More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vijat në pëllëmbën tënde", tregim nga Ajkuna Dakli

    “Vijat në pëllëmbën tënde”, tregim nga Ajkuna Dakli

    Thonë se jeta është e shkruar në pëllëmbë. Kështu thonë. Që ditët, javët, vitet, udhët, bashkimet e ndarjet, kohët e bukura, kohët e trishta, kohët e pritjes si kjo sonte, janë të gjitha të shkruara në hartën e pëllëmbës së dorës.

    Është pothuaj mesnatë. Edhe pak orë, dhe vjen një tjetër vit. Në dhomë është gjysmë errësirë. E kam fikur dritën sepse ti më the se doje të flije. Jam ulur në poltronën përballë shtratit dhe ia kam ngulur sytë bakllavasë mbi pjatën e vogël. Drita e rrugës bie pjerrët mbi fytyrën tënde që fle në paqe. Me atë që shkoi, me atë që është, me atë që po vjen.

    Kur isha e vogël, e përfytyroja këtë natë si një prag, ku dy kohë ndahen nga një portë e qartë, e dukshme. Një prag nga ku nis një udhë e re, e cila nuk ka lidhje me udhët që na sollën deri këtu. Qe për mua, koha më e bukur e vitit. Magjia fillonte me brumin nën duart e tua që hapnin petë, avullin me aromë nerdeni dhe portokalli mbi stufë, më pas me darkën festive e cila nuk ishte për mua festa e vërtetë. Sepse ato që më ndillnin ishin mëngjeset e para të vitit: sixhadeja e kuqe në dhomën e madhe, vizitat, filmat , ajo aureolë mirësie dhe paqeje që i rrethonte të gjithë Dhe, paçka se ky ritual përsëritej, asgjë nuk linte të dyshoje se çka po vinte do të ishte më e mirë nga çka shkoi dhe mrekullitë mund të ndodhnin.

    Sa mirë do të ishte të ndodhnin, mendoj, duke parë fytyrën tënde.

    Ti nuk hape dot petë sivjet. Bakllavanë e ka sjellë dikush nga të afërmit si ogur të mirë. Që të ëmbëlsojë sadopak këtë vit të ri që po vjen.

    Ora do edhe pak të shkojë dymbëdhjetë. Marr një copë bakllava me pirun dhe e gëlltis me ngut. Një kafshatë shpresë.

    Ti fle. Ngrihem ngadalë dhe të kap dorën. E shoh. Thonë se jeta është e shkruar në pëllëmbën e dorës. Ajo çka iku dhe ajo çka do vijë.

    Drita e rrugës bie pjerrtas dhe vijat në pëllëmbën tënde shquhen qartë. Mundohem t’i lexoj, po nuk kuptoj asgjë nga harta e tyre. Vija që lakohen, vija që takohen, vija që këputen. Zgjatem të të kap pëllëmbën tjetër sepse nuk jam e sigurt mbi cilën nga pëllëmbët është i shkruar fati. Mbi të majtën? Mbi të dyja?

    Lëvizja ime të zgjon. Ti hap sytë dhe më sheh. Nuk e kuptoj në më shquan mirë. Më buzëqesh lehtë me një lëvizje te beftë të cepit të buzës pastaj, prek me mollëza shpinën e duarve të mia. Dora jote mbështillet rreth dorës sime ngadalë, aq sa mund të mbështillet një dorë që lëviz me mundim, pëllëmba jote e butë, dora e hollë me gishtat e gjatë, vija e jetës, vija e diellit dhe vija e zemrës të gjitha mbështillen rreth dorës sime, dhe ti më pëshpërit :

    “U lodhe zemër ?”

    Nuk flas. Ti buzëqesh përsëri, dhe mbyll sytë. Drita hyn nga rruga me këmbëngulje dhe bie mbi fytyrën tënde që duket sikur fle. Në paqe me atë që ishte dhe me atë që po vjen. Që nuk e ndalojmë dot.

    Dora jote pushon në duart e mia. Hartat e pëllëmbëve tona thuren me njëra tjetrën.

    Thonë se jeta është e shkruar në pëllëmbën e dorës. Edhe dashuria.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË