More
    KreuHistoriRreth disa teksteve të liturgjisë së krishterë në krijimtarinë e Françesk Anton...

    Rreth disa teksteve të liturgjisë së krishterë në krijimtarinë e Françesk Anton Santorit

    Evalda PACI

    Historia e shkrimit shqip përbën një prej subjekteve më interesante në fushë të studimeve mbi kulturën librore europiane dhe që nuk përfaqësohet vetëm prej veprash që zanafillën e patën në trojet shqiptare. Duke dashur të konsiderojmë një tërësi të tillë në pikëpamje të një diakronie të domosdoshme, por dhe të një kronologjie që patjetër do të duhet të marrë parasysh dimensionin gjeokulturor të shtrirjes dhe shfaqjes së prirjeve për të lëvruar me shkrim motive dhe argumente të një tematike të ngushtë trajtimi, ndër të parat që do të vijnë në vëmendjen tonë dhe të çdo studiuesi të historisë së letërsisë së shkruar shqipe do të jenë viset arbëreshe dhe prelatët që i shërbyen një kauze madhore gjatë gjithë veprimtarisë së tyre. Emri i tyre ndërmendet përherë ndërsa mëtojmë të ndjekim zanafillën e gjurmimit dhe të njohjes nga afër me aspekte fizike të ndërtimit dhe përmbajtjes së librave me vlerë për historinë e letrave shqipe, siç është rasti i letërkëmbimit që bëri të mundur të mësohej ekzistenca, por dhe konfigurimi tekstor i një ekzemplari të vyer e të veçantë si libri i Gjon Buzukut. Një areal i veçantë jo vetëm në pikëpamje gjeografike si ai i viseve në të cilat jetuan gjatë arbëreshët tanë për shekuj me radhë ushqeu interesat e shumë njerëzve të dijes që bënë të mundur të aktualizoheshin përmes veprash të shkruara modele të përpilimit të lutjeve të liturgjisë së krishterë, por dhe tekste që pasurojnë një arsenal burimor që ka të bëjë me letërsinë ekleziastike dhe krijime të posaçme që lidhen si me të në veçanti, si me letrarësinë si koncept. Janë një sërë motivesh dhe toposesh që jo vetëm dëshmojnë për lidhje të ndërsjellë mes kulturash dhe popullsish që i receptonin ato, por dhe për forma krijimtarie që patën një jetëgjatësi të konsiderueshme falë modalitetit të transmetimit dhe praktikës së një besimi që duket që i ka rrënjët solide dhe në viset ku jetuan autorët e letërsisë arbëreshe. Për ato vepra që arrijmë t’i disponojmë dhe në variante botimi në të cilat gjurmohen të dhëna konkrete mbi rrethanat e daljes në dritë të shtypit, mbi lejimin e botimit nga hierarkia gjegjëse e kohës, është e mundur të vëzhgohen dhe elemente të tjera që përafrojnë vetë realizimet në fjalë me një traditë shkrimore e tipografike që erdhi duke u konsoliduar në një areal të përcaktuar në viset e Europës.

    Do të rindërtonim kësisoj një mozaik të tërë kontributesh dhe ngjarjesh që kanë të bëjnë me evokimin e një motivi që jo rrallë përafroi njerëz të letrave e dashamirë të dijes e të kulturës së shkrimit, por dhe të lëvrimit të një letërsie specifike që në shumë vende përkoi edhe me inicimin e një tradite po aq të përveçme shkrimore e letrare.[1]

    Tradita e lëvrimit të shkrimit të shenjtë përmes teksteve në gjuhën shqipe dhe në letërsinë arbëreshe shënohet në mënyrë domethënëse nga një arsenal i pasur gjinish dhe krijimesh që mbajnë autorësinë e Santorit, njohës i mirë i një pasurie përdorimesh që sigurisht kishin një historik të tyrin që kishte zënë fill shumë kohë më parë se autori vetë t’i bënte objekt të përfshirjes në përpilimet e veta. E gjithë trashëgimia shkrimore që ky autor i letërsisë arbëreshe ka hartuar duke u mbështetur fuqimisht në të tilla motive dhe elemente kulturore, ka gëzuar një vëmendje të qartë nga ana e filologëve dhe studiuesve të historisë së teksteve të kësaj tematike, duke qenë se në veprën e Santorit ndërthuren disa prirje që mund të jenë kushtëzuar dhe nga vetë natyra gjinore e krijimtarisë me të cilën ai përshkroi sërish një sërë shëmbëlltyrash dhe episodesh që kanë gjetur një frymëmarrje të gjerë ngërthimi në ungjijtë a në Besëlidhjen e Re. Santori ka pa dyshim merita autoriale në pikëpamje të shtjellimit të subjekteve të veçanta me origjinë biblike që në dijeninë tonë vijnë dhe falë dokumentimit shkrimor që mundësohet nga një libër kompleks si ai i Gjon Buzukut (1555), por dhe nga përpilime të mëvona, që edhe pse shërbejnë për të konfirmuar një vijimësi krejt të përveçme në pikëpamje të përkatësisë tradicionale shkrimore, janë dhe dëshmi e prirjeve të përbashkëta për të lëvruar dhe një kulturë të dijes përmes promovimit të tekstit liturgjik dhe atij biblik. 

    Rimarrja e tyre jo vetëm që tërheq sërish vëmendjen ndaj rëndësisë që marrin në pikëpamje të dokumentimit shkrimor motive që së pari janë shfaqur në mënyrë konkrete në tekstin e mirëfilltë kanonik, por edhe bën të mundur të reflektojmë mbi afrinë e traditave shkrimore dhe letrare mes vendeve tona, duke qenë se një fakt i tillë shërben për t’i parë në një optikë pranëvënëse që konsiderohet e tillë edhe nga ngjashmëria tematike e subjekteve të bëra objekt trajtimi.

    Është e qartë që njëfarë diversiteti që mund të shpjegohet dhe nga ndikimi i modeleve referenciale që shërbenin si burim për autorët tanë dhe vetë tradita e ritit që nuk ka qenë e njëjta në viset tona dhe në ato arbëreshe ndihet dhe në raste të një vështrimi qasës që njëkohësisht nuk mund të mos i shërbejë dhe një konstatimi mjaft të rëndësishëm: një ndikim i tillë nuk përjashton mundësinë që të vëzhgohet te secili prej autorëve të kësaj letërsie përftimi i sintagmave apo ndërtimeve që dhe pse mund të jenë kalkime nga burime jo të njëjta, gjithsesi i referohen të njëjtit nocion dhe përfaqësojnë edhe mënyra specifike për t’i sjellë në variantin përkatës gjuhësor dhe nën autorësinë e tyre.[2] Në rastet kur burimi më i besueshëm referencial mbetet ai në gjuhën latine (siç dhe mund të dokumentohet jo rrallë te Santori), paraqitet një mundësi tjetër për të vënë në dukje qoftë përkimet, qoftë edhe elemente që dëshmojnë ndikimin nga e folmja vendase, që dhe në rastin e Santorit nuk mund të mos vihet në dukje.

    Tekstet që përfaqësojnë variante në dialektin përkatës të një himni mjaft popullor në mbarë vendet në të cilat besimi i krishterë ka një traditë më se të konfirmuar e që ka të bëjë me figurën e Marisë, Jëmës së Lipisisë, janë gjithashtu burime të dhënash me vlerë që dëshmojnë si elementet e një tradite latine në zanafillë ruhen e vihen në përdorim edhe në viset ku jetoi Santori. Salve Regina, ose Falemi Rregjinesha është një tekst himnodik që e gjejmë të dokumentuar që në librin e Gjon Buzukut (1555) e që në pikëpamje të përmbajtjes në këtë të fundit trajtohet si i ngarkuar me përdorime e ndërtime që janë të një prejardhjeje latine apo latino-romane. Teksti në fjalë gëzon një historik interesant edhe po të konsiderohet rimarrja e tij shekull pas shekulli në viset tona, përfshirë dhe variante të mëvona që panë dritën e shtypit në dekadat e para të shekullit të kaluar. Një variant gjegjës që gjendet në përbërje të krijimtarisë së Santorit, duke qenë se kjo figurë femërore mbetet ndër më të trajtuarat dhe prej këtij autori të letërsisë arbëreshe, dëshmon ndër të tjera dhe për ndërtime të një natyre origjinale,[3] që edhe mund të qasen me ato të shqipërimeve që pasojnë Mesharin dhe përpilimin e tij kompleks. Përfshirja e teksteve që lidhen drejtpërdrejt me figurën e saj, bashkë me një sërë atributesh celebrative që i vishen e që konkretizohen bollshëm veçanërisht në Litanitë kushtuar kësaj figure, do kuptuar dhe interpretuar dhe në vetë praktikën e liturgjisë që trajtohet prej Santorit e në këtë pikëpamje do të mund të vihet re se pikërisht një personazh i tillë, mjaft i ndërmendur në teologjinë e quajtur “mariane”, zë një vend jo vetëm qendror, por dhe më se të merituar. Një traditë pararendëse, jo fort e largët në kohë, na lejon të lexojmë përmes vargjesh konkrete që në variantin në arbërishte bëjnë të kuptosh që secili autor i kësaj prirjeje shkrimore ka operuar me modifikime ndaj burimeve që dispononte dhe një diskutim i tillë që do të ndihmonte mjaft për të interpretuar më qartë edhe shkrimtarinë e Santorit kërkon një analizë të mëtejme kryesisht filologjike dhe të orientuar nga njohja e teksteve specifike që kanë shërbyer si bazë burimore për atë vetë dhe të tjerë autorë të afërt në kohë.

    Do të jetë pikërisht Krështeu i shenjtëruorë (Napoli, 1855) një vepër që bën të mundur të gjurmohen variante sintetike të lutjeve themelore në liturgjinë e krishterë, bashkë me himnet e sipërcituara, që në të vërtetë shfaqin dhe tipare të ndryshme nëse qasim me Rozarin e Shenë Mërisë Virgjërë të Mirvulīs (Cosenza, 1849), një tjetër përpilim që me natyrën e mirëfilltë religjioze përbën një burim të përshtatshëm tekstor për gjurmimin e shkrimtarisë dhe glosarëve specifikë që lëvroheshin prej Anton Santorit. Vetë motivimi që shprehet në lidhje me këtë figurë, Zojën e Këshillit të Mirë, nëse na lejohet të mund ta emërtojmë me emërtimin gjegjës në gjuhën shqipe dhe në regjistrin përkatës ekzistues terminologjik, është dëshmi e një toposi mjaft të gjallë dhe ndër arbëreshë, të lidhur jo pak me këtë figurë femërore që evokon njëkohësisht dhe modelin e shenjtërisë së të jetuarit për shumë prej tyre. Për vetë historikun e këtij motivi në kuptimin e shfaqjes dhe zanafillës së ndërmendjes që shpie dhe në atë të një rrugëtimi konsolidues ndër shqiptarë dhe arbëreshë, trajtimi gjegjës në tekstet e Santorit pasuron më tej traditën e kompozimeve mbi Këshillëmirën, aq të nderuar në viset tona prej kohësh. Për t’iu rikthyer sërish teksteve që mund të gjurmohen në veprat e Santorit e pikërisht në ato që mbartin qartë gjurmë të një brendie të thellë besimi e që duket që janë përpiluar të jenë të tilla dhe në pikëpamje funksioni e shërbimi, duhet vënë në dukje që në to është e mundur të qëmtohen variante me interes dhe sa u përket atyre elementeve që qëndrojnë në themel të nocioneve doktrinare që sigurisht dhe në kohën kur shkruan autori ynë, vijojnë të jenë objekt vëmendjeje dhe revizionimi. Besojma që gjendet në faqet e Krështeut të Shenjtëruorë përmban në vijimësi ndërtime që përafrojnë me zëra që mund t’i gjejmë dhe te Pater noster/ Ati ynë e ndonjë tekst tjetër i ngjashëm, por ndërkohë në këtë të fundit konciziteti mbetet veçori e ndërtimit të tekstit dhe e shprehësisë së autorit.[4] Në të vërtetë, një trajtesë mirëfilli tekstore që merr parasysh dhe elemente a përveçime të variantit themelor referencial dhe të shfaqjes së tij në disa vepra të letërsisë së shkruar shqipe, nuk mund të mos ketë në konsiderim dhe sprovën e sjellë prej Santorit pikërisht në këtë vepër të cituar më sipër. Në një kornizë studimesh më konkrete, por gjithsesi diakronike në fushë të historisë së besimit të krishterë, Besojma mbetet një ndër tekstet më të trajtuara dhe në pikëpamje të vëmendjes së revizionimit ndaj elementesh të përveçme të saj, duke qenë themelor për këdo që u qaset nocioneve më bazilare doktrinare dhe aspekteve praktike të liturgjisë së përditshme.

    Edhe për Santorin do të duhet shtruar çështja e verifikimit të burimeve referenciale, e ndikimeve gjegjëse nga tradita përkatëse që është e mundur të cilësohet më mirë kur bëhet fjalë për këngë a tekste himnesh që e kanë burimin në latinitetin e krishterë (Tota pulchra; Ave maris stella; Vexilla Regis prodeunt; Pange, lingua; Tantum ergo…) dhe që kanë qenë fort të përdorura në praktikën e liturgjisë së përditshme. Nëse bëhet fjalë për ta qasur me autorë që përafrojnë me të në pikëpamje kronologjike, por dhe ngjashmërie të subjektit e që në studimet tona konsiderohen në referim të të njëjtit areal gjeokulturor, do të duhet të nënvizohet fakti që te Santori ndeshen ndërtime të një diversiteti të qartë, fakt që gjithashtu kërkon shpjegime më të thelluara nga ana e studiuesit të historisë së teksteve të asaj periudhe. Nga ana tjetër, e gjithë krijimtaria e këtij autori, që reflekton dhe elemente të një origjinaliteti të shpjegueshëm me formimin specifik të tij dhe me afërsinë që duhet të kishte me praktikën e liturgjisë, pasqyron dhe prirje të tjera që ndërkohë që mund të shihen dhe me syrin kritik nëse bëhet fjalë për sqarimin e të të përmbajturit ndaj motivit në zanafillë të përzgjedhur prej tij, janë dhe provë e punës së tij me forma të përveçme shkrimtarie dhe kompilimi tekstor.[5]

    BIBLIOGRAFI

    Camarda D., Appendice al saggio di grammatologia comparata, Prato, 1868.

    Cucci M.F., Giulio Variboba e la sua opera poetica, në “Risveglio-Zgjimi”, Cosenza, n. 3, 1969.

    Bogdani P., Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve), botim kritik përgatitur nga A. Omari, Tiranë, 2005.

    De Rada G., La vita della Vergine SS.ma, në “Fiamuri i Arbërit”, Corigliano Calabro, n. 3; n. 4, 1885.

    Çabej E., Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre, në BUSHT, n. 2, 1959.

    Dorsa V., Su gli albanesi, ricerche  e pensieri, Napoli, 1847.

    Fortino I. C., Le Kalimere di Francesco Antonio Santori (Prolegomeni, trascrizione, apparato critico e concordanza), Edizioni Brenner, Cosenza, 2004.

    Gangale G., Salve Regina, në “Arberisca”, II, Kopenhagen, 1973.

    Kodra Z., Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe, Tiranë, 1952.

    Marchianò M., Poesie sacre albanesi, Napoli, 1908.

    Matranga L., E mbsuame e krështerë (a cura di M.Mandalà), Salvatore Sciascia editore, 2004.

    La Piana M., Il Catechismo albanese di Luca Matranga, Estratto del Periodico Roma e L’Oriente, Grottaferrata, 1912.

    Petrotta G., Svolgimento storico della cultura e della letteratura albanese, Palermo, 1952.

    Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo, 1931.

    Petrotta G., Saggio di bibliografia albanese (1500-1930), Palermo, 1931.

    Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura albanese (a cura di M.Mandalà), Edizioni Mirror, Palermo, 2003.

    Ressuli N., I più antichi testi albanesi, G.Giappichelli, Torino, 1978.

    Rodotà P.P., Dell’origine, progresso e stato presente del rito greco in Italia, Libro III, Romë, 1763.

    Roques M., Recherches sur les anciens textes albanais, Librairie orientaliste P.Geuthner, Paris, 1932.

    Santori F.A., Il Canzoniere albanese, Napoli, 1879.

    Santori F.A., Chryshteu i shyjtyruary (Il Cristiano santificato), Napulī, 1855.

    Santori F.A., Il Fiore della Poesia di Francesco Antonio Santori, (a cura di V.Belmonte), San Cosmo Albanese, Cosenza, 2012.

    Schirò G., Storia della letteratura albanese, Nuova Accademia, 1959.

    Straticò A., Manuale di letteratura albanese, Milano, 1896.

    Variboba J., La vita di Maria, (a cura di I.C.Fortino), Edizioni Brenner, Cosenza, 1984.

    Zangari D., Le colonie italo-albanesi di Calabria-Storia e demografia, Secoli XV-XIX, Napoli, 1940.


    [1]  Shih, ndër të tjera, edhe Fortino I. C., Le Kalimere di Francesco Antonio Santori (Prolegomeni, trascrizione, apparato critico e concordanza), Edizioni Brenner, Cosenza, 2004, f. 11-12.

    [2]  Me mjaft interes në rastin e Santorit në veçanti paraqitet ndikimi jo pak herë i diskutuar nga modele tematike që i përkisnin më së pari agjiografisë dhe teksteve të lutjeve që pikërisht në Shtatëqindën dhe në Tetëqindën u rimorën nga personalitete të rëndësishme të hierarkisë kishtare të kohës.

    [3]  Shih, ndër të tjera, edhe përdorimin ndihorja, që nënkupton pikërisht pajtoren, siç përdoret në tekste të traditës veriore të krishterë.

    [4]  Janë një sërë elementesh që të evidentuara në përmbajtjen e lutjes së sipërcituar nga Krështeu i shëjtëruorë, Napulī, 1855, ofrojnë të dhëna mbi rendin e përbërësve në sintagma të caktuara (Jini Jatë, p.sh., për Ati ynë), përdorimin e dëshirores si një mënyrë foljore tipike për tekstin në shqip dhe arbërisht të saj, por dhe ndërtime që gjithsesi përbëjnë kalke nga zërat gjegjës në gjuhën latine. Nga ana tjetër, dhe duke iu referuar variantit të Besojmës që sillet në këtë vepër të Santorit, do të mund të rikonstatohet një koncizitet i qartë në shprehjen e koncepteve që vetë teksti në fjalë përmban, bashkë me ndonjë njësi frazeologjike që dhe sot e kësaj dite vijon të përdoret dhe në gjuhën shqipe, veçanërisht në të folme të caktuara të saj.

    [5]  Shih në veçanti kreun me titull Esegesi poetica, në Fortino I.C., Le Kalimere di Francesco Antonio Santori (Prolegomeni, trascrizione, apparato critico e concordanza), Edizioni Brenner, Cosenza, 2004, f. 39-69.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË