More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShi dhe qelq -- Mbi poezinë "Mall" të Kadaresë

    Shi dhe qelq — Mbi poezinë “Mall” të Kadaresë

    nga Arb Elo

    Rrallëherë ndodh që përshkrimi i së bukurës – i cili tekembramja mëton ta shpjegojë atë, të hedhë dritë në fshehtësinë që bukuria sidoqoftë “është” dhe do të mbetet për nga përkufizimi aksiomatik estetik edhe paskëtaj – të jetë po aq i bukur sa çka e ka shkaktuar atë vetë, qëmtimin; rrallëherë ndodh që pasoja të jetë po aq e bukur sa shkaku i asaj vetë, pra.

    Edhe më rrallë akoma ndodh që kjo të jetë më e bukur se shkaku, se pikënisja e vetes, se burimi prej nga ka dalë, – i cili është edhe ai mister aksiomatik, në mos sekreti më i madh në varganin e pafund shkak-pasojë; të karmës, do të shtonte ndoshta këtu një budist; të evolucionit, do t’ia priste ndonjë darvinist; të energjisë, një fizikan.

    Fillesa, Hyji, Edeni, foshnjat, këlyshët, virgjëria e me radhë, sjellin me vete cilësinë e të qenit të papërlyera nga pikërisht ky zinxhir, herë i artë e herë i rëndë, robërues, – karmik a për mbijetesë qoftë, – duke qenë në të njëjtën kohë edhe parashkaku, si të thuash, i cili, meqenëse nuk i nënshtrohet kësaj ligjësie universale, është kësisoj i çliruar prej peshës së rëndë të fajit potencial që e pason; fillesa identifikohet më së shumti me esencën e së bukurës, – arketip ky elementar i një tjetri syresh misterioz, që është e bukura vetë pra. Mund të krahasohej kjo më sipër me hulumtimin e një luleje diku në botë, bie fjala, prej nga e ka fillesën parfumi që ka përdorur një grua e bukur, – shkurt: i pamundur dhe përunjës për këdo.

    E parashtrova këtë hyrje lodhëse për të pasur në njëfarë mënyre një alibi për paradoksin e pafuqisë dhe nënshtrimit që përjeton kushdo që merr përsipër kryqin e kritikut, analistit, ciceronit; llafazanit, pra, që kuturiset të përshkruajë diç të bukur, ndërkohë që kjo rri fare mirë edhe vetëm e ashtu siç është dhe jo vetëm që nuk e ka të nevojshme gjithë këtë, porse edhe e poshtëron pikërisht me cilësinë që mëton të përshkruhet përshkrimin vetë.

    Veç në qoftë se vetë përshkrimi është po aq i bukur sa ajo vetë ose – për të qenë më pak të rreptë – i qaset asaj me këtë synim; i dërgon një lule, si të thuash, nëse të bukurën e përfytyrojmë si një diva opere, ta zëmë.

    Dua të them se për mua të shkruarit për letërsinë, kritika letrare, duhet të jetë, në mos e bukur vetë, të paktën tërheqëse; shpresoj që radhët që vijojnë të jenë të tilla, përndryshe do të më duhej të kërkoja ndjesë qysh tani për fëlligështinë e ndërmarrjes, pa i shkruar ato akoma. Aq më tepër që subjekti i saj është fort eterik: një vjershë, brishtësia e një të tille mund të tejkalohej vetëm nga ajo e muzikës, – apo dhe vesës ndoshta.

    Gruaja e bukur në këtë rast nuk është e rritur; është vajzë e vogël, pra. Si i bëhet t’ia përshkruajmë bukurinë pa e rënduar me fjalë? Duke shpresuar që qenkësh ashtu mbase; tjetër nuk mbetet. Besë, dashuri e shpresë, thoshte Shën Pali; ja që nganjëherë nuk i bëhet ndryshe, edhe po të duash, e të duhet një shtysë thuajse fetare, pasi shpesh të ngjan se e bukura dhe parajsa janë, tekefundit, e njëjta gjë.

    Çështje besimi është edhe dobia e së bukurës, pasi është e pavërtetueshme, mu si efekti i njohur shkencërisht i placebo-ve, – dobia e tyre është po ashtu e pavërtetueshme dot rrokshëm. Porse e qëmtueshme, së pari tek efekti që na bën vetë, e kjo na e ushqen shpresën se kushedi ajo shtojzovalle e parritur na lejon, duke bërë sikur nuk na vë re, ndokur t’i hedhim ndonjë sy kur lahet, ndërsa besimi na duhet këtu për të na çliruar nga iluzioni i kotësisë së kësaj përçapjeje.

    Me një fjalë, shkruesi i këtyre radhëve nuk beson se mahnitja na ndodh kot. Këtë nuk e vërteton dot; këtë tjetri duhet t’ia pranojë si të dhënë, si aksiomë, përndryshe nuk do të kishte pse të lexonte më tutje.

    Ai, unë, beson, besoj se një hit si “Imagine” i Xhon Lenonit, sa për të marrë një shembull, duhet të ketë diçka të bukur në vetvete, përndryshe nuk mund të shpjegohej efekti – impakti, siç quhet së fundmi rëndom – te publiku dhe kritika muzikore, pavarësisht se mund të silleshin të tjerë shembuj të këqij për të ilustruar shijen e turmave apo edhe të kinse ekspertëve. Ultima ratio e kësaj pleksjeje mbetet, në fund të fundit, veç qëmtimi i këtij efekti, impakti, në vetvete, në qenien e pëlqyesit, ndaj edhe qëmtimet që vijojnë nuk kanë se si të mos jenë të tilla, thellësisht personale dhe për pasojë, po aq thellësisht subjektive.

    Nëse për lirikën shqiptare mund të përdorej koncepti i hit-it si i tillë, pak poezi kanë pasur fatin e asaj njohjeje masive, të asaj dashamirësie të dhuruar nga lexuesi, të atij mirëkuptimi të çuditshëm prej tij, janë pranuar aq vetëkuptueshëm e aq natyrshëm nga ky dhe kritika letrare, sa poezia “Mall” e I. Kadaresë. Pse vallë?

    Pse kjo vjershë me vetëm pak strofa, në dukje fort e thjeshtë dhe e brishtë, – me të gjithë përbërësit potencialë të kitsch-it patetik të vargjeve që shkruajnë gjimnazistët/et: mall, shi, ylbere, lejlekë etj., porse edhe me po ato elemente që e kanë bërë filozofinë e vjetër greke të jetë ajo që është: ujë, ψυχή (psike), πάθος (pasion) dhe “të errëtin”, Heraklitin, dora vetë, nga ana tjetër, – citohet në krye të çdo renditjeje të poetikës së autorit dhe zë vende parësore në antologjitë (klasifikimet, hit-parade-at) e poezisë shqiptare?

    Jo më kot dhe kjo është paradigma e kësaj vramendjeje, e kësaj përsiatjeje.

    Le ta shohim ca më nga afër:

    Ca pika shiu ranë mbi qelq.

    Për ty unë befas ndjeva mall.

    Heroi lirik befas ndien mall, pasi kanë rënë ca pika shi mbi qelq. Në vetëdijen e tij malli ndodh papritur, pa e pritur këtë. Mirëpo është njëkohësisht e pritshme rënia e pikave në qelq, i cili i pret edhe në një rrafsh tjetër ato, duke i mbajtur. Befas dhe papritur nuk janë sinonime këtu; malli pritej që të ndodhte, pritet me horizontin e ngjarjes, mirëpo ai ndodh befasisht, paparashikueshëm, mu si prognoza e motit, kur pritet të bjerë shi, por nuk dihet kur e ku saktësisht na gjen ky, na gjen gjithnjë befas, pikëprerja me të është e beftë.

    Uni lirik, ashtu si pikat e shiut, bie në mall befas mu si ato mbi qelq; e gjitha kjo shoqërohet a paraprihet nga e papërcaktueshmja ca, ca pika…; edhe uni është i tillë, i papërcaktueshëm sikurse shiu. E përkthyer kësisoj kokëposhtë, hyrja mund edhe të lexohej edhe kështu:

    Ca pika mall ranë në mua.

    Shiun befas ndjeu qelqi.

    Të përligjur do të ndiheshim deri diku këtu (në këtë sakrilegj duhet thënë, të të bërit rrëmujë të rendit poetik të vjershës, por vetëm përkohësisht dhe për arsye analitike, nga dashuria për artin, siç i thonë), do të ndiheshim nga vetë autori, i cili në strofën e fundit e përshkruan sërish rënien e dyfishtë në mallin si ëndërr kësaj here, në qelqet që turbullohen prej këtij shiu, të unit lirik dhe të përmallurës prej tij:

    çëndërr kemi rënë kaq keq,

    Që dot s’po zgjohemi ne vallë?

    Uni si qelq dhe malli si shi që përjetohet nga i pari si rënie e këtij mbi të.

    Nëse në rastin e shiut që bie rënia ngjan e natyrshme dhe e përkufizuar nga gjuha, nuk ndodh e njëjta gjë me raportin e përjetimit dhe unit. Për sa kohë nuk e dimë me saktësi se ç’qenkësh uni, lirik a filozofik qoftë, nuk mund të themi që ramë në mall apo na ra një mall. Gjuha i përmban të dyja mundësitë në shprehje, si: ra në dashuri, ra në ëndërrim etj. dhe, në të përkundërt: i ra një hall, i ra pija në kokë etj.

    Poeti këtë dyzim të unit lirik, të I.K.-së vetë ndoshta, e di vetiu, pa pasur nevojë për filozofi, fetari, psikanalizë a çfarëdo shtegu tjetër për të mbërritur në këtë përfundim, ndaj edhe është i tillë, poet pra. Në një mënyrë të thjeshtëzuar, thuajse vulgare, mund të krahasohej kjo me metodat shkencore të vëzhgimit të botës: nëse filozofia merr shtegun e mendjes, mikroskopin a teleskopin, dhe feja shpalljen që i ndodh një të përzgjedhuri, psikologjia një tjetër metodë e mjete, radiografi, valë e rreze infra të kuqe apo rëntgen etj., poeti ka antenat e tij të posaçme për të përftuar botën e jashtme dhe të brendshme.

    Poeti e di pra se ne biem, porse edhe na bie, e bën vetiu zgjedhjen e tij që nuk është as e atillë, pasi uni i tij edhe bie në ëndërr, si edhe në mall, edhe i bie malli në të njëjtën kohë përmbi në formën e pikave të shiut, kur ky ndodhet në gjendje të ngrirë, të qelqtë, së cilës pikat ia turbullojnë tejdukshmërinë, e bëjnë të ëndërrt dhe po kjo mund të thuhej edhe për tejdukun e pikave vetë. Ai haset me veten, pra.

    Në këtë kuptim ai, ose më mirë uni lirik i vjershës në fjalë, është të dyja: edhe shiu, por edhe qelqi, herën e parë si i zoti i shtëpisë dhe të dytën si mysafir po aty, në shtëpinë e qenies së vet. Qelqi mund të jetë ai i dritareve, por edhe ai i syzeve, i gotave, si edhe i syve e me radhë, mirëpo nuk ka pse të përcaktohet kjo dhe jo më kot: sa më substanciale bëhen elementet, – uji këtu në formën e tij të lëngët dhe atë të ngrirë, atë të qelqit, ndonëse shkenca nuk do ta pohonte këtë, por ndodhemi në poezi; këtu veprojnë të tjera ligjësi, – sa më shumë elementet u afrohen gjendjeve të tyre arketipale, aq më tepër humbet dallimi mes së jashtmes e së brendshmes, ç’është jashtë është edhe brenda dhe anasjelltas.

    Një pyetje e trashë, budallaqe, e dikujt, ta zëmë, që nuk do ta kuptonte se për çfarë bëhet fjalë në këtë poezi, se ku qenkësh drama aty, pse njëherë e gjitha kjo, se çfarë halli i paskësh rënë heroit, ç’e paskësh zënë atë, ku është motivi këtu për të shkruar etj., e thjeshton në mënyrë fort vulgare, por edhe e shkoqit njëkohësisht disi këtë më sipër. Pyetja do të ishte: “Pse bën uf e buf, jo ndiej mall, jo po flemë e nuk po zgjohemi dot e kësi gjërash; pse nuk e merr në telefon atë vajzë e t’i biesh shkurt dhe të na e kursesh edhe ne, por edhe vetes, dufin patetik që të ka rënë për hise?”

    Përgjigjja është e thjeshtë: heroi ynë nuk ka mall për dikë, ai është i tillë, i përmalluar. Edhe nëse e munguara – e cila, duhet shtuar, nuk ka pse të jetë medoemos një femër; mund të ishte fare mirë edhe një shok, një mik; po të shkonim ca më larg, pa dashur të bëheshim morbidë, për arsye poetike, pra: një i/ e vdekur mund të projektohej pa asnjë firo në këtë skenografi; ja edhe ca më larg akoma: ndonjë alter ego a klon i heroit, e kështu me radhë, – edhe nëse e munguara do të ndodhej aty pranë, ka shumë të ngjarë që ai të përjetonte të njëjtin mall, pasi malli ndodh gjithnjë në të shkuarën, vjen prej saj e na godet në të tashmen, si pikat e shiut qelqin.

    Edhe ndarja e nënkuptuar nga përftimi i një të dyte/ i që mungon nuk është në thelb e tillë; plaga dhemb vetëm përbrenda; feksja e mallit ndodh fillimisht si takim në strofën e parë (të shiut me qelqin), për t’u stakuar në dy të tjerat dhe për të shndrirë edhe një herë të fundit në strofën e fundit në një qark të shkurtër, në pjesëzën se(ç):

    Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

    I ngjan një akuareli e gjitha kjo (bojëra uji, bojëra shiu) dhe është më e brishtë seç do të duhej për të mbajtur një gur të rëndë fjalësh si këto (më ranë si gur këto fjalë në bark… – nga monologu i pikës së shiut) që do i binte t’i binte sipër lules që po donim t’i dhuronim në hyrje divës.

    Kam, natyrisht, frikë se është vërtet kështu, por shpresa që përmenda në hyrje të këtij shkrimi më mban me gajret se nuk qenkësh fare ashtu: nuk qenkësh lulja pra, vjersha që ka mbirë në rrëzë të gurit tim filozofal, porse ky i fundit ka mbirë ndanë saj; ajo ishte më parë dhe do të jetë edhe më pas aty, ndërkohë që gurin tim, që i ngjan një syreshi varri ku prehet e bukura, miku, kloni, ego-ja e me radhë, – gurin tim filozofal, pra, do ta ketë grirë me kohë era.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË