“Unë i përkas një brezi, edukimi artistik i të cilit ka qenë në konture të rrepta ideologjike, por edhe teknike. Megjithatë, vlerat e mësuara lidhur me madhështinë e njeriut dhe natyrës janë të gjithëkohëshme dhe universale. Sot, arti është një terren i pafundëm si në aspektin mjeshtëror, ashtu edhe në mesazhet që mëkon. Mbase shumë forma të tij ende janë për t’u zbuluar. Pavarësisht kësaj, dua të besoj se thelbi i artit do të mbetet rezistenca ndaj globalizmit, ruajtja e identitetit dhe lartësimi i asaj që është ‘njerëzorja’.”
Anastas Kostandini -TASO
Më 4 shtator në “Qendrën për Hapje dhe Dialog” – COD, u përurua ekspozita personale e artistit Anastas Kostandini – TASO. “Qëndra për Hapje dhe Dialog” – COD, u krijua më 8 korrik 2015 dhe është pjesë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. “Qëndra për Hapje dhe Dialog” – COD, tashmë me një rrugëtim 9 vjeçar ka krijuar fizionominë e një strukture moderne e në zhvillim. E shtrirë në katin e parë të ndërtesës së Kryeministrisë me hyrje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si Qendër, ajo përbëhet nga katër sektorë që në thelb kanë Ekspozitat e karaktereve të ndryshëm, librin me bibliotekën e pasur me literature bashkëkohore dhe bashkbisedimin me Rininë (takime, biseda të ndryshme), pa përjashtuar edhe veprimtari të gjitha grupmoshave të tjera. Përveç në Tiranë, COD, e ka shtrirë veprimtarinë saj edhe në rajonet e Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Duke ndjekur me kujdes veprimtaritë e kësaj Qëndre të rëndësishme e të veçantë kulturore & artistike që nga krijimi i saj, vërej, se COD ka krijuar fizionominë e një Qëndre serioze të suksesëshme, duke u “rritur” dhe “pasuruar” nga viti në vit me projekte interesante, por edhe duke u plotësuar sipas sektorëve të saj me specialistë të pasionuar. COD shquhet në këta 9 vite veprimtari edhe për mënyrën e përzgjedhjes me mjaft kujdes dhe profesionalizëm të partnerëve, apo dhe artistëve të ftuar, duke krijuar në vazhdimësi evente mbresëlënëse e mjaft të bukura.
Gjatë periudhës janar – shtator 2024 në ambjentet e “Qendrës për Hapje dhe Dialog” (COD) u realizuan disa ekspozita si: “Man of the Castle”, Blerta Kambo (12 janar-14 shkurt); “Ukraina: Një krim lufte”, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), në bashkëpunim me organizatën FotoEvidence, (22 shkurt-23 mars); “Dreams within a Dream”, ekspozitë e piktorit Nazmi Hoxha, (9 prill-10 maj); “Backstage Show”, Jetona Koçibelli, (3-9 maj); “Artivizim për një transformim social të përgjegjshëm”, Michelangelo Pistoleto dhe Fondacioni “Pistoletto Cittadellarte”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, (21 maj-2 korrik); “Things take Time”, Magnum Photos, (16 korrik -17 gusht).
Ekspozita me titull: “NËPËR GJURMËT E TASOS” (5 shtator – 3 tetor 2024) është pjesë e kalendarit të veprimtarive të COD e që do të pasohet me tej me ekspozitën e piktorit të njohur Naxhi Bakalli
Koleksioni i punimeve të artistit Anastas Kostandini – TASO është shtrirë në të gjitha hapësirat e COD që sipas kuratorit Rubin Kadiu është konceptuar në disa momente të veçanta për prezantimin e krijimtarisë së pasur të piktorit. Kështu Salla “Tako artistin” përmban të kompozuar “gjendjen e improvizuar” të studios të Tasos me vizatime, piktura, skica dhe objekte personale të ekspozuara në bllok; “Holli protokollar” përmban piktura të dimensioneve të mëdha ; “Korridori i gjatë” përmban piktura, skulptura, si dhe ciklin dedikuar Lasgush Poradecit tek“Hapësira digjitale”;“Korridori i shkurtër” përmban grafika të ndryshme ( të gdhendura në dru) dhe tek “Salla e takimeve” është ekspozuar cikli me grafika i frymëzuar nga Fan Noli – mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, si dhe aty realizohet projektimi i ciklit “Akademia paralele”. Një pjesë prej nëntë grafikash janë të ekspozuara në sallën e gurit të shoqëruara me një video që tregon artistin duke punuar, ndërkohë që në koridore janë përqëndruar edhe dy skulptura të Tasos. Në total në COD janë ekspozuar 147 vepra të punuara nga mjeshtri Taso, përgjatë katër dekadave, që duke i ndarë sipas gjinive përbëhen nga 40 vizatime: 70 piktura: 34 grafika: 2 skulptura dhe 1 video-projektor.
Emri i artistit Anastas Kostandini – TASO është tashmë i njohur për publikun shqiptar dhe më gjerë.
Në mbi 50 vjet të krijimtarisë së tij TASO ka realizuar mbi 300 kompozime me temë historike, sociale dhe fenomeneve të ndryshme të jetës, si dhe me mijra vizatime, pastele, grafika, akuarele, ilustrime etj. Ai është një artist i suksesshëm shumë dimensional si: piktor, grafist, muralist, mozaiçist, ilustrator, skenograf dhe kostumograf. I përkushtuar ndaj pikturës dhe teknikave të saj të veçanta, kuratori Rubin Kadiu dhe stafi ndihmës e filluan punën për përgatijen e ekspozitës që në muajin maj. Të impresionuar nga pasuria dhe larmia e punimeve të artistit që janë të ekspozuara në studion e tij apo që ruhen në arkivin e studios së artistit TASO, specialistët e COD dhe kuratori Rubin Kadiu e kanë realizuar me mjaft finesë, “rrugëtimin artistik” të piktorit, duke e shpërndarë koleksionin e zgjedhur sipas një konceptimi modern në hapësirat e ndryshme të “Qendrës për Hapje dhe Dialog”. Krijimi i intimitetit (improvizuar) të studios së artistit me punimet sipas një shtrirjeje kronologjiketë – që fillon që nga vizatimet akademike (1975-1977)- alternuar me ekspozimin e pikturave në sallën e madhe (hollit protokollar) të krijon të papritura të këndëshme, pse jo magjepsëse.
Pa dashur të analizojmë me detaje punimet e kësaj ekspozite që mendoj se është ndofta dhe më e rëndësishmja dhe vlerësuese në jetën e tij, për vetë elementët përbërës të saj, do ndalesha të paraqisja brenda kufijve të këtij shkrimi figurën e artistit Anastas Kostandini -TASO. Taso sigurisht është një piktor i rëndësishëm i artit shqiptar të shekullit XX – XXI. Ai tashmë është pjesë e historisë së artit shqiptar të shek.XX-XXI. Artisti jeton dhe krijon në provincë, në vendlindjen e tij, në qytetin e vogël të Pogradecit. Krijimtaria e tij është mjaft e veçantë dhe shumë planëshe pasi ai gjatë krijimtarisë së tij mbi 50 vjeçare ka lëvruar shumë gjini dhe teknika të artit pamor. Pas diplomimit për pikturë monumentale në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1977), Taso e filloi krijimtarinë e tij si mozaiçist (1978-1981), si anëtar I grupit të 5 artistëve që projektuan & realizuan mozaikun me titull “Shqipëria”, në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë (450 m2). Artisti pasi kthehet në Pogradec, ishte skenografi dhe kostumografi i Pallatit të Kulturës dhe Teatrit të Kukullave, por pasioni i tij ishte piktura, vizatimi, grafika, ilustrimi dhe ciklet e ndryshme piktorike. Ciklet e tij piktorikë dhe vizatimet në vite arrijnë në mijra punime. E veçanta e punimeve në grafikë është teknika e zgjedhur e tij – ksilogrfia (të realizuara në pllaka druri).
Krijimtaria e TASOS mund të grupohet në disa cikle të mëdha për efekte studimi: a) peizazhe të qytetit dhe zonës së Pogradecit apo dhe jugut shqiptar; b) brendi dhe aspekte të jetës së popullit dhe të qytetit; c) skica, vizatime dhe grafika nga jeta e përditshme që mund të vlerësohet edhe si kronika të fenomeneve të ndryshme të jetës që është pasioni i tij i përditshëm. Për artistin Taso vizatimi është shumë i rëndësishëm duke e evidentuar si një nga teknikat që ai me shumë pasion e realizon. Janë mbi 8000 vizatime që artisti ka realizuar në vite. Ai për vizatimin shprehet:”…Koleksioni i vizatimeve të gjithfarllojshme që disponoj, veçmas shumë të tjerave është jashtëzakonisht i madh në numur dhe në formatet e shprehjeve artistike.Vizatimi gjithnjë ka qenë për mua një mjet shumë i shpejtë dhe efikas për ti rrëmbyer natyrës dhe përfytyrimeve të mia gjithçka që më ka nxitur pasioni …”
Një nga gjinitë e dashura të artistit TASO sigurisht që është peizazhi. Peizazhet e TASOS mund të konsiderohen dhe si “kujtesa” e qytetit, pasi nuk ka rrugë e rrugicë që të mos jetë pikturuar disa herë. “Fatin” apo “privilegjin” e veçantë përveç qytetit e kanë fshati Lin dhe Tushemisht, që janë pikturuar në mbi 200 tablo secili. Peizazhi për TASON është një formë e veçantë e komunikimit dhe e dialogut me publikun e tij. I vetmuar dhe i mbështjellë me jetën e një qyteti të vogël provincial si Pogradeci piktori kishte dy rrugëzgjidhje në jetën e tij: ta “braktiste” atë (qytetin), duke humbur magjinë dhe misterin e jetës romantike të ndërtuar sipas rregullave të artistit dhe të provonte kënaqësitë e qyteteve të mëdhenj e të zhurmshëm, të rretheve artistike të pasigurta e intrigave të kafeneve, ekspozitave e veprimtarive të lakuara e të privilegjuara, apo të qëndronte i papërkulur duke pikturuar dhe I mahnitur nga mjeshtrit e pikturës botërore si Velaskes, Van Gogh e Picasso, duke lexuar e ëndërruar, udhëtuar heraherës i vetmuar dhe duke “pirë deri në fund kupën e provincës”, siç shprehet vetë. Punimet e tij të të gjitha gjinive kryesisht i kushtohet vendlindjes (peizazhe, kompozime, natyra të qeta, portrete, grafika, vizatime, pastele, etj). Në veprat e tij ndjehet që Taso ndërton apo më saktë i thur poezi në pikturë qytetit të tij të lindjes – Pogradecit, sipas një këndvështrimi artistik sa real aq dhe imagjinar, si në një skenografi realiste, magjike, që mjafton ta shohësh vetëm një herë dhe e dallon që është qyteti i vogël i vendlindjes së tij, Pogradecit. Anastas Kostandini, Taso, ja ka kushtuar jetën me artin e tij, këtij qyteti, i ngritur në bregun shqiptar të liqenit të Ohrit. Taso është piktori bashkëkohor shqiptar më interesant i Plain – Air, që ka krijuar mbi 2000 tablo kryesisht për qytetit të tij të vogël, duke mbetur ndër piktorët e pakët që krijon sipas traditës impresioniste „natyrë – natyrë – studio“. I mbështetur mbi një concept „arkeologjik“ të pikturimit të peizazhit, ku një „objekt i gjetur“ ndihmon në zbulimin dhe ndërtimin imagjinar të historisë dhe qytetërimeve (jetës ekonomike – sociale të shoqërisë), ai vazhdon të pikturojë e të vizatojë çdo ditë.
Piktori me mjaft mënçuri e pikturon qytetin e tij në dy mënyra të ndryshme që përbëhen nga dy rrathë brënda njeri – tjetrit. I pari është rrethi i jashtëm që e sheh (pikturon) qytetin nga periferia, nga larg dhe rrethi i dytë dhe më i rëndësishëm është koleksioni i punimeve që zbulojnë jetën e brendëshme, shpirtin e qytetit. Kostandini – Taso, në peizazhet urbanë kujdeset që pika e shikimit të jetë sa më lart mbi lagjet tradicionale pranë liqenit. Piktori – Artisti TASO ka derdhur me mjaft delikatesë dhe dashuri shpirtin e qytetit të tij të vogël provincial. Nga ky cikël i madh dhe në përgjithësi nga vepra piktorike e piktorit Anastas Kostandini, TASO, njihesh me jetën e përditëshme, zakonet, bisedat, thashethemet, dashuritë, dasmat dhe vdekjet. Piktori edhe pse pikturon në natyrë në vazhdimësi dhe në studio, adhuroi dhe eksperimentoi sipas magjisë piktorike të mjeshtrave si: Picasso, Chagall, Leger, Durer të cilët pas viteve 1990 i kontaktoi direkt në muzetë e mëdhenj (Francë, SHBA, Hollandë, Gjermani, Itali etj). Përveç pikturës Taso realizoi në vazhdimësi dhe ciklet e grafikave në dru, duke trajtuar peizazhe dhe kompozime figurale, kryesisht figurative. Taso ka qënë pjesëmarrës në mbi 100 ekspozita, konkurse lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare duke filluar nga viti 1976 e në vazhdim pothuajse vit pas viti.
Sigurisht që duke vizituar ekspozitën secili “ndjen” si pulson shpirti kërkues dhe pasionant i një artisti që evidentohet si një mjeshtër i madh i vizatimit dhe grafikës, një piktor që me penelin e tij në rrugëtimin e gjatë gjysëm shekullor herë paraqitet me “dritë diellore” realiste, impresioniste dhe herë – herë me penelin e tij “formon” imazhe kubiste apo penelata ekspresioniste deri në abstraksione koloristike. Ky rrugëtim i artistit i jep privilegjin e largimit nga një stil monoton dhe i përsëritur, ku edhe pse ndikohet nga “korrentet” bashkëkohore ai gjithmonë “shoqërohet” nga motivet e tij të dashura: familja, historia, figurat e rëndësishme kombëtare, peizazhi dhe jeta e qytetit. Ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” është një nga ekspozitat më të bukura dhe të plota për piktorin Anastas Kostandini.
Në tekstin kuratorial Rubin Kadiu (kuratori i ekspozitës) shprehet: “…“Nëpër gjurmët e Tasos” është një dëshmi e fuqisë shndërruese të krijimtarisë dhe e thellësive të pakufishme të shprehjes njerëzore. Lundrimi në labirintin e imagjinatës së artistit zbulon jehonat e shpresës, të frikës dhe të aspiratave tona, të pasqyruara në vizionet kaleidoskopike që ai shpalos. Trashëgimia e tij do të shërbejë si një fener frymëzimi për brezat që do të vijnë, duke na udhëhequr në kërkimet tona për të vërtetën, të bukurën dhe kuptimin në kanavacën e pakufishme të qenësisë…”