More
    KreuArte pamoreBashkim Ahmeti Izano: Kujtim Buza - të pikturosh të gjithë Shqipërinë

    Bashkim Ahmeti Izano: Kujtim Buza – të pikturosh të gjithë Shqipërinë

    Kur unë isha nxënës në Liceun Artistik, Kujtim Buza sapo kishte mbaruar institutin e lartë të Arteve dhe ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Përveç Galerisë Kombëtare në Tiranë ishte edhe një galeri për shitjen e veprave të artit. Këto ishin gjithçka që të ofronte kryeqyteti për artet andaj edhe drejtori i Galerisë Kombëtare binte në sytë e në vëmendjen tonë që studionim të bëheshim piktorë.

    Galeria Kombëtare e Arteve ishte e strehuar në një vile të bukur te rruga “Fortuzi” që ishte një rruge e qete me shtëpi tipike tiranase dhe vila në stilin modern të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Këto shtëpi e vila me oborre e kopshte dhe me dyer te bukura prej hekuri të rrahur dhe porta druri të vjetra, të lyera e të mbajtura me kujdes, përcillnin një ndjenje paqësore harmonie e mirëqenieje që ishte krejt e ndryshme nga romantizmi i gjëmshëm që përjetoje në peizazhin marramendës të Gjirokastrës nga vija unë. I joshur nga bukuria e koleksionit modest dhe nga harmonia e qetësia disi misterioze e mjediseve të galerisë, shkoja shpesh, herë i vetëm a here me ndonjë shok. Dikur, kjo vilë e jashtëzakonshme kishte qene shtëpia e një kryeministri të mbretërisë, gjë që ia shtonte edhe me shume solemnitetin koleksionit të veprave të cilat ishin edhe ato më së shumti punime të artisteve që vinin nga ajo kohë.

    Pothuajse gjithmonë do të përshëndeteshe aty me drejtorin e galerisë, i cili e kishte marrë vesh që ne ishim nxënës të Liceut Artistik dhe duke hyre a duke dale prej zyrës na sugjeronte me thjeshtësi e mirësjellje here një pikture e herë një tjetër për të cilat na bënte edhe një paraqitje të shpejte. Drejtori, Kujtimi, ishte një djalë i hijshëm e i veshur me kujdes dhe disi ndryshe nga të tjerët si shumica e ish studentëve të kthyer nga vendet e lindjes komuniste. Ai ishte djali i Abdurrahim Buzës, mësuesit tonë të admiruar. Buzën gjithashtu e hijeshonte brerorja e ndritur e Akademisë së Arteve të Firences, dhe kjo e bënte edhe Kujtimin të dukej për ne disi më familjar. Në të vërtetë, ai na priste sikur të ishim njëfarësoj të brendshëm dhe të “klubit”. Gjatë njërës nga këto vizita, Kujtimi më dhuroi një monografi për piktorin Zef Kolombi, që ishte punimi i tij i diplomës për kritikë e histori arti në Institutin e Lartë e Arteve në Tiranë. Ishte një libër i hollë me pak riprodhime në bardhezi. I emocionuar, e mora librin si një dhurate shumë të veçantë që më bëhej. Edhe pse në dukje modest, libri ishte sidoqoftë një monografi për një piktor shqiptar, një libër arti në shqip. I pari libërth arti që botohej në Shqipëri dhe i pari që kam lexuar. Pikturat e Zef Kolombit që ishin po aty në muret e galerisë, në libër ishin të shoqëruara me histori e analiza dhe dukeshin në sytë e mi prej nxënësi, solemne e plot me kuptime të fshehta.

    “Shqiptarit”, thoshte Çajupi, “po i tregove një gjë të shkruar e të shtypur në libër, e merr atë për ungjill”.

    Ky libër i hollë, si edhe shkrimet që Kujtim Buza i botonte në Gazetën “Drita” a në revistën “Nëntori”, ma kishin mbushur mendjen që ai ishte kritik arti me rëndësinë. Në mendjet tona të atëhershme, kjo puna e kritikut më shume kuptonte një post zyrtar se sa një profesion. Sidoqoftë kisha bindjen që kritikët dhe studiuesit e letërsisë dhe arteve ishin njerëz me ca funksione në shtet që dukeshin shumë me rendësi, paçka se në të vërtetë ata nuk kishin shumë në dorë.

    Në vitet që pasuan, shumë prej tyre u kritikuan e u dënuan për gabime të ndryshme, sidomos “ideologjike”, por kjo ma shtonte edhe më shumë përshtypjen e krijuar për ta si njerëz të rëndësishëm. Veç kësaj, Kujtimi as që ekspozonte piktura e as vizatime të vetat. Ekspozoi një herë në një “Nëntor’’ një peizazh propagandistik, të bërë enkas për ekspozitën. Tjetër nuk mbaj mend. Edhe pse e kisha pare me shumë vëmendje punimin e tij të diplomës të Liceut Artistik të varur në murin e studios se të atit, Buzës plakut, punime të tjera të varura nuk kisha parë. As të shkollës. E kisha ndarë mendjen që ai nuk ishte piktor. Dhe jo vetëm unë, kështu besoj mendonin edhe shokët e mi të Liceut Artistik. Ai erdhi si i dërguar i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, kryetar i komisionit të vlerësimit të diplomave tona të maturës dhe kjo e nguliti në mendjen tonë edhe si zyrtar. Gjatë viteve të mija të studimeve e më vone dalëngadalë ne krijuam një lidhje që ishte disi miqësore.

    Në fillim të të shtatëdhjetave unë punoja në Gjirokastër dhe e takova Kujtimin në zyrën e tij, siç bëja sa herë vija në kryeqytet. Sa ishte kthyer nga një vizitë në Kosovë dhe thjeshtë e si pa rendësi me tregoi një bllok të tërë me vizatime që i kishte bërë gjatë udhëtimit. Ishin të thjeshta e plot me detaje të bëra me mjeshtëri, përshkruese e pa poza virtuozizmi e as pretendime stilistike. Thjeshtë mbresa udhëtimi. Këto vizatime ai i tregonte pa përtuar, më shume si për të treguar çfarë kishte parë në Kosovën e dashur të origjinës së tij se sa për të treguar vizatimet e veta për të cilat ai, me gjithë përmbajtjen e modestinë, dukej që ishte krenar. E dija që Kujtimi kishte studiuar krahas teorisë dhe historisë së artit edhe pikturë e vizatim. Edhe në Peterburg, ku ishte i regjistruar në klasën e teorisë, ai ndiqte paralel edhe klasat e vizatimit te pikturës. E dija që në Tiranë kishte qenë shok shkolle me Naxhi Bakallin e Gavril Priftulin të cilët me të vërtetë i admiroja por si të gjithë edhe unë besoja që kjo puna e pikturës ishte një kapitull i mbyllur për të. Në të vërtetë nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të gjithë ne që kishim parë vizatimet e pikturat e bukura e te jashtëzakonshme të Buzës plak. Me siguri kur të gjithë i flisnin me admirim për artin e Buzës plak, të babës, dhe kurrkujt nuk i shkonte ndërmend ta pyeste për vizatimet apo pikturat e tij, ai do të ketë menduar që zor se ka vend për të aty. Mbase ai, si të gjithë njerëzit e talentuar, nuk mundej dot të hiqte dorë kollaj, por mbase ishte vet Kosova ajo që me energjinë magjike që ushtron mbi mendjet e shqiptareve të mirë, e shkundi edhe Kujtimin. Ai i botoi këto vizatime në një libër të vogël e modest për të cilin ai dukej që krenohej që kishte qenë aty dhe kishte vizatuar Kosovën. Këto vizatimet e Kosovës ia kishin rrëmbyer vëmendjen dhe e kishin entuziazmuar edhe Buzën plak dhe kjo besoj për Kujtimin do të ketë qenë si të hidhte hapin më të madh në jetë. E kishte marrë vëmendjen e Abdurrahimit për artin e tij. Buza, herë pas here i përmendte këto vizatime. I përmendte dhe të shikonte në sy si të thoshte se ato janë ashtu siç duhet. Dukej që me të vërtetë i pëlqente.

    Edhe ai vet kishte vizatuar gjatë vizitave të tij në kantieret e punës për hapjen e rrugëve të reja dhe në hidrocentralin e Ulzës. Po kështu kishin bërë edhe S. Kaceli, N. Zajmi e të tjerë piktore. Vizatimet e Buzës të kujtojnë ato të Da Vinci-t. Ato janë të bëra me precizion, e plot me detaje. Kaceli vizatonte lehtë e butë e në mënyrë disi impresioniste. Vizatimet e Zajmit janë më realistike. Foto Stamo vizatonte me penë e disi shkujdesur. Sidoqoftë vizatimet e tyre janë të një lloji të përbashkët. Janë mbresa nga udhëtimet në vende te caktuara. Prej vitesh këto lloj vizatimesh nuk bëheshin më tek ne.

    Me ardhjen e studenteve nga vendet komuniste, gjerat kishin ndryshuar. Artistët që kishin studiuar në vendet komuniste as që i ftuan mësuesit e tyre të ditur të Liceut Artistik të jepnin mësim në Institutin e Larte të Arteve të porsakrijuar. Aty jepnin mësim studentët ende pa e marrë diplomën. Sido që të jetë kjo historia e mësuesve e nxënësve ky momenti i Institutit të Lartë shënon një pikë kthesë për artin shqiptar. Prej atëherë për të mirë e për keq, gjerat ndryshuan përgjithmonë. Studentët e shkollës së arteve shkonin për praktika mësimore në kantiere ndërtimi e në fshatra por jo për të bërë vizatime të thjeshta në blloqe vizatimi me mbresa e shënime, më shumë bënin skica për të gjetur tipin e heroit të kohës ose për të dalë në dritën e natyrës, që edhe kjo kishte gjithashtu kuptim politik.

    Vizatimet e Kujtimit ishin një kthim te vizatimet e brezit të babës se tij. Nuk dua të them që ato tërhoqën vëmendjen e artisteve. Shokët e tij të klasës, Bakalli, Priftuli e Blido, gjithashtu vizatonin bukur e me mjeshtëri. Pikturat e tyre ishin të ngritura mbi vlerat grafike e bukuritë e vizatimit gati si vizatime të ngjyrosura siç edhe i etiketonin akademistët tradicionalistë. Kjo i veçonte ata si të ishin një grup me program dhe me stil të afërt me pikturën moderne dhe teknikat qe gjithashtu vinin si një risi. Pikturat e Kujtimit, edhe pse të ndryshme për nga stili, gjithashtu i ngre mbi një imazh të vizatuar direkt me penel e me bojë vaji, si skica me ngjyra. Edhe ne që ishim më të afërt e të miqësuar me të nuk i morëm seriozisht vizatimet e tij përshkruese. Ndofta ato pak kush i mban mend, mirëpo që mbas kësaj ai befas filloi të pikturoje fort. Pikturonte peizazhe nga natyra duke prure nga udhëtimet mbresa të freskëta ku natyra është e përshkruar me vëmendje, e në mënyrë të thjeshtë të drejtpërdrejtë dhe ku idetë konvencionale e “kuptimet e mëdha” zbehen e treten për t’ia lënë vendin përshkrimit të imazhit. Vëzhgime të mprehta në kërkim të ngjyrave e nuancave pikturike ku si për çudi nuk janë në qendër objektet që përfaqësonin “idetë e temat e kohës’’. Harmonia e ngjyrave dhe e toneve si edhe përpjekja për t’u mjeshtëruar në stilin e pikturës “alla prima’’ behën në punët e tij tema dhe përmbajtja, arsyeja që e shpije atë tek piktura. Nuk mund te mos i merrje seriozisht këto sprovat e tij me peizazhet e “Plain air” as edhe entuziazmin e tij ndaj një penelate të qëlluar që përcillte reflektim shpirtëror ndaj natyrës. Edhe pse duket qartazi që ai është i familjarizuar me impresionistët, paleta e tij qëndron te ngjyrat e përmbajtura të intonuara e me tinguj të temperuar. Më shumë realistike e natyraliste se sa optika analitike ose spektrale. Format ndjekin modelin me besnikëri duke u shpërberë shpesh në penelata të çrregullta por as edhe një herë në thyerje prizmatike e gjeometrike. Ishte koha kur bëheshin tablotë e mëdha kompozicionale me tema kuptimplota siç quheshin atëherë në mënyrë qesharake, “Tema Kardinale”. Unë vet isha i përkushtuar përkohësisht ndaj peizazheve romanticiste me të cilat më shumë dështoja se sa kisha sukses me komisionet e ekspozitave e konkurseve kombëtare.

    Ndërkohë, për Kujtimin rëndohej hija që i bënte Buza plak sa më afër që i vinte pleqëria. Mirëpo, befas, kur askush nuk e priste, e gjitha ndryshoi. E kam të paharruar një vizitë në studion e tij ku ai më tregoi një seri me peizazhe që i kishte pikturuar gjatë një udhëtimi në Austri. Kishin qenë aty me piktorin Fatmir Haxhiu, të ftuar nga një shoqatë piktorësh dhe kishin pikturuar aty së bashku me ta. Spontaniteti dhe freskia e pikturimit “alla prima” i afruan pikturat e tij shpesh të pa mbaruara me stilin “non finito” që i bënte ato të dukeshin elegante e lirike. Kishte qenë aty si në një sprovë dhe kishte pikturuar me shpejtësi e i përqendruar.

    Kësaj radhe e kuptova që, këtej e tutje, aventura e tij me pikturën ishte serioze e pasionante edhe pse ai vazhdonte të hiqej se pikturonte thjesht se i pëlqente ta bënte këtë gjë midis pauzave të punëve të tij në zyrat e Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artisteve. Nuk ishte ashtu. Ai e dinte se çfarë donte. Po pikturonte peizazhe të “Plain Air”. Piktura të bëra aty në natyrë, shpejt, shpejt e pa korrigjime. Nganjëherë edhe i përsëriste ato në studio sikurse, Van Gogh-u, për hir të freskisë e për të shmangur korrigjimet.

    Edhe pse me këto piktura nuk i zije dot ballët e sallave të ekspozitave as edhe të merrje çmimet e para, prapëseprapë, ato heshtazi veçoheshin nga shumica e artdashësve si piktura të bukura. E kam në sy një peizazh të Vilson Kilicës, që besoj në 1969 ishte varur në Bibliotekën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Piktura ishte rreth 1.8 x 1.4 m dhe tregonte malin e Dajtit në një prerje impozante. Kjo pikturë, me një harmoni tërheqëse ngjyrë vjollcë përfaqësonte atë që quhej “Peizazhi Monumental” diçka si “Sublime Landscape”. Sali Shijaku bëri një seri me peizazhe dekorative e simboliste sipas vizatimeve që bënte kur shkonte për gjah. Vangjush Mio kishte bërë peizazhe impresioniste në mënyrën si shihej impresionizmi në Itali. Ksenofon Dilo kishte pikturuar peizazhe ekspresioniste dhe pastaj ca peizazhe në një stil gjeometrik. Kamberi e Jonuzi në Vlorë, bënin peizazhe post-impresioniste, Lulani provonte peizazhe historike, Gjergji Marko bënte realizmin post-impresionist alla Marquet, Kokolani kombinonte një stil shkollor me penelatat e Cézanne, ndërsa Lako e Vasili pikturonin liqenin e Pogradecit në një mënyrë të poetizuar.

    Siç shihet, panorama e piktoreve peizazhist nuk ishte edhe aq monotone. Kujtimi pikturonte “Plain air” pa u ndalur. Kur i shikon me radhë pikturat e tij, mrekullimin nga natyra, bredhjen në fshatra e zona rurale si dhe harmoninë e kërkuar, të vjen ndërmend Levitan. Peizazhi “Togëz – Librazhd” i vitit 2001 është i pikturuar me ngjyrat e arta të vjeshtës, me një rrjedhje uji në planin e parë e me shtëpizat e vogla të fshehura mbas pemëve në rrëzën e malit që e mbyll hapësirën me siluetin e harkuar si dhe me një dridhje të përmbajtur te penelatave si të shkaktuar nga flladi i ajrit. E gjitha në një qetësi e heshtje që të kujton peizazhet e Levitan, edhe pse stili i Kujtimit padyshim është më i afërt me Édouard Manet. Pikturat me dallgët që shkumëzojnë mbi shkëmbinj të kujtojnë me shumë amerikanin Homer se sa Impresionistin Claude Monet. Kujtimi vozit me kujdes përmes këtyre stileve dhe është zor ta vendosesh se ku qëndrojnë peizazhet e tij. Mbas Mios, ai më shumë se kushdo tjetër, i ishte përkushtuar gjinisë së peizazhit por nuk dukej një ndjekës i tij.

    Unë ia pëlqeja pikturat Kujtimit. Më impresiononte autenciteti i tyre dha raporti i thjeshtë e i sinqertë i pikturës së tij me natyrën. E admiroja mënyrën e tij krejt të pa angazhuar stilistike. Kjo mungesë militantizmi e programizmi i vinte ato në një pozitë të pavarur e origjinale. Për arsye të thjeshtësisë dhe të qasjes së tij aspak agresive, u desh pak kohë që të kuptohej që piktura e tij është krejt ndryshe. Kjo e bëri më të afërt miqësinë tone. Si të thuash më natyrshëm u bëmë miq se ia pëlqenim pikturat njëri-tjetrit. Kishim një diferencë moshe që mua më impononte një distancim respektimi që më ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Kujtimi më priste në zyrën e tij me ngrohtësi. Ashtu i priste të gjithë. Me mirësjellje e me një note humori për t’i liruar kolegët nga ngrirja që të shkaktonin zyrat e shtetit komunist.

    Në pranverën e vitit 1981 isha në Tirane dhe u ktheva nga Lidhja e Artistëve për t’u përshëndetur me Kujtimin siç bëja kurdoherë. Kujtimin e gjeja gjithmonë në zyrë ose te salla e kafes ku zbriste për t’ju ofruar kafenë e mirëseardhjes veçanërisht artistëve që vinin nga rrethet. Kishim bërë së bashku një peizazh me dimensione të mëdha që ishte porosi nga një institucion shtetëror me rendësi. Punuam me entuziazëm pesë a gjashte javë me të. Një peizazh 3 x 2.5 m ishte për të dy ne një sprovë ambicioze dhe gjithashtu një eksperiencë e re. Puna na shkoi mbarë e në harmoni. Veçanërisht me harmoni, pa qenë nevoja për të ndërhyrë e korrigjuar mbi atë që bënte secili. Për mua qe një eksperiencë e pazëvendësueshme. Veç të tjerash, mësova që kjo puna e peizazhit realistik, nuk ishte në të vërtetë ajo që unë ëndërroja për pikturat e mia, ndërsa Kujtimi, besoj do të jetë bindur që qëndrimi përballë natyrës dhe koncentrimi për ta kryer pikturën gjatë vetëm një seance, ishte motori që ia vinte në lëvizje trurin, syrin dhe dorën.

    Gjatë këtyre gjashtë javëve punë me peizazhin përjetuam edhe një tjetër eksperiencë të paharrueshme për mua. U takuam ne barin e Lidhjes për të shkuar prej andej në studion ku punonim peizazhin. Kujtimi më ftoi të ngjitemi shkalleve ku ishte zyra e tij, zyra e sekretarit të Lidhjes. Si hymë, tërhoqi derën, u ul te tavolina e punës, e hapi sirtarin dhe nxori prej andej një zarf të zakonshëm postar. “Këtu në zyrë”, tha, “na vinë edhe letra si kjo që na ka ardhur nga Gjirokastra”. I tha këto me buzën në gaz e vështrimin sfidues ndaj zarfit që e lëshoi mbi tavolinë. Mua më shkoi një dridhje e lehte. E dija se çdo të ishte ajo letër. Një letër anonime. “Lexoje”, më tha me ton të sinqertë, “besoj do ta kuptosh kush mund të jetë autori”. “Jo”, i thashë aty për aty, “nuk dua ta lexoj. Janë shume ata që mund ta kenë shkruar”. E dija se çfarë thoshin ato lloj letrash anonime. Thoshin gjëma .Thoshin shpifje dhe të vërteta të shtrembëruara. Kishte shpërthyer një fushatë letrash anonime gjithandej. “Popull Shqiptar Popull Shkrimtar”, thoshte për to Dritëro Agolli.

    Kujtimi e hapi sirtarin dhe e futi letrën përsëri në të. “Mirë e ke”, tha, “s’ka ç’të hyn në pune. Ja e kemi këtu”. U ngritëm dhe shkuam në studio. Prite zot rrezikun. Ishte letra e dytë anonime që më dilte përballë. Nuk u përmend më kurrë midis nesh as për shaka e as për ta tallur e as për ta sharë. Kur piktura jone ishte afër fundit na vizitoi Buza plak. “Do të vije baba sot”, tha Kujtimi si për një gjë pa rendësi. “Oh, sa mire”, thash unë. “Besoj qe jemi gati”. Në të vërtetë, m’u bë në çast se ne nuk ishim gati. “Donte të vinte javën e kaluar”, tha Kujtimi, që siç duket e ndjeu shqetësimin tim. “I thash të presë edhe ca ditë”. Unë i hodha një vështrim pikturës për ta parë me sytë e profesorit. “Le të vijë”, tha Kujtimi. Buza erdhi i veshur shik me një kostum të shtrenjte e me kollare e kapele republike siç vishej që kurse kishte dalë ne pension. Ai dukej i gëzuar që ne po bënim një tablo të madhe. Dukej qe ishte kureshtar te shihte a e bënim dot një peizazh në këto përmasa dhe ishte i kënaqur me atë që po shihte. Na beri muhabet për mirësjellje dhe dukej i gëzuar. Na përgëzoi për punën por nuk na bëri vërejtje as sugjerime, vetëm se me shaka e veçoi se ku kishte punuar njëri e ku kishte punuar tjetri. Duke ikur, ndaloi te dera, u kthye edhe një herë nga piktura dhe ashtu në këmbë me buzën ne gaz e me sytë ngjyrë çelur që i shndrisnin kur do të thoshte diçka dykuptimshme, na tha që ai vet do të kishte nxjerrë nja dyzet piktura nga kjo kanavace. Nuk besova se e kishim ndezur entuziazmin e tij por Kujtimi dukej i kënaqur. Ai i dinte punët më mirë. Më mbeti në mendje sa me kujdes e seriozitet e merrte Buza të birin. Mbase edhe mua.

    Kujtimi, më së shumti, pikturonte me ngjyra vaji në cardboard, një lloj kartoni i presuar ngjyrë kafe. Dukej që sipërfaqja e lëmuar e kartonit e ndihmonte të procedonte shpejt e me shkathtësi, gjë që ia bënte pikturat disi të përpikta e virtuoze edhe pse pa gjeste dhe penelata të ekzagjeruara. Ngjyra kafe e cardboard-it i shërbente si bazë e mirë për jeshilet e errëta, okrat dhe penelatat e shpejta te ndriçimeve. Mendoja qe mbas kësaj tabloje ai mbase do te kalonte ne përmasa me te mëdha e ne kanavace por edhe për shumë kohe ai pikturoi në cardboard. Ai ishte i zënë me punët e zyrës. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, edhe pse dukej të ishte një vend komod e të këndshëm, me sallonin e madh, me barin luksoz, e me sallën ku shpesh bëheshin koncerte me muzikë dhome, në të vërtetë ishte një fole grerëzash. Ai pikturonte më së shumti gjatë udhëtimeve, dhe kjo e përcaktoi edhe stilin e tij për të mirë. Zor se mund t’i shkonte mendja për dimensione më të mëdha. Përmasat e kartonëve të tij ishin mjaft të rehatshme. Asokohe, mendohej që një kanavacë të madhe mund ta pikturoje vetëm me porosi të shtetit.

    Kujtimi vinte rrallë, për të mos thënë hiç fare, në Gjirokastrën time. Nuk e kuptoja pse. Mbase ma kishte lënë mua Gjirokastrën. Modelin dhe skenën e pikturave të mia. Disa vjet më pare i pashë një pikturë shumë të bukur të Gjirokastrës me blu e të bardha ne roze. Një peizazh i shkëlqyer i pikturuar rrufeshëm e i veçantë për qytetin tim me të cilin i provojnë forcat pothuaj të gjithë piktorët shqiptarë. Në një udhëtim të tij për në Sarandë më mori në veturën e Lidhjes edhe mua që u ndodha në Tiranë dhe do të kthehesha në shtëpi. Vetura kishin vetëm zyrtarët dhe institucionet e shtetit, ndaj dhe rrallë mund të të binte të udhëtoje me veturë. Në hyrje të Gjirokastrës, i thashë të ndaheshim. “Jo”, më tha duke qeshur, “do të të çojmë të zbresësh aty te Sheshi i Çerçizit dhe kur të dalësh ta përplasësh derën fort”. “Jo, Kujtim”, i thashë, “bëfshi rrugën e mbarë, do te zbres këtu”.

    Kisha pesë a gjashte vjet që punoja në Gjirokastër mbas shkollës. Piktorët ato kohë, sa mbaronin shkollën, emëroheshin në një vend pune dhe menjëherë bëheshin anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Përmes kësaj përfitonin studio dhe leje krijimtarie. Tre-katër piktorë të ardhur nga shkolla mbas meje ishin pranuar menjëherë në Lidhje, unë akoma jo. Organizata bazë e partisë e Teatrit dhe Estradës ku unë punoja skenograf nuk më miratoi as edhe një here edhe pse puna ime aty ishte gjithmonë e çmuar dhe e lavdëruar edhe nga pushteti lokal. Kjo m’u bë shqetësuese. Kështu të vinte rreziku asokohe pak e nga pak. Fort i shqetësuar ia tregova këtë Kujtimit. “Bashkim”, më tha, “lejet krijuese i ndajmë ne dhe ti praktikisht je anëtar i Lidhjes. Edhe një studio e ke”. Mbas disa muajsh më njoftoi që isha bërë formalisht anëtar i Lidhjes. “Meqenëse e kishe merak të madh”, më tha me të tallur pa më lënë kohë ta falënderoj. Ia kujtova ketë vitin e kaluar gjatë një vizite në shtëpinë e tij në Tiranë. “Vetëm ti”, i thashë, “nuk m’i ke përmendur as edhe një herë ato muhabetet e biografisë politike të familjes, as edhe larg e larg”. “Dëgjo”, më tha, “mua gjithashtu më shoqëronin gjithë kohën fjalë rreth biografisë politike të familjes nga ana e nënës. Ti në të vërtetë e kishe mjaft të rregullt për të qenë anëtar i Lidhjes”. Më kujtoi që mu në atë kohë ai më porositi në telefon një peizazh të Gjirokastrës që donte t’ia bënte dhurate një dërgate që kishte ardhur nga Kosova. Si e mbarova pikturën, i kënaqur me punën që bëra, shkova vet në Tiranë t’ia dorëzoj. Kujtimi u gëzua që ia çova në kohë. Ma lëvdoi pikturën dhe aty për aty e vari në mur. “Jo”, më tha, “nuk do t’ia japim mikut këtë pikturë. Do të gjejmë diçka tjetër për ta. Kjo le të rije këtu në zyrën e Sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Piktura qëndroi aty një kohë të gjatë. Më vonë një tjetër pikturë timen ai e vari në zyrën e Dritëro Agollit, Kryetarit të Lidhjes. “Lë të mësohen”, më thoshte.

    Pikturat e Kujtimit janë një kombinim i realizmit me impresionizmin. Ato anojnë here nga njëra ane e herë nga tjetra si në një urë mes tyre. Vështrimi racional si te realistët i lë pak ose aspak vend romantizmit. Në koleksionin e tij, kam parë prej kohesh një pikturë të rënde me tone në mavi të thellë, gati bardhezi. Impresive, dimërore, dhe me një qiell gri. E rënde dhe solemne, piktura paraqet Petit Palais. Më shume se vizatimi i lirshëm qe me sillte ndërmend vizatimet me karbon te francezit Seurat. Piktura të tërheq me pllakatin e një ekspozite ku shkruhet “Manet”. Pllakati i vendosur në ballin e ndërtesës dhe gjithashtu në qendër të pikturës duket si një deklarate dashurie për Manet. Duket që ai ka qenë dashuria e tij e parë. Ai i shkon para e mbrapa pikturave të Édouard Manet edhe pse duket që më shume se kapja e momentit dhe dritës në lëvizje që është motoja e Manet, atij i ka interesuar “gjendja” e pikturës (the mood), peizazhet e gjendjes shpirtërore ku format dhe ngjyrat e natyrës pasqyrojnë emocionet e shpirtit njerëzor. Ndjeshmëria e penelit të tij mbërrijnë hollësitë më delikate duke pikturuar thellësitë e muzgjeve me tisin e hollë të mjegullës së kaltër që përcjellin meditim e trishtim si tek “San Dimitri Corona” e vitit 2015. Prania njerëzore në pikturat e tij haset rrallëherë dhe më së shumti jo për të mire. Vit mbas viti u zgjerua gjeografia e peizazheve te tij dhe kjo duket që po behej si një motiv dhe qëllim më vete. Kujtimi fliste shpesh rreth dëshirës për të pikturuar kudo që shkonte. Kjo u bë temë e preferuar e bisedave te tij. “Po ta pikturosh të tërë atdheun dhe ta mbledhësh atë në një koleksion duhet të dalë me siguri një gjë me bukuri te veçantë; dhe po të mund të pikturosh të gjitha lulet e Shqipërisë do t’ju ofrohet syve një feste e vërtetë.” Kështu thoshte. Përpara Kujtimit, Mio ishte i dedikuar për peizazhet e Korçës dhe të rrethinave dhe filloi të pikturojë nëpër Shqipëri, por pak vite mbas hyrjes së komunisteve ai u izolua në Korçë. Edhe të tjerë piktorë bënin peizazhe por me raste edhe pikturonin rreth e rreth qyteteve ku jetonin.

    Kujtimi dukej që nuk do të ndalej. Nuk pikturoi po thuaj hiç Tiranën por larg e sa më larg. “Dua të dal në maje të malit, të shoh të gjithë Shqipërinë’’, thotë një varg i Naim Frashërit. Kjo ide e thjeshtë e kishte rrëmbyer siç duket edhe Kujtimin. “Të dal të pikturoj të gjithë Shqipërinë’’. Ai e mendonte këtë me entuziazëm para pesëdhjetë vjetësh dhe e thotë edhe sot me po aq entuziazëm. Puna e tij në Lidhjen e Artistëve i jepte mundësinë të udhëtonte nëpër Shqipëri dhe kjo me siguri ka qenë për të shume frymëzuese. Të udhëtojë nëpër Shqipëri në vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë ishte si të udhëtosh sot në Afrike a më larg. Mbas nëntëdhjetës ai iu kushtua tërësisht aventurës së tij pikturike. Mirëpo edhe sot e kësaj dite, duke sfiduar moshën, Kujtimi udhëton i pa përtuar sa herë që ka rast të shkoje diku të pikturojë, sado larg të jetë. Gjeografia, besoj se do të jetë plotësuar dhe duket që koleksioni i veprave të tij do ta ketë rrokur tërë Shqipërinë e brenda e jashtë kufijve politike, mirëpo aventura e tij nuk ka mbaruar. Edhe pse harmonia e rafinuar dhe nuancat e holla orkestrohen me mjeshtëri dhe virtuozitet; edhe pse paleta e tij i ka parakaluar të gjitha ngjyrat që i ofron natyra në lëvizjen e saj të pa ndalur, prapëseprapë duket që ambicia e tij për t’i pikturuar të gjithë hapësirat magjike shqiptare është ideja ngazëlluese që e nis në udhëtime. Formatet mesatarisht të vogla, si tek piktoret impresionistë, duket se e favorizojnë ta zotëroje pikturën për një seancë; për aq kohe sa edhe drita e ruan gjendjen e momentit. Peizazhi “Vjeshte në rrethinat e Librazhdit’’ 2001, na tregon një ditë vjeshte të ftohte me tre male në radhe; një violete, një jeshil i ftohtë dhe i treti blu. Piktura është e ndarë diagonal dhe gjysma që është pasqyrimi në ujë e vë gjithçka në lëvizje. Penelatat e ndjekin njëra-tjetrën në një rrjedhë të pa ndërprerë. Gjithçka duket si e bërë me lehtësi dhe pa sforcim e përpjekje. Mirëpo mu kjo thjeshtësi të shtije tek idetë dhe përjetimet Panteiste që janë filozofia e fshehur e pikturave te tij. Këto cilësi, ai i tregoi që në fillim të të shtatëdhjetave, por në pikturat e vona, mjeshtëria e zotëron pikturën si në një lojë. Janë piktura që të marrin me vete në një realitet të mënjanuar nga bota. Jeta e vërtetë e kohës kur janë bërë këto piktura është lënë mënjane. Mbledhjet, konferencat, fjalimet plot me slogane e me ide të mëdha e bajate janë harruar mbrapa me qëllim. Temat e sforcuara të propagandës janë shmangur me kujdes. Idetë pozamane, megalomane dhe pseudofilozofike të propagandave sociologjike që i sundojnë lëvizjet e sotme bashkëkohore gjithashtu janë shpërfillur me thjeshtësi. Nuk janë aty në koleksionin e tij as hallet dhe hidhërimet e jetës se përditshme njerëzore me humbjet dhe mungesën. Ato veçse e kanë bëre më të mendueshme e kuptimplotë veprën e tij. Pikturimi është për Kujtimin një arratisje në natyrë. Një arratisje nga brenga drejt një bote Panteiste të heshtur.

    Në fillim të të nëntëdhjetave, Kujtimi e shoqëroi Sokolin, djalin e tij piktor, të porsa dalë nga shkolla, në aventurën e tij me pikturën abstrakte që është stili pikturik dhe sfera e interesave estetike të Sokolit. Së bashku ata hapen edhe një ekspozitë në Tiranë me këto piktura. Kujtimi plot energji i ktheu motivet e peizazheve te tij në imazhe abstrakte si për ta shoqëruar, përcjellë, dhe për t’i thënë Sokolit të priftë e mbara. Mbas kësaj, ai me qetësi dhe me këmbëngulje e kokë ngjeshje iu kthye projektit të tij sikur të mos kishte ndodhur asgjë përreth. Shumë drama dhe gëzime kanë ndodhur në jetën e tij. Po ashtu me Shqipërinë dhe peizazhin e saj. Kujtimi vazhdon i pa hutuar e i pa lodhur projektin e tij gjysmëshekullor Neorilindas. “Të dalësh në majë të malit – Të pikturosh të gjithë Shqipërinë’’.

    Warren, NJ

    Nëntor 2024

    NJË KOMENT

    1. Nje shkrim i mrekullueshem, ku plot dashuri e kompetence del shume mire ne pah ne rrjedhen e viteve portreti i Kujtim Buzes, piktorit te njohur, njeriut te mire, kosovarit kryelarte e shokut te shumekujt.
      Autori i shkrimit, piktori i njohur, Bashkimi, me kete “portret” i ka bere ndere edhe vetes, talentit te tij ne letrat.
      I uroj te dy artisteve shendet e krijimtari.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË