeshtësinë e saj dhe ato që i rrëfente. Je si kralicë, i thonte ajo nënës. E gjatë dhe e bukur si kralicë. Me të drejtë Suzana Varvarica shkruan: “Kjo grua me shumë dinjitet nga ato zonjat sa lozonjare aq dhe autoritare… Por mbi të gjitha. Fazilet Haxhiu ishte mikpritëse si askush grua artisti”.
RRËFIMI I LETIT. PA DATË
Nuk e kam më Fatmirin, por jetoj me kujtimet për të. Artani dhe Karmina janë larg. Edhe vajzat e tyre dhe mbesat e mia, Olisen dhe Editin. Flas në telefon me ta. Artani më thotë që të shkruaj kujtimet e mia për Fatmirin . . . Më vjen shpesh Arjana. Edhe Bela. Kur jam vetëm dal në ballkon ose ulem në divan dhe hap albumet me fotografi… Më mungon Ganiu, Detja, Rushiti. Njeriu vjen në jetë, e jeton atë dhe një ditë ikën. Të gjallët jetojnë me të vdekurit. Edhe unë jetoj me kujtimet e tyre. Një fotografi, zëra të inçizuara me ndonjë kasetë ose me videokaseta. . . Drita e kalon ndryshe jetën. Ajo lexon dhe shkruan. Unë pata fatin ta lidh jetën me një artist. Lidhjet mes njerëzve janë fate, siç thonte shpesh nëna ime. Janë ca rastësi të çdutishme, që unë nuk arrij t’i spjegoj sesi lidhen dy njerëz të panjohur më parë. Mbaj mend se ishte viti 1946. Shtëpia jonë, pra e Strazimirëve ishte në rrugën “Arkitekt Sinani”. Isha 17 vjeç atëhere dhe më pëlqente të vishesha bukur. Shqipëria sapo ishte çliruar. Unë kisha ëndrrat e mia për të ardhmen, për t´u shkolluar dhe për të gjetur njeriun e zemrës. Ai u shfaq papritur në krye të rrugës, ku kaloi me hapa të shpejtë. Nuk ishte shumë i gjatë. Mbaj mend flokët e butë kaçurele dhe vështrimin këmbëngulës. Ai foli me të motrën, Vitoren. Vitorja ishte vajzë shumë e bukur dhe e gjallë si natyrë… Pastaj Fatmiri iku me të njejtin hap të shpejtë. Ndjeva si në ajër vështrimin e shpejtë, edhe keqdashës e xheloz të njerës prej shoqeve të mia. Natyrisht po atë ditë, por më vonë, mora vesh se ajo e simpatizonte Fatmirin. Mbaj mend një natë, kur ajo më dha një revistë të ilustruar, duke më treguar foton. Kujt i ngjanë ky? Hë pra. . .
Më kujtohet një natë në Qendrën e Ushtrisë. Unë, Drita dhe Zeqiu, hymë brenda. Vumë re që nuk kishte vende… U ulëm në tavolinën ku ishte Fatmiri. . . Kërcejmë, tha ai. Ai ishte veshur me uniformë ushtarake, me gradën nëntoger. U ngritëm të kërcenim. Befas ikën dritat dhe ai më përqafoi…

PORTRETET E FATMIRIT PËR LETIN
Piktori Fatmir Haxhiu ka bërë 4 portrete për Faziletin. Portreti zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Ai, siç kanë vënë në dukje studiuesit e veprës së Haxhiut, e vizatoi dhe e pikturoi portretin krahas gjinive të tjera. Fatmir Haxhi është një portretist realist “ (Suzana Varvarica).
Portreti i parë që ai ka bërë për Letin, është i vitit 1958 dhe e titullon:
“ Bashkëshortja“. Vaj mbi kanavacë, 22 x16 cm. I dyti është realizuar në vitin 1982. “Leti”, vaj mbi kanavacë 68 x 58 cm. I treti, “Bashkëshortja Leti”, 1986. Vaj mbi kanavacë 69.5 x 54.5 cm. I fundit, “Bashkëshortja Leti”, 1993. Vaj me kanavacë, 48 x 44 cm.
Lidhur me këtë, Suzana Varvarica Kuka shkruan: ”Çdo kush që e njohu nga afër zonjën Fazilet, do të dallojë mbi këtë portret, të realizuar nga artisti në vitin 1993, përmes aftësive të pasqyrimit, vizatimit dhe ngjyrave, ai ka derdhur dashuri reale. Tiparet e bukura të pamjes së jashtme të gruas së tij ai i pasqyroi aq mjeshtërisht, sepse e ndjen thellë fizionominë e saj dhe nëpërmjet vetive të brendshme. Fazileti respektoi deri në fund vullnetin e artistit Fatmir Haxhiu për artin, u bë mbështetësja e tij në jetë dhe e vlerësoi punën e bashkëshortit të saj me fanatizëm e krenari”.
Tiranë, fillim marsi 2025