More
    KreuLetërsiBibliotekë"Transkript nga krevati tjetër", poezi nga Ervin Hatibi

    “Transkript nga krevati tjetër”, poezi nga Ervin Hatibi

    #

    Ngjitur pas metali me epsh
    Shtriqet kapitali derdhur
    Puthitur për gardhi aq fort
    E asnjë luspë s’cek jashtë
    Punë me aq art ta harrosh
    Funksionin e vet fillestar
    Ku ka gardh ka veç natë
    Brenda jashtë e ndërmjet
    Një gardh prej çeliku thurur
    Nga Mastromikeli vetë
    Kaq bukur thurur e askush
    Të mos ndihet më dot hajdut
    Jashtë e sidomos brenda
    Kurora me flatra gjemba
    Gërsheta prej virgjëreshash
    Degë më degë kangjellash
    Gishtërinj vrima flautesh
    Sy faunësh shtojzovallesh
    Përmes thurimës vërejnë
    Si bëhemi gjeometri
    Kangjellash kalojmë në sitë
    Pjesëtuar numra shndërruar
    Luspa i shtojmë trupit të tij
    Gardhi brenditë kthen në flori
    Krejt arti është kornizë
    Kurse kornizat vetë polici
    Qyteti natën është fonderi
    Derdh degë e kthetra në çelik
    Prush nën hirin e ri mes nesh
    Gjemb e gjeth e ende djeg
    Kafshimet formojnë rrjetë
    Duke u ngjitur nëpër degë
    Metalik pylli bërë qytet
    Nga Mastromikeli vetë
    Pyll me gardhe e alarme
    Alarmet janë zogjtë tanë
    Që digjen në k’të parajsë
    Sqepat shtrëngonin djathë
    Gjithë qyteti qe një afresk
    Korniza-korniza e premë
    Sipas forcës që na përket
    Çdo kornizë një maskë qe
    Dragoi zaptoi një portret
    Na bindi – qe portret’ i vet
    Rrethuar në kornizë thonjsh 
    Nga Mastromikeli vetë
    Në putër luani një bletë
    Jotja kjo grimcë nga bota
    Qepalla që ulen ngarkuar
    Praruar kornizash varak
    Kangjellash kapur me duar
    Fli kryqëzuar në këtë gardh
    Aty ku ka gardh bën natë.


    Zemra e qenit

    Lak u mbyll teli 
    Në një qafë qeni
    Ndodhi shpejt e shpejt
    Tel: se nga u gjet
    Hedhur përmbi degë
    Tërheqin fëmija
    Fyt që po ngushtohet
    Fik gjithë zanoret
    Tërheqin fëmija
    E nga dy të qarat
    Mbeti vetëm imja
    E kujt qe merita
    Krejt njësoj fëmijë
    Njësoj pa meritë
    E gjitha është lojë
    Tërhiq e shtrëngo
    Tërhiqe fort telin
    Lebetite qenin
    Ai qan ne qeshim
    Me mua po qeshnin
    Trupi im si tkurret
    Teli sa s’këputet 
    E në çdo tërheqje
    Strukej brenda meje
    Brenda meje qepej
    Qeni m’u bë qenie
    Qaja bindja botën
    Qeshnin më fort shokët
    E qeni po vdiste
    Vrapon nëna ime
    Se ma njohu klithjen
    Kujtoi se po rrihem
    Erdhi më liroi
    U thotë ime më
    Ju të gjithë ky një
    Mblidhen e i thonë
    S’e prekëm me dorë
    Qante kot më kot
    Si qahet për qenin
    Të madhe tha nëna
    Ju zemrën e keni
    Ky e ka të vogël
    Dyzet vjet me radhë
    Kujtoj këto fjalë
    Dyzet ikën vitet
    Zemra nuk po rritet.


    Statujat e Poetit

    Gurore dhe robër lufte nën
    Gjinkalla të Sirakuzës
    E sata herë në histori që shkruhet 
    Për ta: djem Athine, robër dërrmuar
    Nën gjinkalla siciliane
    Gjinkalla mesdite, metronomë
    Robër athinas që recitojnë
    Në radhë, zinxhirët prush në qafë
    Para kritikut letrar lokal
    Buzët plagë, përcëlluar
    Kishin sulmuar Sirakuzën
    Flamur kishin muzën e tragjedisë
    Dhjetëra anije, ushtarët rreshtuar
    Si rrokje, rrahin shqytet me ushta
    Dhe ujin me rrema – një poemë
    Gdhendur Mesdheut, basoreliev
    Përfundoi thyer kaq keq
    Kob kush ra rob
    Një bllok gur zëvendëson 
    Me trupin e vet përditë në gurore
    Rrokje për rrokje, blloqet. Gjinkallat
    Shpërthejnë fishekzjarrë 
    E dielli mbush plagët me kripë
    Ushtar rob athinas guroren mbush
    Gropa-gropa me ditët e tij
    Përveçse kush mund të recitojë
    Poezi – fiton lirinë, kthen në Athinë
    Ku dhe jeton poeti, adhuruar
    Gjer përtej deti në Sirakuzë, në provincë
    Betohen në emrin e tij. A nuk na thoni
    Të mundur armiq, hapni gojë
    Ç’ka shkruar kohët e fundit ai?
    Dorëzoni vargjet e reja të tij
    Në dini – të lirë pastaj ikni
    Ju të tjerë të mjerë, këtu vdisni
    Në Sirakuzë edhe sot, natë e ditë
    Gjinkallat ende rënkojnë greqisht
    Robër rreshtuar përpara jurisë
    Me këmbë trokasin ritme në radhë
    Në koka gërmojnë, gdhendin fjalë
    Përpara kritikut të tmerrshëm letrar
    Dhe sa u kthyen në Athinë
    Ata që deti mundi të kthejë
    U derdhën në kodra, rrugica
    Ku është, poetin ta gjejnë
    T’i kërkojnë falje, ta falënderojnë
    E kaq shumë kohë po vonojnë
    Të dalin nga shtëpi e poetit
    Kur thyen derën, ashtu i gjetën
    Thërrmuar me gjithë poetin, statuja
    E kujt ish’ kjo buzë, i kujt ky gisht
    Gërryer guroresh nga Sirakuza

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË