KreuLetërsiBibliotekëValbona Quku: tashma jena harrue

Valbona Quku: tashma jena harrue

1

Rrugët e kthimit janë të ambla,
të gjata, pa kufi,
mbushë me pellgje,
ku pasqyrohet e largëta fmini…
Rrugët e kthimit janë të gjata,
shtrue me gjethe si ar,
shtigje me lule vocrrake;
ndalesh e ndien aromën e nanës.
Rrugët e kthimit nëpër shi,
çadrën nuk e hap;
mallin ma shuejnë piklat në ftyrë,
në duer, në flokë, në qafë.
Rrugët e kthimit, krejt t’ngadalta,
t’ mbushuna me melankoli;
sipër nji pishe, Ylli Polar
ma ndriçon rrugën për në shpi.
N’rrugët e kthimit ngatërrohem;
n’vegim shoh at çka due.
Padashje në andrra kaplohem;
atje diku gjej unë sytë e tu…

2

Ajo iku.
Hija e saj mbeti
si njollë e verdhë
nëpër gjethet
e hostelit të vjetër.
Ajo mori arratinë,
mos me vra
dashunitë e qytetit,
mbushë me andërrimtarë të pandreqshëm.
Ajo fluturoi.
Mijëra molekula ngjyrë vjeshte
fluturuen bashkë me të,
para se me u ba dimën.
Hana, inekzistente,
ngroh mbramjen.
Nji yll i vetëm
shkëlqen në vendin e saj.

3

Personalitet katror,
katër faqe krejt të njillojta.
Krejt drejt, pa asnji devijim;
drejt, drejt,
pa asnji iluzion n’vazhdim.
Preferenciale miqësia,
teoremën e Pitagorës
n’suaz e mban vetmija;
trazohet kandshëm qenësia.
Katror i vërtetë,
roje flijimesh,
perëndimesh kuq mbulueme;
roje e virtytshme,
nji vepre arti gjunjëzueme.
Personalitet katror,
me mendime të përthyme,
rregulla të harkueme,
shikime të pasqyrueme,
mbrapsht.
Me drithje, përplasje,
që vetëm katrori
ia din ekzistencën,
thellë, thellë,
në të tijen koshiencë.

4

Ishte nji “Jo” minimalist, modern, pa shpjegime.
“Jo” i ftohtë, i ngrimë akull,
që mundet me u ba njëqind copash
para se me u përkul.
“Jo” i lehtë në dukje,
i randë në të vërtetën e tij;
krejt si gur ka zanë vend
diku nën zemër.
“Jo” i arsyeshëm,
që mendtë i ka humb rrugës.
Nji mëni e bukur, me sy gri kallkan,
si oqeani i ngrimë i Veriut
në nji ditë dimni.
Nji “Jo” plus dyqind mijë vjet:
nji akullnajë me peshë të randë specifike,
që zhvendos, shtyp, shkatërron
çdo gja që i del para.
Dimnit i ka ardhë koha me lëshue rrugë.
Metamorfozë trungjesh,
sfond i kuqërremtë gonxhesh në kujtesë.
“Jo” i mbytun në marramendje,
me xixëllime elektrizuese.
Duhet të jetë ekuinoksi pranveror…

5

Më mungon,
ah, sa më mungon
shkëlqimi i syve tuej blu,
me nji nuancë të veçantë,
aktive veç në praninë teme.
Më mungojnë
bisedat tueja pa fund.
Gjysma e horizontit ka ikë,
asht shue bashkë me ty.
Lutem me tanë forcën e qenies,
edhe pse zani em nuk di
deri ku ka me mbërritë.
Kam nevojë me të pa
vetëm nji herë;
me të pa në andërr,
edhe pa folë,
se na dina me u kuptue
në heshtje,
vetëm me nji dridhërimë qerpiku,
me nji buzëqeshje minimale në buzë,
me dy rrudha të vogla në ballë,
që vetëm unë di me i lexue.
Sa fort më dhemb mungesa jote,
njisoj si ditën që ti ike.
Por unë e di tashma,
e kam kuptue:
kjo dhimbje që m’ke lanë
asht testamenti pa firmë,
me të cilin m’ke bekue…

6

Xhaketa e vjetër,
me ngjyra vjeshtuke,
gjethet e rëna,
pikat e para të shiut,
kishte ndër xhepa.
Miqësitë e hedhuna,
fjalët e lana përgjysmë,
perëndimet e djeguna,
premtimet e harrueme,
si shall i rrinin mbi supe.
Sot zgjodha xhaketën e vjetër.
Aromat e verës së kalueme,
shijet e puthjeve nën hanë,
në brigje t’vetmueme,
mbarte me vete.
Xhaketën e vjetër
ia vesha nji shpirti
të zhveshun,
për jetë të heshtun,
xhaketën e tretun.
Eci.
Krahësh xhaketa
randojnë stinët e vjetra.
Zemra më ngrohet.
E shtrenjta ime,
e vetmja
rojtarja e dashnive,
xhaketa.

7

Tashma jena harrue.
Lule kanë mbi,
nga afshi
i asaj që ishte dikur…

8

Dikujt i rrëshqasin lule prej shpirtit.
Kur i merren kambët,
bjen ndër erna t’kandshme,
dehet
e harron dhimbjen.
Dikujt
i rrëshqasin gjarpnij prej gjithkah.
Kur i merren kambët,
bjen ndër zvarranikë të pangopun.
Fryma i merret
prej gjarpnijve që luftojnë,
e kështu edhe ky
e harron dhimbjen,
me sy të zgurdulluem.
Sa mirë asht
me kenë i dehun
kajherë…

9

Valët,
ashtu si jetët e njerëzve,
lindin,
jetojnë.
Disa ma të mëdhaja,
disa ma të vogla.
Ma të shkurta,
ma të gjata.
Udhëhiqen
nga rryma të panjoftuna,
e në fund
kthehen ambëlsisht
në amën e tyne:
në det,
në tokë,
në hapësinë.
E çdo gja
fillon
nga e para.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË