More
    KreuHistoriZef Zorba për Ât Gjergj Fishtën

    Zef Zorba për Ât Gjergj Fishtën

    Mesazhi hyjnor i Krishtlindjeve

    Poeti poliedrik, Ât Gjergj Fishta, nuk kishte si t’i shmangej ballafaqimit me figurën e Krishtit, Njeriut – Perëndi të zbritur në tokë për me shpall ligjin e “dashurisë”. Por Fishta, sado potencial që mund të ishte, nuk ndihej i aftë me përballue me penën e vet aq të madhërishme si Jezusi. Ai po dridhej, jo vetëm se nuk po dallonte shteg për të riprodhuar në letër atë që ndjente në shpirt e në zemër, në vetëdije dhe në inkonsh, qoftë edhe pse i përshkuar nga frymëzimi hyjnor që po e përndriste tejpërtej. Kushdo e di se Fishta kurrgjë e asgjë s’ka drashtë, por para Krishtit duhej të jetë dridhur si thupra në ujë. Në veprat e tjera dramatike si p.sh. te Shën Françesku i Azisit, Shën Luigj Gonzaga, Juda Makabe, ai aspak nuk do të ngurrojë, por me trimërinë që e ka karakterizuar kurdoherë, do t’u bëjë ballë atyre protagonistëve duke i sjellë në skenë e duke iu vënë fjalët e veta në gojë. Sado të mëdhenj që ata të kishin qenë, Fishta e dinte mirë se pena s’do t’i topitej para figurës së tyre.

    Por s’kish si të vepronte kështu me Jezu Krishtin, qoftë edhe nëse figura mistiko-tokësore e ngacmonte, e mbase sikur e qortonte: “Gjergj, a nuk të kam mësuar se i duhet bërë ballë çdo vështirësie, çdo pengese?” – Po unë, Ati im- duhet t’i ketë përgjegjur Poeti – fundi jam vdekatar si ata, e për sado të lartë që ata të kenë qenë edhe mund t’u qasem, por drita Jote do të më përcëllonte e pena do të më zharitej në dorë!”

    E i gjori Poet pastaj duhet të jetë zhytur në mendime të thella, por që e fusnin në qorrsokakë pa mëshirë ku po fundosej si mos më keq. Gati po e lëshonte zemra: veçse urdhri hyjnor ishte i prerë e Muza e vet si gjithmonë, edhe atëherë iu gjet pranë. Ajo diçka i foli në vesh dhe atëherë Fishtës i shkëlqyen sytë, kapi penën e mbi letrën e bardhë që kishte përpara, shkroi: “BARÍT E BETLEMIT – MELODRAM BARITOR”

    E kishte gjetur: temën s’do ta trajtonte drejtpërdrejt me Shëlbuesin, por do t’i binte anash me anë të “simboleve”. Apo edhe vetë titulli – barinjtë mos nuk ishte një simbol? Simbol i atyre me të cilët shpejt do të bashkoheshin mendimtarë të shquar e deri mbretër, simbol i atyre që do t’u prijnë paqësisht aradheve ngadhënjimtare mbi dhunën e ligjit romak e deri në shekullin tonë me Mahatma Gandhin në Indi e me Martin Luter Kingun me zezakët e Amerikës. Kështu Fishta krejt veprën , të cilën e shtjellon në një mjedis baritor jo fort larg nga kasollja e Betlemit, e ka dendur fund e krye me simbole. Ata barinj të varfër, por jo proletarë, të pastër në shpirt, por edhe jo të shpëtuar ende nga ngacmimet njerëzore, janë ata pranë të cilëve Mesia ka caktuar ardhjen e vet mbi tokë të paralajmëruar shumë më përpara. E kjo gjë është e çuditshme, mbasi shumëkush pati menduar një ardhje spektakolare, kurse Zoti për të sjellë mesazhin e paqes dhe të dashurisë ka zgjedhur pikërisht atë vend, pikërisht ata njerëz, çka e bën protagonistin e dramën, Abigailën, të thërrasë tejet e çuditur dhe e mahnitur:

    “Po a thue njëmend se Zoti

    pik s’pari né barive

    né që na mlon vobsia

    lajmin na çoi se leu mbi tokë Mesia?

    T’falem vobsi, prej zemret’

    ty që prej dheut poshtnue,

    kaq fort asht tuj t’nderue

    madhnia e t’Naltit Zot.

    Qe, lajmin kahmot t’pritunin

    Aj n’derë s’ja çon bujarit

    por n’stan t’bariut pik’ s’parit

    ja nis me lumni plot.

    Fishta, si gjithmonë, edhe në këtë vepër do t’i qëndrojë besnik binomit të vet Fe e Atdhe; por tash këto koncepte ai do t’i zgjerojë së tepërmi me pasurime eskatologjike ku “feja” është dashuri e pakufi për të gjithë njerëzimin e “atdheu” është bota mbarë dhe këtyre iu drejtohet mesazhi hyjnor. Për këtë, Poeti lakon krejt kozmosin, natyrën e mbinatyrën, ndaj bariut Simeon i vë në gojë këto fjalë:

    “Nuk di ku jam, kaq menden m’ka habitun

    kjo dritë, kjo mrekulli

    që i madhi Perëndi

    m’vise t’Betlemit sande paska lshue.

    Un thom se gjith kjo dritë e gjith kjo rreze

    s’asht tjetër veçse augur i mirë për né;

    pse përbrenda krahnorit

    vedit zemra po m’shkrihet prej gëzimit

    e krejt po m’knellet shpirti prej ngazllimit”

    Simbolet në vepër derdhen njëri mbas tjetrit, si mjete të fuqishme për përçuarjen e mesazhit njerëzve vullnetmirë. Një pre tyre, bërthamë e melodramës, është trëndafili i përflakët i buluar në mes të dimrit në një shkurre të thatë. Dhe në rrethin baritor të Poetit zhvillon këtë bisedë:

    “SARA (me nji drandofille në dorë): A shifni? ‘I drandofille

     n’dimen.

    AMONI: Ku e gjete, moj?

    SARA: Ktu n’kopshtë.

             Tuj ra bri gardhit pash m’bungë, nget kapërcellit,

             m’nji pip të thatë e ba si kallami i fellit

             kjo lule kishte çilë…”

    I këtillë sinjal, që vetëm hyjnor mund të jetë, i bën barijtë të shpërthejnë në valle:

    “T’nisna vllazen, pa pritue

    t’shkojmë tuj kndue valle gëzimi,

    se kjo â e bardha natë shëlbimi

    që e kem pritë kah jetë e mot.

    Shue kjoftë sande resa e mnija;

    t’tana t’fyemet t’jenë harrue;

    përmbi dhé t’sundojë dashtnija:

    na ka le Shëlbuesi Zot.”

    Po kështu e gjithë vepra përshkohet nga një lirizëm, i hollë po, por edhe i përshtatur me personazhin prej gojës së të cilit del. Është ky lirizëm mjeshtërisht estetik që Fishta e ka pasë të mishnuar në vetvete kurdoherë e që do vazhdojë hovshëm në poezitë e tij të mëvonshme, e veçanërisht te “Jerina, mbretnesha e luleve”. E lirizmat në këtë vepër, metafizike të thuash, por njëherit të mbështetura fort për metaforat e gjuhës së popullit, të cilat Fishta i ka dashur gjithmonë. Janë të shumta ata e “pars pro totum” po cekim disa:

    “…ashtu ardhë si qeparizi,

    Si ajo fjolla e tymit t’kêmit…”

    “…mâ e kulluet se rrezja e diellit…”

    “…në buzë… u hap vetë qiella

    Mbi mue flakun dy diella…”

    “Ejtë e Parrizit

    Porsi m’pasqyrë

    m’ata dy sy

    rrijnë tuj kqyrë.

    Butë ka shtatin

    porsi ‘i cirkë voeset

    nji lili n’gji…”

    “… si drita

    që kuqet n’andje mbi ndo’i vetull mali…”

    Por qet krye aty – këtu edhe toni i fuqishëm dramatiko – epik, tipar trishtimi protestues  – sidomos kur është fjala për atdheun – që takohet rëndom në poezitë e Fishtës dhe dramat e tij:

    “Përmi lume t’Babilonit

    aty ndejem edhe lotueme:

    kah na shkonte malli i Sionit

    nëpër mende të mjerueme.

    M’gema shelnjesh për gjatë zallit,

    n’ato vise, kah na u shprazem,

    irun zemret, kputun mallit,

    zanamaret t’ona i vuerem.

    Përse ata, që rob na xune,

    edhe zharg na çuen n’dhe t’huej

    ata neve atje na urdhnuene:

    hajd, na kndoni si n’dhe t’uej.”

    Dhe tash lavdia e mbërritjes së mesazhit hyjnor nuk ka si të mos mbyllet ndrysh, posë se simbolin e fundit të melodramës “Barít e Betlemit” kur Engjëlli që e merr në shpinë fëminë Tolmaj për ta çuar të shpella e Betlemit, kështu i drejtohet atij:

    “Kqyr kah ajo dritë e Betlemit, mos druej! Hajde!”

    Është po kjo ftesë që mesazhi hyjnor i paqes, i vllazërimit, i dashurisë i drejtohet gjithë të rinjve të botës, që ta përqafojnë atë me gjithë shpirt, tash e përgjithmonë e jetës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË