KUJTESË PËR TANUSHËN, E TË TJERA…
Buzë liqenit rri e vargje them, Tanushë,
Era prek mëndafshin e liqenit
Ku je? A mos po endesh zallesh t’ndonjë lumi
që ngarkuar me blloqe akujsh dhe bore
po zbret drejt pamjeve të mia
ndërsa ti vetë, veshur me mjegullat e holla
të dramës tande të përjetshme
ndjen vetminë e kangës, me:
m’a ka qerpikun si krahi i dallndyshes-
dhe me adhurimin e vajzave buzë krojesh
a komentet elegante të shkollareve…
Dhe prapë ndjehesh larg… në harresë…
Por jeta kështu është, përrallë a legjendë,
oj zanë shqiptare… Dhe dua t’them
nga ky shelg zogjsh anë liqenit
ndërsa dielli po perëndon mbas malesh t’largëta:
ti je dhe Haretrembura e Milosaos, Tanë,
dhe Hana e Bardhë e Pol Verlenit!
NË VERË
Ja ku erdhi i nxehti afrikan
miku që nuk harron
se unë sot, në këtë moshë prej baobabi
me përvoja zjarresh e stuhishë
kështu e kujtoj që nga fëminia-
varë në qafë tamburin me shumë ngjyra
por të gjitha të çelta
tek e rreh me shkopinj
rrezesh të zjarrta dielli-
Më pas vinte nata dhe ai qetësohej përpak
i shtrirë buzë liqeneve a lumenjve
me fytyrën kah qielli me yje
me hanën ndër dhambë si një buzëqeshje
Tash unë jam një tjetër: sytë e mi
shohin më pak / por teksa përfytyroj
vendin e tij, Afrikën e Veriut
me shkretinat e pamata
e historinë e saj, e Salambonë e Floberit
e arie e simfoni e muzikë lloj-lloj
në qetësinë e kësaj dite
që jep e merr me heshtjen
dhe në vetminë time andrruese
te kjo dhomë e vogël si kabinë fluturimesh
mbi fishkëllimën e lehtë
të ventilatorit që rrotullohet në harmoni
befas sikur ndiej një muzikë!-
një sekuencë muzikore
e shkurtër- tinguj të qartë e të vërtetë
si ari i dalë nga rana
nga një melodi e largët dhe e vjetër
por jo e panjohur,
një sekuencë që më përsëritet pambarim
në besim dhe harmoni
nga Kartagjena e Rrënueme.
27 qershor 2021
ART POETIK
Duhet me u ndie plot emocione jete
për me u ndie plot poezi
si kova në shi nën një strehë shtëpie.
*
Kush e lexoi vërtet poemën
ndjeu që nuk e mori thjesht me sy
as thjesht me mendje
por me të gjitha poret e qenies
siç marrim erën e detit në port, natën
tek presim anijen që po afrohet
ndër vezullima
dhe do na sjellë njeriun e dashur.
FLETË DITE
Dita është një fletë e hollë
ku shkruhen gjërat e pashlyeshme
edhe pse nuk është e bardhë
dhe nuk është as njëngjyrëshe
pasi mban ngjyrat e botës
dhe të dëshirave tona
prapë ne ëndërrojmë me i gdhendë
gjërat e forta, të pashlyeshme
te ajo fletë e hollë dite
si disku i Borhesit, me një faqe
18 shkurt ‘21
POETI NË LËNDINË
Këtë ditë marsi, duart e mia
me gishtat humbur në fund të barit
me ndonjë lule përmbi
mbajnë trupin tim si një pemë
në tokën ngrohur nga dielli-
kujtime që fëshfërijnë
imazhe që vegojnë
ëndërrime që kërkojnë degëve
një vend për çerdhe.
Mars 2021
SA HERË ZGJOHEMI…
Sa herë zgjohemi, dhe hapim sytë
dhe ngremë bërrylin si një rrem
dhoma jonë lëkundet
thua se jemi mbi ujë, në një varkë.
NJERIU
Njeriu ka dy sy për me pa
dhe ka dy veshë për me ndigjue
por veç nji gojë për me folë
atë që konkludon nji mendje.
NË UDHË
Ndodh ndonjëherë, je n’udhë
me torbën tënde nën sup
dhe, i lodhur
ndalesh buzë një burimi…
Por sheh, në torbë, sa çudi
në vend të bukës
gjen gurë!…
I mbështjell gurët me butësi
dhe e mba torbën
si gjënë e brishtë
si gjënë e shtrenjtë
se në qofsh në udhë
duhet me e pasë një torbë
dhe në paç një torbë
duhet me pasë diçka në të
si fruti thalbin
në degën q’e tund era…
por edhe se
kur të ndalesh prapë në udhë
buzë një tjetër burimi
mbase… çudia:
gjen bukë në vend të gurëve
në torbën si zemra jote
8 korrik 2021
THEM PËR DISA GJËRA…
Them për disa gjëra që nuk shkrova:
thjesht nuk munda t’i kem në dorë
si t’gjitha gjërat e vërteta
pasi nuk i ndava dot nga zemra.
Korrik 2021
NJË DËSHIRË E NJË KOHE…
Si nuk rashë një herë sëmurë
dhe në një dhomë spitali
me lexue libra larg hallesh me grurë
pranë një dritares së hapur!…
Qershor 2021
KULLA
E ngrita këtë kullë me themele gjaku
gur mbas guri, fjalë mbas fjale
të fortë dhe të parrënueshme
ku thërmohen shirat dhe drita e diellit.
Tetor 2021
DHJETË VJET
Prej dhjetë vjetësh s’i kam shtuar
ndonjë raft bibliotekës sime
por librat që kanë qenë
i kanë mirëpritur librat e rinj
duke i prekur në sup
duke u hapur vend
duke ngushtuar veten
duke i mirëkuptuar si të ardhur
-dikush dhe i vonuar por jo për faj të tij-
i kanë marrë nën krahë
i kanë mbajtë në shpinë
qoftë dhe tue u përkulë nga pesha e tyre-
kështu si vitet që pata
kanë pritë vitet që më kanë ardhë.
Shtator 2021
RESHJE YJESH
Reshjet e yjeve bien
të imta, mezi duken
megjithatë bien
mbi gurë dhe ujëra
mbi fushat e errësuara
mbi liqene dhe dete
mbi qytetet me drita ngjyra-ngjyra
mbi gëzime, trishtime
mbi buzë, në sy,
bien si reshjet e shirave
por nga një qiell më i lartë
me një tjetër ngjyrë
dhe bien veç netëve pa re
ndonjëherë me stuhi
përndezë nga era
përzjerë me dritë hëne
bien mbi ne që, të magjepsur
i presim zbuluar, u hapim
fytyrën, krahnorin,
se me ecë nën fije ari
të reshjes së yjeve
është shenjë lirie
dhe kujtesë dashurie
dhe dëshirë bukurie
dhe ndjejmë se si na njomen
si lulet nën vesë
nën ato reshje yjesh
jo këmisha, si letra
e hollë e poemave
por sytë dhe zemra jonë.
19 tetor 2021
PËR DISA GJËRA, DHE PËR LULEN…
Një pemë e thyer nga çubardhi a sygjelbri
është njësoj një pemë e thyer
Ylberit nuk ia heq njërën ngjyrë a tjetrën
Lulen që kam për zemër e rris të papërlyer.
1993
ECJE NATËN
Shiu ka lënë tinguj ndër drurë
dhe pllakat i ka veshur
me një fletë të hollë uji
ja, sheshi është një pasqyrë magjike
e natës që ra
Era e lehtë që shoqëroi retë pas Dajtit
tash fshin fasadat
për një ndriçim të pastër
anekand syve të mi të ndezur
deri te Venera dhe Marsi
Dëgjoj në pllaka hapa të largët
që tash trokasin
te kjo poemë e pashkruar
si jeta kur doli nga zjarri i yjeve
dhe kërkonte një Tokë – janë
kujtimet, që ua ndiej vegimin
si feksje e një lules së paçelur
o e një lules së çelur
por të fshehur mbas një guri
të një dhembjes së vjetër
Ah, ato kohë mundimesh
që gjendeshin pa mundim
ndërsa duheshin shpikur
drita dhe buzëqeshja
sikur me nxjerrë mjalt nga guri!
Dyzetetre vjeç shkruaja librin e dytë
që qe si lokomotiva e kohës
në hekurudhën që i viheshin minat
Era endet si një grua e kujdesshme…
Drurët janë fëmijtë e erës
Unë të ndiej, zemër
si një e ftuar e zgjedhur e parajsës
dhe si dëshmuese e ferrit
ndërsa ke kaluar jetës sime
duke dhënë zemër!
Tetor, 2021