ZEMËRIMI I SË ONUFËRTËS
Troku i një kali rrëzohet mbi natë,
Si një pikëz gjaku a si një baladë,
Mbytur hingëllimash ngujohet mbi plagë.
Kullon gjak të njelmët ai trok i ftohtë,
Përqarkjes ca fjalë nis edhe i thotë;
Mos e humb njeri veten nëpër lotë!
Rrëzohet lëndina përmbi krifë të tij,
Si urim i bardhë a si lajm i zi,
Që s’vjen dot tek unë, frymën s’mban te ti.
Troku ku janë bashkë njerëz e fani.
DHEMBJA E SË FISNIKTËS
Gurë, si sy parajse, mbi supet e lumit,
Pikëlime yjesh në shuplaka resh,
Përziejnë ninullën e lashtë të Osumit,
Me dhembjen e hidhur të kohës së sertë.
Kjo dritë Margarite, ky zë prej Kristaqi
Altarit të jetës bekohen përherë,
Si shenjë virgjërie, që flet nga çarçafi,
Kur jeta zgjat duart për njerëz të tjerë.
Ndezulli e dehur, shenjëz e njeriut,
Penguar nga dheu t’i jepet harbimit;
Përlotje e bardhë, si shpirti i *Vexhiut,
Përfjalje e ëmbël, si shpirti i *Agimit.
: Vexhi Buharaja. : Agim Mehqemeja.
ZHGËNJIMI I SË HAPËSIRTËS
Një varkë në breg fjalos me zbrazëtinë.
Kujtimesh endet kohës tejkanjoze,
Si një fëmijë, që ka për nënë vetminë.
Atje jam unë, e fshehur në ronitje,
Si ëndërr e harruar në braktisje,
Si këngë e padëgjuar nëpër disqe.
E përkëdhel me duart e dëshirës,
E shpie larg, në krahët e së djeshmes,
E bëj pulëbardhë, që sulet hapësirës,
T’i zgjojë të fshehta uji brenda vetes.
Në heshtje, jap e marr me të pareshtur,
Mes humbjes ta takoj diku të qeshur
Në drithma valësh, si mesditë e etur.
Më përcëllon një klithmë e plagosur;
Ky është mundim i kotë, që s’ka të sosur.
Kumbojnë mes ethesh tinguj të përlotur.
HUTIMI I SË ARTËS
Dy krahë fëmije zgjatur janë drejt hënës,
Ta zbresin poshtë, ta kenë në mes të gjirit.
Nga dritë e saj pikojnë dy sytë e nënës,
Që s’dihet se ku endet mes harrimit
E zbehta hënë trishtimit rrudhet sonte
Se një fëmijë braktisur është nga nëna.
Si dorë ia fshin në çast rrëketë e lotëve
Një trëndafil i çel aty te zemra.
Hutuar endet qiellit të zbrazët
Dhe dritën e përndan si zë të shuar,
E zbehur krejt prej lotësh e prej plagësh,
Që ky fëmijë mbjell udhësh i vetmuar.
Humbet një lumë atje ku grinden dallgët,
Si sytë, që presin dritën e praruar.
ANKTHI I SË PRAGDIMËRTËS
Fundvjeshtës shkon një milingonë,
Së kaftës rreth e rrotull.
Çdo çast e zbret, e ngjit si hon,
Mes heshtjes së pasosur.
Hapësira, një filxhan kafeje,
Ku era fryn pareshtur.
Kjo milingonë, një pikëz reje,
Frymon si dritë e mekur.
E lodhur zgjatet tutje udha,
Shkreton jehona fjalësh,
Si një fytyrë, përplot me rrudha,
Që fshehur ndrin së gjallësh.
PËRHUMBJA E SË PËRVUAJTURËS
Si mesnatë e errët derdhur jeta jote
Mëngjesesh- humnera, mbrëmjesh në përlotje.
Çupëz e parritur, tretur nga veremi,
Bota shkon e vjen, si hazdisje treni,
Me syrin te kripa, me gjuhën te helmi,
Por nuk vjen ai, humbur mes një terri.
Gishtërinj vështrimesh gërmojnë gjer së thelli,
Të nxjerrin te buzët një çurkajë dielli.
Si s’e nxjerrin dot, bëhen ankth i situr
Nga veremi yt, çupëz e parritur.
HABIA E SË PRILLTËS
Në prill u shuan sytë e dritëruar
Prej thikës së pabesë të xhelozisë.
Në ta e gjelbra ndrinte farfuruar,
Si urë, ku jeta derdhej natë e ditë.
Përse më vranë, pyeti e habitur,
Tek drita shuhej frikshëm nëpër ta?!
Në heshtje shkaku fshihej i çmeritur
Nëpër krrokama korbash krra-krra-krra.
U bë një lot i nxehtë ky prill i vrarë
Dhe qielli i kaltër fjongo zie.
S’e mori vesh pse faji në muranë
E ktheu një lektisje dashurie.
Përçartur udhësh shkon gjithnjë e gjelbra,
Sheh vetes thellë, që të mos zgjojë legjenda.