More
    KreuLetërsiBibliotekë“Qartësia e një qetësie”, Ylli Ajdini

    “Qartësia e një qetësie”, Ylli Ajdini

    Papritur dëgjova një thirje borije si një shenjë për të ndaluar. Atë çast ndodhesha në mes të rrugës për në punë, me vështrimin disa metra përpara hapave. U ktheva të shikoj. Po nuk pashë asgjë e nuk njoha asnjë. Ndërkohë parafytyrimet i zunë vendin hapave. I thira dhe kujtesës. Por nuk krijova asnjë ide se kush më përshëndeti në këtë orë të mëngjesit. Patjetër që është dikush i largët, sepse me të njohurit takohem thuajse çdo ditë, biles ka raste dhe disa herë në ditë. Sidoqoftë, makina nga ku më përshëndetën, ndali pak më tej dhe, me një hap të ngadaltë, dikush doli prej andej dhe u afrua drejt meje duke më shuar dhe hamendësimet.

      – Mos gaboj, ju jeni komandant Bajrami, -tha tjetri.

      – Po po, unë jam, u përgjigja me një buzëqeshje të çiltër. Vërtet kureshtja po më shoqëronte vështrimin, por unë nuk e njoha dhe nuk më erdhi asnjë emër konkret prej kujtesës, por sidoqoftë, u përqafuam si të njohur.

    – Oh, më së fundi po! -tha. Sytë e tij kanë marrë një shkëlqim të veçantë. Këtë gjë e vura re tek po vazhdoja ta shikoja njeriun “pa emër”, ende me kureshtje.

     Ç’kënaqësi është të zhytësh kujtesën në hapësirën e të kaluarës tënde. Shpesh, te njeriu, ekzistojnë dhe disa ndjesi të forta, ku pavarësisht se fytyra e tjetrit përballë teje nuk të thotë asgjë, veprimi i tij të lë të kuptosh se kush je ti brenda kësaj kohe. Është kjo arsyeja pse ndalova menjëherë e pse nuk i trembem të panjohurës, por, sa e këndëshme bëhet jeta kur atë e ushqen mirënjohja.

     – Vërtet ishit ju!!? Nuk ju besova syve kur ju pashë me po ato mustaqe spic e gjithë elegancë, komandant! -tha në vazhdim. -Nuk është e mundur, mendova gjithashtu ndërsa po frenoja. Por ja që jeni pikërisht ju dhe tani unë ju kam përpara syve!

    – Faleminderit shumë, miku im, që ndaluat! Dhe u përqafuam përsëri.

       Ndërsa po qëndronim në këmbë përball njeri tjetrit, tjetri pa u vonuar u drejtua për nga mjeti e thiri me një zë pak më të lartë: -Stela…Stela! Mund të vish pak, të lutem! Një zonjë simpatike doli nga mjeti dhe u afrua pranë nesh. –Stela, i tha gjithë entuziazëm kur ajo u afrua, e shikon…Po, po, ky është…Të kam thënë që një ditë do ta takoj patjetër komandantin tim! Komandant, kjo është Stela.

      – Përshëndetje, zonjë! -thash unë.

      – Komandant, tha Stela në bisedë e sipër, im shoq qëkurse jemi njohur nuk të heq kurrë nga goja. Ai nuk lë rast pa thënë se, “ka edhe njerëz të mirë në këtë botë”. U mallëngjeva prej vlerësimit dhe që ajo po më drejtohej me “Komandant”!

      – Faleminderit juve, zonjë! Unë kam bërë veç atë që duhet bërë, thashë.

      Për disa sekonda parafytyrova jetën e dikurëshme. Atë me këta djemë 18 vjeçarë, çapkën e serioz njëherësh. M’u kujtua jetesa e përbashkët dhe tejet e vështirë në thellësitë e pajetë të atyre maleve të egër, ku na duhej të bënim detyrën, nga ku shtëpia më e afërt e banuar prej vendqëndrimit tonë, ishte 7-8 orë me këmbë, në zbritje. Sidoqoftë, këto ndjesi përjetimesh që po shijoj për momentin, duket se vërtet janë të miat, po këto ndjenja respekti nuk i kam dashur e pritur t’i merritoj asnjëherë prej kalkulimeve të një arsyetimi hipokrit, por nga sjellja njerezore me njerzit. Për herë të parë dola nga paraqitja ime në dukje e “zymtë” dhe iu gëzova vetes në mënyrë të dukëshme.

      – Mirë u pafshim, komandant! Të presim! -dëgjova.

      – Faleminderit për mirënjohjen! Mirë u pafshim dhe rrugë të mbarë! -i urova gjithashtu edhe unë, ndërsa ata po niseshin. “Benz-i” lëvizi lehtas nga vendi dhe vazhdoi rrugën drejtë shtetit fqinj.

       Ndërkohë që me sy i shoqërova aq sa munda, nuk e di pse Ata për momentin m’u bën edhe shumë më të afërt nga ç’mund ta mendoja. Edhe një herë u ndieva mirë që ata ndaluan dhe më takuan.

      Tek po ecja mendova se lumturia për këdo vërtet është çast, por këto janë çaste që i japin kuptim qënies njeri, janë çaste që të heqin aty për aty edhe çdo trishtim dhe neveri që mund të kesh përbrenda.

      Tani s’më mbetej gjë tjetër, veçse të shpejtoja hapat. Është hera e parë që jam me vonesë për në punë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË