Vijon nga:
https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices-pjesa-2/
4. A janë romanet të porositur?
Një nga hipotezat e Fotaq Andreas (e cila është e veçantë në historinë e letërsisë shqipe) është hipoteza për romanet e porositur. Edhe pse nuk kemi asnjë dëshmi të shkruar për këtë hipotezë, ajo u përhap dhe u pranua nga studiuesi Thanas Gjika dhe botuesi Krenar Zejno. Th. Gjika është i mendimit se Konica i ka shitur Aladro Kastriotit romanet për të siguruar para për botimin e revistës Albania¹. Ai nuk jep kurrfarë reference të burimit që e ka shfrytëzuar. Më pas ai do të pohojë se Konica nuk do t’i përmendë asnjëherë romanet, duke hamendësuar se nuk do të dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimeve.
Lind natyrshëm pyetja: sa është bindës Th. Gjika për hipotezën se romanet janë shitur për botimin e Albanisë?
A mund ta besojmë se Faik Konica i kishte harruar romanet?
Për t’i përgjigjur këtyre pyetjeve do të duhej të shqyrtojmë rrethanat në të cilat jetoi Faiku ynë.
Është fakt se Konica ka bërë përpjekje disa herë për botimin e të përkohshmes “Albania” në Amerikë. Të dhënat e para i kemi me 4 dhjetor 1910, kur në kryeqytetin e Missour-it, Saint Louis, Faik Konica mban një konferencë për të mbledhur ndihmat e nevojshme për botimin e revistës Albania. Ai siguron në këtë qytet për vazhdimin e botimit të revistës “Albania” 500 dollarë. Saint Louis-i (qyteti i katërt për nga numri i banorëve në Amerikë) do të jetë vendi ku do të fillojë botimi i revistës Albania. Në këtë qytet jetonin rreth 2000 shqiptarë. Ai² mendonte ta botonte revistën “Albania” thjesht letrare e historike, kurse për të përhapur mendimet politike mendonte ta botojë “Albanien e vogël” me një emër tjetër dhe me faqen e katërt në anglisht. Në pamundësi për të filluar botimin e përkohshmes “Albania” Konica nisi të botojë gazetën “Trumbeta e Krujës” më 20 mars 1911, por pas tre numrash u ndërpre.
Në të vërtetë përpjekjen e parë për botimin e revistës “Albania” Konica e bën me të ardhur në Boston. Shoqëria “Besa-Besë” i kishte premtuar se do të botonte revistën në shtypshkronjën e “Diellit” me një çmim të volitshëm. Ishte një premtim kot, sepse nuk kishte asnjë mundësi derisa në arkën e saj kishte gjithsej 62 dollarë dhe 90 anëtarë. Edhe pse Konica boton në gazetën “Dielli” më 10 nëntor 1909 një adresë të veçantë për pajtimarët dhe artikujt e “Albanias” nga nr. 32 deri në 51 kur dorëhiqet nga redaktimi i gazetës, ndërsa kur rikthehet në drejtimin e gazetës më 6 maj 1910 (nr. 58) adresa e veçantë për pajtimtarët dhe artikujt e Albanisë zëvendësohet me librin Kondili i kuq.
Përpjekjen e fundit të Faik Konicës për botimin e Albanisë në Amerikë e kemi me 2 shkurt 1912 kur i drejtohet autoriteteve austriake. Edhe me këtë rast përpjekjet e Faik Konicës për botimin e Albanisë në Amerikë dështuan.
Sa i përket pyetjes së dytë se ‘Faik Konica i kishte harruar romanet’ një pohim i tillë nga një studiues i njohur siç është Th. Gjika duket pa kurrfarë baze shkencore. Së pari, Faik Konica nuk ishte në moshë të thyer që të ngatërrojë ngjarje e fakte. Së dyti, ai ka qenë një personalitet që i ka mahnitur të tjerët për dijen dhe kulturën që kishte. Nuk është quajtur kot nga miku i tij i shtrenjtë, Gijom Apolineri, një “enciklopedi lëvizëse”.
Me gjithë dëshirën e mirë të Thanas Gjikës për t’i njohur Faik Konicës autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”, me qëllim që të mos ndryshohet mendimi se nuk ka lënë as një vepër të përfunduar, për fat të keq (siç e kam thënë edhe një herë më parë² në ExLibris) romanet nuk janë në autorësinë e tij.
Përdallim nga Gjika e Zejno që mendonin se romanet janë të porositur, Moikom Zeqo është i mendimit se romanet janë të sponsorizuar, kurse Nasho Jorgaqi është i papërcaktueshëm për këtë njoftim të Andreas. Kështu, sipas Fotaq Andreas kemi:
«Nga ata lloj autorësh anonimë që kanë një vepër të gatshme për ta shitur te “prurësi më i parë” apo, pse jo te porositësi i tyre. Përderisa Aladron shpesh e kemi parë si porositës tek piktori Theohar Gjini, përse të mos e shohim porositës edhe te shkrimtari Faik Konica? »
Më poshtë F. Andrea për ta shpjeguar më mirë hipotezën e romaneve të porositur vazhdon duke krijuar dialogje imagjinare që janë të denja për një vepër letare:
«Duke ia dorëzuar romanet në dorë Aladros kundrejt një pagese për punën e bërë, kujtimi i këtij gjesti është i qartë: “I dashur mik, ja ku i ke romanet, kam ngritur lart figurën tënde, tani bëj ç’të duash!” E me vete duke thënë: “Eh, i dashur mik, aty brenda më ke, s’më shmang dot, edhe sikur të duash!”
Po kështu edhe në pasthënie do të shkruajë kinse e ka zgjidhur çështjen e autorësisë së romaneve të shitur:
«Andaj, e çuditshmja, madje absurda à la Camus, në emër të ekzistenciales, shkon gjer aty sa Konica me një lloj moskokëçarje ia “dorëzon”, ia shet dhe atribuon një tjetri shkrimet e tij (të jetë vallë kjo vetëm hera e parë?!…) »
(vijon numrin e ardhshëm)
1Thanas Gjika, Mosdënimi i krimit është krim i ri, Botimet Omsca-1, Tiranë, 2016, f. 124.
²Faik Konica, Një udhëtim gjashtë javësh, “Dielli e flamuri”, Boston, 11 janar 1911, nr. 80, f. 1, 4; 20 janar 1911, nr. 81, f. 4.
³Shih Sevdai Kastrati, Një prozë e panjohur e Faik Konicës, “ExLibris”, 23 janar 2021, nr. 114, f. 8.
[…] Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës (pjesa 3) […]
[…] Vijon nga: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices-pjesa-3/ […]
[…] Vijon nga: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices-pjesa-3/ […]