More
    KreuIn memoriamProf. Francesco Altimari: Ndarja nga jeta e shkrimtarit Ismail Kadare - një...

    Prof. Francesco Altimari: Ndarja nga jeta e shkrimtarit Ismail Kadare – një zbrazëti e madhe në letërsinë botërore, në botën shqiptare dhe në kujtesën e arbëreshëve

    Vdekja e Ismail Kadaresë lë një zbrazëti të madhe në letërsinë botërore bashkëkohore, në jetën kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve dhe në kujtesën e arbëreshëve. Shkrimtari i madh me prejardhje nga qyteti i Gjirokastrës ku kishte lindur 88 vjet më parë, i ka kushtuar një vëmendje të vazhdueshme kulturës letrare të zhvilluar nga komuniteti arbëresh i vendosur në Itali aty nga fundi i shek. XV, duke e konsideruar atë një dëshmi të identitetit autentik të shqiptarëve. Në shumë raste, – veçojmë këtu ato më pranë botës arbëreshe, si ceremoninë e organizuar në Palazzo Steri për dhënien e titullit Laurea Honoris Causa nga ana e Universitetit të Palermos në vitin 2009 dhe atë të akordimit të çmimit Mediterraneo nga ana e Fondacionit CARICAL, organizuar në teatrin Rendano të Kozencës në vitin 2016 – Kadare shprehu admirim

    për letërsinë e arbëreshëve dhe sidomos për Jeronim De Radën, të cilin tha se e konsideronte Atin e letërsisë moderne shqiptare.

    Këtë bindje të tij e konkretizojnë romanet e shumta (Kështjella, Ura me tri harqe, Kush e solli Doruntinën etj.) ku referimi ndaj historisë, kulturës dhe traditave antropologjike arbëreshe është një element narrativ karakterizues. I magjepsur sikurse intelektualë të tjerë të mëdhenj shqiptarë e italianë nga kultura arbëreshe, Kadare nuk ngurroi t’i bënte të vetat betejat ideale dhe kulturore që arbëreshët kanë ndërmarrë në emër të të drejtave që u takojnë atyre si minorancë linguistike historike të Italisë. I paharrueshëm mbetet fjalimi që mbajti në vitin 2003 në Badia di Grottaferrata (shih foton) me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së Jeronim De Radës. Fjalët e Kadaresë lanë mbresa të thella te të pranishmit që mbushnin sallën, të cilët patën rast të dëgjonin nga vetë goja e një interpretuesi të madh të letërsisë bashkëkohore sa gjeniale, risore dhe e talentuar ishte vepra poetike e intelektualit dhe shkrimtarit arbëresh nga Maqi.

    Kujtimi i asaj ngjarjeje gjatë këtyre njëzet viteve të fundit është forcuar edhe falë kontakteve të shumta dhe dashamirëse qoftë me Kadarenë, qoftë me të shoqen Helena, qoftë me institucionet shkencore dhe akademike shqiptare në të gjitha rastet solemne kushtuar veprës dhe figurës së shkrimtarit të madh shqiptar. Në emër të këtyre marrëdhënieve Fondacioni Universitar “Francesco Solano” angazhohet me të gjitha energjitë në mënyrë që trashëgimia letrare e Kadaresë, sidomos ajo që i kushtohet botës arbëreshe, të vlerësohet dhe t’u përçohet brezave të ardhshëm.

    Fondacioni Universitar “Francesco Solano” në emër të strukturave të veta, të bashkëpunëtorëve dhe miqve u shpreh ngushëllimet më të ndiera familjes Kadare, së shoqes Helena, vajzave Gresa e Besiana, Akademisë së Shkencave, botuesit Bujar Hudhri dhe adhuruesve të shumtë të veprës së shkrimtarit të madh shqiptar.

    President i Fondacionit Universitar “Francesco Solano”

    Campus di Arcavacata, 2-7-2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË