More
    KreuLetërsiBotime të rejaRodrigo García: “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes” (fragment nga libri)

    Rodrigo García: “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes” (fragment nga libri)

    Pjesën më të madhe të shkrimeve të papërfunduara të babait i shpëtoi mamaja fshehurazi tij, sepse ai ishte rreptësisht kundër tregimit apo ruajtjes së punëve të pambaruara. Gjatë fëmijërisë, na thërriste shpesh mua dhe vëllain në studion e tij dhe na thoshte të uleshim përtokë për të grisur versione të tëra të mëparshme të librave të tij dhe për t’i flakur në plehra. Jam i sigurt se kjo do të ishte një pamje e trishtuar për koleksionistët dhe studiuesit e veprave të tij. Shkrimet dhe biblioteka e tij i kaloi Qendrës Ransom në Austin, Teksas, ku ceremonia e hapjes së koleksionit e kënaqi mamanë pa masë. Të dyja familjet tona, imja dhe e vëllait, ishin të pranishme në të dhe nëna u lumturua në shoqërinë e nipërve dhe mbesave. Mbesat në veçanti e gëzonin pa masë dhe kjo i vinte, besoj, për faktin se kur nipërit e mbesat filluan të rriten, vajzat vazhduan të tregonin më shumë interes për shqetësimet e saj të përditshme dhe i ndiqnin problemet shëndetësore të saj më me vëmendje. Ajo u dhuronte çantat e saj të vjetra dhe bizhuteri, ndonjëherë me kaq bujari, saqë vajzat ngurronin t’i pranonin, ndonëse jo dhe aq shumë. Njëra nga vajzat e mia mendonte se i ngjante më shumë nënës dhe krenohej për këtë, por, nga të gjithë ne, mbesa ishte pa dyshim më e pranishme fizikisht në vitet e saj të fundit. Vajza tjetër ishte shumë e kujdesshme në kontaktet që mbante me të nga jashtë dhe tepër e dashur. Vetë gjyshja e sime mëje kishte qenë një figurë që bënte ligjin në jetën e saj, një matriarkë që e respektonin dhe i trembeshin të gjithë, dhe besoj se kjo ishte një arsye për dobësinë që nëna kishte për mbesat. Edhe djemtë e vëllait i donte, por ishte e mendimit se kur rriten djemtë mbyllen në botën e tyre dhe e pranonte këtë si fakt. Pa dyshim që këto janë vetëm teoritë e mia që, po t’i kish dëgjuar ajo, do të ish thartuar në fytyrë e do të më kish kthyer shpinën me nervozizëm.

    Dy vjet pas vdekjes, hirin e babait e çuam në Kartagjenë. E vendosëm brenda piedestalit të një busti (që i ngjante në mënyrë të çuditshme), në oborrin e brendshëm të një ndërtese koloniale e cila tani ishte e hapur për publikun. Ishte një ceremoni zyrtare, e paraprirë dhe e pasuar nga një pritje e hapur me kokteje në shtëpinë e prindërve, që ishte një rit i detyruar. Sikundër pritja e parë me kokteje në kohën e vdekjes së babait, edhe kjo vazhdoi për disa ditë, por, meqë atmosfera ishte më e gëzueshme, mamaja mori masa që të kishte muzikë deri natën vonë. Ato ditë më janë dukur disi emocionuese dhe ndoshta pak të lodhshme, por, për çudi, në atë kohë nuk m’u dukën të tepruara. Gjithçka ishte plotësisht e përballueshme. Në ditën e fundit të qëndrimit tim, në mëngjes herët shkova tek oborri për t’i hedhur edhe një sy të fundit hirit. Ishte diçka e pabesueshme të mendoje se hiri do të ishte aty, se do të ishte aty për një kohë tepër të gjatë, mbase shekuj, shumë më gjatë sesa të gjithë të gjallët e sotëm do të kishin ikur nga kjo jetë. Udhëtimi për në aeroport ishte i trishtuar dhe njëzet e katër orë pasi mbërrita në Bogota u shtrova në spital me një infeksion të fshikës së urinës dhe një pikë gjaku të mpiksur në këmbë. Mbase ditët e mëparshme kanë qenë më të lodhshme sesa më ishin dukur.

    Kanë kaluar vetëm tre muaj që nga ikja e nënës dhe habitem se sa shpejt figura e saj është rritur në sytë e mi. Nuk mund të kaloj pranë një fotografie të saj pa ndaluar dhe pa e vështruar. Fytyra e saj më duket më e dashur dhe më e bukur se më parë, edhe në moshë të shkuar. Duke qenë një njeri që gjatë gjithë jetës vuajti nga ankthi (ndoshta pa e kuptuar), ajo ishte gjithsesi jashtëzakonisht e aftë të gëzohej dhe të shfaqte një interes të pashtershëm për jetën në përgjithësi dhe për jetën e të tjerëve, në veçanti për jetën e babait. Ndjenjat që kam pasur për babain, me gjithë dashurinë për të, ndërlikoheshin nga fama dhe talenti i tij, duke e shndërruar atë njëherazi në disa persona, të cilët duhet të përpiqesha t’i shkrija në një të vetëm, duke përjetuar përherë emocione të ndryshme. Gjithashtu, të ndërlikuara janë edhe ndjenjat e lidhura me lamtumirën e gjatë, të dhimbshme, që ishte humbja e kujtesës së tij, dhe me fajin që ndonjëherë kënaqesha që për momentin mendërisht isha më i fortë se ai. Ndërsa ndjenjat që kam për nënën tani janë çuditërisht më të thjeshta. Kjo që them është diçka që terapistët i bën të ngrenë sytë me habi, por, megjithatë, është e vërtetë. Ajo i trembej shprehjes së madhe të emocioneve dhe në fëmijëri na nxiste që të mos e bënim veten kur kishim ndonjë hall. Por, me kohë, fillova ta kuptoja se kjo ishte diçka që ajo e kish trashëguar nga prindërit të cilët, me shumë gjasa, edhe vetë duhet ta kishin të trashëguar. Madje, ajo nuk e dinte që e kishte këtë ndjenjë dhe sa herë që i sugjeroja se do t’i bënte mirë të shkonte në terapi, përgjigjja e saj ishte e palëkundur: No. No soy una histerica. Jo. Nuk jam histerike.

    Ndihem fatlum që munda ta kuptoja këtë kur ishte akoma gjallë dhe ta pranoja, kështu ajo çka më ka mbetur është vetëm afeksioni për të dhe dashuria për forcën jetësore që buronte prej saj. Ajo ishte e hapur dhe e fshehtë, kritike dhe shpirtmadhe, por rrëmujës i druhej. Mund të tregohej e sertë dhe gjykuese, por edhe falte shpejt, sidomos kur personi i hapte zemrën për hallet që kish. Atëherë ajo mbante anën e tij përgjithmonë dhe fitonte adhurimin e tij. Me mua dhe vëllain nuk e shfaqte dashurinë me gjeste fizike, por qëndrimi i saj tregonte dashurinë që kishte për ne, e cila me kalimin e viteve erdhi e u shtua. Personaliteti i saj kompleks pa dyshim duhet të ketë luajtur një rol në magjepsjen time pas grave gjatë gjithë jetës, veçanërisht pas grave me shumë plane, enigmatike, të cilat mendoj se, pa të drejtë, janë konsideruar gra të vështira.

    Tani adhurimi im për prindërit është përforcuar. E pranoj se kjo perspektivë (disa do ta quanin revizionim) nuk është e pazakontë. Mungesa na bën të tregohemi më të dashur dhe të falim më shumë, duke e kuptuar se prindërit duhet të kenë pasur dobësitë e tyre, si gjithë të tjerët. Në rastin e sime mëje, duke pasur parasysh periudhën dhe vendin ku u lind, habitem se si erdhi e u bë personi që qe, duke ia dalë mbanë me sukses, ose edhe duke komanduar botën që suksesi i babait ua bëri të mundur. Ishte një grua e kohës ku jetoi, pa arsim të lartë, nënë, bashkëshorte dhe kujdestare e shtëpisë, por të cilën shumë gra më të reja se ajo, me jetë të rëndësishme dhe karriera të suksesshme, e admironin hapur, duke ia pasur zili guximin, qëndrueshmërinë dhe të qenët vetvetja. Miqtë e njihnin me emrin La Gaba, nofkë e mbështetur në nofkën e babait Gabo e, megjithatë, të gjithë ata që e njihnin besonin se nuk ish bërë tjetër, veçse një version më i madh i vetvetes.

    Dy vjet para se të vdiste ishim në një restorant dhe mamaja më tha se pas saj, që kish qenë fëmija i parë, nëna kish lindur dy foshnja që kishin vdekur në foshnjëri. U  çudita që nuk ma kish treguar këtë ndonjëherë. E pyeta nëse i kujtohej gjë dhe më tha po. E mbante mend mjaft mirë nënën me foshnjën e vdekur në krahë. Përkuli krahun e majtë, duke më treguar se si e mbante. “Përse nuk ma ke treguar këtë më parë?” – e pyeta. “Sepse nuk më ke pyetur ndonjëherë”, – m’u përgjigj. Ç’budalla! Pas njëfarë kohe e pyeta përsëri, i etur për të mësuar hollësi të tjera, por ajo ma mohoi që më kish rrëfyer një histori të tillë, por edhe se kishte parë ndonjëherë një motër apo vëlla të vdekur. Mbeta pa gojë. Nuk e kishte nga pleqëria apo nga demenca. Kujtesa e saj vazhdonte të ishte e hekurt. Unë këmbëngula. “Jo, nuk ka ndodhur ndonjëherë”, – më tha, me një ton të padiskutueshëm. E lashë atë punë për momentin, por isha i vendosur t’i kthehesha përsëri në të ardhmen, me shpresë se ajo do të ndërronte mendje, por koha nuk më priti. Po ashtu, kalova pesëdhjetë vjet të jetës duke mos e ditur se babai nuk shikonte me qendrën e syrit të majtë. Këtë e mësova kur po e çoja te mjeku okulist dhe vetëm se e përmendi mjeku pas ekzaminimit. Do të doja të dija se si prindërit e mbanin mend veten të rinj, ose të kisha qoftë edhe një ide të vogël se si e shihnin vendin që kishin në botë në kohën kur jetët e tyre ishin të kufizuara në qytetet e vogla të fëmijërisë në Kolumbi. Çfarë nuk do të kisha dhënë për të ndenjur një orë me babain kur ishte një çapkën nëntëvjeçar, apo me nënën kur ishte një vajzë e gjallë njëmbëdhjetëvjeçare, kur nuk kishin si ta përfytyronin jetën e jashtëzakonshme që i priste. Dhe kështu, në kokë më rri vazhdimisht ideja se ndoshta nuk i njoha sa duhet dhe pa dyshim më vjen keq që nuk i pyeta më shumë për hollësi të jetës së tyre, për mendimet më të fshehta, për shpresat më të mira dhe për gjërat që i frikësonin. Ka të ngjarë që edhe ata të kenë ndier të njëjtën gjë në lidhje me ne, sepse kush është ai që i njeh plotësisht fëmijët e tij. Jam kureshtar të di se çfarë mendon im vëlla për këtë gjë, duke qenë se shtëpia është një vend shumë i ndryshëm për secilin prej banorëve të saj.

    Unë dhe vëllai duhet të marrim një vendim për të ardhmen e shtëpisë. Neve na pëlqen shumë të vizitojmë shtëpitë-muze të shkrimtarëve dhe artistëve të së kaluarës dhe të njerëzve të tjerë të palumtur të suksesshëm të sojit të tyre, kështu që jemi më shumë për këtë gjë. Megjithatë, çuditem pak me veten që tregohem i gatshëm të hap dyert e shtëpisë së familjes për ta parë gjithkush. Ka të ngjarë të jetë një goditje e dëshpëruar ndaj ikjes së kohës, ose të paktën ndaj përjetimit të dhimbjes së zbrazjes dhe shitjes së shtëpisë një të huaji.

    Vdekja e prindit të dytë është njëlloj sikur një natë të kërkosh me teleskop në qiell për një planet që ka qenë përherë aty dhe të mos e gjesh më. Ai është zhdukur, bashkë me fenë, shprehitë, zakonet dhe ritualet e tij të veçanta, të mëdha apo të vogla. Ka mbetur vetëm jehona e tij. Babain e mendoj çdo mëngjes kur fshij shpinën me peshqir, gjë që ai ma mësoi në moshën gjashtëvjeçare kur pa se sa vështirë e kisha të fshihesha vetë. Shumë prej këshillave të tij i kam përherë në mendje. (Një që më pëlqen shumë: Fali miqtë që edhe ata të të falin ty.) E kujtoj nënën sa herë që shoqëroj një mik deri te dera e jashtme kur largohet, sepse, të mos e bëje këtë, për të do të ishte e pafalshme, por edhe sa herë që përdor vajin e ullirit. Ndërsa vitet e fundit, i shoh të tre në fytyrën time, tek vështrohem në pasqyrë. Jam përpjekur gjithashtu që jetën time ta drejtoj sipas rregullës të rrallëpërmendur, por të paqortueshme: mos u bëj njeri maskara.

    Një pjesë e madhe nga kultura e prindërve tanë mbijeton në njëfarë forme në planetët e rinj të krijuar nga vëllai dhe unë me familjet tona. Një pjesë është shkrirë me ato që gratë tona kanë sjellë, ose ato që kanë zgjedhur të mos i sjellin, nga fiset e tyre. Me kalimin e viteve kjo ndarje do të vazhdojë dhe jeta do të vendosë në botën e prindërve njëra mbi tjetrën shtresa të jetëve të tyre të jetuara, derisa do të vijë një ditë kur askush në këtë rruzull nuk do ta kujtojë më praninë e tyre fizike. Tani kam arritur pothuaj moshën që kish babai kur e pyeta se çfarë mendonte natën pasi fikte dritën. Ashtu si ai, edhe unë nuk kam filluar ende të shqetësohem, por jam i vetëdijshëm për kohën. Hëpërhë, jam ende këtu, duke menduar për ta.

    Përktheu Engjëllushe Shqarri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË