More
    KreuIntervistaAristotel Spiro: Veshja e çasteve poetike me mantel gjuhësor, një përpjekje për...

    Aristotel Spiro: Veshja e çasteve poetike me mantel gjuhësor, një përpjekje për të fiksuar historinë tonë shpirtërore

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Profesor Aristotel, në vazhdën e diskutimeve më të fundit mbi dy kampet e qasjes ndaj vjetërsisë së shqipes, atij shkencor dhe tjetrit popullor, ju si një mbrojtës i së logjikshmes shkencore jeni gjendur disa herë nën sulme të ashpra, të pabarabarta dhe krejt të padrejta prej anës tjetër. Prandaj, jam vërtet kureshtar të di, a ju kanë lënduar ato sjellje? Më mirë të them, ju lëndojnë më tepër ato sjellje absurde kundër jush dhe kolegëve tuaj apo fakti që një pjesë e popullit i beson ato teori?

    A.S.: Unë do të thosha se dy anët e qasjes janë shkencore dhe antishkencore. Ju patjetër e keni fjalën për disa individë që hiqen si etimologë të shqipes, por që në fakt janë etimologë vulgarë, etimologë popullorë dhe predikojnë se shqipja është nëna e të gjitha gjuhëve të botës dhe nëpërmjet shqipes mund të shpjegohen fjalët e të gjitha gjuhëve që fliten në botë. Është e qartë se këto janë marrëzira që nuk kanë asnjë lidhje me shkencën, por nuk mund të quhen as popullore. Janë thjesht antishkencore. Asnjë nga gjuhët e sotme, sikundër asnjë nga gjuhët e së kaluarës nuk mund të konsiderohet nëna e gjuhëve të tjera. Këto koncepte janë të papranueshme për gjuhësinë. Mua më vjen keq për ata naivë që i besojnë këto përralla, më vjen ndot për ata “përrallëtarë” që i predikojnë dhe ndiej zemërim për ata moderatorë injorantë ose keqdashës që ftojnë nëpër studiot televizive sharlatanët turboalbanologë.

    A.D.: A mendoni se dëmi i bërë duke i lejuar këto teori të qarkullojnë, madje edhe duke i promovuar ndër media të ndryshme, është i riparueshëm në situatën kaotike të onlajnit falë së cilës një video në Tik-Tok arrin te një publik më i gjerë sesa televizionet kryesore?

    A.S.: Besoj se media e përgjegjshme duke refuzuar të bëhet tribunë për vulgaritete të tilla do të ndihmonte që kjo gjendje të përmirësohej ndjeshëm. Nëse nëpër televizione do të ftoheshin më shumë gjuhëtarët dhe jo sharlatanët e shkencës, jam i sigurt se situata do të ndryshonte. S’do mend që nëpër rrjetet sociale diskutimi i këtyre temave tërheqëse do të vazhdonte dhe vulgaritetet nuk do të mungonin. Por tjetër është t’u japësh tribunë këtyre tipave dhe tjetër t’i lësh të “lehin” nëpër rrjetet sociale.

    A.D.: Duke qenë se gjithë shpjegimet e këtij lloji “etimologjik” kërkojnë më pak sesa pesëmbëdhjetë sekonda, si mund t’ja dalim që t’u shpjegojmë njerëzve se për këto punë nevojitet një kohë shumë më e gjatë, sidomos në këto ditë kur informacioni vjen nga çdo anë dhe praktikisht, askush nuk do të kalojë më shumë sesa një fragment minute duke folur për një çështje të caktuar?

    A.S.: Detyra jonë është të nyjëtojmë një ligjëratë shkencore me argumente të qarta. Po ashtu, kemi për detyrë që ta popullarizojmë shkencën e albanologjisë bashkë me çështjet e saj që kanë interes më të gjerë në publik, ta bëjmë gjuhësinë më tërheqëse dhe më të dashur për njerëzit. Duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë mashtruese të këtyre “fallxhorëve” të etimologjisë duke dëshmuar me argumente bindëse pavlefshmërinë e alkimive të tyre etimologjike. Ç’është e vërteta, një pjesë e madhe njerëzish e kuptojnë se sa komike janë shpjegimet që japin këta “fallxhorë”, saqë shpesh herë shërbejnë si lëndë e parë për emisionet humoristike.

    Ka diçka që duhet theksuar në gjithë këtë histori. Beteja jonë me etimologët vulgarë  nuk është që t’i bindim ata se sa gabim e kanë në ato që thonë. Nëse përpiqemi ta bëjmë këtë, ne jemi të dështuar, sepse atyre nuk u bëhet vonë për shkencën, nuk interesohen fare që të ndjekin një vijë argumentimi shkencore. Detyra jonë është t’u bëjmë të qartë njerëzve se qëllimet e etimologëve vulgarë ose turboalbanologëve, siç quhen shpeh herë, janë kombëtarisht të sëmura dhe politikisht të skajshme. Ata nuk kanë argumente, por përdorin vetëm sharje. Në fjalorin e tyre përmbahen fjalët “tradhtar”, “antishqiptar”, “agjent i paguar”, ndërsa hedhin baltë mbi figurat e ndritura të gjuhësisë shqiptare. Ky nuk është debat shkencor. Në komunikimin akademik nuk njihet ky fjalor agresiv dhe ky nivel i ulët kulturor dhe edukativ. Kjo mënyrë komunikimi e tyre është një tjetër argument i heshtur se ata nuk ia kanë haberin jo vetëm gjuhësisë por as metodës së kërkimit shkencore dhe as komunikimit akademik.

    A.D.: Tek përgatitesha për këtë bisedë, po kërkoja në skedaret e Bibliotekës Kombëtare emrin tuaj dhe befas gjeta një libër tuajin me poezi, “Në Festën Erotike”, botuar në vitin 2001. Paragjykim nga ana ime, patjetër, pasi ka raste kur gjuhëtarët shkruajnë poezi. Çabej, për shembull, kishte shkruar disa sonete që iu botuan vite më vonë. Ju ka shpënë ndjeshmëria e gjuhëtarit tek poezia, apo letërsia te studimi i gjuhës?

    A.S.: Është e kundërta. Gjithmonë kam konsideruar se i takoj poezisë, qysh në moshën e adoleshencës dhe më vonë në vitet studentore e në vijim. Poezia është kudo dhe përpjekja për ta zbuluar na e zbukuron jetën. Por kur arrijmë t’u veshim çasteve tona poetike mantelin gjuhësor, atëherë kemi bërë një përpjekje për të fiksuar historinë shpirtërore të vetes sonë, historinë shpirtërore të kohës sonë. Detyra jonë është që ta jetojmë bukur këtë jetë që na jepet. Sa mirë do të ishte sikur secili prej nesh ta niste ditën me një metaforë të re!

    Ka qenë një kohë që poezinë dhe gjuhësinë i kam dashur njëlloj. Derisa erdhi një çast që gjuhësia më rrëmbeu. Sidoqoftë, i rikthehem vazhdimisht poezisë, herë si përjetim, herë si lexim dhe herë si krijim. Ju përmendët shembullin e Çabejt që ka shkruar poezi brilante. Nuk më duket aspak e papajtueshme që të jesh njëkohësisht poet dhe gjuhëtar. Njoh mjaft raste të ngjashme. Kur lexoj tekstet studimore të Eqrem Çabejt herë herë më jepet përshtypja se gërshetohen së bashku saktësia shkencore dhe stili elegant i përshkrimit dhe argumentimit. Ka gjithmonë një poetikë të fshehur në tekstet e tij shlencore. Është ai emocion që të jepet kur pas fjalëve dhe formave të njohura shpaloset një botë e panjohur, një histori e papritur e rrëfyer në mënyrë origjinale, por gjithmonë duke i mbetur besnik metodës së kërkimit shkencor.

    A.D.: Po përmend vetëm një poezi të atij libri, Theror:

    Këtë ditë po e flijoj.

    Qoftë një mblatë

    në kujtim të përpjekjeve të humbura

    dhe një premtim

    i fitores së ardhme.

    E shqyrtoni ditën tuaj para se t’ia mblatoni së shkuarës dhe t’ia besoni vetveten së ardhmes? Nëse po, si do ta përshkruanit një ditë tuajën?

    A.S.:  Njëra ditë nuk i ngjan tjetrës. Megjithatë, kanë diçka të përbashkët të gjitha. Përmbajnë elemente të materiales dhe shpirtërores, kanë prozën dhe poezinë. Quaj ditë të suksesshme atë ditë që kam krijuar diçka, qofshin disa rreshta mendimesh për gjuhën ose për jetën. Jeta është e bukur kur e kalon me njerëzit e dashur, me shokët, kur njerëz të rinj e sheh vise të reja. Por nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia që të jep krijimi. Përpjekja për krijim është si një veprimtari e ndërgjegjshme për të depërtuar në të panjohurën, për të pasuruar përvojat tona me lëndë dhe shpirt. Megjithatë, duhet ndonjëherë edhe një pauzë, një frymëmarrje e thellë për të kuptuar rrugën e përshkuar, duhet një shikim i thellë brenda vetes, ndoshta edhe një dyshim për të vërtetën, një e vërtetë që duhet t’u nënshtrohet sprovave të reja për të qenë e tillë. 

    A.D.: Sërish tek kërkoja në Bibliotekë, vura re se para një dekade e gjysëm jeni përfshirë në një debat në shtypin e kohës. Pa u ndalur te tema e debatit, por te mungesa e medias së shtypur sot… Si e shihni këtë fakt? Ju shqetëson? Pasi personalisht, jam i bindur se sikur debati të mos ishte zhvendosur në portale apo Facebook ku çdo gjë është fast, shumë budallallëqe nuk do të thuheshin, pasi koha për ta menduar përgjigjen domosdoshmërisht do të ishte më e madhe.

    A.S.: Është e vërtetë se në epokën e internetit dhe digjitalizimit shtypi i shkruar përjeton një krizë të thellë për shkak të ndryshimeve revolucionare që kanë pësuar rrjetet e komunikimit dhe të informacionit. Gazeta të mëdha prestigjioze nuk shtypen më. Por edhe ato që shtypen kanë versionin e tyre online. Kjo krizë vërehet edhe në Shqipëri. Kjo është një prirje që do të rrezikojë gjithnjë e më shumë shtypin e shkruar. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur, e quaj si shenjë normaliteti botimin e shtypit të përditshëm me të njëjtën mënyrë që quaj shenjë normaliteti udhëtimet me tren që bënim dikur, të cilat aq shumë na mungojnë tani. Po për këtë duhet një përgjegjësi e madhe e të shkruarit, në mënyrë që gazeta e shtypur të bëhet tërheqëse për lexuesit dhe të ketë tema e analiza që nuk gjenden online. Interneti do të jetë gjithnjë konkurrues për shkak të aftësive të pakufizuara të shprehjes semiotike, ku mbizotëron imazhi lëvizës dhe fjala e shkruar gjithnjë e më shumë i afrohet gjuhës së folur në aspektin kohor të aktualizimit, është si me thënë një e folur vizive. Kjo përbën edhe përparësinë e komunikimit internetik: Informacioni jepet në kohë reale. Shtypi elektronik nga kjo pikëpamje, pavarësisht abuzimeve dhe rrezikut të informacionit të rremë, është më i parapëlqyer. Rrjedhimisht, nëse një gazetë e printuar ushqehet kryesisht me postimet në rrjetet sociale, nuk ka shumë gjasa që të mbijetojë.

    A.D.: Mendoni se Kavafis është poeti më i mirë i Greqisë moderne? Dhe si përkthyes i tij e jo vetëm, sa përqind e poezisë besoni se mund të bartet nga njëra gjuhë tek tjetra gjatë procesit të përkthimit?

    A.S.: Greqia moderne ka nxjerë emra poetësh të mëdhenj. Le të përmendim vetëm dy nobelistë: Jorgos Seferis dhe Odiseas Elitis. Por ka edhe një oqean poetik si Janis Ricos, apo Tasos Livadhitis, Niqiforos Vretakos, Miltos Sahturis, Qiqi Dhimula, Titos Patriqios, Manolis Anagnostaqis, Janis Kondos, Katerina Angjelaqi-Ruk etj. etj. për t’u kufizuar vetëm tek një pjesë e tyre. Sigurisht, Kostandin Kavafis zë një vend krejt të veçantë në letërsinë greke, duke qenë poeti i saj më ndërkombëtar. Është poeti grek i përbotshëm që shkruan kryesisht greqisht. Nga mënyra e të shkruarit u ngjan autorëve të lashtë dhe por është njëkohësisht edhe shprehës i një fryme moderne në poezi. Poezia e tij duket e thjeshtë në formë, por përmban një lehtësi mashtruese, përderisa nën vargun e një sintakse të zakonshme me një fjalor të përzier greqishteje të kulluar (katharévusa) dhe dialektore fshihet një punë e imët prej mjeshtri të rregjur. Këto duhet të ketë parasysh përkthyesi gjatë bartjes së vargjeve të tij në gjuhën mikpritëse. I kam pasur parasysh edhe unë gjatë përpjekjes sime përktimore shumëvjeçare, e cila u kurorëzua me botimin e veprës poetike të Kavafit më 2010. Ka disa raporte tekstore që krijohen aty midis formash të greqishtes së lashtë, katharévusës dhe greqishtes së re demotike, të cilat përkthimtarisht i kam zgjidhur duke përdorur disa forma të marra nga autorët e vjetër shqiptarë (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani). I besoj përkthimit, i besoj përkthyesit. Besoj se çdo gjë mund të bartet nga njëri qytetërim në tjetrin. Historia e botës është historia e ndërveprimit paqësor e jopaqësor midis popujve e vendeve, është historia e këmbimit të përvojës së tyre, e shprehur me larmi gjuhësore. Besoj se përkthimi ekziston aty ku ka njerëz që duan të komunikojnë. Ka një potencialitet ekzistence objektive të tekstive të folura ose të shkruara në gjuhën mbërritëse. Teksti ndodhet aty në një formë të padukshme. Përkthyesi nuk bën gjë tjetër veçse gjen përkatësinë leksikore e gramatikore midis dy kulturave midis dy qytetërimeve dhe në ktë mënyrë rindërton tekstin e origjin alit me mjetet e gjuhës mikpritëse. Kjo është merita e tij: aftësia për të gjetur përkatësitë. E kjo bëhet falë aftësive të tij përkthimore, të cilat shkojnë përtej aftësive (kompetencave) në gjuhët përkatëse. Pra, nuk mjafton vetëm të dish të flasësh e të shkruash një ose dy gjuhë, por duhet njëkohësisht të jesh në gjendje të bësh atë kapërcimin e natyrshëm semiotik nga njëra gjuhë në tjetrën. Pa njohjen e thellë të gjuhëve, në vështrim të qytetërimit, që shprehin fjalët e fjalitë, nuk mund t’i futesh sfidës së bukur të përkthimit. Kjo sfidë përballohet me sukses vetëm atëherë kur si përkthyes ndihesh natyrshëm në kontekstin ndërkulturor që përfaqëson çifti i gjuhëve pjesëmarrëse, sidomos kur ke padurimin e brendshëm për të pritur gjuhësisht në gjuhën mikpritëse kumtin e gjuhës ardhëse. Prandaj përkthimi është gjithmonë një shkallë më tej se njohja e gjuhës.

    A.D.: Ndoshta kjo temë nuk mund të diskutohet në një intervistë ku nuk është subjekti themelor i saj, por si i gjykoni, në rrafsh sinkronik dhe diakronik ndikimet reciproke mes Shqipërisë dhe Greqisë?

    A.S.:  Shqiptarë e grekë janë popujt më të vjetër indoevropianë të Ballkanit. Flasin dy gjuhë që janë degë më vete të familjes indoevropiane. Duke qenë në fqinjësi, kanë ecur së bashku në histori. Aq të lidhur kanë qenë me njëri-tjetrin, saqë kur erdhi koha e krijimit të shteteve kombëtare, diferencimi politik shtetëror midis tyre u shoqërua me tensione dhe fërkime, me pasione e paragjykime, të cilat shfaqen hera herës edhe sot si re të zeza që mbulojnë qiellin e një marrëdhënieje që historia e ka paracaktuar të jetë miqësore. Sado helm të hedhin disa në marrëdhëniet midis grekëve e shqiptarëve, ata do të gjejnë mënyrën të ecin së bashku përpara. Nuk ka shumë ndryshime temperamenti e mendësie midis shqiptarëve dhe grekëve. Shqiptarët që jetojnë në Greqi, ndihen si në vendin e vet, kanë krijuar shpejt miqësi me grekët dhe ndajnë bashkë me ta gëzime dhe hidhërime. Të njëjtën gjë provojnë edhe grekët kur vijnë në Shqipëri: u duket sikur nuk janë në një vend të huaj. Prania e elementit arvanit në Greqi është një tjetër faktor që na bashkon. Na bashkojnë shumë doke e zakone, na bashkojnë të njëjtat motive muzikore, sidomos me ato të Greqisë Kontinentale. Gjuha shqipe është ndikuar nga greqishtja, por edhe greqishtja është ndikuar nga shqipja.

    A.D.: Ju jeni një mbrojtës i drejtshkrimit të dalë nga Kongresi i ’72-shit, por po t’ju kërkoja të rendisni disa problematika të cilat në gjykimin tuaj duhen rishikuar, cilat do të përmendnit?

    A.S.: Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është një arritje historike e shqiptarëve, sepse nëpërmjet rregullave të njësuara të drejtshkrimit, kodifikoi gjuhën letrare kombëtare shqipe ose standardin, siç quhet tani. Por që atëherë kanë kaluar mbi pesë dekada dhe mjaft gjëra kanë ndryshuar në gjuhën shqipe. Edhe pse drejtshkrimi është pjesa e gjuhës që ndryshon më ngadalë se çdo aspekt tjetër i gjuhës, prapëseprapë ka vend për disa ndryshime, të cilat do t’i japin drejtshkrimit shqip një fytyrë më moderne.

    Së pari, duhet riformuluar parimi themelor i drejtshkrimit shqip, i cili është parimi fonologjik. Parimi themelor i drejtshkrimit të të gjitha gjuhëve të botës është parimi fonologjik. Gjuha shqipe nuk mund të bëjë përjashtim këtu. Parimi fonetik, që Kongresi e përcaktoi në mënyrë të pasaktë si parimin themelor të drejtshkrimit shqip është në fakt një nga zbatimet e parimit fonologjik.

    Së dyti, duhet të mos njihet parimi morfologjik i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, sepse shkrimi i njësuar shqip është shumë i ri, rreth 100-vjeçar. Parim morfologjik kanë disa gjuhë me drejtshkrim të vjetër, si greqishtja, anglishtja, frëngjishtja. Gjuha shqipe nuk ka parim morfologjik, sikundër italishtja, spanjishtja, rusishtja, bullgarishtja etj. Argumentimi që përdoret në ligjëratën gjuhësore shqiptare për parimin morfologjik i takon në fakt parimit fonologjik të drejtshkrimit.

    Njohja e parimit fonologjik si parimin themelor të drejtshkrimit shqip do ta mbrojë drejtshkrimin dhe gjuhësn shqipe nga propozimet arbitrare të disa kolegëve gjuhëtarë për të ndërhyrë e ndryshuar drejtshkrimin e disa fjalëve ose të disa kategorive fjalësh duke u nisur nga konsiderata subjektive për shqiptimin ose jo të zanores /ë/.

    Një tjetër ndryshim në drejtshkrim është ai që lidhet me normën gjuhësore, e cila mund të mos jetë shumë strikte. Këtu e kam fjalën më shumë për normën leksikore, e cila mund të pasurohet me fjalë nga forma gjuhësore të shqipes që flitet në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Disa shprehje gjuhësore që fliten në këto treva mund të pranohen si normative, me kusht që të ruhet njësia gjuhësore.

    Gjithsesi, rekomandohet që ndryshimet gjuhësore nuk mund të bëhen në masë, sepse ashtu do të cenohej një element i rëndësishëm i komunikimit, që është integriteti grafik i shenjës gjuhësore. Me ç’të drejtë mund t’i thuash dikujt që zbaton rregullat e drejtshkrimit se që tani e tutje ti do të fillosh t’i shkruash ndryshe fjalët? Prandaj duhet shumë kujdes kur mendojmë të propozojmë rregulla për ndryshimin e drejtshkrimit.

    A.D.: Për ta mbyllur, disa pyetje pak arbitrare:

    a. Cilit tekst teorik i referoheni më shpesh në punimet tuaja?

    A.S.: Ka disa tekste teorike që kam nevojë t’u referohem në punimet e mia. Varet gjithmonë nga tema e punimit. Teoricienët e mëdhenj më shumë i lexoj për të rikonfirmuar pozicionin tim teorik. Sosyri është klasik dhe gjithmonë aktual, pavarësisht rezervave që janë shprehur herë pas here. Edhe Çomskin më shumë e lexoj sesa e citoj. Dikur kisha shumë dëshirë të ndiqja Andrè Martinet-në – dhe e citoja – derisa në një moment njëri prej profesorëve mentorë të doktoratës sime më tha duke qeshur: “Heu, edhe unë e kisha dikur shumë qejf!”. Në punimet e një gjuhëtari modeli teorik ka shumë rëndësi, por më shumë rëndësi kanë ata autorë që kanë marrë me të njëjtën temë. Në këtë vështrim për mua autorë tavoline janë Holger Pedersen, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Selman Riza, Besim Bokshi, Kolec Topalli, Alexandru Rosetti etj. 

    b. Cilit libër letrar i besoheni kur keni nevojë për të rigjetur qetësinë?

    A.S.: Më pëlqen shumë Platoni, sidomos “Apologjia e Sokratit”, një tekst emblematik për qytetërimin perëndimor. Është njëkohësisht histori dhe letërsi, filozofi dhe poezi.

    c. Që teori pseudo-etimologjike të mos ngjisin më masivisht në shoqëri, cilin libër do të sugjeronit si një must read nga të gjithë, me ose pa formim filologjik?

    A.S.: Kohët e fundit janë botuar dy libra shumë orientues në lidhje me dukurinë shoqërore të etimologjisë vulgare: “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” me autor Ardian Vehbiun dhe “Në mbrojtje të arsyes albanologjike – Kundër fallxhorëve të gjuhës shqipe” nga një grup autorësh ndër të cilët bëj pjesë edhe unë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË