More
    KreuOpinionUran Butka: Në vitet nëntëdhjetë

    Uran Butka: Në vitet nëntëdhjetë

    Një yshtje e brendshme, por edhe një shtjellë e jashtme, e pandalshme, i shtynte njerëzit për në Qytetin Studenti, si në një pelegrinazh të Mekës. Nga të gjitha rrugicat e Tiranës derdheshin përrenj njerëzish, që mbushnin me prurjet e tyre jo vetëm sheshin në mes të godinave, por edhe djerrinat rrethe qark, ledhet, rrugët, mjediset, fushat sportive, lokalet.

    Sapo kthehej nga puna, Ylberi hante një kafshatë bukë thuajse më këmbë dhe nisej për atje. Por orarin e punës nuk e thyente. Kishte hequr të zitë e ullirit për ta zënë atë vend dhe e mbante ngaqë ishte qen i punës. Në të vërtetë, qe punë e rëndë ajo e mekanikut, por ai e kishte për zemër. Duart i kishte të arta. Kështu thoshin për të, por në ofiçinë nuk e qasnin, as shkollën e lartë nuk ia lejonin. E dërgonin vetëm atje ku kishte  defekte te traktorët dhe makinat e tjera bujqësore. Kësisoj kaluan vitet. Vetëm kur defektet shtuan, sepse ishin vjetëruar makineritë dhe s’kishte të reja,  e tërhoqën në ofiçinë. Atje punonte kokulur e pa fjalë. U bë mjeshtër i mbaruar. Në një zikzak, kur lufta e klasave u zbut, ia dhanë të drejtën e studimit për inxhinieri mekanike, natyrisht natën. Në fund të vitit të tretë, kur lufta klasore përsëri u acarua, e përjashtuan nga universiteti për njolla në biograf, por nga puna nuk e hoqën. “Është njeri punëtor dhe kokulur. Na duhet. Në fund të fundit, me hekurishte merret…”

    Në kohën e lirë, sidomos natën, lexonte çdo libër të mirë që botohej atëbotë, veçanërisht literaturë të huaj të lejuar. I pëlqenin më tepër librat historikë, që e bënin të meditonte përtej kohës.

    Kur nisi Lëvizja studentore e Dhjetorit, ai ia njohu vetes lirinë e pashpallur që, pas orarit të punës, të shkonte atje. Lahej nga njollat e grasos e të ndryshkut dhe fluturonte për në qytetin “Studenti”. E ndiente veten te lehtë shpirtërisht dhe mezi priste të bashkohej me protestën e studentëve e të qytetarëve. Kjo gjë i jepte një gëzim të paprovuar më parë. Ndoshta, ngaqë kishte qenë i mbyllur dhe ngaqë turma e shumëfishonte. Në rrjedhën e saj e ndiente veten tjetërsoj: e para herë që bisedonte me zë të lartë, shfaqte mendimet hapur, shfrente lirisht ndjesitë e fshehura, i jepte zemër vetes dhe ia shtypte frikën.

    Një ditë ai dalloi ndërmjet oratorëve që flisnin në shesh, edhe profesorin L. I erdhi edhe mirë, por edhe i dogëndisi. Diçka e pavetëdijshme dhe e turbullt  lëvizi brenda tij. Çfarë sjell koha!- mendoi i çmeritur.

    Profesori ishte mesoburrë, shtatmesatar, flokëkuq, fytyrëhequr, mbante syze të trasha dhe një çantë nën sqetull. Bir i një ishprokurori, që ia kish dënuar babanë me pushkatim. “Sikur ka nxjerrë nga hundët”, e ngjasoi të birin me të atin.

