More
    KreuArte pamoreGazmend Leka: “Fatmir Haxhiu - piktori i historisë”

    Gazmend Leka: “Fatmir Haxhiu – piktori i historisë”

    Monografi e studiueses Zana Varvarica Kuka

    Mbrëmja e sotme shenjohet për dy nga figurat më të rëndësishme të artit shqiptar, piktorin Fatmir Haxhiu dhe studiuesen Suzana Varvarica Kuka. Njëri me veprën në ngjyrë e tjetra me veprën në fjalë. Libri monografik “Fatmir Haxhiu-Piktori i historisë” është një simbiozë e këtyre dy shpirtrave të bukur!  

    Vite më parë, kur bëra ekspozitën “NATURA MORTA”, pikturova maskat prej allçie të personaliteteve që kanë lënë gjurmë në jetën e njerëzve, në mbarë globin. Bëra maskën e Leninit, të Washingtonit, Napoleonit, Dantes, Bet’hovenit, Bruneleskit, Niçes dhe të Turnerit.

    Një vit të tërë, u bëra shoqëri. I shoqërova në çastin e fundit, kur kalonin sinorin e shkonin përtej. Ishte ai çast kur trupi ftohet e kur e ngrohta kthehet në mardh dimri! Ky kalim, kishte vite e vite që kishte ndodhur, por unë në studion time, po e inskenoja aktin kureshtar! Duke pikturuar, bisedoja me secilin prej tyre në heshtje. Doja të kuptoja se çfarë mendonin atë çast, kur hidhnin hapin përtej? Nuk dyshoj që ktheheshin në fillimet e tyre, aty ku strehohet dëshira e vërtetë. Unë thjeshtë supozoja përgjigjet e secilit!   

    Çastin e kalimit të Fatmir Haxhiut nuk e pikturova dot. Mungonte maska e tij. Mungonte dëshira e tij e fundit, e ritreguar prej meje, por nuk dyshoj se edhe ai si të gjithë personalitetet që kanë incizuar brazda të thella në memorien kolektive, iku me një pikëpyetje të madhe, me një peng, edhe pse i sigurtë për trashëgiminë që ka lënë pas. Them peng, sepse në largim e sipër, në nxitim e sipër, nuk pati kohë ta marrë përgjigjen. 

    Është e trishtë, por njëherësh e bukur ta mendosh se e gjithë jeta reduktohet në një pyetje plot ndrojë e pa mendjemadhësi. Është pyetje plot ankth, e strukur në memorie, apo e shkruar diku në një copë letër. Kanë frika nga harresa! Me sy të mbyllur, në momentin e fundit pyesin veten heshtur, pa zë:

    -Sa gjatë do jetoj në memorien e njerëzve?  

    Dhe kanë të drejtë! Është legjitime, sepse e dinë që Harresa është një monstër e frikshme dhe e pangopur. Ha e nuk vjell! Në pamundësi për ta fituar përjetësinë, të gjithë duan ta shkëmbejmë atë me jetëgjatësinë në memorien e njerëzve, sikurse zgjedhja që bëri Akili në të gjallë të vet! Pranoi të vdiste, që ta kujtonin!

    Këtë pyetje fundore, “Sa gjatë do jetoj në memorien e njerëzve?”, Fatmir Haxhiu padyshim që e ka bërë, por ndryshe. E ka bërë gati retorike, pasi e ka dhënë gjithmonë vetë përgjigjen, në formën e një dëshire fundore:

    – “Unë do jem i lumtur edhe sikur një vepër të më mbetet nga gjithë krijimtaria ime!”.  

    E rrafshoi të gjithë atë korpus gjigand, që kishte krijuar gjatë jetës së tij vetëm për hatër të një pikture. Dëshironte të ishte një pikture e vetme, edhe pse nuk e dinte se cila do qe ajo Vepër Antidot, përballë sklerozës kolektive!

    Jam më se i bindur, se sa herë tentonte të zgjidhte njërën mes tyre, nuk vendoste dot, pasi sapo tërhiqte penelin e fundit nga telajo bërtiste me klithma brenda shpirtit – “Kjo që sapo bëra është një kryevepër!” I shkon artistit ta thotë, edhe me zë të lartë. I shkon, se krijon një “gjë” që Zoti e kish lënë pa bërë.    

    Zana Varvarica këtë bëri me monografinë e saj për Fatmir Haxhiun. Bëri Antidotin! I shkroi atij një letër të gjatë prej 575 faqesh, ku i thotë me dashuri se do mbesë vetëm një vepër në memorien e popullit, siç ai dëshironte. I shkruan në 575 faqe se e gjithë vepra e tij do jetë vetëm një Vepër, prej fillimeve e deri në mbarim, ngjeshur me qindra piktura, mijëra vizatime, skica, bocete e projekte. I shkruan, se vepra e tij do mbahet mend e do të jetë epifanike, si Proteu me shumë pamje. Ajo do të transformohet. Do ndërrojë fytyrë. Herë do na shfaqet si kompozim e herë si portret, herë si peizazh e herë si natyrë e qetë. Transformim pas transformimi, nuk do të gjejë qetësi, ashtu si shpirti i Fatmirit, e si e tillë do na mbillet thellë në memorie.    

    Zana, e ka shkruar bukur këtë letër, jo vetëm nga eksperienca e gjatë, por edhe nga dëshira për t’ia kthyer borxhin profesor Fatmirit, për vizatimin e hershëm që i kishte bërë, atë që ajo e ka vendosur në hyrje të monografisë. Më pëlqen ta evidentoj këtë detaj të ndjerë, por e vërteta është se ajo i shpreh vlerësimin për atë jetën e tij në art, atë jetën paralele që nuk e ka ndarë vetëm me fëmijët e tij biologjikë, por me publikun e madh e me të gjithë ne studentet, që vite të shkuara, prisnim me kuriozitet shfaqen e pikturës së tij në ekspozitat e fund-vitit, e cila na mbushte me energji.     

    Është e bukur dhe prekëse ta mendosh, se ajo studentja e dikurshme në vizatimin e profesorit, sot është një personalitet i shquar në fushën e studimit. Është autorja e 15 librave studimorë mbi artistët dhe fenomenet e artit, përtej punëve të shumta dhe aktiviteteve të panumërta cilësore që ka realizuar.  

    Shumë vite më parë, jam shprehur, se në bibliotekën virtuale, në mendje time, kishte një mungesë shumë të madhe të monografive për artistët shqiptarë, dhe ajo asfiksi krijonte një përshtypje të mbrapshtë se në Shqipëri, artet e bukura ishin “vrimë e zezë”. Sot bibliotekat tona, në raftet e tyre kanë disa libra të tillë me kualitet të admirueshëm dhe kjo në sajë të studiuesve, ku në rresht të parë bën pjesë dhe Zana Varvarica!

    Për çdokënd që e do veprën e artit, është e lehtë të shkojë në galeri dhe të shijojë pikturat e Fatmir Haxhiut! Por nuk është aspak e lehtë të ulesh e të shkruash një monografi. Kjo është dhunti vetëm e disa njerëzve. Është një udhëtim i gjatë, i vështirë dhe i “rrezikshëm”.

    Është i gjatë, sepse nuk bëhet për punë ditësh, por kërkon muaj të tërë dhe vite mandej, derisa vepra të piqet. Janë ditë të mbushura plot me kërkime, grumbullime, seleksionime, balancime, evidentime, takime dhe biseda të shumta me njerëzit që e kanë njohur e i kanë ndenjur pranë personazhit që po analizon.

    Është e vështirë, sepse nuk të lë të rrish ulur, siç do rrimë ne kur të na bjerë libri në dorë e që do kemi kohën e mjaftueshme për ta parë qetësisht në rehatinë tonë. I duhej të rendte pas fakteve që nuk i gjen të grumbulluara, por të shpërndara, siç është dhe jeta e një artisti prodhimtar si Fatmiri. Janë të panumërta veprat e tij në vite. T’i mbledhësh imazhet e tyre me cilësi shumë të mire, siç e kërkon libri i Zanës, nuk është aspak e lehtë. Gjatë rrugës u pa se Vepra e tij ishte e shpërndarë sa në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Kryeministri, në Pallatin e Brigadave, në Shtëpinë e Oficerëve e deri në shtëpitë e kulturës e të ushtrisë nëpër rrethe. 

    Është e dhimbshme dhe e papranueshme që disa prej tyre kanë humbur e nuk dihet se ku kanë përfunduar!

    A mund të humbasë kompozimi “Tenda e Qypit”?! Një nga kompozimet më befasuese dhe mbresëlënëse që, padyshim duhet të ishte një pasuri kombëtare e vyer edhe për “fotografimin” e një çasti të papërsëritshëm, siç është figura e borizanit. Secili prej nesh, që e pa për herë të parë në ekspozitë, është befasuar. Nuk arrinim ta besonim se kishte ndodhur ky akt. Porse tani duhet të befasohemi e të mos e besojmë që kjo humbje ka ndodhur.

    A mund të shkatërrohet piktura “Me shpatë në dorë”, e cila për vite me radhë u mbështoll kutullaç si një qilim dosido, i hedhur në një qoshe!? Dikur qëndronte e varur në murin kryesor të mbledhjeve të qeverisë shqiptare, në Kryeministri. Kaq mjafton për t’u mbuluar me turp, kur bëhet fjalë për këto vepra që kanë bërë histori në pikturën shqiptare. Mungojnë, se janë vjedhur, janë shitur, janë shkëmbyer dhe e kanë bërë të vështirë plotësimin e koleksionit me imazhe cilësore. Zanës i është dashur që në këtë kaos të vendosë rregull dhe ia ka dalë në krye për mrekulli!   

    Është e rrezikshme, sepse studiuesi, dashje pa dashje krijon një simbiozë me personazhin që merr në analizë. Personazhi në fjalë nuk është dosido, por i rëndësishëm e i zëshëm,  sikurse Fatmir Haxhiu. Është personazh i mbushur me vepre dhe me “kurthe”.  

    Zana, ka modeluar një bashkëjetesë me të. E ka ndjekur këmba këmbës, hap pas hapi në rrugëtimin e tij, që nga fëmijëria e deri ditën që kaloi matanë. Është sinkronizuar me jetën e tij, me veprën, me mendimet e me gjykimet. Të jesh në sinkron, të krijosh simbiozë me një qenie tjetër, është “mallkim”. Ajo ka depërtuar në raportin e tij me jetën e përditshme, me familjen, gruan, me fëmijët e mbesat, miqtë dhe shokët, sepse i duhet të mendojë, të gjykojë e të veprojë sipas formatit të personazhit që po merr në analizë. Kryesisht, ajo ka depërtuar thellë në dashurinë e pazgjidhshme e pa kushte të Fatmirit me Shqipërinë e shqiptarinë.   

    Zanës here-herë i është dashur, të shuajë ulërimën e saj të brendshme, që të dëgjojë pëshpërimën e tij. Për studiuesin, siç mund të ketë ndodhur nganjëherë edhe me Zanën, krijohet situatë klaustrofobike, e ngushtë, pa ajër, mbytëse, sepse kthen kokën tek pavarësia e vet dhe tenton të shkëputet, por nuk shpëton dot. Sa më i rëndë të jetë personazhi, aq me e vështirë bëhet distanca që do të mbash me të, për të qenë i kthjellët dhe objektiv. Nuk është e lehtë! Është sfilitje!

    Mos harrojmë, se Zana sapo mbaron një libër monografik për një artist, duhet të krijojë miqësi, bashkëjetesë, sinkronizim me tjetrin, sikurse aktori që e ndjen personazhin dhe thelb, por nuk vritet në skenë. Është situatë tampon që i duhet studiuesit të bëjë fshirjen e aromës së paraardhësit. Por edhe të fshish, nuk është e lehtë, sepse të duhet të kthehesh në aromën e lëkurës tënde, të shkosh aty ku je ti, i vetëm me gjykimin tënd të pa infektuar, për të rinisur analizën për tjetrin. Në dukje, bëhet me lehtësi! Gabojmë, ta mendojmë të tillë! Është trafik që nuk ka semafor që e rregullon! Kështu kalon Zana, nga një autor tek tjetri, kohë pas kohe. E bën me stil, për të mos rënë në përsëritje e banalitet. Kurdoherë ja ka dalë më së miri!   

    Ajo ka bashkëjetuar me Fatmirin për një kohë të gjatë. Ka refuzuar here-herë jetën e saj drejtvizore. Ka “lënë” pas dore familjen, sepse fantazma e Fatmirit i rri përballë dhe i kërkon që të shpiki sa me shpejt “antidotin”. Zgjohet natën dhe hedh dy fjalë, që gjumi ja këshillon. Nuk humb kohë të shkojë shpesh me pushime, se i duhet që ta mbyllë letrën 575 faqe. Nervozohet kur e pengojnë dhe të jep përgjigje të alienuar, jashtë bisedës.

    Janë ethet e një krijuesi. Nuk kam biseduar me të dhe nuk më ka thënë asgjë për “mundimin” e bukur, por unë e di çfarë ndodh në jetën e një studiuesi serioz siç është Zana. 

    Pyes veten: A e duam librin të plotë, të vërtetë e të bukur? A duam të dimë rreth udhëtimit të artistit? A duam të dimë prejardhjen, prindërit, vitet e formimit, shoqen e jetës, fëmijët, orët e gjata në studio, pse-në e krijimit, kënaqësinë e realizimit, ngërçet kur shpirti nuk të përgjigjet, dashurinë e miqve, xhelozinë e armiqve, por edhe të miqve, dështimet, vlerësimet, mërzitjen me shkak e pa shkak, vëzhgimin e ambientit ku jeton dhe kënaqësinë e mirëmëngjesi të komshiut?

    Kështu bëhet! Është kusht! Nuk bëhet, nëse nuk e rrafshon jetën tënde të përditshme! 

    E përgëzoj Zanën, që na ka sjelle një monografi të plotë e të shkëlqyer! Një vlerë për publikun artdashës, për studiuesit dhe studentët në njohje të kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar.

    Përshëndes fëmijët e Fatmirit, Artanin dhe Arjanën, të cilët e kanë pajisur studiuesen me materiale të shumta e të pa përsëritshme që ruhen në arkivin e familjes, për t’ia lehtësuar punën, që ajo të jetë e plotë në fuqinë e analizës!

    Gjithashtu, dua të përshëndes me kënaqësi edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Zanës, për realizimin e këtij botimi, znj.Dhurata Agalliu për redaktimin e librit, znj.Elzana Agolli për dizajnin, z.Mali Pleshti për shtypin, z.Albes Fusha dhe z. Roland Tasho për fotografitë! Janë nga specialistët më cilësorë që kemi sot në tregun e botimeve!

    Dhe për ta mbyllur: Këtij artisti, besoj se në vite do t’i dedikohen shumë libra të tjerë studimorë, libra me këndvështrim ndryshe, por ky që prezantohet sot ka fatin të jetë i pari dhe, si i tillë, padyshim do të shërbejë si pikë referimi.

    Me kënaqësi do ta pagëzoja si “ungjilli” i Zanës për mjeshtrin Fatmir Haxhiu!!!

    12 nëntor 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË