More
    KreuLetërsiBibliotekë"Tango vjeshte", tregime nga Neviana Shehi

    “Tango vjeshte”, tregime nga Neviana Shehi

    BALONË FËMIJËRIE

    -Hape derën, – më tha i panjohuri që po ecte rrugës së errësuar, duke shtuar: – dyert e hapura gjithmonë janë mike me flladet që vijnë nga detet dhe me të nesërmet që ngjizen në udhë e sipër.

    Duke dalë nga skutat e thella të shpirtit, unë i besova fjalëve të atij burri.

    Herë pas here më duket dhe mua vetja një derë e hapur, nëpër të cilën kalojnë kujtimet, por edhe pikëllimi. Shpesh troket edhe flladi, që flet me një gjuhë misterioze. Është e pafund alkimia e shndërrimit dhe do të më duhen edhe dy shekuj kurajë për t’u bërë ajo që do të doja të bëhesha, ndonëse dy shekuj strukje në humbëtirat e vetvetes nuk janë pak, por as dhe shumë për t’u mohuar.

    -Të kam thënë, – vazhdoi i panjohuri, – çdo kush nga ne ka nevojë të paktën të shkojë njëherë përballë piramidës së Keopsit për të njohur qytetërimin e vetvetes. Ndryshe, e pabëra nuk bëhet dhe hapja s’ndodh asnjëherë. E nesërmja është një fëmijë e bukur, por që s’është lindur akoma. Jam ngjizur me të që me fijen e parë të vështrimit dhe mezi e pres të mbërrijë.

    E di se shirat që premtuan të binin vetëm sa do t’ia vonojnë atij për pak sekonda ardhjen, por jo edhe ta ndalojnë.

    -Mbaji hapur gjithë dyert, – foli sërish ai, – sepse një letër dërguar drejt teje gjithmonë është e lidhur nga pas me një balonë të bardhë fëmijërie dhe me të nesërmen e tij…

    VDEKJA E PELIKANËVE

    Ata i gjetën të vdekur në të gdhirë të ditës, në cepin më të largët të bregut, atje ku s’mbërrijnë dot grabitqarët dhe kureshtarët endacakë të liqenit. Të gjithë të shtrirë dhe me kaçurrelat e varura që ua merrte era. Secili mbështjellë me një çarçafë të bardhë dhe të padepërtueshëm mjegull.

    Askush s’thotë gjë për vdekjen e tyre, askush s’dëshmon, as kallamat e verdhë dhe kokulur të liqenit, as peshqit hutaqë të cekëtinave.

    Tërë jetën janë mësuar t’i mbajnë brenda vetes ndodhitë dhe misteret, me një këmbëngulje të bezdisshme sarkofagësh. Vetëm nata më thotë se vdekja e tyre ka ardhur nga krahët. Tradhtitë e mëdha gjithmonë lindin nga brenda, thotë ajo.

    Në mesnatën e errët ata janë ulur të çlodhen dhe të rimarrin fuqitë nga rruga e gjatë, por krahët e lodhur s’u janë bindur tek shihnin që qielli bëhej gjithnjë më i largët dhe refuzues për ta. Ata i kanë thirrur vdekjes dhe ajo ka qenë gati. Pelikanë kaçurrel shtrirë pa jete mbi këtë breg të vetmuar.

    Këtë mesdite dhe gjer në agimin e ardhshëm sytë e liqenit do t’i ngjajnë një të verbri…

    VAJZA NË BREG

    Atë ditë kish dalë një diell i butë shtatori dhe nëse nuk do të ishin kalendarët kokëfortë, të gjithë do të mendonin se ishte ende gusht. Deti këndonte me një zë të kaltër dhe brigjet gumëzhinin nga njerëzit.

    Isha gati për t’u shkrirë me rutinën e shëtitjes sikur befas mos më zinin sytë profilin e asaj vajze të bukur përkrah meje. Sy të kaltër si një copëz deti dhe një ecje sikur vallëzonte. Dielli rrezatonte në qerpikët e saj dhe e mbushte vendin përreth me ca vezullime magjike (si vezullimet e xixëllonjave në mbrëmje marsi). Flokë të verdhë e të gjatë i kërcenin mbi supe mbas çdo lëvizje dhe një buzëqeshje plot hir që të çarmatoste.

    -O Zot, – psherëtiva dhe ndala hapin.

    Mbas meje psherëtiu dhe ndali hapin dhe turma. Ç’ishte vallë ajo, pyesnin sytë e habitur të djemve dhe burrave, vajzë apo sirenë, realitet apo ëndërr?

    Sigurisht, duhet të ishte diçka mes të dyjave, diçka mes mirazhit dhe të vërtetës së fshehur që ngul këmbë mos ta zbulojë vetveten.

    Një ditë më parë televizionet kishin njoftuar se në brigjet përballë kishte pasur një stuhi të fortë detare që e kishte trazuar keq fundin e detit. Ndofta mund të jetë bërë ai shkak i panikut të saj dhe të kish notuar gjithë natën për të dalë në bregun tonë për t’u qetësuar. E maskuar si vajzë, ish larë e pastruar dhe tashmë kish dalë të shëtiste së bashku me mua dhe turmën në këtë fillim shtatori.

    Mua do më pëlqente ta besoja shumë këtë hipotezë interesante, megjithëse jam e ndërgjegjshme që vuaj nga fantazitë, por edhe nëse nuk është e vërtetë, ç’rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti që një bukuri e tillë gjer në mahnitje shëtiste mes nesh dhe kjo më mjafton për të dalë nga monotonia…

    STACIONET E MALLIT

    Çdo natë udhëtoj instinktivisht mbi trupin e shqetësuar të botës sime të munguar. I hipi një vagoni prej ere që qëndron në këmbët e mia dhe marr udhët e gjata drejt misterit.

    Në portat e mallit takohem me motrën. Ajo rri gjithmonë e veshur me rroba të bardha dhe ka vetëm një karfice prej reje mbi flokë. Mezi pret të më përqafojë. Nuk është mplakur fare, por tash ka harruar gjuhën e mbitokës. Flet një gjuhë të çuditshme nëntokësore me theksime të buta të U-së dhe bashkëtingëllores M, e cila është më e theksuara, sepse është bashkëtingëllorja e mallit.

    Në momentin që sytë tanë takohen, krijohet një hark elektrik i papritur dhe bëhet një dritë e çuditshme si dritat e fotografëve të dikurshëm.

    Ne nuk flasim, sepse në parajsë nuk lejohen zhurmat. Vetëm ndjekim lëvizjet e dritave në sytë tanë, pa zhurma, pa fjalë.

    Loja e dritave ka qenë dhe është alfabeti ynë i panjohur nga të tjerët. Ndërsa flasim në heshtje, dalloj të vizatuara, diku në sfond, kohët tona të fëmijërisë. Të gjitha të mbështjella nga një vel pafajësie, si fytyra e tejdukshme e motrës sime.

    Eh motër, tashmë që më vjen për të qarë, po vjen dhe rojtari. Motrës i duhet të kthehet brenda vetes së saj, ndërsa unë brenda një vagoni prej ere.

    O Zot, sa shpejt ndalon ky tren në stacionet e mia të mallit…

    TANGO VJESHTE

    Akoma i dridhem mendimit tënd dhe ndonjëherë edhe hapësirës së padukshme që lë në ajër fjala jote e pathënë. Dhe kam bindjen se akoma matesh të më thuash diçka, por në momentin e fundit sikur ndërron mendje. Nuk e di se çfarë të tremb?

    Dhe tek qëndroj e vetme dhe e rrethuar me kujtime e dhimbje, ndjej se heshtja ime dhe rënia e ngadaltë me plot dhimbje e gjetheve të vjeshtës në imazhet përtej dritares, bëhen pararojë e shiut që rrëshqet në xhamin e mbuluar me letër të blertë.

    Edhe atë mbrëmje që po vija tek ti si kujtesë për gjethet e vjeshtës së vonë, dridhesha, dridhesha ngjashëm siç dridhen dashnorët e periferive sa herë që e luajnë tangon e tyre epike, me lëvizje plot afsh, të cilat të rrëmbejnë fuqishëm.

    Gjethet e vjeshtës s’ishin mësuar me tangot, kurse hëna e xhelozisë së verdhë, të rrinte varur mbi kindat e syve dhe s’bëhej banore e qiellit tim.

    Ishim larg njëri tjetrit, nuk e di, ndoshta edhe afër me zemër e shpirt. Na ndanin dymbëdhjetë dete të largëta frikë, dymbëdhjetë qiej të mbushur me re shiu dhe dymbëdhjetë vjeshta me gjethe te fishkura.

    Dhe ja pse i dridhem mendimit, gjethit, hënës, fjalës dhe hapave të lodhur që kurrë s’u bënë pjesë e tangos, që një herë në një kohë luhej me dhimbje e dashuri nga dashnorë periferish…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË