More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRaimonda Belli Gjençaj: Gjethe vjeshte për të gjitha dashuritë (mbresa për librin...

    Raimonda Belli Gjençaj: Gjethe vjeshte për të gjitha dashuritë (mbresa për librin e Vllasova Mustas)

    Më intrigoi menjëherë titulli i vëllimit: “Shkruaj në gjethe vjeshte”. Ishte 2 shtatori i vitit 2021, kur Vllasova Musta më dhuroi librin e saj me poezi, bashkë me dedikimin ku fiksoi fjalët “me dashuri”. Ishte shtator, pra, muaji që zhvesh pemët dhe mbulon rrugët me gjethet e rëna. Të verdha, të kuqërremta, ose të kafenjta, madhoshe, gjatoshe, nazike, kur erës i teket të luajë me to, mbeten nën këmbët tona, nëse dikush nuk u ka rënë sipër për t’i fshirë nga faqja e dheut. Kështu çdo vit, në të njëjtën stinë, që prej fëmijërisë…Nuk ka vjeshtë nëse gjethet nuk bien…Këtë e di. Ajo që nuk dija kishte të bënte me fuqinë e muzës poetike, që gjethen e shndërron në letër, të cilën magjia e fjalës e bën më shumë se libër. Është si shtëpia e shpirtit. Është si streha e ndjesive, ku gëzimi kapërthehet me trishtimin, ku e bukura s’e afron shëmtimin, ku muzgu është njësoj i bukur me agimin, ku loti s’e ka humbur shkëlqimin e kristalit…105 poezi të vëllimit, dëshmi e lirizmit të rrallë të poetes Vllasova Musta. Që si të gjitha lirikat e botës, frymojnë për hir të dashurisë. Më e reja dashuri vjen nën titullin “Ninullë tim nipi”: Im nip më shikonte/Në sy i habitur/ I hapte dhe mbyllte qepallat e rënda/Dhe gjumi e zinte mes shtojzovallesh,/Që nga vendlindja, ia sillte nëna...Këto vargje, mes të tjerash, i burojnë asaj për mjaltin e mjaltit…Miliona bebe vijnë në jetë, çdo sekondë, por disa syresh kanë privilegjin të vijnë si frymëzime poetike. Si i biri i Anit, vogëlushi me emrin Tim, që dikur, dikur, harroi në xhepin e gjyshes një lodër sa një gisht. Prekja e lodrës, ndërsa avioni i largohej tokës, u bë regëtimë. Regëtima u mbars me dashurinë dhe dashuria foli. Si dialog poetik, ku nëna i rrëfen lodrës së harruar, mallin që ka ngritur kokë, pa u shuar ende vlaga e përqafimit. Mall që ajo do ta përkundë në djepin e zemrës deri në takimin tjetër….

    Shok ka veten, lirizmi i Vllasova Mustës. Sapo ke trokitur në portën e tij, pasi ke kapërcyer pragun e ngrehinës poetike, mahnitesh jo vetëm nga dimensioni i botës së saj, por edhe nga raporti që ajo ka me gjithçka e rrethon. Është një marrëdhënie sa njerëzore aq dhe fluoreshente. Autorja të qas në misterin e krijimit, njësoj si të të ftonte në një bisedë miqsh. E thjeshtë, si vështrimi i saj i qashtër, ajo zë e rrëfen:

    Kur nisa të mësoja a,b,c,-në

    Nuk e dija,

    Se këto shkronja të vogla

    Me rrathë e me vija,

    Do më merrnin hapësirave

    Ku lëviz gjithësia.

    Nuk e dija

    (E si mund ta dija!?)

    Isha fëmijë dhe si nëpër ëndrra

    Lodroja mes gërmave

    Pa e ditur kurrë,

    Se në vorbullën e tyre

    Do të mbetesha,

    Brenda.

    Sot,

    Kjo yllësi ka tjetër gjuhë

    E kam si frymë,

    E kam të shtrenjtë

    E kam oazin më të paqtë

    E kam altarin tim të shenjtë.

    Kjo poezi me tiullin “Altari im” hap vëllimin dhe të bën të mendosh se Vllasova Musta ka firmosur prej kohësh kredon e jetës së saj. Qysh në poezinë e parë, botuar te revista “Pioneri”. Që do të kulmonte me gëzimin e asaj të diele kur gjimnazistja 16 vjeçare pa të botuara në gazeten “Drita” krijimet e reja të saj. Ky ishte një start i mrekullueshëm. Bota e letrave e kishte pranuar. Por gara sapo kishte filluar. Gongu kishte rënë dhe ajo ishte nisur bashkë me të tjerët. Disa i kishte gjetur në pistë. Të tjerë erdhën pas saj. Ajo nuk e ndali asnjëherë vrapin. Edhe në çaste të dëshpërimit që fati nuk ia kurseu. E mbajti ritmin dhe u shtoi vargjeve, një lloj tjetër krijimtarie, prozën e saj të bukur të filmave të animuar dhe dokumentarëve. Proza e tyre fitoi një frymëmarrje të re nga poezia që mbarte mes të tjerash aq shumë dashuri. Fituese kupash të festivaleve të filmit, ajo i renditi trofetë tok me lavdinë e krijimtarisë poetike. Që koha ia ka bërë më domethënës prarimin. Siç dëshmon dhe ky vëllim. Është befasi tingëlluese të zbulosh sesi poezia rri në qerpikun e Vllasova Mustës në një marrëveshje diellore me dashurinë. Jo si metaforë. Por si kumt poetik për të thënë se gjithçka që sheh, Vllasova Musta e kthen në poezi. Pa u sforcuar, natyrshëm, si të ishte duke pirë një çaj me lule kamomili, që në vend ta ndihë të flejë, i zgjon dëshirën të kridhet në imagjinatën e radhës. Për t’iu thënë gjetheve të vjeshtës se janë si grafi të gjalla, për të na bindur se nëse nuk do të shkruante poezi, do të mbillte lule, do ta zbriste ylberin mbi pëlhura, do të thurte fole për zogjtë, do të fliste me erërat dhe me shpezët…Nuk ka dyshim, ajo mund t’i bëjë të gjitha këto. Por për fatin e mirë të letrave shqipe, Vllasova vendosi të shkruante poezi se ndryshe nuk do ta mësonim kurrë se ekzistonte dhe “Dielli i fjalës”:

    Dielli

    Është i zjarrtë

    Por,

    Nuk i ngroh të gjithë

    Fjala

    Ndez dhe shuan

    Tërë dashuritë!

    Përmes këtij rrëfimi ndien se fjala është një tjetër ikonë për poeten. Ajo kujdeset për fjalën, me përdëllimin që ka një nënë për foshnjën e porsalindur. Ajo e di se fjala e bukur i bën njerëzit më të mirë. Dhe ajo të tillë do ta shohë botën! Ajo mëton një botë pa dhimbje, ndaj dhe kur e shpalos vuajtjen e saj, e bën të ngjajë me brishtësinë e gjetheve të vjeshtës. Ndërkohë që na kumton se:

    Në to ka diell

    Ka hënë brenda

    Ka mall dashurie

    Ka fjalë të pathëna.

    Ka në këto gjethe

    Rreze agimi,

    Siç ka të ngrira

    Flakë perëndimi.

    I marr, i mbledh

    Në udhë, në pragje

    Kërkoj t’i rizgjoj

    Dhe shkruaj vargje.

    Unë e di se Vllasova Musta do t’ia dilte të shkruante vargje dhe sikur një shkulm ere t’ia kishte marrë nga duart gjethet e vjeshtës. Ajo do të shtinte dorën në ujët e liqenit, si një çast homazhi për lirikun e madh Lazgush Poradeci. Do të ndillte më tej, në harenë e lojës dallgët e detit, do të bënte të gjelbëronin pllakat e gurta të qytetit të saj të lindjes. Vegimet e saj do ta shndërronin në margaritar pikën e vesës mbi fijen e barit. Po aq natyrshëm do të na vinte pranë si pikë loti e gjithë jetës, për dashurinë e humbur…Motivet që e mbajnë brenda poezisë, janë një larmi e pafundme ëndrrash dhe dëshirash, të ngjashme me ngasjen jetësore të secilit prej nesh. Duke qenë e tillë, poezia e Vllasovës është e përshkuar nga mirësia. Vargu i saj nuk gjëmon nën mllefe dhe mëri. Vargu i saj si muzikë harpe, ta sjell jetën si tërësi emocionesh, brengash, humbjesh, hidhërimesh, por edhe gëzimesh, që pas dilemash fluturake, të lenë në shpirt gjurmën fundore se ia vlen të jetosh. Vllasova Musta është rritur mes vlerash të vërteta njerëzore. Ndaj nuk është e rastit që këtë vëllim ua kushton prindërve të saj të shtrenjtë. Bija nuk harron se u detyrohet atyre për këtë që është sot. Poetja që vazhdon të garojë ende në pistën e vrapimit, me prurje të tjera, dhe që merakut tonë për goditjen e fundit të gongut i përgjigjet siç ajo di:

    Vjeshtë e artë

    Apo,

    Dimri në prag?!

    Derdh shkronja mbi letër,

    Acarin

    Shtyj larg.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË