More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRudina Muharremi Beja: Një vepër e fortë, që denoncon gjenocidin serb në...

    Rudina Muharremi Beja: Një vepër e fortë, që denoncon gjenocidin serb në Kosovë

    “Eskadronët e vdekjes”, të autorit Bardhyl Mahmuti

    Kam në duar romanin “Eskadronët e vdekjes”, të autorit Bardhyl Mahmuti, të përkthyer në gjuhën italiane nga shkrimtarja Ismete Selmanaj Leba. Ky libër, që po përkthehet në disa gjuhë, është konsideruar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës si vepra më e mirë, që pasqyron gjenocin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

    Autori ka kapur një temë shumë të rëndësishme, që është trajtuar edhe nga autorë të tjerë. Por romani “Eskadronët e vdekjes” ka një forcë të veçantë edhe për faktin se autori e ka ndierë mbi kurrizin e tij egërsinë e gjenocidit serb, duke qenë i burgosur nga ana e tyre për shkak të një interviste në televizion, ku ai kundërshton me forcë një eksponent serb, i cili deklaronte se kosovarët nuk duhet të krijojnë një republikë të tyren, si dhe për pjesëmarrjen e tij në demonstrata. Duke i njohur mirë gjakatarët serbë dhe kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviç, autori ka mundur të fusë në duar dokumente të rëndësishme, fakte për ngjarje dramatike e tragjike, dëshmi të shumta, të cilat kanë përbërë lëndën e parë të rëndësishme për ndërtimin e kësaj vepre letrare. E, mbi të gjitha, vepra fiton forcë të veçantë, sepse autori ka bërë që serbët të dëshmojnë me gojën e tyre krimet e pashembullta që kanë bërë mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Kjo i jep romanit një vërtetësi më të madhe e një autencitet të jashtëzakonshëm.

    Një skuadër vdekjeje i referohet një grupi njerëzish të armatosur që veprojnë me qëllimin e vrasjes së civilëve, zakonisht të paarmatosur, për qëllime politike. Lufta e Kosovës ishte një konflikt i zhvilluar nga shkurti 1998 deri më 11 qershor 1999 dhe përfaqëson një nga luftërat më të mëdha e më të përgjakshme jugosllave. Ndër shkaqet kryesore të armiqësive ishte përcaktimi i statusit të Kosovës si shtet i pavarur, që deri atëherë i përkiste Republikës Federale të Jugosllavisë.

    Konflikti shqiptaro-serb i ka rrënjët më të hershme, që në dëbimin e shqiptarëve në vitet 1877 dhe 1878 nga zonat që ishin përfshirë në Principatën e Serbisë. Tensionet ndërmjet komunitetit serb dhe shqiptar në Kosovë vazhduan gjatë gjithë shekullit të 20-të, për më shumë se njëqind vjet, duke sjellë një dhunë serioze në disa raste, veçanërisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe Luftës së Dytë Botërore (1939-1945).

    Thënë këtë, autori Bardhyl Mahmuti, një zë i rrallë autorial, unik në panoramën diplomatike, në mbrojtjen dhe paraqitjen e së vërtetës, të së drejtës demokratike dhe të çështjeve kombëtare, drejtuar zyrave të ministrive dhe organizmave ndërkombëtare, na kthen pas, deri në ato ditë, në ato momente kur lufta e Kosovës ishte bërë temë qendrore e agjendave politike e mediatike, si një emër që pushtoi botën, me dëshminë e rezistencës më të madhe për të arritur vlerën hyjnore, lirinë.

    Autori, duke bërë përshkrimin e së vërtetës me detaje të momenteve tragjike, sprovave makabre dhe sakrificave masive, nxjerr në pah mesazhin se liria në thellësitë e shpirtit popullor të Kosovës i ka mposhtur disa herë ligjet e natyrës, duke dëshmuar epërsinë shpirtërore të rezistencës, krahasuar me dimensionin fizik, si vlera më e lartë vlerësuese e mbijetesës.

    Romani “ Eskadronët e vdekjes”, përveçse një vepër letrare me vlera të mëdha dokumentare, ka ruajtur cilësinë e rrëfimit artistik, pa tjetërsuar autenticitetin historik. Teknika e rrëfimit, vazhdimësia strukturore e romanit dhe, mbi të gjitha, sinkroniteti kronologjik i kapitujve të librit e bën gjithçka më të kuptueshme dhe gjuha e autorit shquhet për transmetimin e saj të thjeshtë, të pastër dhe të qartë.

    Në këtë roman autori Bardhyl Mahmuti hedh dritë mbi ngjarje reale, duke na rrëfyer për njerëz realë, jo personazhe imagjinarë. Ai flet drejtpërdrejt dhe me guxim për intrigat shtetërore, manipulimet mediatike të kohëve moderne dhe dokumenton me mjeshtëri artistike një realitet shqetësues. Kësisoj romani “Eskadronët e vdekjes” bëhet një dëshmi e hollësishme dhe e drejtpërdrejtë e krimeve shtetërore serbe ndaj të gjithë shqiptarëve në përgjithësi, por edhe ndaj disa intelektualëve serbë, që patën guximin e ndershmërinë të ngrinin zërin e të dëshmonin kundër gjenocidit në Kosovë.

    “Letërsia nuk ka asgjë për t’u thënë atyre qenieve njerëzore që janë të kënaqura me atë që kanë, që ndihen mirë me jetën siç e jetojnë. Letërsia është ushqim për shpirtin rebel, lajmëtari i antikonformizmit, strehë për ata që kanë tepër shumë apo tepër pak në këtë jetë”, ka shkruar nobelisti i njohur Mario Vargas Llosa. Në këtë kontekst, romani i Bardhyl Mahmutit na mëson se në kohë iluzionesh masive, mbrojtja e së vërtetës është një akt revolucionar. Në faqet e librit ka tragjedi të panumërta fatesh individuale e familjare, të dokumentuara me njolla gjaku dhe imazhe martirësh. Ngjarje që trondisin thellë ndieshmërinë njerëzore.

    “Skuadronet e vdekjes” është një libër që të lë pa gjumë dhe të zhyt në mendime. Një libër i pazakontë në të gjitha aspektet.

    E veçanta. Tronditëse deri në thelb. Ajo shkon përtej kufijve të një romani me saktësinë e rikrijimit të një bote që ishte aq e pranishme në jetën e shqiptarëve të Kosovës, por edhe përtej tyre. Një kërkim kaq i pafund, një fushë kaq e gjerë, ku lëvizin personazhet e vërtetë, emrat e vërtetë, duke ruajtur gjithmonë ndieshmërinë tematike e artistike.

    Shumë nga protagonistët e kalvarit kosovar të viteve 1990 nuk jetojnë më. Ja pse dokumentimi i historisë së asaj epoke të sakrificave të përgjakshme dhe të tragjedive individuale e kolektive përmes fjalës artistike është detyrë. Brezat e sotëm e veçanërisht ata të ardhshëm kanë nevojë ta njohin këtë të vërtetë, që ajo të mos përsëritet.Bota ekziston dhe shkrimtari flet. Kjo është letërsia.

    Siç e preka pak më sipër, autori Bardhyl Mahmuti ka mundur të gjejë mënyrën më të mirë për t’i treguar dhe dokumentuar ato ngjarje të dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës, mëpërmjet rrëfimeve dhe këndvështrimit të vetë serbit. Autokritika, vetërrëfimi, kërkimi i provave dhe publikimi mediatik i së vërtetës nga personazhi kryesor (gazetari Mifi-Mirosllaf Filipoviq) rikonformojnë kundërshtimin e protagonistit ndaj regjimit totalitar, represionit despotik dhe censurës diktatoriale të lirisë së fjalës dhe të vërtetës së realitetit.

    Gazetari serb vuan në qelitë e burgut për të vërtetat që ka shpalosur, ndërsa propaganda dhe politika serbe mundohen t’i minimizojnë ato dëshmi, madje t’i quajnë frut të një fantazie të sëmurë të dëshmitarit që ka patur guximin të flasë e t’i kundërvihet politikës serbe ndaj shqiptarëve.

    “Skuadrat e vdekjes”, që është kronika e një masakre e shkruar nga Bardhyl Mahmuti, na fton për të prekur plagët e hapura dhe për të reflektuar se si krimet e tmerrshme kanë mbetur të pandëshkuara deri më sot. Autori i shndërron heshtjet në fjalë. Asaj që është e pashqiptuar i jep zë. Ne i kemi harruar pothuajse plotësisht ato tmerre, ndërsa të rinjtë keqinformohen në mënyrë indirekte ose informohen në mënyrë sipërfaqësore, në një kohë kur vetëdia e tyre duhet të bëhet më e qartë se kurrë, sepse janë ata që do të mbrojnë lirinë e Kosovës, fituar me gjak e sakrifica, dhe do të çojnë përpara çështjen kombëtare.

    Ky roman sigurisht ka nevojë për kohën tonë. Gërshetimi i rrjedhave të të vërtetave historike të dokumentuara, të konceptuara si tematika e romanit, përcjell një paralele të dukshme me mentalitetet kriminale absolutiste. “Gjërat duhen thënë ashtu siç janë dhe është e vetmja mënyrë për të shpëtuar kombin nga njolla e krimeve të kryer nga pushtetarët”, shkruan autori.

    Është jashtëzakonisht e vështirë të anashkalosh një paragraf ose një fragment të faqeve të librit. Talenti metodologjik i autorit manifestohet nga një vëmendje e veçantë reflektuese dhe fjalor tingëllues. Portreti i personazheve demokratë dhe në dukje oportunistë me virtyte të ndërgjegjes, me ndienjën e përgjegjësisë kolektive dhe me atribute të moralit intelektual e njerëzor, në librin e autorit përputhet me një korrektesë dhe autenticitet të jashtëzakonshëm dhe me respektin për integritetin e tyre personal ndaj ortekut të propagandës serbe.

    Gjatë leximit, lexuesi, pothuajse në mënyrë të pashmangshme braktis plotësisht veten në thellësi të përshkrimeve dhe të fuqisë dramatike të dialogëve. Prandaj nuk është rastësi që autori e nis romanin me një kujtim të kohës së Hitlerit, të veprimtarisë së drejtuesve të ushtrisë së tij për të shfarosur hebrenjtë, pra për të zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e ekzistencës së tyre. Nuk bëhet pa një qëllim të caktuar ky paralelizëm, por sepse politika e sotme serbe, na kujton nazizmin e dikurshëm, që solli aq tragjedi mbi globin tokësor.

    Kosova, krahina e fundit e mbetur e krijimit artificial të quajtur Jugosllavi, luftoi në mbrojtje të sistemit të vlerave civile dhe të së drejtës themelore për liri dhe pavarësi, për të patur republikën e vet të pavarur. Përmes këndvështrimit të protagonistit dhe të vetëreflektimit të personazheve publike serbe, autori apelon dhe stimulon ndërgjegjen e të gjithëve.

    Rrëfimi, leksiku dhe konsistenca informative vendosen me afinitet në tregim. Mentaliteti propagandistik serb dhe e vërteta ishin të largëta sa dy pole të kundërta, ndërsa autori i romanit “Eskadronët e vdekjes” e hedh poshtë këtë koncept. Ai e ka jetuar mbi lëkurën e tij këtë tragjedi.

    Pasi lexon këtë roman të autorit Bardhyl Mahmuti, mëson se gjaku i viktimave të pafajshme nuk mund të fshihet aq lehtë sa kishin menduar krijuesit serbë të një holokausti të ri dhe aq më pak mund të harrohet. Ndaj i ftoj të gjithë ta lexojnë për të pasuruar së pari njohuritë e tyre.

    Mendoj se meriton komplimente përkthyesja e librit në gjuhën italiane, Ismete Selmanaj Leba. Kontributi i saj dhe i atyre që po e përkthejnë në gjuhë të tjera, do të bëjnë që lexuesit e huaj, të cilët e kanë njohur pak, aspak, ose në mënyrë të shtrembëruar të vërtetën e kësaj tragjedie njerëzore, do të njihen më mirë e do të ndërgjegjësohen, që tragjedi si ajo e Kosovës, mund të përsëriten edhe për popuj të tjerë, nëse ndërgjegja kolektive nuk u vë fre politikave të tilla të gjenocidit e të shfarosjes së popujve më të vegjël. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË