More
    KreuLetërsiBibliotekëTimo Flloko: Poezi nga mbrëmja “Yje mbi Butrint”

    Timo Flloko: Poezi nga mbrëmja “Yje mbi Butrint”

    NË QIELLIN E NATËS

    Nga qielli i natës, zbersin yjet e largët,
    Mbi këtë arenë ku dielli i muzës lind,
    Prej shekujsh hershëm, nga kohërat e lashta,
    Era sjell frymë e vargje tragjedish.

    Pas luftrash të përgjakta, kur ra Troja,
    Rrëfejnë se këtu erdhi me lundër Eneu,
    Si e pa këtë bukuri të magjishme u ndal
    Dhe ngriti Butrintin, këtë perlë të mesdheut..

    Në këtë amfiteatër u luajtën tragjeditë, 
    Eskili, Sofokliu… epopetë e Homerit..
    Këtu u përjetësua miti i dashurisë,
    Me vajin e Andromakës në kupë të qiellit..

    Në këtë skenë u shfaq si e tërhoqi zvarrë,
    Trupin e Hektorit, Akili i zemëruar,
    Këtu u flijua bija e Agamemnonit,
    Nga gjaku i saj kjo skenë u shenjtërua..!

    Magjia e erës prej lashtësisë sjell,
    Legjendën e Eneut nga ai shtegtim i hershëm, 
    Në heshtjen e kësaj nate së largu dëgjoj zërat,
    Zërat e të parëve që jehojnë përjetshëm?


    Ekuinoks
    V-së

    Endem në univers, nëpër yjësi…
    përtej fantazisë.
    Në mend të kam ty.
    Zbres në Hënë,
    te Det’ i Qetësisë,
    atje një shenjë lë,
    për hir të dashurisë,
    inicialin tënd “V”,
    që koha kurrë s’e fshin.

    (E di ti të fshehtën: Erë në Hënë s’fryn.) 

    E pazakontë duket, sublime…
    Në Hënë, si në ëndërr, 
    ngadalësohet ritmi i fluturimit. 

    Ëndrra, si një balonë ajri, 
    më merr në largësi…
    Endem qiellit pa kufi, 
    gjashtë herë më i lehtë se trupi im, 
    i çliruar nga rëndesa e vetes,
    nga çdo paradigmë.
    Dashuria përherë enigmë,
    gravitacion biblik.
    E di nga Ajnshtajni përmasën, E=mc2, ekuacioni kozmik.
    V-ja afron dy skaje në një pikë 
    dhe i çon ato në infinit.

                       *
    Viteve shkretëtirë, 
    Kohës pas.
    Dashuria jonë, 
    Ishte si një
    oazë…
    Të kujtohet, 
    Ekuinoks
    21 mars? 

    Nesër, sa të lindë dielli, 
    Me rrezet e tij,
    Si meteor në s’u djegsha
    A mbetsha qiellit varur, 
    do të vij.

    Prej largësisë ekuivalente mes nesh,
    Në ditën baraz me natën,
    Nga koha kur ishim aq larg
    Dhe po aq pafundësisht afër…

    Largësisë dashuria s’humb, 
    Dashuria nuk njeh fund.
    Për dashurinë, në këtë botë, 
    Sa pak është, një jetë.. im Zot!

    Të them tani:
    Në jetë kur të mos jemi..
    Shkronja V, 
    Simboli i dashurisë,
    Në hënë, ku erë s’fryn,
    Do mbesë përjetë aty, 
    Kurrë s’ka për ta fshirë, 
    Stuhi në gjithësi..

    Te oazi i dashurisë më prit,
    Si përhera…
    Sa herë të vijë pranvera, 
    Dhe të fryjë era…

    Ylli i kinemasë shqiptare Timo Flloko me bashkëshorten, regjisoren e njohur Vera Grabocka dhe vajzën, Lindën, në natën magjike “Yje mbi Butrint”


    TRUMCAKU
    (Poemth)

    Netëve të dimrit acar,
    Strehova një zog të mitur, një trumcak,
    Stuhi’ e natës e kishte hedhur në prag.
     
    U rrit zogu në kafaz,
    Me sytë larg,
    Për arrati!…
     
    Zëri i tij, mbytur një natë,
    Cicëroi me lëngatë:
    Ç’vlejnë krahët në robëri?!…
    Dhimbja e tij zemrën ma zbrazi,
    Ia çela kafazin.
    Zogu shtegtoi,
    Në liri.
    Si skifter u sul,
    Me furí,
    Mes jetës e vdekjes,
    Në stuhi.
     
    (Nëpër mend sjell,
    kur ishte kërthi
    dhe pa në largësi,
    sesi skifteri,
    me erërat u ndesh, u tall,
    u ngjit lart,
    pambarim,
    atje,
    ku as vështrimi,
    s’mbërrin!
    Kish ndjerë zili,
    Et’ për arrati.)
                  
    Qiejt tek përshkon,
    Ky trumcak rebel,
    Stuhitë i sfidon,
    Si të ish skifter…

                     *
    Kur, 
    Mjerisht,
    Perëndi e Luftës 
    E pa atje mbi re,

    “Ç’kërkon, o fatzi,
    Në qiellin tim,
    Ti pinjoll korijesh,
    Kërthi,
    Vdis tani!”

    Shkrepi rrufeja,
    Bubullimë…
    Trumcakut të mjerë,
    Ia erri vështrimin.
    Cicërima e mekur iu pre…
    Sa pak zgjatka jeta!
    Sa pak, ah, sa pak…”
    I gjori trumcak,
    E stolisi qiellin me pupla e gjak,

    Ra poshtë mbi një korije,
    Në sy me lirinë shend, 
    Si mbishpend!

    Era e marsit,
    Fryu pambarim,
    Ia mbylli përngaherë,
    Pranverën e kthimit…
    “A s’ia vlen vdekja,
    Për një çast sublim?!…”

                        *
    Në qiej,
    Skifterët lartësitë çajnë,
    Krenarë sundojnë atje,
    Mposhtin stuhi,
    Pa lënë histori.
    Ti,
    Trumcak,
    Fle,
    Në shtrojën e heshtjes.
    Mbi vete,
    Gjithësinë ke,
    Miliarda yje,
    Që feksin, 
    Pafundësisë,
    Atje.


    MISTER DASHURIA…

    Mister dashuria, fshehtësi,
    Rebus i përhershëm mbetet, 
    Kryeneçe, ndëshkuese, sunduese, 
    Skllav bën dashuria edhe mbretin. 

    Drithërimë, frymë, pasion, 
    Që na deh… na ngre si erë,
    Akullnajë në shpirt, ajsberg, 
    Kur largohet pëngaherë..

    Botë e tërë sikur të shuhej, 
    Hi të bëhej, të mos ish,
    Do ta lindte, për atë Zot
    Shpirti i dashurisë sërish.


    ATË E BIR
    (Kujtimit të babait)

    Im atë e desh’ detin si detarët,
    Si det i trazuar ishte ai burrë…
    Dëshpërimin veç detit ia rrëfente,
    Njerëzve gëzimin, dhimbjen e tij kurrë.

    Netëve të verës mbi mol, 
    Peshkonim gjer në fikjen e yjve, 
    Sa herë këputeshin dhe binin,
    Mbi shpinat e të dyve.

    “Më të largëtit yje janë ata ngjyrë blu, 
    Sa vite dritë nga këtu, s’dihet.” 
    A thua se grepat atje lart në qiell, 
    Hedhur kishim për të kapur yjet!

    “Botëra pa fund, të përtejme, bir, 
    Që zjarri u erdh’ e u iku…!”
    Të fshehtat e qiellit i njihte im atë, 
    Si të ishte ai vetë Koperniku!

    Unë isha kureshtar, një çunak i prapë, 
    Im atë i duruar, gjuetar i vjetër,
    Unë shtegtoja nëpër ëndërrime, 
    Ai tallazeve të jetes…

    Qyteti e përcolli në banesën e fundit, Për të ai kish qenë si doktor Betyni, Hamejtë e portit e hodhën mbi shpina, 
    Ky është mjeku i të varfërve, thanë, i yni!

    Im atë i desh’ njerëzit si veten, 
    Botën desh’, dhe ajrin, dhe jetën, Shtati në dhé i tretet qyshkur, 
    Shpirti, në thellësi të detit.


    KËRCIM në BOSH

    Dikur kërceja nga maja e Kalasë,
    Si në ëndërr, kur hidhesh në bosh,
    Mbi dallgët e tmerrshme mbi humnerë, 
    Që gojëshqyer të përpinin poshtë.

    Lulen e egër këpusja buzë gremine,
    Frikëshpërfillës, hidhesha vrik,
    Magjinë e fluturimit provoja n’ato rënie, 
    Hon më hon, si akrobati në cirk.

    E papërfillshme ish në atë moshë vdekja,
    Në çdo hedhje ne luanim me të,
    Si pilotë të qiellit që kur nisen,
    Ndodh të ikin e mos kthehen më.

    Sa herë fati më sjell bri lartësish, 
    Mbi humnera që të përpijnë poshtë,
    I mbyll sytë, dhe kërcej të prek fundin,
    Që kurrë s’e mbërrij në pafundësinë bosh…


    Ç’mrekulli, me iluzione, të jetosh,
    Se ke krahë të fluturosh, të fluturosh…


    KUANTIKA e DASHURISË

    Çudi, si mund të të kem dashur,
    Kur kësaj jete s’u pamë kurrë me sy? Si mund të ndodhë e pandodhshmja, Ç’mister qiellor fsheh një dashuri?

    A mos vallë si shpirtra u takuam,
    Në trupa të tjerë, nëpër fantazi,
    Kohësh të hershme u pamë pa u prekur 
    Dhe shpirtrat endacakë ranë në dashuri?

    Në botën ku jetojmë ekziston një kufi, Sa herë jeta, vdekja përzihen në gjumë, 
    Ëndërr ngjet të jetë e vërteta,
    E vërteta trill, asgjë më shumë.

    Koha iluzion, thotë metafizika,
    Teori e kuanteve që s’e perceptoja dikur,
    Dy njerëz mund të duhen në kohë të ndryshme, 
    Pa u parë me sy, pa u prekur kurrë.


    HARRESA

    Sa të kam dashur, dikur… 
    Tani jo, mjerisht, 
    Për shkak të harresës, ndoshta, 
    ku ta dish!

    Kur rendnim pas yjeve, dikur… 
    Të luajtur, natyrisht.
    Mbi shpinë të Arushës së Madhe, Kometës me Bisht.

    Qielli e ka humbur magjinë. 
    Dhe hënë e brishtë.
    Për shkak të harresës, ndoshta, 
    Të dashurisë..

    Çudi sa të kam dashur, dikur… S’kthehet asgjë sërish. 
    Ç’kuptim do të kishte harresa, ndryshe po të ish?!


    HËNA FATALE

    Duke ndërruar pamjet nëpër net, 
    Qiellit shfaqet hëna, si perri, 
    Herë e plotë, herë e ngrënë nga yjet, 
    Si një mëkatare e shthurur, a rospi…

    Me plot hir si gruaja fatale, 
    Teksa e fal trupin në orgji, 
    E panginjur, kërkon tjetër yll, 
    T’ia marr zjarrin, ta fikë, ta bëjë fli…

    Rrezeftohtë, reflektim i diellit, 
    Që ia jep krejt dritën e tij, 
    Sa ç’ndien bukurinë, ndjen zhgënjimin, 
    Se s’ka zjarr të falë dashuri…

    Nuk e impresionon aspak idea,
    Si më e magjishmja në botë bukuri…
    Teksa endet, e përçartur nëpër net,
    Se (as) dashuria s’ka përjetësi…

    Unë të lus, të kthehesh tek unë,
    Se një det i ngrirë na ndan tani, 
    nga të Shtatë Mrekullitë e botës,
    Je pa fjalë e teta mrekulli…


    ZOGJTË

    Atje tani është në prag pranvera, 
    po kthehen zogjtë shtegtarë…
    Të munduar nga fati,
    që kurrë s’na ndriti,
    me pengun e ikjes lëmsh në fyt,
    të lamë Shqipëri, morëm arratinë,
    mes erës që kujiste, detit me stuhi. 
    Për një tjetër jetë!
    Sa herë na i përpinë ëndrrat, poshtë, vorbullat në thellësi…!

    Kohë kaloi, vite në largësi…

    S’më mahnit më shkëlqimi, 
    larg vendit tim, 
    Paris, Londër, New York, Romë, Zyrih, Berlin… 
    Të rrejnë me iluzione, 
    Të vrasnin me vetmi, 
    këta qytete të ftohtë,
    me qiej hibridë… 
    Zgjohem, shpesh dhe kur s’gjej qetësi, 
    endem si somnambul qytetit pa natë, 
    udhëve pa mbarim,
    me peshën e mallit sa një oqean për ty.
    Sa më mungon, atdheu im..

    Si erdhi’ kjo ndarje kaq e largët, Shqipëri?! 
    Atje nga vij perëndon dielli, 
    kur lind këtu te Ti…
     
    Këtu pranë teje, mbi Adriatik e Jon,
    të magjishme jane netët, praruar nga yjtë..
     
    Por…
    Pse parandjej zhgënjim në shpirt, mos të është ftohur valle dashuria në gji, 
    rrënuar ura mes nesh,
    përjetë jemi ndarë, Shqipëri?!
     
    Lus Zotin, jo, se ky mall,
    Më bën të më rrahë zemra pa pushim, 
    dashuria më e pamatë u bëka,
    kur kapërcen largësi pa kufij!
    Druhem, Zot, qiejve mos mbes, 
    para se të mbërrij tek ty…!

                             *
     
    Ka zogj fatlumë që shkojnë e vijnë,
    ka zogj që nisen, por kurrë s’mbërrijnë, 
    nga udhë e gjatë, padurimi,
    në fluturim ngrijnë.
     
    Dhe tek i sheh atje lart,
    në kthimin prej se largu,
    s’di janë të gjallë, a malli i ka ngrirë, në ardhje krahëhapur!
     
    Ata vijnë si zogjtë stinorë,
    S’i përfillin largësitë.

    Presin verën të afrojë, 
    Me një mall të madh në shpirt..

    Të jetë ëndërr kjo pamje sonte,
    Mbi këtë arenë ku muza lind,

    Kur yjet lart nga qielli i natës,
    Shkëlqejnë e bien mbi Butrint?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË