More
    KreuLetërsiBibliotekë"Drita e zezë", ese nga Rexhep Ferri

    “Drita e zezë”, ese nga Rexhep Ferri

    1.

    Pasi fillova të mos mendoj, u qetësova.

    Pse besova kaq shumë nuk e di.

    Si fëmijë lufte, luftën patriotike pak e kuptova.

    I rritur pa një botë.

    Me hapat e breshkës më zuri qorrfermani i njeriut.

    Humbja e identitetit qenka vjedhja e identitetit.

    Për ta kuptuar sekretin, prapë s’po kuptoj asgjë.

    Si u njohëm e pse u njohëm, askend nuk po e përmendi me emër.

    Po më vjen të them se na ka dalë boja.

    Marifetet e pisllëqeve tona politike as djalli nuk di t’u bie në fije.

    Këtë lojë diplomatike me vite e vite e kemi luajtur.

    Për inat të hasmit nuk po them se kjo liri na la pa mend.

    2.

    Duke kërkuar sekretin e humbur, bashkë me kohën e gjyshit, në Shkodër takova Kel Marubin.

    – Sa bukur është kur shqiptarët shpresojnë, – i thashë.

    Ai me një fisnikëri qytetare ma tha:

    – Jeta është të mësojmë diçka nga jeta. Për t’u njohur më mirë afrohuni njëri me tjetrin.

    Prekeni tokën.

    Jeni gati?!

    Dy sekonda kohë janë plot imagjinatë për një fotofrafi dokumentare drita e zezë vjen e para.

    Nga koha e saj do ta kuptoni se kaush jeni.

    Në fotografi do të dilni të gjithë si princa.

    Me shkeljen e kanunit s’keni punë.

    Në rregull, mjafton me kaq.

    Mos u mashtroni!

    Më lëni ta gjej.

    Si mund ta harroj?

    Ka njëqind jetë që e kërkoj.

    Për famën e saj i kam sekretet, shokët, miqtë, mikeshat.

    Për ta kuptuar çka është deti po shkoj pas valëve.

    Drita e zezë për artin e syve më thërret gjatë natës me hënë, gjatë ditës me ditë.

    3.

    Kur nuk rrezikojmë asgjë, me dritën e zezë s’kemi pse t’i falënderohemi askujt.

    As të kërkojmë falje.

    As të rrahim gjoks.

    Deri te një lajm i ri jetën shikojeni në sy.

    Edhe pse nuk është e lehtë.

    Rrezikova.

    Fati më ka mbajtur të fshehur.

    Ironi e bukur.

    Jetë e poshtër.

    Për një fotografi historike ne shqiptarët pritëm gjatë.

    Me mikun që na shitej si mik ecëm e ecëm, e ecëm, pa e ditur se ç’mendime ka miku ynë në kokë.

    E sa për armikun dihet.

    Kur e sheh si armik, o e vret, o të vret ai ty.

    4.

    Me gjithë respektin e autoportretit të nisur e të pakryer, për befasinë time kohë pas kohe si në rrëmbim i rrudhi vetullat.

    Si ta përkufizoj ku jam e kush jam?

    Jeta nuk është aq e thjeshtë.

    Për të ia vlenë të luftohet.

    Për të mos thënë kemi dashur në dëshpërim.

    Po ia qesim tymin.

    Me gënjeshtra e prostitucione politike jemi lodhur.

    Pse nuk mund të jemi normal?

    Për të bërë një parashikim nuk është e lehtë.

    Mos harroni!

    Me kohën e viteve lind dyshimi. Për të dalur nga rrethi mendja e njeriut kërkon ide.

    Jo për t’u mburrur me ëndrra mastruese, por për t’I kuptuar marifetet e sekreteve të vogla, kur nuk na mjafton as fundi, as fillimi.

    Me mbështetje të rrejshme ta djegin edhe pragun e shtëpisë.

    5.

    Nga turpi që po luhet, toka tha: Jeta.

    Jeta tha: Uji.

    Uji tha: Drita.

    Për të mbushur boshllëkun e zemrës, harrohet lufta e fundit.

    Patriotët tregtarë e qitën në pazar edhe lirinë.

    Drita e zezë i ra edhe flamurit.

    Populli mendon se faji është te dikush tjetër e jo te ne.

    Na ka harruar Zoti.

    Kemi filluar të mos i besojmë as njeriut.

    Njeriu mund të jetë edhe budalla me brirë.

    Për fat të keq në fillim nuk besova.

    Po shikoj gjithçka.

    Po na ndodh gjithçka.

    Portretit në pasqyrë nuk dihet se çka mund t’i ndodhë.

    Gjithmonë do të themi ka qenë një magji.

    Për histori deri te përralla kemi lindur në periferi.

    Në vendin e parë askush nuk mund të qëndrojë më shumë se një javë.

    Njerëzit tani nuk mund të presin më gjatë.

    Pesë minuta për vete.

    Një kafe për qejf.

    Aty kafja ende piqet në xhezve të bakrit.

    6.

    A ka sekrete?

    Oh e di!

    Kush na beson?

    Ende po mendoj çka na ndodhi.

    Me verzionin më të keq pse I humbëm të gjithë fatet?

    Prej iluzioneve e deri te sekreti?

    Nuk e di si do të vjen fati i shitjes së shpirtit.

    Jetën e jetova në pritje…

    Në ëndrra…

    Gjithëmon proces i gjatë.

    Në shpresa.

    Sa për kombe që nuk shohin ëndrra kombëtare e di se ato kombe janë duke vdekur.

    Historia e pashkruar nuk beson se jemi kaq të pafat.

    Ajo ende dëshiron të mësojë diçka nga jeta.

    Me i thënë se kanë filluar të lindin njerëz me qeliza të majmunit. Këtë eksperiment nuk e di se si do ta pranojnë.

    Kur hapen rrugët për çmenduri.

    Në Muzeun e  Njeriut del tymi i bardhë, tymi i zi.

    E pabesueshme, por e vërtetë.

    7.

    Për anatominë e lirisë, tani i kemi dhënë fund historisë.

    Shkretëtira e madhe e Saharasë është zonja e shkretëtirave.

    Me yllin e vet udhëton ditë e natë, natë e ditë.

    Për të jeta është vetmi e bukur.

    Besim i bukur.

    Kur historia dehet, të gjithëve do të na merr malli për historinë e harruar.

    Më vjen keq, ajo që do të vie, vjen.

    Përshëndetje!

    Nuk kemi se çka t’i premtojmë.

    Kaq na lejon shkurtësia e jetës.

    Tani nuk është koha për lojë.

    Koha e gabuar po ngjitet shkallëve.

    Para se të bëjmë një çmenduri, jeta na mëson për t’i treguar botës përralla.

    Ata që e kanë atëdheun e kanë botën.

    E kanë parajsën në tokë.

    Gusht, 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË