NJERIU NGUJUAR ME STINËN
Njeriu ngujuar me stinën,
Nuk pa lulëzim të pranverës,
Veç zogjve u ndoq cicërimën,
Flatrimin si valle mes erës.
Në trumba përshkonin një linjë,
Nga reja te pema e gjelbër,
Rebelë shijonin lirinë,
Pa njohur distancën dy metër.
Njeriu ngujuar me stinën,
Përveç fletëdaljes e shtune,
Ushqeu zogj bore në dimër,
Nuk mbajti kurr herbariume.
QIELLI NUK ËSHTË VETËM PËR ZOGJTË
Në zig – zagun e jetë shpik aventura,
Po t’u shterën shanset, numëroji shpresat,
Po t’u thanë lulet, kujtoju aromat.
Etje po të kesh, pi në digat e reve,
Ankthe po të ndjesh, vallzo tej horizontit,
Po të erdh uria, shuaje me verë.
Po të lodhi ecja, vrapo si atlet,
Treni po t’u ndal, kape shpejt avionin,
Se qielli nuk është vetëm për zogjtë.
HARMONI
Një gocë baletin nis pas së ëmës,
Nëna me rrezet e dorës e mban,
Të dyja formojnë botën e femrës,
Ku paraleli takon meridian.
Vërtitet vajzukja reth zonjës chic,
Vetëm kështu në një kohë arrijnë,
Gruaja ruan portretin filmik
Dhe vashkë me bijën fiton harmoninë.
Lulet pranverës shpërthejnë më parë,
Në degët ku rrinë zogj këngëtarë.
NE TË DY SOLO DHE UOLLT UITMANI
Gjashtë orë më herët sipas rrjedhjes pa cak të kohës
Ti rrotullohesh në gjumë djathtas larg në Cleveland,
Si për t’iu afruar pak Shkodrës, çupa ime yll,
Ndërsa unë shtang studentët me vargjet e Uitmanit,
Të lira, kilometrike, dallgëzuese të shpirtit,
Me figura kozmike si kometa me bisht ndriçues.
Gjashtë orë më vonë sipas klepsidrës dhe kuarcit
Rrotullohem në këmbë majtas larg në auditor,
Si për t’iu afruar pak Amerikës, ku ti fle,
Ne s’u bëmë asnjëherë njerëz me hap metalik,
Lumturisht të njëjtën ëndërr kemi ngjyrëoqean,
Në saje të “Fijeve të barit” përherë të blerta.
Biletat e linjave ajrore ngjasojnë me ftesa
Feste për fluturimet nën diell, nën hënë të zemrave,
Nën retë e bardha si bekim për ty shfaqet Atdheu,
Ti tregon si stoli pasaportën me stemë shqiptare,
Nën qiejt blu si mirazh për mua del Bota e Lirë,
Unë dëshmoj si bagazh librin që s’mbyllet të Uolltit.