    Sheshi që ziente, ia davariti mendimet. Pasi foli një student i Dhjetorit, që i ngazëlloi të gjithë, e mori fjalën profesori. E lëvizte herëpashere kokën anash si një epileptik dhe ndreqte me dorë syzet e trasha, që i rrëshqisnin mbi hundën me samar. Në fillim iu mor pak goja dhe Ylberi mendoi se kjo i vinte ngaqë s’i kishte idetë të kthjellëta. “E ç’mund të flasë ai për këtë kohë, kur i përket një kohe krejt tjetër!”, mendoi. Por profesori e mori veten dhe nisi të fliste lirshëm. Ai thoshte se shteti monist duhej ndryshuar para se ajo ngrehinë e vjetër dhe e frikshme t’i zinte brenda, se i duhej hapur rruga pluralizmit dhe demokracisë së munguar, se vendi duhej të kthehej nga perëndimi dhe të bëhej si gjithë Evropa… Fjalët i rridhnin lirisht dhe gjenin jehonë tek njerëzit, por Ylberin nuk e preknin, nga që i thoshte pikërisht profesori. Përkundrazi, i dukeshin të stisura, fasadë. Kishte lexuar disa ditë më parë për vendimet e Katovicës dhe dyshoi se edhe profesor mund të ishte një nga ata. Mirëpo, profesori po fliste hapur dhe, çuditërisht, pak nga pak preku edhe telat e zemrës së Ylberit : “Unë që ju flas juve, jam një intelektual, nëse mund të quhem i tillë, një i privilegjuar i

    këtij regjimi, në të cilin s’më ka munguar asgjë, përveç lirisë dhe dinjitetit për të qenë njeri”.

    Ylberi s’kish dëgjuar gjer atëherë të fliste njeri kështu. Kaq hapur dhe përdëllyes. U befasua. “Çudi, tha me vete, edhe ai nuk dashka regjimin, ndonëse pjesëz e tij! E dinte mirëfilli se intelektualët keqpërdoreshin, madje ishte shpallur botërisht që ata ishin vegla të partisë, ndihmësit e saj, me apo pa dëshirë. Në cilën kategori hynte profesori? Me siguri tek të dytët, mendoi. Te antikonformistët. Intelektualët e vërtetë nuk mund të jenë pajtues, në asnjë kohë.

    Nisi të debatonte me veten dhe të shkundej nga paragjykimet.

    Po ai vetë ç’po bënte? Ishte matur disa herë të merrte mikrofonin dhe të fliste, të çlirohej, por druhej, sikur të kishte ende ndjesinë e vetëkontrollit të dikurshëm. Drojtja i ishte bërë natyrë e dytë. S’kishte folur ndonjëherë publikisht. Veç kësaj, ai ishte falëpakë dhe njeri i punës, jo i fjalës, ndaj zgjodhi punën e padukur me njerëzit. Për këtë, takoi disa nga krerët e lëvizjes dhe vuri re se ishte në një valë me ta, por një hap përpara lidhur me kërkesat e tyre, më radikal. Kishte ardhur koha për ndryshim rrënjësor. Iu vu punës furishëm. Qëllonte shpesh që të ndodhej në një mbledhje edhe me profesorin dhe të dëgjonte mendimet e tij. Hap pas hapi bindej gjithnjë e më shumë se ai ishte i mirinformuar për çka ndodhte në vendet e tjera të Lindjes dhe se ishte i kthjellët në vetvete për çka do të bëhej. Qëllonte që edhe të përplaseshin. Një herë, tek bisedonin për burimet njerëzore të Lëvizjes, Ylberi tha se një nga pikat kryesore të programit duhej të ishte integrimi i të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, që pritej të liroheshin.

    – Duhet bërë kujdes ngaqë një pjesë e tyre janë bejlerët, agallarët e borgjezët e dikurshëm apo bijtë e tyre të ngjashëm, gjë që mund ta komprometojë lëvizjen tonë, – tha profesori.

    Ylberi u vetëpërmbajt që të mos shpërthente.

    – Ata janë opozitarët dhe demokratët e parë të këtij vendi, – tha qetësisht.

    – Gjithsesi, janë dënuar nga historia, – këmbënguli profesori.

    – Nga një regjim diktatorial, – mori zjarr Ylberi.

    – Më parë ata duhet të marrin pafajësinë, pastaj…

    Ylberi heshti një hop.

    – Po të shkojmë me logjikën tënde, edhe ty të bie të mos jesh në këtë lëvizje.

    Profesori u bë lulëkuq, hoqi syzet dhe i pastroi xhamat rrathë-rrathë me një cohë të butë.

    Ylberi ndieu një angushti, madje edhe një lloj pendimi, për fjalët e fundit. “Ende s’jemi ndarë nga e shkuara”, mendoi hidhur. Por provoi edhe një flirt, se për herë të parë po ballafaqohej hapur, aq më tepër me profesorin e tij, kishte apo nuk kishte të drejtë. Nuk e kishte pasur atë liri dhe shans më parë.

    – Nuk flitet me ju… jini hakmarrës! – foli me mllef profesori dhe e mbylli.

    – Përkundrazi, ia ktheu tjetri.

    Kur studentët takuan Ramiz Alinë, Ylberi natyrisht nuk shkoi, ndonëse disa shokë të tij studentë e ftuan. “Ti je nga klasa punëtore”, i thanë. “Ke përparësi”. Nuk donte të prishte punë në atë takim delikat, ku mund të gjendeshin pretekste dhe të mos pranoheshin kërkesa e studentëve, sepse e njihte urrejtjen e verbër klasore  të presidentit për shtresën e tij. “Ja, do të thoshte ai, kë keni prurë ju këtu, një pinjoll të klasave të përmbysura, një reaksionar, të cilit ne i kemi pushkatuar me të drejtë babanë, por, ama, pa bukë nuk e kemi lënë. Mos doni të ringjallni partinë e Ballit!? Kurrën e kurrës nuk do ta lejojmë këtë gjë, edhe gjak do të derdhim, edhe bar do të hamë!”.

    Kështu mendonte Ylberi, sepse të tilla falë presidenti i kishte thënë ditë më parë me intelektualët e kryeqytetit. Gjithsesi, Ylberi debatoi paraprakisht me disa nga përfaqësuesit e studentëve, që ata të kërkonin pluralizëm politik dhe jo pluralizëm idesh apo organizatash partnere me PPSH, siç kërkonte presidenti.

    Dita më e bukur e tij, ishte kur u pranuan kërkesat e tyre dhe të nesërmen u formua Partia Demokatike. Qyteti studenti dhe kodrat rreth e qark ishin mbushur me studentë dhe qytetarë të Tiranës, që brohorisnin: “Liri-demokraci! E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Folën gjithë liderët e saj. Foli edhe profesori. “Bukur, foli ” –tha me vete Ylberi. Megjithatë, nuk i erdhi mirë, kur njëri prej tyre, tha: “Përshëndetja jonë e parë shkon për Presidentin Ramiz Alia…!

    “Është taktikë kjo, apo bindje? Këtë do ta shohim” – foli me vete Ylberi.

    Koha vraponte çmendurisht. Shpesh atij i takonte shpesh të kontaktonte me njerëzit bashkë me profesorin dhe vetvetiu ishin afruar, shkelnin në të njëjtën rrugë dhe përpiqeshin të gjenin pika të përbashkëta. Ajo që i bashkonte ishte më e fuqishme nga ajo që i kishte ndante. Ylberi nuk kishte më në shpirt asnjë hije urrejtjeje për profesorin, madje e quante pozitive e meritë, që profesori e kuptoi kohën dhe u bashkua me lëvizjen, duke e kapërcyer ndër të parët Rubikonin. Çdo berr varret nga këmbët e tij. Demokracia ka në fokus individin. Ajo është pjesëmarrje, por më shumë njerëzillëk, mendonte ai.

    Iu kujtuan  fjalët e babait, kur qe ende gjallë: “Ne shqiptarët jemi pak, kemi nevojë për njëri-tjetrin, duhet ta ndihmojmë dhe ta duam shoqi-shoqin”.

    Edhe profesori me Ylberin tashmë ishin bashkë, të dy përcillnin programin e të njëjtës force politike. Njëri punonte më tepër me intelektualët, tjetri më tepër me të përndjekurit politikë, që përbënin gati gjysmën e popullsisë. Gjithçka po ziente dhe, po të mos kishte ndonjë zgjidhje, do të shpërthente si lavë. Veçanërisht burgjet e mbushur plot e përplot. Ato kishin shpërthyer në ’79 dhe ‘81 në Spaç e në Qafë-Bari e jo më tani në ’90 -tën, gjë që ishte e pashmangshme.

    Ramiz Alia, pa ç’pa, më pas hapi valvolat e shkarkimit: dekretoi lirimin e të burgosurve politikë, të cilët u përfshinë menjëherë në lëvizjen demokratike. Ylberi bëri çmos që kjo rrjedhë e fuqishme të derdhej në shtratin e PD, gjë që ende e shqetësonte profesorin. Madje ai banonte në një nga vilat e Tiranës së Re, ish-pronë e një të burgosuri politik.

    Një mbrëmje Ylberi kishte ndodhur në një mbledhje të gjerë në kopshtin e asaj vile, nën hijen çlirtë të një pjergulle, ku ishin vendosur disa poltrona druri dhe në mes një trung i gjerë, në formën e një tavoline. Po ta gjykoje nga stili i vjetër dhe nga brerja e kohës, ato mund të ishin në një moshë me shtëpinë.

    Ylberi u mahnit nga bukuria e kopshtit me lule të kultivuara ngjyra-ngjyra dhe pemë me gjethnajë, ndonëse ishte dimër.

    Ndodheshin atje disa nga krerët e lëvizjes. Pasi u kryen diskutimet kryesore, tekefundit e kërkoi fjalën edhe Ylberi.

    – Profesor, dua t’iu bëj një pyetje…

    – Gjithnjë me pyetje ti, si të jesh ende student, qeshi profesori.

    – E bëj për veten time, për t’u bindur vetë, por edhe për të tjerët, që janë pas nesh. A do t’ia ktheni këtë shtëpi pronarëve të ligjshëm, që priten të dalin nga kampet e internimit?

    – Jo, – tha prerë ai.

    – Po pse?

    – Sepse janë kolaboracionistë dhe kolaboracionistëve nuk do t’ua kthejmë pronën.   

    -Unë  e  njoh mirë atë familje. Asnjë prej asaj familje nuk ka bashkëpunuar me pushtuesit. Misët e saj kanë qenë tregtarë, madje  e kanë ndihmuar luftën antifashiste. Pastaj, as kolaboracionizmi dhe as politika, s’ka të bëjë me pronën. Pra, a do t’jua kthesh shtëpinë ish-pronarëve?- këmbënguli Ylberi.

    – Jo.

    – Po pse?

    – Edhe sepse, çdo rregull ka një përjashtim, – tha qetë-qetë profesori. Unë kam bërë shpenzime në këtë pronë, edhe të tjerët si unë, gjithashtu. Kur të vijmë në pushtet, do të bëjmë një ligj, që, nëse pronarët e rinj kanë bërë më tepër se 50% shpenzime, u takon prona këtyre te fundit.

    – Kjo s’mund të ndodhë kurrë! – e ngriti zërin Ylberi. Do të ishte një grabitje tjetër, si 50 vjet më parë. Prona është e shenjtë dhe baza e çdo përparimi. Ju e dashki ndryshimin vetëm për vete.

    Profesorit i dokëndisi.

    – Ti, Ylber, je i çiltër, por i vrazhdë dhe intransigjent. S’je për politikan. Nuk mund të fillojmë një luftë tjetër.

    U bë një heshtje e gjatë.

    – T’i lëmë mënjanë sofizmat, – e theu heshtjen Ylberi. – Le t’i shohim gjërat njerëzisht. Do të kthehet pas pesëdhjetë vjetësh ish-pronari, që ka humbur gjithçka, tërë jetën dhe ti i thua që nuk ka më punë këtu, se kjo nuk është më shtëpia e tij, pra, shko mbytu më mirë ose futu përsëri në burg!

    – Unë s’i them as njërën as tjetrën. Sa për anën njerëzore, që thua ti, edhe mua më vjen keq, se demokrat jam. Për njerëzillëk, mund t’i ofroja të banonte në bodrumin e shtëpisë, se nuk ka hapësirë tjetër. Në krahasim me burgun apo me kampin e internimit, bodrumi do të ishte për atë një parajsë.

    Ylberit iu duk sikur jo vetëm falët, por edhe buzët e tij morën formën e një përbuzjeje. U ngrit menjëherë, sikur ta kish zënë zekthi dhe u largua me hapa të rëndë.

    Pas shpinës së tij, u bë një debat i nxehtë. “U bëra shkak unë”- tha me vete.

    Rrugës mendoi i trazuar që të largohej nga Lëvizja, që e kishte aq për zemër. Dhe e kapi trishtimi. Gjithë natën nuk e zuri gjumi. Më në fund i dha karar: “Po të iki unë, po të ikin edhe të tjerët, do të fitojnë terren neokomunistët. Nuk duhet”.

    Që nga ajo kohë i qëndronin ftohtë njëri-tjetrit. Flisnin sa për sy e faqe dhe i shmangeshin fërkimit.  Mirëpo u gjendën përsëri pranë e pranë në grevën e urisë së studentëve. Profesori e mbështeti fort grevën. Madje dha edhe një intervistë tek “Zëri i Amerikës”, që i entuziazmoi studentët dhe qytetarët.

    Ylberi mendoi se ndoshta profesori kishte reflektuar, sepse njeriu gabon, por edhe ndryshon, mirësohet. Gjatë ditës, studentët e tjerë, që kishin braktisur leksionet dhe qytetarët dyndeshin rreth godinës ku bëhej greva e urisë dhe qëndronin aty në mbështetje të kërkesës studentore për të hequr  emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Nga dritaret e katit të dytë dukeshin kokat e lidhura dhe fytyrat serioze të të ngujuarve. Nga një altoparlant dilte e përhapej anembanë fryma e tyre. Mbrëmjeve dhe gjatë gjithë atyre netëve të acarta, qëndronte pranë tyre një grup i madh demokratësh për t’i mbrojtur, në rast se policia do të mësynte që t’i nxirrte forcërisht jashtë. Midis tyre ishte edhe Ylberi. Ai ishte i shqetësuar për shëndetin e tyre dhe s’e zinte vendi. “Përse presidenti i vuri altarit të studentëve emrin e qoftëlargut? – pyeste veten Ylberi.- Për ta përjetësuar atë apo për të na provokuar e gjunjëzuar ne? Mos ishte shpallje e vazhdimësisë? Apo ndërkryerje përpara mbarimit?”

    Ditën e fundit mjaft nga grevistët ishin të shtrirë, të përhumbur e të sëmurë, megjithëse nga altoparlanti kryetari i grevës njoftonte se gjendja ishte e mirë dhe greva do të vazhdonte gjer në flijim. Më pas erdhi urgjenca mjekësore dhe mori me barela dy studentë pa ndjenja. Shqetësimi arriti kulmin.

    Ylberi ndjeu nevojën që të bërtiste. Mori për herë të parë mikrofonin. Zëri i dilte i plotë, i fuqishëm dhe kjo i dha zemër. Nuk e kishte menduar që mund të fliste aq rrjedhshëm dhe me aq ndjenjë. Ai iu drejtua pyllit të njerëzve që lëviznin duart si degë me dy bigat lart dhe i pyeti nëse do të lejonin të flijoheshin bijtë e tyre  në këmbët e një idhulli monstër e të vdekur? 

    Mandej mikrofoni kaloi dorë më dorë. U bë si në një kuvend dhe u vendos: jo të flijoheshin studentët për të ringjallur diktatorin, po diktatori të flijohej për të ringjallur studentët. Rrjedha e furishme njerëzore, si një lumë i rrëmbyer, u lëshua tëposhtë dhe doli në rrugën e Elbasanit në formën e një delte. Policia u mundua ta ndalonte, por s’kish më të frikshëm e më të pandalshëm se një lumë që del nga shtrati pas shkrirjes së akujve gjysmëshekullorë. Rrjedha u derdh në sheshin Skënderbeg dhe rrethoi valë-valë shtatoren vigane. Njerëzit dukeshin si miza përpara saj. Vetëm piedestali ngrihej disa metra mbi kokat e tyre. Mbi të, statuja e bronzët zotëronte tërë sheshin, e plotfuqishme dhe e qëndrueshme, madje para saj edhe përmendorja e Skënderbeut mbi kalë dukej e vogël, kalimtare. Disa të rinj hipën mbi njëri-tjetrin deri në piedestal. Por kjo s’do të thoshte gjë. Lindi nevoja për një shkallë e për një litar. Ylberi vrapoi te shtëpitë e vjetra tiranase aty afër dhe tok me banorët i prunë sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Ndërkohë mësyu policia e ushtria me skafandra dhe me qen. Qëllonin me armë zjarri në ajër, godisnin me shkopinj dhe ndërsenin qentë drejt turmës, që kish qarkuar shtatoren. Ylberi vuri këmbën në shkallë dhe nisi të ngjitej. Disa klithnin: zbrit, se do të të vrasin! Të tjerët vikasnin: ngjitu shpejt, ngjitu! Të mbajmë ne! Ylberi vazhdonte të ngjitej duke tërhequr një litar, që e pengonte disi. “Më e ndyra nga të gjitha ndjesitë është të kesh frikë”, i dha kurajo vetes Ylberi. “Mund edhe të më qëllojnë, po kjo nuk ndryshon gjë.” I dha forcë krahëve dhe u ngjit në majë të shkallës. I rrëzoi sytë poshtë dhe pa se gjindja po përleshej

    me ushtrinë. Ishte një betejë e vërtetë. Ushtarët po tërhiqeshin. Më në fund, po e vrasim frikën, mendoi dhe ndjeu një gëzim të madh. E lidhi kavon për brezi dhe nisi t’i kacavirrej shtatores së ftohtë akull. Vështirësia ishte se nuk e pushtonte dot, por kapej herë te gjunjët, herë te njëri krah, mandej tek tjetri, gjersa arriti të cekte supet. Puna me hekurat ia kishte forcuar vullnetin dhe muskujt. E kaloi kalaqafë litarin mbi supet e shtatores. Një brohoritje, si një gjëmim, e trandi sheshin.

    – Zbrit shpejt! – i thirrën. – Po vijnë përsëri!

    Forca të mëdha ushtarake, mbështetur nga autoblindat, rrethuan sheshin, po u ndalën nga breshëria e gurëve dhe rrasave, që qytetarët kishin shkulur nga bazamenti i shtatores. Të zihej fryma nga gazi lotsjellës dhe tymi i barotit. Ylberi u kap pas litarit dhe rrëshqiti poshtë si një vetëtimë. Dhjetëra duar u zgjatën drejt skajit të kavos dhe e tërhoqën me tërsëllëmë. Shtatorja u lëkund disa herë, por qëndroi sërish në vend. Mandej, e tërhoqën nga ana tjetër. Ajo u hepua ngadalë gjersa ra përdhe me rropamë të madhe. Tirrma gëzimi, përqafime. Madje, edhe disa ushtarë i hodhën skafandrat dhe u përqafuan me demonstruesit. Mandej u mblodhën rreth e qark statujës së rrëzuar me fytyrë përdhe.

    – Ta çojmë tek studentët e ngujuar!- tha zëhovshëm Ylberi. Fytyra e tij gjithë zhubra, ishte tendosur.

    – Prisni, prisni një minutë!” – thirri një djalosh me flokë të përhimta. Zbërtheu pantallonat dhe derdhi curril ujët e hollë mbi kokën e diktatorit. “Tërë jetën na ka pshurrur ”- tha dhe u shkund mirë e mirë, gjersa e kulloi edhe pikën e fundit. Disa mbyllën sytë, të tjerët u gajasën, dikush tha: “Mjaft me këto skena, s’na kanë hije neve!”

    Ylberi doli nga rrethi dhe ndezi një cigare. “Ty po të prisnim!”, i tha një i panjohur. “Eja me ne”. Ylberi ktheu kokën andej. Tjetri e goditi me diçka të fortë në kokë dhe e rrëzoi. Nisën ta tërhiqnin zvarrë dhe ta qëllonin me shqelma. I kruspullosur reagonte, pa mundur të shkëputej. Dikush nga turma e pa dhe lebetiti. Njerëzit u turrën dhe arritën ta mbanin përpara se ata ta hipnin në një makinë. U bë një përleshje e shkurtër dhe ata ikën. Ylberit i rridhte gjak nga hundët. Ishte pa ndjenja. “Ta çojmë në spital.” “Jo, jo! Është njëlloj sikur ta dorëzojmë në polici.” “Atëherë, më mirë te shtëpia e Cen Kazazit. Pastaj shohim e bëjmë.”

    Pak më tutje, pjesa tjetër e njerëzve përcillte shtatoren e rrëzuar për në qytetin Studenti. Një kamion e tërhiqte zvarrë të lidhur pas kavos së trashë. Shtatorja, bosh nga brenda, bënte zhurmë gërryese, brambulluese. Shoferi, një djalë i ri me mustaqe nxirrte kokën nga kabina dhe thërriste: “Hapuni, hapuni, se ky mund t’ju marrë me vete!”. “Pse zvarrë?”, tha një grua. Ne nuk zvarrisim njeri”. “Po këtë s’e mban dot një korracë, jo më kjo kamionçinë, moj motër!”, iu gjegj shoferi. Disa të rinj kishin kalëruar mbi shtatore dhe, për çudinë e të gjithëve, as nuk mbaheshin, as nuk rrëzoheshin. “Ky është fundi i çdo diktatori!” – tha një i çmendur apo që e mbanin për të çmendur dhe që s’mungonte në ngjarje të rrëmujshme.

    * * *

    Ylberi e preku erën e Perëndimit, kur erdhi Bejkeri në Tiranë. Ishte rrëzuar diktatori Enver Hoxha, por enverizmi mbetej ende i fuqishëm, madje më i rrezikshëm, sepse ishte  plagosur. Po të ngrihej nga rënojat e shtatores se tij të rrëzuar një diktator tjetër, Alia, i paraqitur herë si despot dhe herë si liberal, sipas momenteve të lëvizjes. Situata ishte e pasigurt dhe e brishtë. Ardhja e Sekretarit të shtetit Bejker dhe pritja e tij e paparë, madhështore, entusiaste e mbi 100.000 qytetarëve të Tiranës, që sillte mbështetjen e hapur liridashëse të SHBA nëpërmjet fjalës së Bejkerit: “Liria po funksionon!”, i dha forcën dhe besimin Ylberit tek fitorja. Përsëri Amerika, ndërmendi ai. Si gjithmonë. Edhe më 1919 me presidentin Wilson. I kujtua i ati, që ishte dënuar me vdekje si idhtar i Amerikës. Me ty jam, tha me vete Ylberi.

    Më pas ra edhe shteti monist. Në zgjedhjet e marsit 1992 fituan demokratët. Kandidat për deputet në një zonë elektorale ishte edhe profesori. Ai i kërkoi Ylberit që ta ndihmonte në fushatën e tij, sidomos në një lagje ku kishte mjaft të përndjekur politikë. “Unë jam në një shtab tjetër pune, po do të shkëputem  dhe do të vij për disa ditë”, i tha Ylberi. Dhe ashtu bëri. Profesori fitoi në zgjedhje, siç ftuan edhe  demokratët e tjerë.

    Një ditë, profesori e ftoi për një kafe në zyrën e tij në parlament dhe e falënderoi për ndihmën.

    – As mos e zërë në gojë, – ia ktheu Ylberi.

    – Në atë lagje votuan gati të gjithë për mua, – tha profesori.

    – Votuan për ndryshimin, – tha Ylberi.

    U bë një heshtje. Dëgjohej vetëm rrufitja e kafeve.

    – Ç’ke ndërmend të bësh?- e pyeti papritur profesori.

    – Do të hap një aktivitet privat për ndreqje makinash. Ti e di pasionin tim të hershëm për hekurat.

    – Përse nuk vjen këtu në parlament? Ti meriton më shumë se aq, por… fatkeqësisht nuk ke shkollë. Këtu kemi nevojë vetëm për shoferë. Mund te jesh edhe shoferi im, po të duash. Do të jesh i privilegjuar, do të kesh edhe një rrogë relativisht të mirë.

    Ylberi u ngrit rrëmbimthi, si atë ditë në bahçen e vilës. Iu kujtua ai çast që e kishte bërë të vuante dhe i erdhi keq që po përsëritej. Iu kujtuan edhe fjalët që i tha atëherë profesorit. Ndoshta i meriton ato fjalë edhe tani, – mendoi Ylberi.

    Gjithsesi, këtë herë shqetësimin e kishte gjetkë, jo për veten.

    Doli nga ajo zyrë luksoze pa ia dhënë dorën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË