More
    KreuIntervistaAdrian Lesenciuc: Romani im “Balada” i bazuar në jetën e kompozitorit të...

    Adrian Lesenciuc: Romani im “Balada” i bazuar në jetën e kompozitorit të himnit shqiptar, Cipirian Porumbescu

    Bisedoi: Andreas Dushi

    Adrian, së fundmi është botuar në gjuhën shqipe romani juaj “Balada” kushtuar kompozitorit të himnit tonë kombëtar, Cipirian Porumbescu. Çfarë ju tërhoqi te historia e tij që vendosët ta përdorni si lëndë për romanin tuaj?

    Kishte shumë çka nuk mund të më linte indiferent dhe më e rëndësishmja ndër to ishte kompozimi vetë, Baladë për Piano dhe Violinë, op.29, kompozim të cilin e ndjeja në vena. Ka diçka në këtë muzikë që i përket rajonit nga ku ata janë, Bucovina-s si dhe diçka që duket të jetë gjenetikisht e trashëguar. Goxha vonë dhe aksidentalisht, zbulova se vija nga familja e kompozitorit dhe ka të ngjarë që kjo të më ketë shtyrë drejt shkrimit të romanit. Teksa mblidhja të dhëna, zbulova se çfarë personaliteti i madh kishte qenë i ati i Çipirian Porumbesc-ut dhe vendosa të shkruaja rreth tij. Nëse ishin shkruar tanimë disa libra rreth Çipirianit, Irakliu që kontribuoi në ringritjen e shpirtit rumun gjatë revolucionit të 1848 në qytetin Chernivtsi, kish mbetur thuajse i panjohur. Pas botimit të romanit Balada, i përkushtova atij një studim tërësorë që e botova në Shtëpinë Botuese të Patriarkanës Rumune “Basilica”, pasi Irakliu pat qenë një prift ortodoks. Për t’u rikthyer te romani, kam mbledhur informacione për diku dhjetë vjet dhe nuk kam mundur të shkruaj asgjë. Gjatë pandemisë, teksa isha në karantinë, fillova të shkruaja dhe nga 15 marsi i 2020, deri më 15 prill të atij viti, e përfundova. Për mua, ishte si një çlirim.

    Nisur nga ndikimi i historisë së familjes te vetë Porumbescu, sa ndikim mendoni se ka familja te formësimi i individit?

    Ngjarjet e rëndësishme të kombit rumun kanë mbetur në mendjet dhe veprat e familjeve të studiuesve, priftërinjve dhe shkrimtarëve. Ideali i Bashkimit të Provincave Rumune – kjo është ajo çfarë rumunët kremtojnë në Ditën Kombëtare – është transmetuar kështu: idetë janë artikuluar kohë më parë dhe janë çuar para si një detyrë familjare nga fëmijët, nipërit e kështu me radhë, nga njerëz që mund t’i qaseshin edukimit dhe kështu, mund të “ndriçonin” mendjet e të tjerëve. Ishin ato kohë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur ideali politik dhe ai estetik ishin ndërthurur në kredon e familjes dhe kur disa familje kishin marrë përsipër të caktonin mbajtësin e pishtarit të këtyre ideve. Famulja Porumbescu ishte njëra syresh. Irakliut dhe Çipirianit, ashtu sikurse shumë personaliteteve të tjera të ardhur nga kjo familje, përfshirë Nina Cioncan dhe Stanca Scholz-Cionca u jemi borxhli për mbajtjen e këtij pishtari dhe kalimin e tij nga njëri brez te tjetri.

    Shqipëria dhe Rumania, përgjatë historisë, kanë pasur lidhje të përhershme, kryesisht kulturore. E shihni shkrimin dhe përkthimin e këtij romani si vijimësi të kësaj tradite?

    Iluminimi i kombit rumun nuk ka ndodhur në një mënyrë që t’i ketë interesuar vetëm popullsisë me origjinë rumune. Shqiptarët nga provincat rumune kanë marrë pjesë në të njëjtën lëvizje emancipuese dhe kanë shijuar rezultate të ngjashme, bashkë me rumunët. Ka qenë një simbiozë e bukur dhe jo një garë, pasi nuk janë garat ato që zgjidhin problemet e historisë, por vetëm bashkëpunimi, bashkimi, mirëkuptimi dhe respekti i tjetrit; hapja ndërkulturore. Rumania dhe Shqipëria kanë një marrëveshje dialogu dhe respekti të ndërsjellë bazuar në këto ndërveprime kulturore, të cilat u intensifikuan në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe kulmuan me ngjarje historike të fillimit të shekullit të XX. (Nënvizoj këtu një rastësi të historisë: Dita Kombëtare e Shqipërisë, 28 Nëntori, është e njëjta me ditën e rajonit nga ku unë, ashtu sikurse Çipirian Pormubescu, vijmë). Jam i lumtur të shoh se kjo marrëdhënie çohet para. Është e qartë se përkthimi i romanit Balada në gjuhën shqipe vazhdon këtë traditë të marrëdhënieve të mira, edhe nëse vetëm sa rikrijon atmosferën e atyre kohërave. Romani fokusohet në ideale kombëtare politike të cilat nuk janë në garë me ideale të tjera, por të cilat transmetohen nga njëri komb te tjetri. Muzika e Çipirian Porumbescut është një mjet i tillë transmetimi kulturor dhe jam i lumtur të, nëpërmjet Asdrenit, një nga kompozimet e periudhës kur Porumbescu ishte student në Vienë, është bërë himni kombëtar i Shqipërisë. Fakti që romani i bazuar në jetën e kompozitorit të himnit shqiptar rikthehet në Shqipëri nëpërmjet përkthimit të Spiru Fuchi dhe Altin Kasos dhe botohet nga “Onufri” nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se një mbyllje e ciklit. Cikli është vazhdimësi e traditës së shkëmbimeve kulturore në këtë marrëdhënie të bukur mes dy kombeve.

    Pse keni zgjedhur vetën e parë për rrëfimin e historisë te “Balada”?

    Historia e viteve të shqetësuara gjatë të cilëve Irakli dhe Çipirian Porumbescu kanë jetuar është rindërtuar në tekste në vetën e tretë pa mundësinë për të rikrijuar, mbështetur në dokumente historike, të vërteta të lidhura me mënyrën e të jetuarit. Duke dashur që të kuptohej se sa ngjitës mund të jetë iluminimi i një kombi si dhe për t’ia dalë të riprodhoja intensitetin e përvojave personale, ishin të domosdoshëm dëshmitarë të asaj kohe. Kështu krijova historinë në vetën e parë, duke i dhënë zë atit Irakli, gërshetuar me Çipirianin dhe mandej, zëra dëshmitarësh të tjerë, përfshirë atë të poetit tonë kombëtar Mihai Eminescu, udhëtimi i të cilit në historinë tonë letrare përsëritet disi, në një intensitet tjetër si dhe me një tjetër forcë shprehjeje, të cilën Irakliu dhe Çipiriani e kanë bërë më para. Ndoshta fakti më i rëndësishëm është ai se vetëdija trans-historike në vetvete mund të shprehet në këtë mënyrë në Epilog, duke tejçuar emocionet dhe intensitetin e të jetuarit në ato kohë.

    Në krijimtarinë tuaj të gjerë, çfarë peshe ka romani “Balada”?

    Patjetër që Balada ka një rol domethënës në raport me veten dhe si një reflektim në vetvete përmes kësaj vetëdijeje trans-historike.  Lidhur me këtë roman, ka po ashtu diçka tjetër. Më së pari, do të doja të shkruaja një roman, jo një biografi të romanizuar, kështu që nuk kam bërë asnjë lëshim në përdorimin e mjeteve artistike. Balada është një roman i veçantë, krejt ndryshe nga gjithë çfarë kam shkruar më para apo jam duke shkruar më pas. Është një roman historik, po ashtu bildungsorman i cili ka qëndruar shumë gjatë tek unë dhe tani duhej botuar. Po ashtu, shkrimi i tij ka qenë një formë çlirimi. Ishte shprehja natyrore e pasqyrimit të asaj që i përkiste botës më përpara. Duke zënë vendin e saj në botë, romani Balada u bë bestselleri im. Ishte një befasi e plotë për mua, pasi mendoja se i isha përkushtuar një mënyre të arkitekturës së të shkruarit, teknikave narrative dhe temave të lidhura me çështjen e shfaqur te Balada. E vetmja lidhje e tij me romanet e tjera ndodh qartësisht për hir të urisë që kam për historinë dhe për eksplorimin e hapësirave kulturore, reale a të trilluara. Prandaj, duke e ditur ekzaktësisht se ku qëndron romani në raport me të tjerët, i kam ulur pritshmëritë pavarësisht përkthimit të librit, pasi mendoja se kisha shkruar një libër thellësisht rumun. Doli se në fakt, një libër që ishte thellësisht rumun, ishte po aq thellësisht evropian.

    Për t’u kthyer sërish te historia, tanimë në një plan më të gjerë: Sa ndikim ka historia te ju? Qoftë një histori personale, qoftë historia e vetë kombit rumun?

    Fatmirësisht, nuk kam ambicie ta rindërtoj kujtesën time personale si ditar apo memuar. Nuk mund të rri indiferent teksa zbres nga pavetëdija kolektive në magmën e historisë së hapësirave të ndryshme kulturore. Ndjej nevojë të jap histori vendesh të vërtetë a të imagjinuar, nga e shkuara ose nga zhvillime të përkohshme paralele (dhe, shpresoj, të mos bëhen asnjëherë histori e vërtetë), pasi jam autor i disa distopive. Shpesh, ngjarjet që ndodhin në romane subjektivisht rindërtojnë histori. Raportet e mia me historinë janë më shumë se intime. Duke dhënë histori vendesh të ndryshme, jap një lloj përfshirjeje subjektive të njeriut në histori dhe një lloj reflektimi, po ashtu subjektiv, të historisë në mendjen e atij njeriu. Personazhet janë instrumente përmes të cilëve historia realizohet plotësisht dhe personazhet e mi janë kryesisht personazhe dëshmitarë. Shpesh, historia heroike është rezultat e disa formave të frustrimit ose rezultat i ngjarjeve që një mbret apo sundimtar ia dikton skribëve të vet që shkruajnë kronikat.  Kam zgjedhur të shkruaj libra që shkrijnë historinë në pamjen vështrimin subjektiv të karaktereve, që e bëjnë atë më njerëzore dhe që i transformojnë këto personazhe me qëllime demokratike dhe humane, në personazhe-dëshmitarë që mund të konsiderohen si “paqebërës” në histori.

    Përtej “Baladës”, cili libër juaji mendoni se do t’ju paraqiste sa më mirë në gjuhën shqipe? Kështu ngacmojmë edhe kureshtjen e lexuesit shqiptar dhe nxisim botimin e tij.

    Mendoj se mund të jenë dy dyer dialogu me lexuesin shqiptar. Më së pari do të ishte romani im i fundit i titulluar Gjuha e Krishtit (Corint, 2024) i cili është një roman historik që rikrijon ngjarjen e komunitetit të fundit të botë, Maaloula në Siri, ku flitej akoma gjuha e Jezu Krishtit, Armaikishtja Perëndimore. Komuniteti në vitin 2013 sulmohet nga organizata terroriste e frontit Al-Nusra dhe zhduket. Gjuha e Krishtit ka dy personazhe kryesore. Shën Thecla është një ndër themeluesit e këtij komuniteti dhe bëhet dëshmitar i shekullit të parë të krishterimit dhe botës pa paqe dhe të pasigurt të Lindjes së Mesme në ato kohë. Personazhi tjetër, i vendosur në një tjetër shtresë të romanit është një arab i krishterë nga Libani Perëndimor i cili përfundon duke ecur në rrugën e tij të Damaskut për pendesë. Ndoshta duke u lexuar në Shqipëri, romani do t’i ofrojë lexuesit konfigurimin e gjurmëve të otomanizmit, prezentë akoma në Lindjen e Mesme, në Rumani dhe në Shqipëri, duke shpjeguar një mënyrë të caktuar sjelljeje. Lexuesi shqiptar ndoshta do ta gjej veten në shtëpi në një libër rreth një tjetër botë që nuk është e tija, por e cila po ashtu i përket edhe atij, edhe nëse ai nuk e di se nga e di këtë.

    Romani i dytë që hipotetikisht do t’i propozoja lexuesit shqiptar është Varreza e Herojve (Creator, 2018), i përkthyer tanimë në frëngjisht dhe gati për t’u përkthyer në greqisht, tejet i mirëpritur dhe vlerësuar. Ky roman rindërton një botë imagjinare, një shtet të quajtur Bheristan të vendosur në Lindjen e Mesme ku praktikat diktatoriale ringjallin ato komuniste ose sjelljet e lidhura me një mënyrë të caktuar poshtërimit dhe fshirjes së historisë apo besimit dhe ku vlerat mund të gjenden lehtësisht si të asimiluara dhe përvetësuara nga lexuesi shqiptar.

    Libri juaj në shqip erdhi falë dëshirës dhe mbështetjes së ALAR. E shihni të rëndësishme për komunikimin ndërkulturor praninë e kësaj organizate dhe të tjerave si ajo?

    Ky rol është fondamental. Asgjë nuk mund të bëhet pa mbështetjen e disa organizatave, institucioneve apo lidhjeve që luajnë rolin e thjeshtësimit të ndërmjetësimit. Roli i ALAR-it, të cilin e falënderoj për këtë mbështetje, dhe i institucioneve të ngjashme është për ta mbajtur gjallë dialogun, për ta forcuar atë, për ta thjeshtëzuar dhe për të na lejuar të shohim atë çfarë kemi të përbashkët, jo atë çfarë na ndan. Ose, thënë shkurt, kjo është ajo çfarë komunikimi ndërkulturor synon: të shihet humanja si te vetja, edhe te tjetri dhe të ndërtohen dialogë.

    Ju e njihni letërsinë shqipe nëpërmjet Ismail Kadaresë, Visar Zhitit e të tjerë shkrimtarëve që i keni lexuar dhe për të cilët keni shkruar. Si do ta përshkruanit atë në Rumani dhe përvojën e leximit të këtyre shkrimtarëve nga ju vetë?

    Kam raport të veçantë me hapësirën kulturore shqiptare. Ka shumë gjëra të përbashkët me kulturën tonë, përfshirë gjurmë të njëjta historike dhe modele sjelljesh gjysëm-identike. Unë përfshihem shumë në leximet që bëj, e megjithëkëtë, është shumë e vështirë t’i shpjegosh publikut rumun atë çfarë është në thelb letërsia shqipe. Ka ama një mënyrë jashtëzakonisht shumë të thjeshtë për ta bërë këtë: Nëse publiku dëshiron libra ku gjen përmasën estetike të shkruar nga autorë me vlerë të cilët dinë si ta përdorin përvojën personale dhe atë kolektive për t’i transformuar në letërsi, Shqipëria mund të ofrojë letërsi të cilësisë më të lartë.  Mendoj se përtej aspekteve që më tërheqin mua, përmasa estetike e veprës së shkrimtarëve shqiptarë që kam lexuar është fundamentale.

    Dhe për ta mbyllur, njeriu a duhet t’i besojë më shumë historisë apo letërsisë? Jo si burim të dhënash, por si shteg nëpër të cilin duhet kaluar për ta njohur, zbuluar dhe jetuar në plotësinë e saj vetë jetën?

    Ka mënyra të shumta për të shkuar drejt dijes, sikurse është shkenca, filozofia, feja apo letërsia. Secili prej këtyre shtigjeve ka ligjet e tija dhe ofron një pamje të caktuar në horizontin e pritjes të atij që do të dijë. Për mua, letërsia është e domosdoshme, sepse ofron mundësi t’i qasesh një lloji dijeje më të thellë njerëzore. Edhe nëse filozofia tash së voni ka lëvizur nga qëllimi për t’i shpërblyer njeriut sikurse një herë e një kohë në Greqinë antike; edhe nëse shkenca ka filluar të migrojë drejt të vërtetave statistike; edhe nëse feja e interpretuar në mënyrë radikale në vend që të bashkojë, ndan dhe kontribuon në promovimin e disa ideologjive të caktuara, shtegu më pranë njerëzores për të arritur drejt dijes mbetet letërsia. Fatkeqësisht, “moda” të ndryshme letrare, ideologji të ndryshme letrare dhe kulturore e kanë kufizuar ngushtuar dijen. Besoj se letërsia e madhe e njerëzimit është shtegu më i shkurtër drejt vetes dhe feja është ajo çka lidh njerëzoren me hyjnoren. Format e tjera të dijes forcojnë tërësinë e qenies sonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË