More
    KreuLetërsiBotime të reja"Vita Nuova" nga Dante Alighieri

    “Vita Nuova” nga Dante Alighieri

    Përgatiti dhe përktheu Arben Dedja

    Fjalë ftuese

    Viti 2021 është ai i shtatëqind vjetorit të vdekjes së Dante Alighieri-t (Ravenë, natën midis 13 dhe 14 shtatorit 1321), të parit gjeni që Italia i fali botës, në sërën e ndritur të atyre që aq na janë të afërt sa, tashmë, u mjafton vetëm emri i pagëzimit (Dante, Giotto, Leonardo, Michelangelo, Raffaello, Tiziano, Galileo…).

    Thonë që njëherë e pyetën Borges-in (atë pyetje pak budalle e fëmijërore që s’lënë njeri të famshëm pa ia bërë) se cili ishte, sipas tij, libri – me kusht që të ish një dhe i vetëm – që nesër pasnesër duhej hedhur e shpëtuar me një anije kozmike për t’i folur sa më mirë e bukur botëve të tjera për ne, njerëzorët dhe Borges-i, menjëherë e pa hezitim, u përgjigj që sipas tij ky libër duhet të ish Komedia Hyjnore, kjo poemë prej 14.233 vargjesh që, duke përmbledhur rrugëtimin fantastik, fantazmagorik e përtejtokësor të Poetit nga thellësitë e lemerisura të vesit e mëkatit deri lart te Krijuesi, rrëfen si asgjë tjetër thelbin tonë të vërtetë. Sigurisht, po të pyesnim një spanjoll do të së thotë që libri që duhet shpëtuar është Don Kishoti i Mançës, rusi do të propozojë Lufta dhe paqja, gjermani Faust-in, anglezi veprën e Shekspirit, francezi, ndoshta, Të mjerët e Hugo-it apo Recherche…-n e Proust-it; por puna është që në këtë lojë vetëm një libër mund të shpëtohet… dhe atëbotë Komedia Hyjnore duket vërtet e patëdytë.

    Sot gjuha italiane është njëra nga gjuhët më të studiuara në botë, ndonëse, për numër folësish, nuk mund ta konsiderojmë gjuhë të madhe (nuk hyn te 20 gjuhët më të folura në botë; shqipja është përtej vendit të 100-të). Arsyeja kryesore pse ndodh kështu, do të thosha, është prestigji i letërsisë së saj, aradheja është e gjatë, por prijësi është padyshim zotëria që po përmendim.

    E pra, përveç Komedisë Hyjnore, kësaj kryevepre (edhe kaq, është pak ta quash), ndërkaq të përkthyer gjerësisht në shqip nga duar mjeshtrash, Dantja na ka lënë edhe libra të tjerë, si traktatet Convivio (në gjuhëvulgare, në italisht, pra), De vulgari eloquentia (në latinisht, por që trajton probleme të italishtes) – të dyja shkruar aty midis viteve 1303 dhe 1304-1307 dhe lënë pa u kryer, sepse pikërisht atëherë e gjer në vdekje Poeti iu përkushtua Komedisë, si edhe një traktat tjetër, De monarchia (në latinisht, ky i përfunduar), i padatuar siç duhet pse studiuesit janë në mospajtim të plotë, që merret me natyrën e monarkisë si formë qeverisëse dhe me marrëdhëniet mes dy pushteteve absolute të kohës: Perandorisë dhe Papatit.

    Por kryevepra tjetër e vërtetë e Dantes është libërthi rinor Vita nuova (1292-1293 ose 1294), shkruar pa i mbushur të tridhjetat, ku ai përmbledh vargjet për Beatriçe (Biçe[1]) Portinari-n, duke i shoqëruar ato me rrëfimin (në prozë) të rrethanave që e kishin frymëzuar (dhe raporti poezi-prozë është krejt në ekuilibër: kemi të bëjmë me një zhanër të rrallë e të vështirë letrar, që quhet prozimetër). Rrëfimi është autobiografik, është kronika e një dashurie, rilexim kritik i vargjeve djaloshare për të vluarën e zemrës.

    Beatriçja vdiq, njëzetepesëvjeçare, më 8 qershor 1290 (sipas kalendarit julian) dhe Dantes iu desh një jetë e tërë për ta mundur dhimbjen, për ta përpunuar zinë. Ngjarjet që tregohen në libër janë thuaj inekzistente. Fëmijë nëntëvjeçar, Dantja sheh për herë të parë Beatriçen, disa muaj më të vogël se ai, dhe dashurohet, me një dashuri fëmijërore, platonike. Nëntë vite kalojnë përpara se të shihen përsëri, rastësisht, në rrugë: Dantja – një adoleshent i paqetë, Beatriçja – tashmë grua e martuar (me kalorësin Simone de’ Bardi). Një çast e vështrimet u kryqëzohen dhe… Beatriçja e përshëndet. Ia dëgjonte zërin për herë të parë. Kaq! E sheh pastaj në kishë, vjedhurisht; në një dasmë; shkon në vakinë e vdekjes së të atit të saj, Folco Portinari, po s’qe punë se, në ceremonitë mortore të Firences së asaj kohe, gratë dhe burrat qëndronin të ndarë. Tregon edhe do gjëra të tjera, me fjali të gjata, të ndërvarura, sa mendimi qëndron gjithmonë pezull mes kuptimit e moskuptimit, me një lojë numrash, i ndërthur të gjitha këto me vargje që ua fijezon idetë duke kumtuar, ashtu shkarazi, poemën e madhe që do të shkruajë – lumturinë e dhjetëra brezave të botës që pasoi. Rrëfimi, ama, bëhet simbolik tek mbushet me vasha, gjithandej me vasha (ç’melhem për shpirtin tonë në këtë kohë talebanësh!), ca syresh të ashtuquajturat vasha-shqyt, si pasqyra gati për t’u copëtuar, me ëndrra e fantazmagori, me shqisa e organe shqisorë në trazim, me vegime e imazhe të idealizuara, sipas mënyrës së stilnovistëve[2]. I nisur gjithnjë nga realiteti Dantja shpall të vërtetën intelektuale ku ka mbërritur: Dashurinë, që, nga përvojë personale, lartohet në vegël përsosmërie morale. Ne, post-romantikëve, ndoshta na vjen çudi që ai rreket t’ia fashitë mujshitë e ta nxitë Dashurinë gjithnjë të arsyetojë, por nuk duhet harruar që kemi të bëjmë me njerëz të një kohe tjetër.

    Jeta e re është e ndarë në dyzet e dy kaptina, me tridhjetë e një poezi (njëzet e tri tingëllima, dy tingëllima të dyfishta, një baladë, një stanza – fragment i një canzone-je –, një stanza e dyfishtë – fragment nga një tjetër canzone – dhe tre canzoni). Poezitë janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e libërthit nga buqeta e begatë e poezive të tij rinore; po mjaft syresh Dantja i la jashtë (ato u përmblodhën pas vdekjes në vëllimin Rime – pesëdhjetë e katër poezi, kryesisht tingëllima, + njëzet e gjashtë të tjera, që sot jepen si me autorësi të dyshimtë).

    Pra më në fund, i nxitur edhe nga ky përvjetor, i flaka skrupujt dhe po e sjell në shqip këtë Jetë të re. Sprovat e para i pata bërë qysh nga mesi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, por gjithkush ka kalvarin e vet (të gjatë, tejet të gjatë) dhe e di që të gjesh kohë sot e gjithë ditën për t’i zbrazur nga supet gurët e përditshmërisë e të ngjitesh lart për të thëthitur pak ajër alpin, duhet të jesh ca i marrë.

    Padovë, Dantedì e Dytë (2021)

    [ad]


    JETA E RE E DANTE ALIGHIERI-T

    I

    Në atë pjesë të librit të kujtesës sime para së cilës pakogjë u lexuakëshka, gjendet kaptina: Incipit vita nuova.[3] Nën këtë kryerresht gjej të shkruara fjalët të cilat kam për qëllim t’i kopjoj në këtë ble e, në mos të gjitha, së paku thelbin e tyre.

    II

    Nëntë[4] herë bash pas lindjes sime qielli i dritës me rrotullim të vet ish kthyer në të njëjtën pikë pothuaj, kur syve të mi iu shfaq së pari vasha e lavdishme e mendjes sime, e cila prej të shumtëve u quajt Beatriçe, edhe prej atyre që nuk e kuptonin pse ashtu quhej. Ndërkaq kish qenë ajo aq gjatë në këtë jetë, sa qielli i yjëzuar lëvizur kish kah lindja të dymbëdhjetën pjesë të gradës, pra ajo m’u shfaq pothuaj në fillim të motit të saj të nëntë dhe unë e pashë pothuaj në fund të së nëntit motit tim. Më erdh e veshur me më të fismen e ngjyrave, të përkorë dhe të duhur, me të kuqen alle, ngjeshur e qëndisur brezin siç ia kënda moshës së saj të njomë. Atypari, dhe them atë që është, shpirti jetësor, i cili banon në më të fshehtën dhomë të zemrës, aq fort filloi të fërgëllojë sa shihej ajo llahtari edhe në dejet më të imta; dhe duke u dridhur foli këto fjalë: Ecce deus fortior me, qui veniens dominabitur michi.[5] Atypari shpirti frymor, i cili banon në dhomën e lartë në të cilën tërë shpirtrat shqisorë sjellin ndjesitë e tyre, fort u mrekullua e, duke i folur veçmas shpirtrave pamorë, tha këto fjalë: Apparuit iam beatitudo vestra.[6] Atypari shpirti natyror, i cili banon në anën ku haja bluhet, zuri të qajë e tha mes lotësh këto fjalë: Heu miser, quia frequenter impeditus ero deinceps![7] Mund të them se qysh atëherë Dashuria[8] fitoi fronin në zemrën time, e cila shpejt iu bë besnike, dhe ai mbretëroi me aq siguri e madhështi falë forcës që i kallte përfytyrimi im, sa më mbetej veç t’i përmbushja kënaqësitë. Shpeshherë më urdhëronte të rrekesha ta shoh këtë engjëllushe; dhe unë në fëmijërinë time rëndom vajta ta kërkoj, dhe aq fisnike e hirplotë më ngjante në të sjella sa, padyshim, asaj i shkonin fjalët e Homerit: “Jo bijë njeriu, po bijë hyu qenka”. Dhe ndonëse shëmbëllesa e saj, që pa prajë strukej meje, i falte Dashurisë guxim për të më sunduar, prapë kish veti aq të kulluara sa kurrë nuk la që Dashuria të më zotëronte pa këshillën besnike të arsyes për ato gjëra ku kjo këshillë do të ish dobiprurëse. E meqë të zgjatesh për veprat e gjakimet e gjithaq djalërie ngjakësh përrallje, po i lë ato mënjanë; dhe, duke kapërcyer mjaft gjëra të cilat mund të nxirreshin nga gjedhja ku e marrin trajtën, po kthehem te fjalët që në kujtesën time janë shkruar nën kryerradhë më të vlera.

    III

    Pasi shumë ditë kaluan, sa plot nëntë vite u mbushën nga e shfaqura që përshkrova e fisnikemadhes, ndodhi që shi të fundmen e këtyre ditëve kjo vashë e mahnitshme m’u rishfaq, veshur krejt të bardha mes dy fisnikesh pak më të rritura dhe, duke kaluar nëpër aksh rrugë, i ktheu sytë te vendi ku rrija zemërfiraksur dhe me atë njerëzi të pashprehshme për të cilën sot është shpërblyer në jetën e amshuar,[9] më përshëndeti aq mrekullisht, sa m’u bë atëbotë se ia pashë lumturisë sinorët. Ishte sak ora e nëntë e ditës kur ajo përshëndetje e dashur më mbërriti; dhe ngaqë qe hera e parë që fjalët e saj fluturuan meje, aq u dalldisa sa si i pirë u ikja njerëzve dhe, duke iu drejtuar qoshkut vetmitar të dhomës sime, zura të mendoj atë mirësi. E për të duke menduar një gjumë qengjash ia behu, ku m’u shfaq një vegim-çudi: m’u bë se pashë një re ngjyrë zjarri në dhomën time e, mbështjellë në të, dalloja një bujar, të frikshëm për kë e shihte; por me hare në vetvete, që ish aq i mrekullueshëm; e që foli e më tha shumë gjëra, ndonëse pakogjë kuptoja sosh, e mes tyre: Ego dominus tuus.[10] Më ngjante t’i shihja në krahë njëzë që culle flinte, lehtaz e mbështjellë me një shpërgë ngjyrë alle; të cilën, me shumë vëmendje tek e vështroja, njoha vashën e të përshëndeturit, që një ditë më parë begenisi e më përshëndeti. E në njërën dorë më ngjau që mbakësh diçka të flakëruar dhe m’u duk sikur më thosh këto fjalë: Vide cor tuum.[11] Dhe si rrodhi do kohë, m’u bë se e zgjoi atë që flinte dhe e detyroi me çmos të hante nga gjëja që në dorë i shkrumbohej; që ajo e hëngri ngurafët. Pak më pas hareja ia la vendin një vaji farmak dhe, duke qarë kësisoj, i mbështolli ai krahët përreth vashës së tij; dhe së toku ngjanin të ngjiteshin kah qielli. Mbiatù gjumi im fërfëllak nuk e mbajti dot ngashërimin që më kaploi; u tret dhe… u zgjova. Zura të vramend fill dhe zbulova që ora kur ai vegim m’u shfaq qe e katërta e natës, pra tamam e para e nëntë orëve të fundit të natës. Duke menduar për çka pashë, vendosa t’ua bëj këtë me dije më të ndriturve vjershëtarë të kohës dhe, meqë tash së voni edhe unë e kisha nxënë artin e të thururit fjalë e vargje, thashë të krijoj një tingëllimë për të përshëndetur tërë besnikët e Dashurisë; dhe duke i lutur të ma shpjegojnë vegimin, u shkrova për ç’kisha parë në gjumë. Dhe ia nisa atëbotë kësaj tingëllime që fillon me: Çdo shpirti-pre.

    Çdo shpirti-pre e zemre dhënë hijeshisë

    që vargjet e tanishme ia përcjell

    në pritje të shkoqitjes, prapë i sjell

    rixha prej zotës së tyre, Dashurisë.

    Gati nj’e tretë e orëve u bitis

    e kohës që një yll shkëndrit në qiell,

    kur m’u shfaq Dashuria, meje sjellë,

    q’thelbin kur ja ndërmend më lemeris.

    Gazplotë më ngjante Dashuria, marrë

    zemrën time në dorë e kish në krahë

    vashën përgjumur në shpërgë kuq larë.

    Enkas e zgjonte e prej zemrës zjarr

    frikësores përkorshëm i jep të ha

    e pastaj davaritej duke qarë.

    Kjo tingëllimë ndahet në dy pjesë; ku në të parën përshëndes e pres përgjigje, në të dytën shpreh cili është ai/ajo për të cilën duhet të më përgjigjen. Pjesa e dytë fillon kështu: Gati nj’e tretë.

    Shumë ia kthyen kësaj tingëllime e në mënyrë të larmishme; e ndër të tjerë edhe ai që e quaj mikun tim për kokë, që thuri një tingëllimë që ia fillonte: Do e shihnit, sipas meje, çdo vetijëz.[12] Ky shkëmbim qe guri i miqësisë tonë, kur ai mësoi që isha unë që ia dërgova asodore. Asnjëri nuk dha dot atëherë për ëndrrën një gjykim të njëmendët, tani fare i qartë edhe për më syleshin.

    [1]  Besoj në Firence e thërrisnin të gjithë Biçe, se është e njohur mania e fiorentinëve për t’i shkurtuar emrat. Edhe vetë emri Dante nuk është tjetër pos një kontraksion i “Durante”.

    [2]  Kam shkruar për ta në parathënien dhe shënimet që shoqërojnë poezinë e shqipëruar të Calvalvanti-t (Guido Cavalcanti, Poezia, Tiranë 2007, Ombra GVG).

    [3]  Fillon jeta e re.

    [4]  Për numerologjinë e Jetës së re mund të shkruhet një kapitull i tërë. Gjithsesi, numri që përmendet më shpesh aty (njëzet e dy herë) është numri nëntë, me gjithë simbolizmin që ai mbart; 9 = 3 x 3 ose 32, dhe treshi është pastaj numri i Komedisë Hyjnore.

    [5]  “Ja një zot më i fortë se unë, që vjen të më sundojë”.

    [6]  “Pa u shfaq hirësia juaj”.

    [7]  “Ah qyqari, që tash e tutje do të më pengojnë!”.

    [8]Amore (në italisht emër i gjinisë mashkullore) = Dashuria (në shqip emër i gjinisë femërore). Nuk është thjesht çështje gramatikore: tiparet dhe sjelljet e personazhit Amore janë tipike mashkullore. Fillon kështu, midis tekstit origjinal dhe shqipëruesit (me krye në hi!), një tërhiq-e-mos-e-këput e gjatë dhe e ndërlikuar që, shpresoj, duke e lënë të hapur gamën gjinore të Dashurisë, t’i japë më shumë universalitet dhe modernitet tekstit shqip.

    [9]  Dantja e thotë që në krye të herës që Beatriçja ka vdekur.

    [10]  “Unë jam ytzot”.

    [11]  “Shihe zemrën tënde”.

    [12]  Ky mik (për kokë) është Guido Cavalcanti; dhe ja tingëllima:

    Do e shihnit, sipas meje, çdo vetijëz

    e gazin e të mirën që vlon thellë,

    sikur ta njihnit zotën e këndellë

    që botën e përndershme qeveris,

    e rron pastaj shi ku vjen fundi i zisë,

    duke gjykuar në t’mendjes kështjellë;

    xheç shkelur ëndrrash që gjindjen mbështjell

    dhe pa dhimbje zemërat mbodhis.

    Ty zemrën ta rrëmbeu, duke parë

    që vasha vdekur të desh ty pa pra:

    dhe atë konte me zemrën me llahtarë.

    Kur e pe ti të ikte rrënimtar,

    gjumi i ëmbël u këput u vra,

    i mundur nga i tiji kundërshtar.

    Vini re që rimat janë njëlloj me ato të tingëllimës së Dantes. Ndodhte rëndom në poezinë e korrespondencës të stilnovistëve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË