Atë që shihni para syve, deri para dhjetë viteve ishte një kullosë. Sot është një qytet. Lexues, para syve tu krijoje një imazh të një qyteti. Paramendojeni se si do dukej ai pa ndërtesa dhe rrugë. Krijoje ti qytetin tënd fiksional si të duash. Ky qytet, që me lejen tënde po e pagëzoj Dashamir, le t’i ketë tri ndërtesa të bardha, dykatëshe njëra pranë tjetrës. Pjesët tjera le të duken si të duash ti.
Po pres disa sekonda.
E krijove?
Mirë!
Shihi ato tre ndërtesa dykatëshe që të thash se duhet të jenë pjesë e qytetit gjithsesi. I sheh? Përqendroje vëmendjen te ndërtesa që gjendet në mes. Aty gjendet Teatri i Dashamirit. Thonë se një vend mund të konsiderohet i gjallë, nëse ka teatrin e zhvilluar. Ha, ha, ha! Nuk po qeshi me ty, lexues. Mos e shiko vetën. Mirë je. Qeshjes sime i thonë gaz-gazepi. Nëse fjalia që sapo e kam thënë është e vërtetë, atëherë Dashamirit duhet t’ia hapim të pamën, pasi do mund ta quanim qytet të vdekur.
***
Para afro pesë vjetësh, në Teatrin e Dashamirit u zhvillua një dramë e madhe. Ndoshta në mendje po bluan mendimin se është normale që të teatër të zhvillohen drama, pasi për to është teatri. Jo. S’ka të bëj me dramë teatrore, por dramë jetësore.
***
Teatri i Dashamirit shpall audicion për monodramën “Plaçka”
Kriteret: të jetë aktor profesionist
Mosha: 20-30
Ju mirëpresim!
***
Ja, siç e pe, këto ishin kriteret për t’u pranuar si aktor për monodramën “Plaçka”. Në Dashamir ishin katër aktorë, të tillë që i plotësonin kushtet.
***
Të katër aktorët erdhën për të konkurruar. Pas vlerësimit të jurisë profesionale, këto ishin rezultatet:
Aleks Akti
Dritan Skena
Diellon Podiumi
Bezar Mileti
***
Pas përfundimit të audicionit, Aleks Aktin e thirrën në zyrë për ta nënshkruar kontratën për rolin që kishte fituar. E meritonte. Aleksi ishte ndër më aktorët më aktiv në gjithë Livdohovën dhe jo vetëm në Dashamir. Më pas Aleksi u nis drejt shtëpisë.
Të nesërmen, cingëroi telefoni i regjisorit. Aleks Akti njoftoi se kishte pësuar aksident dhe kishte thyer këmbën. Ai nuk do të ishte në gjendje për të vazhduar me prova pasi mjekët e kishin njoftuar se shërimi merrte kohë.
***
Sipas rregullave, nëse njëri aktor tërhiqej ose përjashtohej nga shfaqja, zëvendësohej nga aktori që pësonte ne listë. Ishte fati i Dritan Skenës që të ishte pjesë e monodramës. I lumtur nënshkroi kontratën. Donte të festonte. U ndalë në restorantin që frekuentonte gjithmonë.
Të nesërmen, cingëroi telefoni i regjisorit. Dritan Skena njoftoi se kishte pësuar djegie të rëndë në fytyrë dhe kështu nuk do të mund ta realizonte detyrën.
***
Radha i erdhi Diellon Podiumit. Si duket, Dielloni e kishte të shkruar që ta merrte rolin. Nënshkroi kontratën. U nis drejt shtëpisë. Në rrugë takoi Bezar Miletin, më të cilin u ndalë ta pinte një kafe.
Të nesërmen, cingëroi telefoni i regjisorit. Diellon Podiumi e njoftoi se ishte helmuar keqas dhe se gjendej në spital. Me keqardhje e njoftoi se nuk do të mund të punonin bashkë.
***
Për regjisorin, Bezar Mileti ishte shpresa e fundit. Bezari shkoi në teatër. Nënshkroi kontratën dhe u kthye në shtëpi.
Të nesërmen, cingëroi telefoni i regjisorit. Bezar Mileti e pyeti rreth orarit të provove, se kur do të mbahen.
***
Shfaqja doli pas dy muajve. Ekspertët e teatrit e quajtën shfaqje të dështuar. Qytetarët filluan të flisnin për mrekullinë se si deshi Zoti që Bezari të merrte rolin. Por, ashtu nuk mendonte prokurori…
***
Prokurori kishte ngritur aktakuzë ndaj Bezar Miletit në të cilën akuzohej se kishte dëmtuar shëndetin e tjerëve për qëllime të përfitimit personal.
***
Procesi gjyqësor mbaroi. Bezar Mileti u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe pezullim të diplomës, kurse dy të tjerë (emrat e të cilëve s’më kujtohen, pasi ka kaluar një kohë) u dënuan me nga tre vite burgim. Gjykata vërtetoi se Bezar Mileti, me dashje kishte dëmtuar shëndetin fizik të Aleks Aktit, Dritan Skenës dhe Diellon Podiumit me qëllim që më pas ta fitonte pozitën e aktorit në shfaqjen “Plaçka”.
Në ditën e parë kur Aleks Akti fitoi vendin e punës, Bezari në bashkëpunim me një mik të tij, goditën me veturë Aleksin, duke i shkaktuar thyerjen e këmbës. Nga ajo ditë, Aleksi çalon.
Në ditën tjetër, viktima e tij ishte Dritani. Duke angazhuar një mik të tij që punonte si kamerier në restorantin ku e frekuentonte Dritani, realizoi planin e tij. Pasi Dritani u ul në tavolinë, erdhi kamerieri, i cili kinse po rrëzohej ia hodhi në fytyrë ujin e nxehtë. Nga ajo ditë, Dritani ka shenja të dukshme në fytyrë.
Në ditën e tretë, viktima ishte Diellon Podiumi. Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Dielloni dhe Bezari u takuan, pasi ishin miq studimesh dhe donin të festonin. Teksa pinin kafe, Bezari i hodhi helm në gotën e Diellonit. Kështu që Dielloni u sëmurë rëndë dhe mezi i shpëtoi vdekjes.
Kështu, Bezari fitoi vendin që kërkoi me aq ngulm.
***
Lexues, ky ishte rrëfimi im. Sa për qytetin që e krijove, bë ç’të duash me të. Unë kam vendosur ta rrëzoj godinën e teatrit. Çfarë na duhet një godinë e vdekur. Më dëgjo edhe kësaj radhe. Rrëzoje edhe ti!