More
    KreuHistoriUran Butka: Një letër e pazakontë e Mid’hat Frashërit

    Uran Butka: Një letër e pazakontë e Mid’hat Frashërit

    Në letrën që Mid’hat Frashëri i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Pandeli Evangjelit, me 21 janar 1924, lexuesi do të gjejë përpjekjen e diplomatit të shquar shqiptar Frashëri, ambasador i Shqipërisë në Greqi ( 1923-1926) për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin grek, si edhe për ndalimin të shkëmbimit e paligjshëm të popullsisë myslimane shqiptare (çame dhe jo çame) të Greqisë  me kolonë (refugjatë) grekë të ardhur nga Turqia, shpronësimin e grabitjen e pasurive te tyre te tundshme e të patundshme të shqiptarëve dhe largimin me dhunë policore apo me mashtrime nga trojet e tyre për në Turqi.

    Për ta parandaluar këtë shkëmbim tragjik të shqiptarëve, në shkelje flagrante edhe të  traktatit të  Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë për shkëmbin të popullsive mes tyre, i cili i përjashtonte shqiptarët (firmosur në Lozanë edhe nga Venizelos), Mid’hati vepron fuqimisht pranë çdo qeverie greke, u dërgon nota, shpjegime, kritika dhe bën takime me gjithë politikanet dhe kryeministrat e Greqisë, mban lidhje, mban ligjërata e protesta në kancelaritë evropiane dhe në Lidhjen e Kombeve,  kritikon qeveritë shqiptare për një reagim te pamjaftueshëm, deri sa arrin me në fund ta ndalojë shkëmbimin, që s’ishte tjetër veçse një spastrim etnik, pas mijëra e mijëra shpërnguljeve te shqiptareve nga Çamëria dhe Kosturi, Follorina, Konica etj

    Në këtë përpjekje bën pjesë edhe takimi e biseda me kryeministrin Venizelos në fillim të vitit 1924, me të cilin kishte pasur përballje në mbrojtje të vazhdueshme të çështjes shqiptare në Greqi dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, sidomos për kufijtë, për pretendimet e politikës greke mbi të ashtuquajturin Vorio Epir, kryesisht për Korçën, Gjirokastrën e Himarën, si edhe për njohjen e te drejtave te munguara  te shqiptarëve në Greqi, për  jetën, pronën, gjuhën, shkollimin, dokumentacionin e munguar, votën, fenë etj.

    Në bisedën me kryeministrin grek, Venizelosi  pranon me sinqeritet xhentëlmenësh: “Qeshë i shtrënguar të mbroj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj ishte më e vërteta dhe unë përulem para jush”.

    Ai dhe Mid’hati dakortësojnë tashmë për marrëdhënie miqësore dhe ekonomike të ndërsjellëta, për bashkëpunim. Kjo është e rëndësishme. Por kur vjen puna tek thembra e Akilit, te shkëmbimi i popullsive greko-turke, ku politika greke ka  përfshirë enkas edhe shqiptarët, Venizelo vihet në siklet dhe e largon problemin nga vetja.

    Diplomati ynë i bën mjeshtërisht portretin politikanit Venizelo:

         “Me gjithë fjalët e ëmbla, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dola nga kjo pjekje me konviktimin se Venizelua ka vendosur të mohojë angazhementet që ka marrë dhe se do të kërkojë me çdo mënyrë që të shpëtojë prej shqiptarëvet, duke i përzënë dhe duke i grabitur pasuninë.

    Insistova që të dëgjonj nga goja e tij ç’kupton prej fjalës shqiptar. Vetëm një gjë mora vesh: insistimi im e mërziste… Më duket se z. Venizelo nuk do të jetë më pak grek se grekët e tjerë”.


    Legata e Shqipërisë [1]

    Athinë, më  21 janar 1924

    Nr. 89

    Shkurtim: Mbi pjekjen me z. Venizelo [2]

    Zoti Ministër,[3]

    Do të kini marrë dy copat e gazetës royaliste “Xëpa” 16 dhe 17 ct., ku është botuar një pjekja ime e imarhinuar me Venizelon dhe përgënjeshtimi që dhashë unë.

    Mbrëmjen e 17 ct, poqa për herën e parë z. Venizelo në një soiree në Legatë të Francës.

    Pardje i kërkova një pjekje dhe më caktoi për sot 12.10 më drekë.

    I bëra urimet e mia dhe i rrëfeva shpresën që ardhja e tij në fuqi do të lithnjë edhe një herë marrëdhaniet e mira të filluara midis dy shteteve.

    Do të përpiqem të raportonj përgjigjen e tij.

    – Munt të jini sigur se ne mua do të gjeni njerinë më të konviktuar për kolaborim të mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Qeshë i shtrënguar të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj qe më e vërteta dhe unë përulem para jush. Puna e kufinjvet u nda. Tani të kemi marrëdhënie miqësore, regata ekonomike. Dhe me qenë se kemi që të dy palët do elementë grekë dhe shqiptarë në kufit tona, të përpiqemi t’u sigurojmë të drejtat sipas parimeve të njerëzisë dhe të engazhementavet të minoritetevet.

    Në fjalët e tij z. Venizelo foli dhe për afërinë midis dy racave, për kolaborimin[4] historik dhe më kujtoi se një herë në qeveri të tij kishte pasur pesë ministra shqiptarë: Repulis, Miaulis, Kunduriotis, Danglis edhe s’e di kë tjetër.

    Fjala, duke ardhur në relatat e mira midis dy shtetevet, i thashë se jemi si dy vëllezër që janë zënë për trashëgimin gjersa ta ndajnë: po tani që trashëgimi u nda dhe nuk gjendet ndonjë shkak për zihje, duhet kolaborim dhe shkuarje të mirë.

    Edhe fjalën e solla në nevojën e çështjes të shqiptarëvet myslimanë (shkëmbimit –red).

    Këtu Venizelua sikur u mërzit pakë.

    – Unë në Lausanne, tha, dhashë fjalën për këtë punë. Po s’e dinja që është kaq e komplikuar. Pardje mësova se duhet të dimë më parë se cilët janë shqiptarët?

    Bisedimi mbajti afro ½ orë. I dhashë shpjegime. Po Venizelua u pendua që hyri në diskurcion; dhe iu retranshua prapë kësaj përgjigjeje: “Do kuvenduar me Ministrin e Punëvet të Jashtme, ne qenë se ay është kompetent, po nga ana ime munt të jini sigur se do të rrëfejmë dispozitat më të mira dhe më miqësore”.

    I hapa çështjen e teqeve bektashi në Greqi; kuvënduam, po edhe për atë refuzoi të më japë një përgjigje, duke e lënë që do biseduar me Ministrin e Punëvet të Jashtme.

    Këtu mbyllur po të dërgonj komunikatën zyrtare, që u dha prej kryeministrisë për pjekjen time.

    Me gjithë fjalët e ëmbla të kësaj komunikate, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dola nga kjo pjekje me konviktimin se Venizelua ka vendosur të mohojë angazhementet që ka marrë dhe se do të kërkojë me çdo mënyrë që të shpëtojë prej shqipëtarëvet, duke i përzënë dhe duke i grabitur pasuninë.

    Insistova që të dëgjonj nga goja e tij ç’kupton prej fjalës shqiptar. Vetëm një gjë mora vesh: insistimi im e mërziste.

    Me Ministrin e Punëvet të Jashtme z. Roussos, pasnesër 23 ct., kam pjekje.

    Një ditë në fjalë e sipër me z. de Marcilly, Ministri i Francës, më tha këto fjalë: Grekët e dinë mirë cilët janë turq dhe cilët janë shqiptarë. Po duan që të grabitin pasuninë e shqiptarëvet. Pandaj duan edhe t’i përzenë.

    Më duket se z. Venizelo nuk do të jetë më pak grek se grekët e tjerë.

    Pritni, ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mija me nderime.

    Mid’hat Frashëri

    Shkëlqesës së Tij

    Zotit Ministër të Punëvet të Jashtme

    Tiranë


    [1]  Arkivi Historik i Ministrisë së Jashtme, Dosja 79, viti 1924. Dorëshkrim (red).

    [2]  Venizelos, kryeministër i Greqisë (red)

    [3]  Pandeli Evangjeli (red)

    [4]  Bashkëpunim (red)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË