Në shesh po punohej mirë për vendosjen e bredhit; edhe pse koha s’dukej se ishte me ekipin modest të Bashkisë së Treshit. Dëbora dhe era trazonin gjithçka përreth. Kujtimi i mëngjesit të acartë, kur pema qe shembur në tokë, ishte ende aty përqark. Por mbase nuk ishte e thënë që ajo të rrëzohej për herë të dytë.
Brenda, përkundrazi, ishte ngrohtë. Ata vazhdonin të qëndronin përballë njëri-tjetrit, sërish duke u parë heraherës në sy; dy të saponjohur, të panjohur, kjo ishte e pak çuditshme.
Po, mendoi Idlira Mati, kjo është e çuditshme e, mbase, edhe pa vend. Ose jo. Kishte ndodhur magjia (!) Këtu, në këtë qytezë të vogël e të shurdhët; por në prag të Krishtlindjes. Hollësia e fundit të prishte mendjen. Fundja, ajo gjithnjë e kishte ëndërruar diçka të tillë, paçka se tani mendonte që ishte herët për ta zmadhuar aq shumë. A thua, zmadhuar ishte fjala e duhur? Tjetri po heshtte, por gjithnjë duke u skuqur nga pak. Paska ende djem që mund të skuqen, kur një vajzë, një vajzë…
-Pra, ky shërbim është për hir të novelës që po shkruan, – u kthye Adi Kraja në bisedë me një fjali disi konfuze.
-Jo jo, – Idlira tundi kokën me një buzëqeshje që u duk sikur do të përcillte shpjegimet e mëtejshme. – Kjo është puna ime e përditshme. Departamenti i Kulturës dhe Trashëgimisë. Në këtë qytezë, për herë të parë merren me një ceremoni të tillë. M’u duk me interes, prandaj po e ndjek… E zgjodha vetë. Në fakt, ‘Pema e Krishtlindjes’, ajo imja, është krejt tjetër; jemi në dy rafshe që pakgjë kanë të përbashkët. Këtu po jetojmë njëlloj farse, zyrtarët e mbiluajnë rastin, sajohen tendera, ngatërrohen ato me të drejtën legjitime për të përdorur fondet e Bashkisë… Sidoqoftë, në këtë rast, formalisht u bënë një: novela ime dhe shërbimi. – Vajza ndaloi një hop dhe prapë kërkoi, as vetë s’e dinte çfarë, në sytë e tij. – Por unë, ashtu si personazhi im, e dua Krishtlindjen, festat në përgjithësi; është koha që ndjehem gjithnjë e inspiruar. Ia dole të më bëje llafazane. Ti?
-Unë si? Hë, Krishtlindja. Po vërtet, – qeshi Kraja – gjithë ato përgatitje, pema, këngët, dhuratat…
-Duke shfletuar për Pemën e Krishtlindjes, – ajo sërish ia mori fjalën nga goja, – kam lexuar se romakët dhe egjiptianët e lashtë çonin gjethe të gjelbra në shtëpi, duke i konsideruar ato fatsjellëse dhe simbol të jetës në ashpërsinë e të ftohtit dimëror.
-Ou!
-Gjermanët ishin të parët që filluan të vendosnin një dru pishe në shtëpi, si një zbukurim Krishtlindjeje… Por pema e parë e Krishtlindjes, e ndriçuar, është qasje e Edwart Johnson, një ortak i Thomas Edisonit. Në fund të dhjetorit 1882 në mos gaboj, në New Jork, ai vendosi në shtëpinë e tij një pemë me llampa të vogla inkandeshente…
Ajo nuk pushonte së foluri. Tjetri dëgjonte dhe tundte kokën, pak i habitur, ca më shumë inkurajues, uau, pra kështu qenka, s’e dija… Dhe kur, më në fund, ai guxoi e pyeti nëse në makinën e tyre kishte një vend – porosinë për të cilën gjendej atje, ia kishte besuar gruas që shërbente te bari – ajo mori një pamje tjetër, sikur u ndriçua edhe më në fytyrë; iu afrua, pothuaj e tërhoqi nga duart duke i treguar një dashuri që nuk po e mbante më brenda vetes.
-Tani u bëre robi im.
-Me shumë dëshirë, – u dorëzua ai.
-Të jesh djalë i mbarë, – shtoi ajo me përkëdheli dhe duke e parë në sy, pa le a e kishte kuptuar tjetri përse ishte fjala; që ajo donte shpirtin binjak, si ta thoshte… hë, një pëllumb, një mik me të cilin nuk mërzitesh asnjëherë, një njeri që të rendte pas saj pa u lodhur.
-Po përpiqem, – tha Adi Kraja duke i mbajtur dorën.
Ajo e kujtoi të merrte ajfonin, që po e harronte mbi tryezë. Sa nuk i tha me zë ‘qetësohu!’ Dolën duke qeshur dhe duke vazhduar të ngacmoheshin, me fjalë dhe me vështrime.
Do vijë me mua, po thoshte me vete Idlira Mati, pa pasur nevojë të mendonte tjetër gjë.
■
Gjatë udhëtimit, ata ndenjën të heshtur, por duke u vështruar kohë e pa kohë. I vetmi çast kur folën diçka, ishte ai gjatë të cilit shkëmbyen numrat e celularëve. Idili u kishte rënë në sy qyshkur edhe shoferit e operatorit. Por ata shikonin punën e tyre; diskutonin nëse mund të kapnin një ndeshje të Champions League.
Kur mbërritën në Tiranë, e ndërsa këtu binte një shi i mërzitshëm dhe i ftohtë, edhe ajo po ashtu ia zgjati dorën… Kraja bëri përpjekje të formulonte ndonjë ftesë, ndonjë shtyrje të këtij çerektakimi, por koha ishte kundër tij.
-Shkoi vonë, – tha ajo. – Duhet të hidhem një vrap edhe në studio.
Por në çast u pendua që po e përcillte disi vakët. Dhe ajo dhënie dore, sikur sapo mbaroi ndonjë mbledhje…
Në të vërtetë, kishte nevojë për një pauzë. Po shkonte pak larg, ndoshta qe herët. Duhej të mendohej. S’kishte pasur rastin të bënte as ndonjë kërkim në adresat e tij në rrjete; nuk mund ta shuante dot kureshtjen gjatë rrugës.
-Ti do kthehesh në Krujë?
-Te gjyshërit; siç të thashë.
-Do më flasësh?
-Po.
-Thuaj edhe ndonjë gjë tjetër!
-Nesër jam këtu…
-Kjo po që peshon, – qeshi ajo.
Dhe u afrua. Përqafimi ishte më mirë se dhënia e dorës. Ai po kërkonte një taksi, por kokën e mbante këtej. Idlira Mati e ndoqi me sy gjatë. Mbase mund të kishin pirë një tjetër kafe. Ashtu ishte fjala. Mbase jo, pse duhej të dukej si e përgjëruar për dikë? E megjithatë, qortoi veten, kjo është njëlloj hipokrizie. Ti je gati të qash për atë.
Kraja e kishte gjetur taksinë. Ajo i dha një përshëndetje të fundit me dorë. Vetëm dhjetë minuta në studio, nëpër zyra, erdha unë, bredhin e kishte rrëzuar era, por u ngrit sërish, Treshi është në festë, materiali gati, teksti nesër… dhe i hipi makinës së vet e duke gëlltitur me shumë vullnet trazimet dhe zhurmat e trafikut, mbërriti në shtëpi. U mbyll në dhomën e saj dhe filloi lundrimin në internet.
Ja ku qenka ‘i turpshmi’ që po ia merrte mendjen. Gjithë ai portret pa ndonjë kujdesje të madhe për veten; por të jepte përshtypjen se qe në një qetësi e në një paqe me gjithçka. Çiltërsia dhe buzëqeshja zotëronin në të gjitha fotot. Dhe ato ishin pak. Nga ç’po shikonte në rrjete, ai nuk ishte fort aktiv; ajo e kishte parandjerë këtë. Një foto me të motrën dhe burrin e saj. Një tjetër me beben e tyre. Ai e mbante atë në duar me një dhembshuri që ishte sa për njëqind fjalë. Një tjetër me kolegë, diku në një mal, kështu dukej, ku bëhej ski…
-Edlira, darka!
Tani ai është te gjyshërit. Por unë mund t’i flas. A thua fle sonte?
“Mati,” i tha ajo vetes, “ti shkallove…”