More
    KreuLetërsiBotime të rejaRomani i Zija Çelës “Djalli komik” botohet në Francë

    Romani i Zija Çelës “Djalli komik” botohet në Francë

    Éditions Fauves, një shtëpi e njohur botuese, sapo ka publikuar në Francë romanin “Djalli komik” (Le Diable comique) të Zija Çelës, me përkthimin mjeshtëror të Sébastien Gricourt.

    Në ballinën e pasme të librit thuhet:
    “Qyteti fiktiv i Horketës është goditur nga një epidemi misterioze: banorët janë prekur nga një paralizë që mbjell panik. Frika i çon drejt sfidës shëndetësore, me të cilën duhet të maten kolektivisht, ndërkohë që vendet fqinje u kthejnë kurrizin, duke mbyllur kufijtë e tyre.
    Aranit Lumbardi, i ngarkuar për ta kapërcyer këtë krizë, si President i Komitetit të Shpëtimit nuk reflekton asnjë dobësi, asnjë tërheqje a supersticion. Me hijen e një mbreti, ai mbart i vetëm barrën e përgjegjësisë përballë kundërshtarëve të jashtëm e të brendshëm, edhe kur pabesitë i vijnë nga rrethi i tij i ngushtë. Në një gjendje sakrifikimi, ai merr përsipër të gjitha mekatet (për reagimin hakmarrës) dhe gjakun e derdhur.
    I përkthyer për herë të parë në frëngjisht, Zija Çela na zhyt në botën e tij metaforike të vendeve imagjinare, që pasqyrojnë gjithmonë realitetin bashkëkohor, krizën e humbjes së vlerave njerëzore në vendin e tij, Shqipëri, dhe në Europën përreth.
    I lindur në Shkodër më 1946, Zija Çela jeton në Tiranë. Ai është autor i 17 romaneve dhe ka marrë shumë çmime letrare. Përmes fiksionit dhe shqisës së tij unike për ta shkartisur irealen me realen, “Djalli komik” konsiderohet si romani i tij më i përkryer.”

    Shënim: Sébastien Gricourt, njohës i mirë i gjuhës dhe letrave shqipe, pak kohë më parë u shpall fitues nga Qendra jonë Kombëtare e Librit dhe e Leximit për punën përkthimore me “Djallin komik”. Siç dihet, ky roman u botua në Tiranë më 2018 nga Toena.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË