More
    KreuLetërsiBotime të rejaSali Bashota: Jetëshkrimi kodifikues: arti i prozës dhe teoria

    Sali Bashota: Jetëshkrimi kodifikues: arti i prozës dhe teoria

    Meliza Krasniqi: Vepra e Musinesë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019

    Jetëshkrimi kodifikues

    Dija për letërsinë i ka shkallët e veta: në këto shkallë rrinë bashkë talenti dhe puna, pastaj vijnë me radhë: mendimi, fakti, argumenti, metoda, teoria, figura, gjuha, stili, etj.

    Secila nga këto i nënshtrohet përkushtimit dhe sistemimit të dijeve, për të prodhuar efektin letrar, kritik, estetik, për fenomene dhe çështje që trajtohen. Letërsia nuk mund të studiohet pa trajtimin e fenomeneve letrare dhe estetike, pa komunikim e pa ballafaqim, pa njohje e pa vlerësim.

    Studimi monografik i Meliza Krasniqit me titullin “Vepra e Musinesë”,paraqet kontribut të çmuar në studimet e sotme shqiptare, në radhë të parë, për veçantitë e kërkimit, për përdorimin efikas të metodave të studimit, për karakterizime teorike dhe estetike, por edhe për cilësinë e mendimeve dhe të pikëpamjeve të saj për letërsinë.

    Autorja ka ndjekur modelin kronologjik të studimit të krijimtarisë letrare dhe epistolare të Musine Kokalarit. Në fakt, analiza tekstuale, sociologjike, krahasuese, intertekstuale, të gjitha së bashku, janë sistemuar brenda rrafsheve kryesore të interpretimit dhe të vlerësimit kritik, për të mbërritur te rezultati studimor dhe shkencor. 

    Pjesa e parë e studimit është përqendrim kritik e teorik në veprat letrare të Kokalarit, ndërkaq në pjesën e dytë  studiuesja merret me trajtimin e veprave joletrare të Kokalarit. Për më tepër, shqyrtimi kritik mbështetet më tutje në sensibilitetin e ndërlidhur me realitetin social, që Musineja e projekton në tregime, skica letrare, poezi, proza poetike, në njërën anë dhe me realitetin politik, në zhanrin autobiografik, përmes letrave, kujtimeve, etj., në anën tjetër.

    Kjo vepër është fryt dhe rezultat i punës kërkimore, studimore e shkencore të Meliza Krasniqit, e kurorëzuar, herën e parë si doktoratë, e tani si vepër e botuar.

    Arti i prozës dhe teoria

    Çka mund të ofrojë për lexuesin një studiuese e re, siç është Meliza Krasniqi, kur shkruan për një shkrimtare dhe intelektuale disidente shqiptare, siç është Musine Kokolari, duke e projektuar jetëshkrimin për të, si klasifikim, në pesë pamje: kontekstualizmi, familja, shkollimi, shoqëria, letërsia dhe politika.

    Ballafaqimi i disiplinuar i Melizës  me mendimin kritik e teorik, është provuar me studimin “Shkreli prozator”(2015), pra me njërin ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë,  ndërkaq  ballafaqimi i Melizës me përkthimin, është provuar me dy  vepra të rëndësishme teorike: “Aspekte të romanit” (2017) të Forsterit dhe “Hyrje në poetikë”(2018) të Todorovit, që dëshmojnë afinitetin  dhe suksesin e saj edhe në fushën e përkthimit.

    Secila vepër studimore i ka shenjat e veta. Natyrisht, veprat studimore të karakterit monografik, këto shenja i sistemojnë dhe i funksionalizojnë, si jetë dhe si shkrim, por edhe si studim i gjerë dhe i hollësishëm. Secila vepër e këtij fahu insiston me çdo kusht ta ketë vlerën e vet autentike.  Nuk i kanë të gjitha, por vepra studimore e Meliza Krasniqit, i ka dhe kjo dëshmi tregon se është një studim, i cili shquhet në fushën e analizës, interpretimit dhe vlerësimit. Këto tri komponente fuqizohen me gjetje dhe sistemim mendimesh e argumentesh, deri te adhurimi magjepsës, për ta portretizuar shëmbëlltyrën dhe studiuar veprën e Musine Kokolarit.

    Pikëpamjet kritike dhe letrare të Meliza Krasniqit përcaktojnë një relacion krijues të autores së studimit me autoren e veprave. Fryt i një relacioni dhe kërkimi të tillë, është vetë kërkesa për studim monografik, në të cilin trajtohet vepra e Musinesë: proza, poezia, autobiografia, studimi i saj për Naim Frashërin, pastaj ditari, letrat, kujtimet.

    Nëse shkrimi kritik është kërkim i pasionuar, nëse është kuptim e domethënie, nëse është pranim e refuzim, nëse është mesazh, etj., atëherë  përpjekja për të portretizuar dhe studiuar një shëmbëlltyrë disidente, siç ishte Musine Kokolari, është më shumë se çështje e letërsisë dhe kritikës letrare sot. Kësomënyre, praktika teorike letrare e kapërcen një “rend social” të pikëpamjeve për letërsinë e botën letrare në përgjithësi që ka të bëjë me rendin tjetër, për ta funksionalizuar fenomenologjinë e receptimit estetik, kur është fjala për studimin e Meliza Krasniqit. Ka edhe diçka tjetër këtu përtej rrafshit letrar që nuk ndërlidhet me këtë studim, por me kontekstin politik të fatit të Musinesë. Është pikërisht bukuria e saj, madje simbolikisht si  bukuria e bilbilit të Mjedjes: bukuria si kob. Mjedja thotë: “Vetë bukuria, o i shkreti/Kenka për ju nji kob”/. Në rastin e Musinesë, kobi nuk është assesi ofshamë as pëshpëritje metafizike, por është realitet i dhimbshëm jetësor që ka përcjellë deri në vdekje. Prandaj, veprimtaria krijuese, intelektuale, politike e saj, e ka përbrenda kobin e një rendi ideologjik, i cili ka prodhuar anatemën në ambientin kulturor të shqiptarëve, për një kohë shumë të gjatë.

    Esenca e shkrimit kritik: Autenticiteti i vlerësimit

    Njëra ndër esencat e tekstit kritik të Meliza Krasniqit, është se ajo shtron pyetje e jep përgjigje. Edhe kur përqendrohet te tematika, rrëfimi, bota e personazheve në prozën e Musinesë, por edhe kur evidenton e trajton çështje dhe probleme të tjera.

    Studimi i veprës Musine Kokalarit është projeksion i dashurisë letrare për dashurinë njerëzore. Prapë, jeta e vepra, pra jetëshkrimi, janë artikulime të ndjenjës dhe të mendimit, nisur nga profili i Musinesë në pesë pamje deri te kujtimet, letrat dhe mendimi kritik për të.

    Kjo tregon për ndërtimin e saktë dhe të qartë të tekstit  të Meliza Krasniqit, i përvijuar nga pamjet që sajojnë një rend sistematik të interpretimit, nëpër kaptina dhe kapituj, për të mbërritur te esenca e analizës.

    E vetmja përmbledhje poetike e Musinesë, është “Kolla e vdekjes”, ku përfshihen poezi, por edhe proza poetike, skica e tregime. Në fakt, analiza e krahasimi i Melizës, në pjesën e studimit “Migjeni përballë Kokalarit”, dëshmon prapë pamjen e zhvillimit të letërsisë shqipe, te poeti (Migjeni) dhe prozatorja (Musineja). Këtu kemi karakterizime, vlerësime dhe argumentime, për t’i prodhuar dallimet e ngjashmëritë e teksteve poetike, për ta saktësuar edhe fenomenin e shkrimtarisë, në kërkime të vazhdueshme, por edhe të diskutueshme.

    Studimi i Meliza Krasniqit ofron koncepte krijuese e teorike, për të hyrë në brendinë e tekstit narrativ në veprën “Siç më thotë nënua plakë». Depërtimet e analizës psikologjike e prekin thelbin e kërkimit nga tema, zhanri e deri te minimalizmi. Gjithsesi, është me interes trajtimi i fenomenit të minimalizmit, i cili nuk është trajtuar sa e si duhet në studimet shqiptare, prandaj autorja ka bërë një përpjekje të suksesshme dhe serioze në trajtimin e mozaikut minimalist në prozën e Kokalarit, veçanërisht në veprën “Siç më thotë nënua plakë”.

    Mendimi i autores së studimit dhe rrëfimi i protagonistes, sikur kanë diçka të përbashkët që ndërlidhet me strukturimin e vendosjeve dhe zhvendosjeve të modeleve të analizës dhe modeleve të kodit narrativ në një hapësirë, ku referencat nisen nga gjuha e kritikës (Meliza Krasniqi) e shkojnë deri te bota e personazheve (Musine Kokalari).

    Pamjet e ëndërrimit të dramatizuar shkojnë më tutje edhe në krijimet e tjera, siç janë: “ Nëna plakë në Romë” dhe “Rreth vatrës”. Këtu dalin në shesh detajet dhe imazhet që e forcojnë kuadrin e rrëfimit, midis zgjedhjes së titullit, niveleve narrative dhe transtekstualitetit. Dimensioni i fundit ka të bëjë me praninë e folklorit në tregimtarinë e Musinesë, përkatësisht me përrallën, për ta paraqitur e trajtuar karakterin intertekstual të këtyre tregimeve dhe skicave.

    Kjo pjesë e studimit shquhet për aktivizimin e komponentes teorike (Gros, Prop, Allen, Zhenet etj.) Madje, lidhjet e ndërlidhjet e nivelit dialogëzues jepen prapë si pamje teorike: krijimtari gojore- intertekstualitet – hipertekstualitet. Përralla është shpirti i kësaj proze, ndërsa modelet e rrëfimit janë më shumë sesa artikulime të dramatizuara, në një kohë dhe në një hapësirë, ku pjesët e përbëjnë tërësinë.

    Në pjesën e pestë të këtij studimi, Meliza Krasniqi, trajton veprën “… Sa u tund jeta”  të Musine Kokolarit. Nga pikëvështrimi i studiueses komentohen raportet e letërsisë dhe të etnografisë, pastaj modeli i personazheve, si dhe klasifikimi i këngëve të dasmës. Për më tepër, Meliza Krasniqi, provon me sukses hyrjen në botën e interpretimit të tekstit narrativ, duke i shqiptuar referencat e folklorit nëpër shkallët e identifikimit të esencave shkrimore që lidhen me format e thjeshta epike. Edhe këtu kemi të bëjmë me faktin kritik e estetik dhe me fiksionin krijues e letrar.

    Librat që kanë kujtime, kanë edhe përjetime. Jetëshkrimi i Musinesë është dramë shpirtërore e kujtimeve dhe përjetimeve. Bashkë rrinë në një vend: ditar, biografi, kujtime e përjetime.

    Vepra “Jeta ime universitare” e Musinesë, i ka pesë pamje brenda katër viteve. E shkruar në italisht dhe e botuar pas vdekjes së autores, vepra i ka shenjat e veta të përmallshme që brenda e kanë parabotën dhe botën e vet, për Italinë dhe Shqipërinë. Këtu ka aq shumë dhimbje shpirtërore e njerëzore, sa ka aq shumë fuqi krijuese e intelektuale.

    Një nga projektet krijuese e studimore që mban gjallë fort Musinenë, ndërlidhur me letërsinë dhe identitetin kombëtar,  është studimi për Naim Frashërin. Pa dyshim, vlerën dhe rëndësinë e këtij studimi, Meliza Krasniqi, e ndërlidh me vetë figurën e Naim Frashërit, duke e definuar qasjen e Musinesë me primesa të një kritike sociologjike.

    Po kështu, trajtimi i Musine Kokalarit edhe në planin jashtëletrar, siç ndodh me “Programin e Partisë Social Demokrate”, është me interes studimor, për ta kuptuar më qartë edhe disidencën e saj.Ndërkaq, trajtimi i kujtimeve dhe i letrave të saj, gjithsesi, e plotësojnë mozaikun e studimit të Meliza Krasniqit, për të arritur deri te kritika letrare për të.

    Në fakt, letërsia  fiksionale dhe letërsia autobiografike, i kanë shenjat e veta në krijimtarinë e Musine Kokalarit. Këto shenja dalin në dritë nga një studiuese e re dhe e talentuar, siç është Meliza Krasniqi.Pa dyshim,  nisjet në udhën e kritikës letrare janë më shumë se çështje konceptuale e metodologjike për çdo studiues apo studiuese.  Nisjet nuk janë të lehta, sepse gjithmonë synohen përfundimet dhe rezultatet autentike që mbesin si referencë për të tjerët.

    Rezultati studimor i Meliza Krasniqit del i suksesshëm, i qartë dhe bindës. Pra, “Vepra e Musinesë”, autores i hap shtigje të reja, për të vazhduar me kërkimet të saj për çështje dhe fenomene të ndryshme të letërsisë shqipe, por edhe më gjerë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË