KreuLetërsiShënime mbi libraZija Vukaj: Koha në absurd

Zija Vukaj: Koha në absurd

Shënime për romanin “Shpërfytyrimi” të autorit Odise Kote, “Toena”

Romani më i fundit i autorit Odise Kote, me titull “Shpërfytyrimi” është ngjizur nga realitete të kohës sonë. Pra vendkoha e veprës është Shqipëria e sotme. Ky libër vjen para lexuesit si një telajo relativisht e madhe, ndërtuar me kujdesin e një mjeshtri që di të integrojë pjesët e një pazëlli në tërësinë e ansamblit të përgjithshëm të pamjes përfundimtare të tablosë së kompozuar. Gjithë kjo ka lidhje, qoftë me strukturën kompozicionale, qoftë me larminë e tematikave dhe motiveve, qoftë me lirizmin dhe poetikën e krejt veprës, por edhe me dominimin nga ana e autorit të realiteteve që pasqyron. Kjo, falë mprehtësisë së vëzhgimeve, përvojave, erudicionit dhe një informacioni të thukët. Tërësia dhe kompleksiteti i kësaj vepre, të gjitha kumtet humane, filozofike, sociologjike e morale, bashkë me vlerat artistike burimojnë e rrjedhin nga raporti i njeriut me sistemin shoqëror në të cilin ndodhet individi, raport ky që mjerisht shpeshherë kushtëzon marrëdhënien e individit me vetë lirinë. Dhe romani ka jetën e vet që përbëhet nga jeta dhe fatet e personazheve. Në qendër të tyre autori Kote ka vendosur Hertën; Herta Kurtiza. Mbiemri i saj është pak balzakian, si i marrë nga rrathët e ferr-parajsës së “Komedisë njerëzore”, me shkëlqime dhe rënie. (Autori është mjeshtër në lojërat me emrat e personazheve, pasi ky mjet stilematik sendërton profilin e personazhit- ide). Të përfshirë nga rrjedhshmëria e ngjarjeve dhe ritmika poetike e rrëfimit lexuesit shoqërojnë dinamikat e jetës së Herta Kurtizës, një grua e re nga një qytet i vogël, që vjen të jetojë në kryeqytet me bashkëshortin e saj, mjekun Subi. Ajo ka planet e saj modeste për të ndërtuar një jetë të zakonshme, shoqëruar nga përpjekjet dhe zhgënjimet e një jete më se të rëndomtë e cila befas merr një kthesë të papritur diktuar nga trillet e mistershme të fatit. Një kthesë gati fabuleske si në botën e çudirave, por krejt e besueshme dhe e mirëvendosur në absurdin e botës shqiptare të kohëve moderne. Një takim i papritur me gruan Ingrid L. Takim që i ndërron kursin e jetës, që e ngre lart në qarqet politike dhe në rangjet e larta të elitës shqiptare të kohës sonë, elitë që po ta krahasojmë me elitat e vërteta, përveç luksit dhe pasurisë, në shpirt as në moral nuk është as sa një kavaleri rustikane. Dhe për të kuptuar shumë gjëra, duhet kundruar Ingrid L. Mbase ky personazh, kjo grua llahtarisht e bukur, një Rasputin i versionit femër, është çelësi më i fuqishëm për të hyrë në labirintet e veprës- duke kuptuar thelbin e sistemit. Nga ky personazh konceptual, nga ky avatar, shpjegohet gjithë mekanizmi dhe zembereku i sistemit. Ingrid L. është një sfings i kohës moderne, është gjithë koloriti i undergroundit të sistemit të shpërfytyruar dhe shpërfytyrues në të cilin jetojmë. Pa zbritur në shpjegimin e pikturës së vet, lag çdo deklamimi patetik apo qëllimor, Odise Kote i jep të kuptojë lexuesit se sisteme të tilla funksionojnë prej të tillë katalizatorësh, sidomos në republikat e bananeve, pasi ka skena që duken se ngjasojnë me ato të hispanikut Vargas Llosa. Ata katalizatorë gjenerojnë korrupsionin, fshehtësinë, luksin që është formuar brenda një kohe të shkurtër në një vend, nga më të varfrit e kontinentit. Me kontraste të tmerrshme, me korrupsion të llahtarshëm, me fshehtësi, komplote dhe omertà të denja edhe për cosa nostrat moderne. E mira dhe e keqja shfaqen në një kundërshti të fortë. Jeta mondane, ajo e oligarkëve; dhe jeta e njerëzve të varfër, që duket sikur ndodhen pranë e pranë, tashmë janë vite-dritë larg. As e para as e dyta nuk e njohin njëra- tjetrën. Kavaleria rustikane shqiptare, fringo e re në moshë, nuk kupton as do t’ia dijë për ekzistencën e vegjëlisë nga e cila nuk ka shumë vite që ka dalë dhe është shkëputur me galop, me etje, me babëzi të ethshme, me filistinizmin dhe narcizmin e vet shtazarak. Hera-herës libri merr trajtat e një klithme kozmike ndaj perversiteteve dhe paradokseve që ndodhin në një vend, ku para dy a tri dekadash nuk ndodhte asgjë: –

“Si e ka ngritur Ingrid L. gjithë këtë kështjellë?” – pyeti veten Herta Kurtiza.

Ose:

“- Jemi qenie hermafrodite edhe me oligarkë, edhe me shtet, – vijoi skërfyelli pa ia bërë syri tërr. – Kështu që gjysma e trupit nuk mund të luftojë gjysmën tjetër. Ndaj shteti është në mëdyshje: të vijojë me oligarkët e paratë e pista apo t’i kthehet ligjit?”

I pozicionuar brenda personazhit të Hertës, që është syri i observatorit të tij, autori lundron përmes profilit dhe rrugëtimit të saj: iluzioneve, zhgënjimeve dhe kompleksitetit të një tipi njerëzor, duke vëzhguar spektrin e gjerë të një kohe dhe shoqërie në një sistem të caktuar. Brenda këtij kronotopi shfaqet e shpaloset një spektër i gjerë kampionesh sociale që i flasin pothuajse çdo tipologjie lexuesi; shfaqen gjithashtu sindromat e një shoqërie që vuan polarizimin e vet drejt një brahmanizimi që po lind e konsolidohet nga fuqia e padukshme e individëve që zotërojnë të gjitha fijet e pushteteve dhe ekzaltojnë të gjitha perversitetet njerëzore, duke e kthyer sistemin në një ajzberg dhe gjeratore të përbindshme për njeriun normal që vazhdon të besojë akoma tek idealizmi, edhe pse ky i fundit është gjëja më anakronike. Gjithë kjo e realizuar artistikisht nga plastika dhe zhdërvjelltësia e frazës, si dhe impostimi elegant i shpirit të rrëfimtarit në karuselin e jetës moderne që është i përmbytur nga koloriti i ngjyrave verbuese, që shpesh alternohen me zymtësinë e hinterlandit të shoqërisë së sotme, me vragat lënduese e mbresëlënëse të situatave të mbijetesës në periferinë e kryeqytetit, por edhe në favelas-et e qyteteve të vogla dhe fshatrave të braktisura të atdheut tonë.

Skakiera e galerisë së personazheve rilevante të kësaj vepre është administrata e shtetit, topos i panjohur, thuajse i ndaluar për njerëz të zakonshëm. Por tashmë, pas atij çasti “fatlum” të takimit rastësor me Ingrid L., për Herta Kurtizën nuk ka asgjë të paarritshme, asgjë të pamundur. Gruaja demoniake Ingrid L. posedon shumë nga çelësat e mistershëm të pallatit të ëndrrave, të kabinetit qeveritar. Intuita e hollë dhe shikimi i saj prej skifteri kap fluturimthi “rrogozhinësen” e bukur për ta shndërruar e përdorur për qëllimet e saj djallëzore. Procesi i shndërrimit kryhet lehtë dhe shpejt, pasi Ingrid L. pikas te Herta Kurtiza ca premisa shumë oportune. Pas një afiniteti dhe seancash intime me Ingrid L., nis ngritja në postin ministror e Kurtizës. Ngritja në post shoqërohet edhe me ngritjen në rang. Tani Herta është pjesë e elitës. Është duke shijuar shkallët e shpejta të zenitit të saj, të simpatisë që e rrethon që nga Zeusi e poshtë. Dhe kjo fazë nuk është vetëm egocentrizëm, por ka edhe doza idealizmi e përkushtimi, që burojnë nga naiviteti dhe pjesa e pastër e unit të saj. Ajo jeton në sferat e larta. Këtu poshtë është familja e saj: dy vajzat e vogla dhe i shoqi, Subiu, mjeku i fshatit- një Sharl Bovari modern. Nis të shfaqet atëbotë sindroma e Rastinjakut: sa më lart në rang, aq më poshtë në moral, aq më zbrazur në shpirt. Po, sepse individi Herta Kurtiza ka hyrë në ingranazhet vrastare të një realiteti imponues, të një rruge pa kthim. Doradorës që kalojnë muajt e stinët, ajo ndjen se po kaplohet nga ankthi, ndjen se po humbiste lidhjet me tokën, me njerëzit, me gjurmët e jetës së saj, me kujtimet e fëmijërisë e të rinisë së hershme, me të gjitha aromat e vatrës familjare. Njerëzit që e rrethojnë në dikasterin e saj shumica janë të vendosur nga duart e padukshme të Ingrid L. e të individëve enigmatikë. Janë klika të frikshme të jetës së nëndheshme të oligarkisë korrupive dhe të korruptuar. Individë si Bo-zi, një “trompe-la-mort” i ri, më i zi se Votrëni ka më tepër pushtet se ministrja Kurtiza. Me arrogancën e tij asgjësuese ai i jep të kuptojë rolin e saj prej kukulle, duke e zhytur në shkelje dhe në procese gjyqësore. Sepse oligarkët duan të ndërtojnë kulla të larta duke shpronësuar familje të tëra, teksa Herta përdoret thjesht për të firmosur e legalizuar korrupsionin e tyre. Dhe zhytet thellë e më thellë, tashmë e rrethuar edhe nga acari i ftohtësisë kryeministrore, duke u bërë gjithnjë e më e padenjë pë humorin e Zeusit, i cili ka në duart e veta të gjitha rrufetë e kozmosit. Ështi Ingrid L. ajo që e ka mbërthyer përfundimisht, gjë që demonstrohet në fjalët e saj:

“Ndërkohë Ingrid L. nuk e kishte humbur toruan. Ajo kishte hipur mbi një karrige, fare afër trapezerisë me syprinë mermeri. Në dorën e djathtë mbante shtrënguar një tufë monedhash. Ngjante si një zhgabonjë. – E dashur, – ngriti tonin, – kur të mora nga rruga e të bëra pjesën time, ti nuk kishe asnjë monedhë në xhepin tënd. Kishe sy të bukur, trup të hijshëm dhe një ëndërr të paqartë, të turbullt. E mban mend? Ingrid L. lëshoi nga lartësia, mbi tavolinën e mermerit, njëra pas tjetrës, me ngadalë, pa u ngutur, një grumbull monedhash, të të gjithë formave e madhësive. Amerikane, angleze, zviceriane, ruse, belge, italiane, greke, arabe, kineze. Ato kërcisnin, rrotulloheshin, ndalonin. – E dëgjove tingullin e tyre e dashur? – Po.” – Çfarë? Ma thuaj? – Çdo monedhë ka tingullin e vet! – Kjo është Herta Kurtiza që unë njoh. Inteligjente. Njeriu bën fytyrën sipas tingullit të monedhës që dëgjon. Mos e harro kurrë këtë gjë! Çdo monedhë ka tingullin e vet! Bukur!

Kështu, fundi dhe rënia e saj e rrmyeshme, është një dramë. Është drama e njeriut që kërkon të ruajë e të mbrojë identitetin në formim e sipër. Por kostoja është e rëndë: përveç depresionit, ankthit, pasigurisë, është injorimi, profanizimi dhe përdhosja. Obsesioni i vetëvrasjes, që shoqëron gremisjen shpirtërore të Herta Kurtizës në epilogun e romanit, mbetet spikama më e madhe e tragjizmit të këtij personazhi që mbart të gjitha vuajtjet e shpirtit njerëzor dhe të gjitha kumtet humane të kësaj vepre. Dhe vetë vepra “Shpërfytyrimi”, përveç artit dhe vlerave të arrira estetike, bëhet një kambanë, një ndriçim, përmes sinestezisë së saj, përmes rrezatimeve të shumanshme që emeton një realitet ulëritës, i tejngopur me paradokse dhe absurde të kohëve tona moderne. Këtu hyn në punë citimi i një opinioni nga shkrimtari bashkëkohor spanjoll Javier Cercas Mena: “Në një republikë normale tre persona janë të domosdoshëm: mësuesi, që të mëson të jetosh, mjeku që të mëson të vdesësh dhe njeriu që thotë jo, i cili mbron dinjitetin kolektiv”. Kësisoj, “Shpërfytyrimi” është një “JO”, që vjen nga shpirti stoik, dimensioni intelektual dhe dashuria për njerëzit.  

 Ky roman, i ndërtuar me një strukturë kompozicionale klasike, me rrëfime lineare, plot nyjëza narrative, ka një stil të veçantë: “Le style c’est l’homme même” (“stili është vetë njeriu”)- thoshte Georges-Louis Leclerc, Konti i Buffon-it. Dhe stili është graviteti i një romani. E romancieri ynë Odise Kote ka shkarkuar në faqet e kësaj vepre AND-në e tij, arsenalin e begatë prozodik, lirizmin e hollë, digresionet medituese përshkrimet e portretizimet e personazheve, si dhe çaste të shumta frazash sentenciale e procedimesh gnomike me një gjuhë elegante e të shkathët që materializon edhe ndjesitë më të ndërlikuara e transhendente, duke tejçuar te lexuesi jehet melodike dhe tallazet e shpirtit të tij të ndjeshëm.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË