More
    KreuLetërsiBotime të rejaShkrimtari qipriot Panos Ioannides me romanin “Deva”, në shqip nga Ombra GVG

    Shkrimtari qipriot Panos Ioannides me romanin “Deva”, në shqip nga Ombra GVG

    Shtëpia botuese “Ombra GVG” sapo hodhi në qarkullim romanin e fundit të trilogjisë së një prej shkrimtarëve më të mirë qipriotë. Bëhet fjalë për Panos Ioannides-in, prej të cilit kemi në shqip romanet “Korbi”, “Amerikë ’62” dhe së fundmi “Deva”, të përkthyer nga Kelo Lati.

     “Deva” është një fjalë sanskrite që mund të përkthehet “Engjëll mbrojtës”, i mbretërisë së kafshëve. Në këtë roman kompleks trajtohen dashuria dhe raportet që njerëzit vendosin me kafshët, që në të shumtën e rasteve marrin rolin e mbrojtësit të tyre.

    Në këtë vështrim Panos Ioannides ka mundur të depërtojë me delikatesë në psikologjinë e këtyre marrëdhënieve ekzistenciale, duke e vënë theksin në filozofi, në kushtet e jetesës dhe etikën që duhet të kemi ndaj këtyre krijesave. “Duke rrëfyer detaje dhe përvoja argëtuese dhe sentimentale që ndodhin në ishull dhe përtej Qipros, lexuesi provon emocione të thella kur fillon të mësojë “gjuhën” e kafshëve. Por, nga ana tjetër, edhe kafshët kanë sjellje dhe “kod” komunikimi që shpesh shkakton situata gazmore dhe hareje të pakontrolluar”, – shënohet në njoftimin e shtëpisë botuese që e ka sjellë në shqip veprën. Për këtë vepër dhe për të tjera romane të tij ka vlerësime nga kritika. “Edhe pse Panos Ioannides shpesh i merr subjektet e veprave të tij nga historia, ato kanë tingëllimë aktuale. Vlerat e kësaj krijimtarie shtrihen përtej brigjeve ranore të ishullit të Qipros. Sepse, pavarësisht nga natyra e lokalizuar e ngjarjeve, temat janë universale, ashtu si te Homeri”, – shkruan A. J. Kirby.

    Ndërsa Georgios Kexhagioglou, profesori i letërsisë greke moderne në Universitetin Aristoteli të Selanikut, vlerëson: “Libri ngrihet mbi nivelin e një tregimi etik të këndshëm, të dashur për kafshët, dhe përvetëson një dimension që prek një përvojë gati universale dhe shpirtërore.” Kritika më tej e ka cilësuar se “Deva” është nga romanet më të bukura në letërsinë moderne greke, duke hyrë në marrëdhënien komplekse mes natyrës njerëzore dhe kafshëve. “Deva është një roman që i përshkon lexuesit ashtu si ndryshket. Një zhurmë. Një ylber që përhapet me ngjyrat e saj direkt në zemrat tona”, – shkruan Andreas Kounios, gazetar, shkrimtar dhe kritik letrar.

    Panos Ioannides lindi në Famagusta në vitin 1935. Studioi për mjetet e komunikimit masiv në SHBA dhe në Kanada. Ka punuar si Drejtori i Përgjithshëm i Programacionit i Radios dhe Televizionit Publik të Qipros deri në vitin 1995. Është kryetar dhe kurator i botimeve i pendrës së shkrimtarëve qipriotë “PEN”. Gjithashtu Ioannides është edhe kryeredaktor i revistës kulturore që botohet në gjuhën angleze “In Focus”. Veprat e Panos Ioannides-it janë përkthyer dhe janë botuar në disa gjuhë të huaja. Është fitues i çmimeve: “Thodosi Pierides”, “Tefkrou Anthia”, i Kontributit Global të E.L.K., “G.F. Pierides”, si dhe i dramës televizive për veprën “Gregory” në Konkursin Paneuropian të Sofjes në vitin 1976. Në vitin 2007 iu akordua medalja “Nderi i Letrave”, që është vlerësimi më i lartë shtetëror në Qipro. Jeton në Nikosia, Qipro.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË