Nusërimi, ky akt që kryehet vetëm një here në jetën e një vajze, është pika kulmore dhe më solemne e dasmës në Mirditë. Nusërim të dytë nuk ka. Vajza që del nuse prej votrës prindërore, vetëm njëherë e ven në krye kësulën me futën e kuqe e me regjana në ballë. Herët fort, vajza e këtyre viseve mësonte të qëndiste tufat e qemerit, të qepte petkat e të thurte çorape, të tirte e të endëte. Paja e saj bëhej me merakun e madh të të gjithë granisë së konakut. Një herë del nuse bija…
Familja zgjidhte një ose dy gra që dinin ta veshnin bukur. Petkat e ruajtuna në arkë të dehnin me aromën e ftojit e të mollës. Pastaj kujdesi për stolitë e arit, xhamadanin, xhupin, pecin, dorëzat, shamitë që viheshin brezit mbi stravece, çorapët deri në gju dhe përkycat, unazat (mhyri). Nuses i mësohej si do hidhte hapin me sytë përtokë e me vemendje të madhe. Ardhja në shtëpinë e dhandërrit asht një çast i hareshëm e fort solemn, gratë këndojnë e diku në shteg të oborrit qitet me pushkë.
Kryetari i dasmës që është shoq i katundit (ashtu si edhe krushku i parë), ban me dorë që nusja të vendoset para derës së konakut. Asohere burrat e shtëpisë së dhandrrit heqin kësulat e bardha dhe i vendosin mbi krye të nuses, që nusja të lindë sa më shumë djem në votrën ku ka ardhë.
Gratë këndojnë zakonisht kangën: “Sa e bukur ka dalë nusja!”
Dhe, sido që të jetë, e vogël e jo fort e pashme, ajo “e ka synin rrush të zi e shtatin si selvi”, ndërsa e kunata është si ‘’breshkë’’ e i kunati si ‘’hu gardhi’’.
E gjithë kjo skenë e shfaq nusen perendeshë të dasmës. Ajo nusëron, duke përjetuar emocione të thella, të paprovuara kurrë ma parë. Dasma vijon. Shtrohen sofrat në odat e burrave, por edhe të grave. Zbatohet me rreptësi protokolli: miqtë e largët e njërëzit me emër në zonë a krahinë duhet të shkojnë në sofrën e parë. Atij që i drejtohet me faqoren e rakisë të parit, ai është kreu i sofrës. Kushtu edhe në odat me gratë dasmore. Mbas do kohe, nusja shkon në të gjitha odat e rrin para karrikes së nuses, por nuk ulet aty.
Në odat e burrave dikush e merr çiftelinë e këndon një kangë.
“-Të knoftë zemra, or filani e për hajre dasma e djalit!”. Në odën ku asht grania këndohen këngët e granisë e luhet një valle dyshe, zakonisht nga bijat e konakut a të fisit. Edhe këtu gratë këndojnë e urojnë. E gjithë kjo mizanskenë në cermonialin e dasmës në Mirditë, bëhet të dielën e dasmës, përgjatë ditës e në darkë. Të nesërmen nusja del pa kësulë e stringla (regjana). Kjo do të thotë se ajo do të ambientohet me shtëpinë, oborrin e krejt mjedisin familjarë.
***
Kostumi i nuses në Mirditë tradicionalisht është përdorur vetëm gjatë nusërimit të saj, pra, në ceremonialin e dasmës, në çastin më solem, atë të nusërimit. Ka patur një perkujdesje të epërme për ta “godit” sa më bukur e në harmoni me të gjithë elementët. Kur hapej arka e nuses, oda mbushej me aromën dehëse të ftoit e mollës, duke sjellë një atmosferë të bukur e të këndëshme.
Poetikisht “Perendia e dasmës” është nusja, por jo të gjitha shkelqejnë me bukurine e tyre. Ka një stilemë popullore: “veshja, kopilesha!”
Ka ekzistuar prej shekujsh përkujdesja për ditën e dasmës. Një këngë e folkut thotë: “bukur qenke bojatis!”
Tjetër është skena dhe veprat e imazhit, që kanë domosdonë e grimit e të kurimit maksimal. Kemi të bëjme me një realitet artistik. Po a duhet që kostumin e nuses, ta vesh çdo moshë nga 6 deri në 60 vjet?! A thua e fyejmë atë akt solem që vetëm njehërë bëhet në jetë? Vajzat mirditore jane të bukura dhe e duan të bukurën. Koha ecën e njeriu ecën me kohën. Në shumë manifestime kulturore petku nusëror i nuses mirditore ka shkëlqyer dallueshëm, për kolorin dhe hijeshinë e tij, ku dominojnë e zeza dhe e kuqja në sfond të bardhë si bornaja e atyre viseve të larta. Këtë impresion e përftova edhe në Festivalin Folklorik të Beratit 1995. Atëbotë kur nusja e Mirditës hyri në skenë e gjithë kalaja e festivalit duartrokiti stuhishëm. Dhe prej atij momenti pata shkruar një skicë poetike:“Nga mbiu ky bredh me borë,Me ylberët e Valmorit hedhur supit?
Një mirditore e veshur me petkun nusëror,
Bën të nusërojnë edhe valët e Osumit…Dhe nga bronxi…Mrekullohen sytë e Onufrit!”
***
Nusërimi, ky akt që vajza e maleve tona e provonte vetën një herë në jetën e saj, aktin më solemn, emocional e përbetues për jetën bashkëshortore e qëndrueshmërinë e saj dinjitare e identitare.