Nga një shkrimtar i panjohur që shkruan nekrologji për njerëz të gjallë, deri te një pinguin që vuan nga depresioni në një apartament të ftohtë të Kievit, në romanin “Vdekja dhe pinguini” Andrej Kurkov krijon një realitet që tingëllon absurd, por që është kryekëput i vërtetë; një metaforë të njeriut të harruar në një realitet që gëlon; një rrëfim të akullt për një botë që shkërmoqet nga dita në ditë; një roman për epokën moderne në krizë; për identitetin njerëzor në erozion; për vdekjen në një shoqëri pa emër; për vetminë që hesht, ama nuk largohet asnjë çast.
Pasojat e rrëzimit të Bashkimit Sovjetik nuk përshkruhen me zë politik apo socialist, por me një narrativë që kufizohet në jetën e një individi të papërfillshëm, i cili përfaqëson të madh e të vogël. Një rrëfim absurd në një realitet edhe më absurd. Viktori, një shkrimtar i pashpresë, i punësuar të shkruajë nekrologji për njerëz të gjallë, gjendet brenda një sistemi të errët, të padukshëm, ku çdo lëvizje është e ngarkuar me pasiguri dhe ku shpaloset gjithë esenca e absurdit të përditshmërisë, të cilën Kurkovi e portretizon me një ftohtësi stilistike të qëllimshme, duke e vendosur lexuesin në një hapësirë gri, ku frika, heshtja dhe indiferenca janë ligjet e vetme.
Struktura narrative dhe stili
Proza e Kurkovit është e thjeshtë, e zhveshur nga çdo zbukurim stilistik dhe për këtë arsye ngjan pothuajse me një raport burokratik. Një prozë e zbrazët për një botë po aq të zbrazët, ku realiteti është më i çuditshëm sesa vetë alegoria. Thjeshtësia mes rreshtave, ndarja e kapitujve, apo mungesa e analizave të brendshme i japin romanit ndjesinë e një rruge që nuk të shpie askund, si një labirint pa shpëtim.
Ndërsa kalon faqet, në kujtesë të vjen “Procesi” dhe “Kështjella” e Kafkës, ku personazhet janë gjithmonë në përballje me një pushtet të pashpjegueshëm, të fshehtë dhe të pamundur për ta kuptuar. Ashtu si Jozef K.-ja, edhe Viktori ecën në një realitet të panjohur, ku ligjet nuk shpjegohen dhe ku fundi është gjithmonë më i afërt sesa fillimi.
Nga ana tjetër, atmosfera e përgjithshme e romanit, ku mungesa e kuptimit është mbret dhe fjalitë janë të shkurtra e të ngrira, të kujton veprën “I huaji” nga Kamyja. Në të dyja veprat, protagonisti jeton në një botë që e pranon pa e pyetur veten pse ekziston ashtu siç është. Ai nuk proteston, nuk ndryshon asgjë, por thjesht ndjek rrjedhën. Vetë pinguini Misha është shkrirja e këtij absurdi ekzistencial: një qenie që vuan në heshtje, pa shpresë për kthim në habitatin e vet, pa asnjë kuptim për ekzistencën në botë të huaj.
Kurkovi është më pranë traditës letrare ruse dhe pa dyshim ka një qasje të ngjashme edhe me veprën e madhe të Gogolit, “Frymë të vdekura”. Në këtë të fundit, autori krijon një panoramë groteske të Rusisë cariste, ku njerëzit bliheshin e shiteshin si sende, dhe ku burokracia, korrupsioni, identiteti njerëzor ishin të konsumuar deri në absurd. Çiçikovi blen frymë të vdekura për të ndërtuar pasuri, një biznes i pamoralshëm dhe absurd, e megjithatë përballet me një realitet që e pranon atë logjikë të çoroditur.
Nga ana tjetër, Viktori i Kurkovit shkruan për vdekjen e të gjallëve, sikur jeta e tyre të mos kishte kurrfarë rëndësie, përveçse paragrafit të gatshëm për gazetën. Në të dyja rastet, njeriu shndërrohet në një vlerë ekonomike të shkëputur nga qenësia e vet, ku morali shoqëror ka arritur majat e degradimit dhe shpirti njerëzor gati-gati ka marrë fund dhe është tretur.
Kurkovi nuk ka sarkazmën e zjarrtë të Gogolit, por ironia e tij vjen më e ftohtë, më e heshtur dhe më moderne. Viktori nuk përballet me groteskun në mënyrë aktive, por thjesht bëhet pjesë e tij pa u vetëdijesuar. Ai nuk lufton kundër sistemit, as nuk kërkon të përfitojë, por mbijeton brenda një absurdi që e pranon si të natyrshëm. Pikërisht kjo është ajo që e bën Kurkovin trashëgimtar të padiskutueshëm të një letërsie të errët, ku shpirti është zhveshur nga çdo ndjesi dhe trupi veç rend e humbet mes frymëve të tjera të gjalla.
Kur pinguini bëhet pasqyrë e njeriut
Simbolika e Mishës është ndër më të fuqishmet në letërsinë moderne evropiane. Ai nuk është një pinguin si detaj ekzotik, por është vetë njeriu modern, një zemër e heshtur mes varresh të hapura. Nëse te vepra e Beketit, “Duke pritur Godonë”, personazhet janë të vetëdijshëm për absurdin dhe e presin fundin si pjesë të pashmangshme të ekzistencës, te Kurkovi ky absurditet është më i heshtur e më i fshehtë, ama edhe më i brendshëm. Viktori nuk pret asgjë, ndërsa Misha qëndron shpresëthyer para çdo rrethane. Madje edhe vetë lexuesi mbetet në udhëkryq, duke pritur plot ankth një shfajësim që nuk vjen kurrë. Pika që derdh gotën, pra, nekrologjitë e Viktorit që më pas shndërrohen në vdekje të vërteta, i jep romanit një dimension të errët fatalist, sikur qëndisja e fjalëve për vdekjen e dikujt më në fund vendosin damkat. Viktori shndërrohet në njëlloj marionete në duart e një mekanizmi vrasës, pa i ndotur vetë duart. Ky shtresëzim të kujton përsëri penën e Kafkës, ku burokracia nuk të vret me armë, por me letrat e saj, me pritjen dhe me indiferencën.
Misha, shpend që nuk i përket Ukrainës, është si një i huaj i përhershëm në tokë të huaj, njësoj si Viktori, një individ i përjashtuar nga një shoqëri që nuk e kupton dot më. Me heshtjen e tij, pinguini qëndron si një emblemë e dislokimit emocional dhe shoqëror, karakteristike e gjendjes post-sovjetike të shthurjes. Pinguinët janë shpendë që nuk shprehin emocione në mënyrë të dukshme. Misha, me praninë e tij të heshtur e të trishtë, shfaq atë që Viktori nuk mund ta shprehë e kështu shndërrohet në një ekran të projeksionit emocional, duke pasqyruar mungesën e ndjenjave dhe boshllëkun e brendshëm; një kujtesë e vazhdueshme e pafuqisë dhe ndoshta e nevojës për ndjeshmëri në një botë që nuk e lejon të bëjë përpara.
Një roman që flet për ne, pa na e përmendur emrin
“Vdekja dhe pinguini” nuk është vetëm një roman që flet për Ukrainën post-sovjetike, por mbetet një vepër që hedh dritë në shoqëritë moderne kudo në botë, ku individi sa vjen e shkëputet nga komuniteti, nga emocionet, por edhe nga vetja. Pinguini, që qëndron i vetëm në një apartament të ftohtë, është vetë pasqyra jonë, ku jetojmë bashkë me të tjerët, por ndihemi të huaj, të izoluar, të parëndësishëm. Në një mënyrë gjeniale, Kurkovi arrin të tregojë brishtësinë e qenies njerëzore në një sistem ku gjithçka është e kontrollueshme, përveçse kuptimit dhe ndjeshmërisë. Në një botë ku nuk e dimë më pse jemi, ku nuk kemi më marrëdhënie të vërteta, ku vdekja është më e parashikueshme sesa jeta, ky roman më shumë sesa një fabul, merr formën e një diagnoze.
Nëse Gogoli nxori kryet e absurditetit dhe korrupsionit të një shoqërie që e kishte humbur njerëzillëkun, Kafka tregoi për individin e zhytur në mekanizmin e pafytyrë të shtetit, Kamyja ngriti absurditetin në një revoltë kundër pakuptimësisë së jetës, ndërsa Beketi e çoi deri në heshtje dhe pritje të pafundme, ku çdo veprim qe i kotë e çdo pritje e zbrazët, Kurkovi vjen si zëri i një epoke të tretë, ku njerëzit as nuk luftojnë më, as nuk rebelohen, por thjesht mbyllin sytë dhe vazhdojnë të ecin kuturu.
Andrej Kurkov nuk jep përgjigje, nuk kërkon fajtorë, nuk predikon shpëtim, por thjesht i vendos lexuesit përballë një pasqyre të zymtë, ku shohin veten të kthyer në silueta, e që ecin pa një destinacion të qartë në kokën e tyre. Ai nuk shkruan vetëm për vetminë, por e konfirmon të bardhën mbi të zezë se tanimë vetmia është forma jonë më e zakonshme e ekzistencës. Dhe pinguini, i vetmi që nuk flet, mbetet figura më e ndershme e kësaj bote: ai nuk gënjen, nuk shpreson, nuk rebelohet, por thjesht mbijeton.
Ndoshta në këtë pikë, pyetja më e tmerrshme nuk është nëse Viktori do të mbijetojë, por a jemi ne pinguinët e mbyllur nëpër apartamente, që nuk përkasim më askund, e që ndoshta kemi ndaluar së frymuari me kohë?