More
    KreuShkrimtarët sugjerojnë: Cilët libra të dhurojmë për festa?

    Shkrimtarët sugjerojnë: Cilët libra të dhurojmë për festa?

    Mira Meksi

    Festat e fundvitit hedhin përherë një pluhur magjik në jetën tonë që na bën më imagjinarë, por edhe më të gëzuar, edhe kur pesha e pandemisë vazhdon të na rëndojë në zemër. Ëmbëlsirën shpirtërore për këto festa, njëlloj si thelbi dhe natyra e tyre, do ta sugjeroja të lehtë, onirike, fantazore, me zhbirime realitetesh paralele dhe zbulime fantastike. Me një fjale, të ndodhë që lexuesi  me të shijuar copëzën e parë të saj, ta lerë veten të rrëmbehet nga fantazia, njëlloj si gjethja e rënë nga era e vjeshtës,  – pothuaj të gjithë përbërësit i propozoj të jenë tregime, mundësisht të shkurtra:

    Vdekja dhe Busulla – Jorge Luis Borges – Përmbledhje me tregime nga “Fiksionet” dhe “Alefi”.

    Tregimet e tij të jashtëzakonshme bëjnë që lexuesi të përsiatet mbi jetën, dijen dhe gjithçka tjetër, duke u nisur nga fantazia.

    Dymbëdhjetë tregime pelegrine – G.Garcia Marquez – Thjesht perla të realizmit magjik.

    Si aromatizues:

    Rrëfenja gotike – Robert Louis Stevenson

    Magjistari i madh i letërsisë fantastike, ushqyer me legjenda dhe personazhe të errët, me sytë e imagjinares, e kthen irrealen në realitetin e njëmend dhe makthin në një tejëz të ndjeshme…

    Dhe qershia mbi tortë, i vetmi roman mendoj që i shkon atmosferës së leximit gjatë festave:

    Muzgu i perëndive të stepës – I.Kadare

    Për mua romani më i ndjeshëm dhe më i arrirë i autorit, një lloj autobiografie e mrekullueshme ku shpaloset tërë magjia e teknikës rrëfimtare kadareiane.

    Besnik Mustafaj

    Petro Marko,  “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetveten)

    Një libër krejt i veçantë në opusin e pasur të prozave të Petro Markos, ku autori shpalos me ndershmëri jetën e tij prej shkrimtari të përkushtuar si pjesë e vorbullës historike të Shqipërisë së shekullit XX.

    Mitrush Kuteli, Novelat

    Me novelat e tij, Mitrush Kuteli dëshmoi se gjuha shqipe, edhe pse pa ndonjë përvojë të madhe në prozë deri atëherë, kishte aftësi të pashterrshme për ta shprehur në thellësi dramën e shqiptarit si pasqyrim universal të njeriut.

    Ismail Kadare,  “Pallati i ëndrrave”

    Ky është, në vlerësimin tim, romani që shënon triumfin përfundimtar të mjeshtrit përballë sistemit politik të represionit mbi fjalën dhe përfytyrimin njerëzor.

    Fatos Arapi,  Vepra poetike deri tani më e plota, në katër vëllime, të botuara te “Neraida”

    Një vepër, e cila e vendos pa mëdyshje poezinë shqipe në tryezën e parë të poezisë së madhe europiane të shekullit XX.

    Bashkim Hoxha

    Megjithëse Krishtlindje ka në thelbin e vet fjaleën lindje, unë do të sugjeroja disa libra që sjellin vlerat dhe gëzimin e jetës përmes titujve që kanë fjalën vdekje.

    Do të ishte një dhuratë e mrekullueshme :

    800 hapa larg Venerës e Virion Graçit

    Një libër i mrekullueshëm për jetën e parë nga pasvdekja. Histori njerëzore të kësaj bote që vazhojnë në përjetësi. Dhënë me një stilt të përsosur dhe karaktere tepër të goditur.

    Vdekja më vjen prej syve të tillë  nga Rexhep Qosja

    Një ndër librat më të bukur të letërsisë shqipe që di të tresë bukur esenë dhe letersinë, të sjellë mendimet filozofike të konkretizuara në marrëdhëniet njerëzore.

    Te vdesësh nën diell nga Ervin Nezha.

    Për mua ka qenë zbulimi i këtyre viteve, një shkrimtar i formuar me një stil të cilit i qëndorn besnik, dhe që di të sjellë në mënyrë të natyrshme filozofinë e thellë të jetës njerëzore përmes historive koncize që argëtojnë edhe përmes anekdotës.

    Një shaka e vogël me vdekjen.

    Në romanin tim më të fundit, kam zgjedhur argëtimin me vdekjen për të ofruar harenë dhe gëzimin e të jetuarit si një nga ndjesitë për të cilat kemi nevojë jo vetëm në kohë festash, por përditë. 

    Virion Graçi

    “Extra-Time” – Durim Taçi; Roman origjinal për nga stili, kompozicioni dhe tonet rrëfimtare; nga një histori e dhimbshme vetjake ka mundur të ndërtojë një histori romanore tërheqëse, estetikisht e arrirë.

    “Duartrokitësit” –  Bashkim Hoxha; Me sigurinë dhe seriozitetin prej shkrimtari të sprovuar rrëfen objektivisht akte të jetës sonë publike ku grotesku dhe komikja nuk kanë nevojë të shpiken – mjafton perceptimi artistik dhe përfshirja e tyre në veper në gjendjen kuazi-natyrale.

    “Mbyllur për pushime” – Stefan Çapaliku; Retrospektivë fiskionale në histori duke përfshirë shkathtësisht njerëz, vende, episode të regjistrave nga hapësirave të ndryshme etno-kulturore rreth një ideje themelore – historia është e plotfuqishme dhe absurde në marrdhëniet me secilën qenie njerëzore.

    “Vargmale nën dhè” – Nurie Emrullai. Libër poetik individual me pasurinë e një botimi antologjik; larmia e motiveve të lëvruara dhe ligjërimi i kultivuar e bëjnë të andshëm leximin e poezive të saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË