Kreu Letërsi Kritikë Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se sa në atë mjedis të ngrirë. I zhytur në vetmi mediton për dashuritë e tij. Edhe ato, në çdo vjeshtë si gjethet, vdesin nga pak. Tej i shfaqen disqet pellgjeve në ngjyrë platini. Pastaj… Befas, diku, disku i ngrirë i pellgut kris…kris… Kris- tinë… I shfaqet ajo që ka fytyrën dhe kurmin e të gjitha femrave të botës, Kristina, me sy pellgjesh, ku ka ngrirë drita dhe loti i kristintë. Arti lind nga dhimbja, nga mungesa, nga malli.

Poezia “Dikur në vjeshtë” e Dhori Qiriazit lexohet me të njëjtin emocion të leximit të parë, ndonëse kanë kaluar disa dekada që nga nyjëtimi i saj. Energjia estetike dhe kuptimore që përcjell ky tekst nuk hijezohet e zbehet nga koha, redaktorja e pamëshirshme e çdo lloj arti. Lexuesi vjetërohet, ndërsa teksti poetik, me të cilin ka kaluar çaste mahnie në të ri të tij, ka ngeluar po ai: i ri, i pathënë, i sapothënë, magjik, i pandryshkshëm në të dy akset, atë estetik dhe kuptimor.

Shija që të leximi i një teksti të tillë, i tejkalon të gjitha shijimet, ku intelekti dhe shpirti njerëzor ndihet i mahnitur dhe i përkëdhelur, gjë që ndodh mjaft rrallë. Natyrisht të rrallë janë edhe tekstet, ku forma është edhe përmbajtje dhe përmbajtja është formë si tek poezia “Dikur në vjeshtë”. Ky tekst jo vetëm lexohet, por edhe kundrohet si një pejzazh i pikturuar mjeshtërisht me fjalë. Ky tekst, plot ngjyrë, ritëm, mall, dhimbje, ndarje, humbje, kujtesë, muzikë, lexohet, kundrohet dhe pëshpëritet si një melodi tejet shpirtërore, apo përshpirtet nga lexuesi i radhës për vjeshtën dhe Kristinën e tij të humbur, por të patretshme, strukur a fshehur në kujtesë, por e shfaqur nga alkimia estetike e përjetimit të tekstit në mënyrë krejt personale e diskrete.

Teksti nis si një rrëfim: Dikur në vjeshtë kur pellgjet ngrijnë / dëgjova larg të sajnë zë. / Pikërisht në vjeshtë, kur ndodhin ndarjet e vogla dhe të mëdha, subjektit mendues i shfaqet Kristina, jo si imash, por si zë. Zakonisht njeriu magjepset nga pamja, jo nga zëri. Fizikanët thonë se zëri është i paasgjësueshëm.

Poeti me një lehtësi të pazakontë, me një thjeshtësi prekëse ndërton dy vargje, që rrallë i takon në poezinë shqipe: kaq shumë e desha unë Kristinën / sa nuk e donte njeri më. /

Po cila është kjo energji dashurie, që shterron jo vetëm burimin, subjektin mendues, por edhe objektin, Kristinën?! Mund të jetë rrjedhoja e një dashurie sublime. Aq e fortë ka qënë, sa që ka krijuar një aureolë rreth Kristinës dhe askush nuk guxon t’i afrohet dhe të përballet me të. Asnjë burrë nuk mund t’i afrohet Kristinës dhe t’i shfaqi dashurinë e tij të vocërr. Do të dukej krejt i padenjë për të merituar Kristinën, të cilën dikush para tij e kishte ngritur në lartësi të tilla dashnie, sa që çdo mëtonjësi do t’i merreshin mendtë dhe nuk do të mund të ngjitej aq lart.

Dy vargjet e tjerë të këtij teksti të sjellin ndër mend se Kristina e mrekullueshme, me bukuri ngjethëse dhe virtyte hyjnore e ka zhvleftësuar dhe varfëruar aq shumë mjedisin rreth e rrotull, sa që subjekti mendues klith i pashpresë: e dashur kaq më ish Kristina / sa kurrë s’desha njeri më. /

 Mos vallë një dashuri e tillë sublime robëron,“vret” bartësit e saj, duke i dënuar ata pas ndarjes me mosdashuri?! Zbehja e objekteve të tjerë, njerëzve, peizazheve, stinëve dhe zëvëndësimi i tyre vetëm me një pamje, imazhin e Kristinës, zërin e saj, mos vallë është patologji?

Që t’i japësh përgjigje kësaj pyetje duhet të provosh atë që ka provuar subjekti mendues i këtij teksti. Në tekst nuk e gjejmë portretin e Kristinës, nuk ka asnjë fjalë për bukurinë e saj, por gjendemi para rrjedhojës, efekteve të saj. Aq magjepse ka qënë Kristina, sa që mjedisi rreth saj shkretohet, vulgarizohet, humb vlerën, bëhet i padenjë për t’u dashur, ndërkohë që ajo mungon.

Dhori Qiriazi është mjeshtër i rrallë i fjalës, ku fton imagjinatën e lexuesit për të krijuar portretin e Kristinës apo të Kristinave, sipas aftësisë perceptuese të çdo lexuesi. Pikërisht, enigma e portretit të Kristinës dhe forca e saj për të rrënuar gjithçka rreth saj, e bën të mistershme bukurinë e saj.

Dihet, që dashuria është energji pozitive. Po çfarë mbetet pas? Mbetet Kristina, e shndërruar në zë, që sa herë fryn suferina, vjen e i hyn në vesh, i depërton në shpirt subjektit mendues, duke ia bërë më të bukur, më të dhimbshme dhe më të trishtshme vjeshtën. Subjekti mendues, poeti, është shndërruar në fjalë, në tekst poetik, ku koha është e pafuqishme për ta kthyer në asgjë. 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

29 maj, 1945 Të dashurit e mi, Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se...

Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për...

“Kisha e Shën Sofisë”, tregim nga Ismail Kadare

I Vezirët po zgjoheshin njëri pas tjetrit. Meqenëse asnjë­herë nuk ishin gdhirë aq pranë (shatorrja e ministrit të Luftës...

Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit? Bernard Clavel “Të jesh romancier, nuk do...

KATEGORITË