More
    KreuTeatërTë përkthesh Kadarenë për skenën: Stinë e mërzitshme në Olymp

    Të përkthesh Kadarenë për skenën: Stinë e mërzitshme në Olymp

    Fabrice Conte-Williamson
    University of Wisconsin-Parkside

    World Literature Today, Shkurt 2021

    Në fund të 2019-ës, unë dhe David Bellos u kontaktuam nga Daniel Simon dhe World Literature Today për një projekt përkthimi të dramës së Ismail Kadaresë të vitit 1998, Stinë e mërzitshme në Olymp. Qëllimi ishte të bëhej përkthimi i parë në gjuhën angleze i veprës së vetme dramatike të autorit, e cila më pas do të vihej në skenë si një ngjarje teatrale e drejtpërdrejtë kur të shfaqej në vjeshtën e ardhshme, si pjesë e festimeve për Kadarenë si shkrimtari i vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar për Letërsinë Neustadt 2020.

    Pa diskutim, prisja të bashkëpunoja ngushtë me Dr. Bellos-in, një përkthyes i mirënjohur, biograf i vlerësuar me çmime dhe specialist me famë botërore i veprës letrare të Kadaresë. Si drejtor teatri, më ngazëllen dinamika e procesit të bashkëpunimit dhe ky projekt më siguroi mundësi unike për të zhvilluar një lloj të ri marrëdhënieje krijuese. Më e rëndësishmja, njohuritë e thella të Dr. Bellos-it për botën e Kadaresë dhe vlerësimi i tij i madh për mitologjinë e saj si labirint – ai ka përkthyer disa nga romanet e tij – dolën të jenë cilësi të paçmueshme kur e filluam këtë udhëtim letrar. Çka ishte dhe më e rëndësishme, procesi i bashkëpunimit do të vazhdonte edhe pas përfundimit të përkthimit: Profesoresha Susan Shaughnessy e Shkollës së Dramës Helmerich të Universitetit të Oklahomas dhe unë ishim përcaktuar për ta përshtatur dramën, dhe ajo kishte pranuar përgjegjësitë e drejtueses për premierën në SHBA gjatë festivalit.

    Sidoqoftë, u desh të hiqet dorë nga planet për një varg shfaqjesh të Stinë e mërzitshme në Olymp që do të mbaheshinn gjatë përvjetorit të pesëdhjetë të Festivalit Letrar Neustadt pas fillimit të asaj ngjarjeje që do të përcaktonte vitin 2020: pandemia Covid-19. Në fillim të pranverës, kriza shëndetësore e përkeqësuar me shpejtësi kishte nxitur anulimin e papritur të shumicës së konferencave dhe festivaleve si dhe mbylljen e pashmangshme të teatrove në të gjithë vendin. Kështu, u bë e vështirë të imagjinohet se si drama do të vihej në skenë duke pasur parasysh kufizimet dhe protokollet e vendosura rishtas që synonin ngadalësimin e përhapjes së virusit. Pavarësisht nga kjo  tablo e zymtë, organizatorët e festivalit njoftuan se ngjarja do të mbahej virtualisht, duke përdorur platformën Zoom. Ky format alternativ siguroi një mjedis të sigurt për pjesëmarrësit e festivalit dhe në fund të fundit bëri të mundur që të merrte pjesë një audiencë më e gjerë dhe më ndërkombëtare. U bë e qartë se edhe vënia në skenë e Stinë e mërzitshme në Olimp duhej të përqafonte prirjen e ngjarjeve virtuale, dhe kështu u vendos që të regjistrohej shfaqja në stilin e një radio-drame të modës së vjetër ose librit më modern në format audio. Regjistrimi do të redaktohej dhe më vonë do të transmetohej përmes Zoom-it.

    Ndërsa po zhvilloheshin përgatitjet për festivalin virtual, unë dhe Dr. Bellos vazhduam të punojmë për përkthimin. Detyra jonë ishte posaçërisht të përkthenim dramën nga versioni i saj frëngjisht i Jusuf Vrionit, me titull Mauvaise saison sur l’Olympe, në një skenar besnik ndaj tekstit origjinal të autorit dhe tërheqës për aktorët që do ta interpretonin. Megjithëse Kadare nuk duket se e ka shkruar dramën me qëllimin e hapur të shfaqjes në skenë, artistët e teatrit priren t’i shohin të gjitha veprat e letërsisë dramatike si vepra me potencial të tillë. Në fakt, e pranoj se do të ishte gati e pamundur për mua të mos imagjinoja se si një tekst dramatik mund të vihej në skenë ndërsa isha në procesin e leximit të tij. Edhe shfaqjet e klasifikuara si “dramat për lexim” – të krijuara kryesisht për kënaqësinë e lexuesit dhe të pashqetësuara për sfidat dhe kërkesat e vënies në skenë – janë nxitës të zjarrtë për të zgjuar shtysat e mia më të thella regjisoriale. Prandaj, ky përkthim i tragjedisë së Kadaresë s’ishte kurrë një qëllim në vetvete por më tepër korniza për një strukturë shumë më të gjerë që do të përfshinte kontributet e shumë artistëve të tjerë: midis tyre një regjisor, një grup aktorësh, një inxhinier i zërit dhe një dramaturg.

    Procesi i përkthimit në anglisht hasi në disa sfida. Sfida e parë kishte të bënte me cilësinë e versionit frëngjisht të Vrionit. Do të ishte e drejtë që gjuha e saj të përshkruhet si e ndërlikuar, e stërholluar në mënyrë magjepsëse, dhe ndonjëherë e pazakontë. Megjithëse ky tekst ofron një përvojë të kënaqshme për lexuesin, ai me gjasë s’ishte krijuar duke pasur në mendje aktorët. Kësisoj, një pjesë e madhe e procesit tim iu përkushtuar zhbërjes së nyjeve gjuhësore të përkthimit të Vrionit, për të hetuar zgjedhje të posaçme befasuese ose të pazakonta leksikore dhe për të hartuar një strategji që do të krijonte një tekst më të përshtatshëm për lojë aktoriale. Gjatë gjithë këtij procesi, shqyrtova në mënyrë sistematike mënyrën se si do të tingëllonin rreshtat kur të interpretoheshin nga aktorët, shpesh duke i lexuar skenat me zë të lartë në zyrën time, duke vlerësuar efektshmërinë e fjalëve dhe të strukturës së fjalisë në ligjërimin e folur.

    Sfida e dytë kishte të bënte me ndërrimet e vazhdueshme të tonit dhe regjistrit të të folurit, karakteristikë themelore e kësaj drame. Për shembull, dy dukjet e para paraqesin ekspozicionin e veprës me anë dialogëve lojcak deri diku të rastësishëm midis personazheve që bisedojnë përbri një ndërtese hyjnore-zyrtare në malin Olymp. Krejt ndryshe, dukja e tretë – e cila zhvillohet në Tokë – është shkruar në një lloj para-gjuhe imagjinare. Në këtë skenë, Kadare përshkruan agimin parak të njerëzimit me personazhe që flasin me rreshta jashtëzakonisht të shkurtër – shumë herë vetëm një fjalë të vetme – sikur vetë gjuha të ishte në foshnjërinë e saj. Dukja e katërt, përqendrohet te gjyqi i Prometheut, merr një ton më juridiko-politik ndërsa hyjnitë debatojnë për vjedhjen e zjarrit, dëgjojnë dëshmitarë të ndryshëm dhe diskutojnë fatin e të pandehurit. Dukja e pestë dhe e gjashtë kthehen në dialogun lojcak ndërsa tek e shtata dhe e teta kemi ndërrim të veçantë të regjistrit në dramë. Të dyja përmbajnë fjalime më të gjata me nëntekst më të njohur filozofik ndërsa Prometheu reflekton mbi veprimet e veta, mbi marrëdhënien e tij të paqartë me pushtetin dhe mbi dënimin që ka marrë. Dukja e dhjetë, e njëmbëdhjetë dhe e trembëdhjetë kanë cilësi të ngjashme. Nga ana tjetër, dukja e nëntë, e dymbëdhjetë dhe e katërmbëdhjetë dallohen qartë nga pjesa tjetër. Të tre skenat paraqesin disa hyjni që dialogojnë me stilin e thashethemeve të adoleshentëve, duke i bërë këto pjesë më shumë të të kujtojnë filmin kult Vajzat e liga sesa tragjeditë e Eskilit.

    Me një larmi të tillë midis dukjeve të ndryshme, përkthyesit duhej të gjenin mënyrën për të krijuar një peizazh gjuhësor të qëndrueshëm për shfaqjen në tërësi, duke respektuar gjithashtu ndryshimet e rëndësishme të tonit dhe regjistrit që i japin secilës tablo ngjyresën e saj unike. Këto ndryshime midis dukjeve janë thelbësore sepse ato pohojnë strukturën episodike të Stinë e mërzitshme në Olymp, një aspekt themelor i dramës evropiane postmoderne. Unë edhe strukturën e shfaqjes do ta përshkruaja si narrativë kaleidoskopike – ose një formë e kozmosit – në përgjigje të shënimit të autorit që ndjek dramatis personae: “Ngjarja zhvillohen në tri nivele: në qiell, në tokë, dhe nëntokë. Koha e ngjarjes është e përgjithshme, pa kahje, me rrjedhë të ndryshme në qiell, në tokë dhe nëntokë”. Në fund, ndërrimet dalluese në stilet gjuhësore përforcojnë qartë botët paralele të tragjedisë së Kadaresë.

    Nga marsi deri në korrik 2020, procesi i përkthimit ndoqi një model të thjeshtë, por të frytshëm. Përgatita një variant për secilën dukje, të cilën ia dërgova Dr. Bellos-it. Ai u treguar bujar në reagimet e tij, duke i shoqëruar me shënime dhe sugjerime. Letërkëmbimi i tij zakonisht përmbante informacione shtesë informuese për elementë të veçantë të skenarit – në veçanti se si ato i bëjnë jehonë disa episodeve në jetën e Kadaresë dhe në historinë politike të Shqipërisë. Ai gjithashtu vinte në pah menjëherë rastet e shumta të ndërtekstorësisë brenda krijimtarisë së Kadaresë. Për shembull, Ëndrra Mashtruese, personazh dytësor te Stinë e mërzitshme në Olymp, shfaqet edhe në botimin në frëngjisht La Porteuse de songes, një tregim i vitit 1993. Kështu duket se opusi i veprës së Kadaresë funksionon si një univers i gjerë mitologjik në të cilin secila vepër kontribuon në mozaikun e përgjithshëm letrar.

    Shfaqja e Stinë e mërzitshme në Olymp në formatin frymëzues të libri audiofonik, në një farë mënyre, ishte edhe një lloj përkthimi, një metamorfozë teatrale nga faqja e librit në skenë – në këtë rast një skenë dëgjimi. Arritjet e Profesor Shaughnessy-t dhe pjesës tjetër të ekipit të realizimit ishin edhe më mbresëlënëse duke pasur parasysh sfidat e paraqitura nga pandemia. Në fund të fundit, s’mund të mos pyes veten nëse ky format i librit audio ishte ndoshta mënyra më e mirë për ta paraqitur një dramë të tillë epike pasi imagjinatën tonë e mbante plotësisht të mbërthyer tek ajo dhe theksonte bukur tekstin e fuqishëm të Kadaresë. Vënia në skenë e veprave dramatike të autorëve bashkëkohorë mbetet një aspekt vendimtar i shfaqjeve në teatër dhe paraqitja e Stinë e mërzitshme në Olymp është një kontribut i rëndësishëm për këtë mision kulturor që vazhdon.

    Përktheu nga origjinali Granit Zela

    _____________

    Fabrice Conte-Williamson është regjisor, actor, pedagog i teatrit, dhe ligjërues në kurset e shfaqjeve teatrale dhe historisë së teatrit në Universitetin e Wisconsin – Parkside. Është diplomuar në nivelin e Masterit në Artet e Bukura dhe në regji në Universitetin e Nice Sophia Antipolis dhe ka mbaruar studimet e doktoraturës ndërdisiplinare në Shkollën e Dramës në Oclahoma Helmerich University. Nga viti 2007 deri në vitin 2013 ishte Asistent Profesor i teatrit dhe kryetar i Departamentit të Arteve Pamore dhe Skenike në Universitetin St. Gregory. Studimet e tij përqendrohen në letërsinë dhe teorinë e performancës postmoderne franceze, rolin e mitit letrar në letërsinë dramatike dhe zhvillimin e lëvizjeve teatrore shumëgjuhëshe dhe ndërkulturore.


    Në foton kryesore:
    Aktorët e regjistruan shfaqjen në shtëpinë e Profesores Shaughnessy më 8 tetor 2020. Rreshti i parë (nga e majta në të djathtë): David Schmitz (Zë, Hermesi, Poseidoni); Susan Shaughnessy, Regjisore. Rreshti i pasmë (majtas në të djathtë): Ricketts Race (Zeusi, Herkuli, Pushteti); Alexi Smith (Erebi, Zë, Hadesi, Hefesti, Apolloni, Epimetheu); Sarah Helsley (Dramaturgu, Filozofi, I panjohuri, Hyjnesha); Lucy Dismore (Zëri, I panjohuri, Dhuna, Hyjnesha, Dejanira); Andie Fuentes (Hypnosi, Zëri, Hyjnesha, Hera); Chandler Ryan (Ëndrra Mashtruese, Zëri, Hyjnesha); Max Breaux (Prometheu, Oqeani). Fotoja nga Ioannis Andriotis.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË