Vajzat duken se mjaullijnë,
kaq langshëm flasin,
ndërkohë që pemët heshtin,
se asht e dielë në mëngjes,
“dhe ti më ke thanë se të djelën kthehesh”.
Ky asht pak a shumë vargu
i kangës vetvrasëse
(e vetmja gja që më kujtohej të dielave, në këtë vend).
Po unë tashma po iki dhe po i la trungjet e premë,
le t’i djegin vetë për dimën,
nuk i ndihmoj dot edhe nëse ka me ba dimën i ashpër.
E di që po ndodhi kështu Hungaria
do shtërngohet edhe ma rreth vetes,
fshatnat rreth kishave, gjithashtu…
Kështu ndodhë gjithherë që gjethi i fundit i braktisë
pemët vetmitare.
Pemët e tjera, ma të largtat, gjithashtu janë të zhveshuna,
si njerëzit, te filmat revizionistë, dikur ndër kohnat
kur kishte kuptim rebelimi.
Se rebelimi kërkon pemë të zgaquna dhe trupa
me kërthizat jashtë.
Kurse këtu në tren të gjithë më duken të pafajshëm,
aq të pafajshëm, sa nuk arrij ta kuptoj se,
kush e solli dimnin në këtë vend?
Kush e shqeu katërsh këtë vend?
Tash trenin e ndjekin mbrapa disa shkaba dhe shpend të tjerë
të egjër, si pulbardhat anijen e Odiseut.
Po kthehem në shpi.
Ky tren do më çojë edhe më afër jugut,
duke i ça mes për mes këto fusha të pafaja.
Dhe s’di se kush duhet të japë llogari për këtë ikje:
Unë që po ia mbathi apo treni që po më çon?
Di vetëm se asht e dielë, gri, paradite,
kohë perfekte për rebelim.
Se e diela mbasdite asht e plogësht,
ajo shërben veç për ndonjë lojë shahu.
Shoh që ndër stacione disa vagona presin
të shtyhen prej dikuj,
presin ndonjë lokomotivë ndoshta…
Janë të mbetun aty që prej vitit 1956,
ndjehen të tradhëtuem dhe ende nuk i ka dalë inati.
Paska qenë zemratë e thellë, sa një shekull.
Rrinë aty dhe presin, se e dinë që asht e djelë,
tamam koha për revolucion.
Kështu që në mos tjetër duhen mbathë kuajt,
duhen mbushë gavetat e kalorësve me gulazh.
Të dashtunat duhet të prijnë,
për to ska ma vend nëpër ondulacione me pasqyra të thyeme,
se Hungaria asht një vend i rrafshët,
prandaj duhen tërheqë vagonët e nevrikosun.
Stacionet nuk kanë asnjë arësye të rrinë të qeta
edhe mbas 65 vjetëve nga dështimi i revolucionit.
Ky vend asht shumë i qetë,
Dikush duhet ta trazojë,
Dikush duhet të vdesë
si gjithmonë,
edhe për ne,
që vazhdojmë të ngrohena nga dielli i jugut…
Tren, Pecs-Budapest,
e dielë, 28 Nëntor 2021