HUKAT NATA
Lërmëni të prehem midis lulesh që lulëzojnë
Të rilind nga lotët e mi që lagin brigjet e shpirtit tim
Ta njomin zhurin e dashurisë që mbase tretet
Dhe plaga thith dhimbjen e pafund
Flakëroj në flakën e qiririt flakëpak
Kërkoj burimin e haresë sime të llastuar
Të ditëve që do t’i shndërroja në shekuj gëzimi
Drita, nën peshën e kësaj zymtie është fshehur në kujtime.
Nën qiellin pa yje, hukat nata ime e shurdhët …
NATA E MAJIT
Sonte lundroj me anijen pa vela e pa direk;
Më rrëmbeu lumi i mërzisë.
Jeta u bë si det vaji dhe flladi s’kishte pikë freskie.
Zemra ulërin posi sirena që mbushnin rrugën tonë plot zhurmë.
E kam mbyllur në vete sekretin që më lidh
me ditën tonë të fundit bashkë.
Do të doja ta takoja në dramën e Shekspirit e të vdisja kur bie perdja,
Për të mbetur përherë në skenë.
Ofeli në dashuri.
UJËRAT PUQEN
I ëmbël është lumi im andej nga vij,
I njelmët është deti këtu ku jam
Dhe largësia, na ndan, na ndan
Shpirtrat qiellit pa kufij fluturojnë
Si pulëbardhat, mbi detin tim,
Liqenin tënd, lumin tonë.
Dhe shpirtin ma qetësojnë
Mallin për ty seç ma trazojnë
Uji rrjedh trupit tim, me rrëmbim
Zbut gjithçka të acaruar, shqim.
Vijnë lumenjtë andej-këtej
E puqen si të përmalluar
E çmallen si të dashuruar
Unë shkrihem në detin e bukurisë
Mbase heq mallin e Dashurisë.
Zhyta gishtat e bardhë në Detin e Zi,
Mblodha guacat që pëlqen ti
-Kyçi aty kujtim e mallëngjim,
Veç jo largim, veç jo trishtim!
Sozopol
PORTRET
Në largësi fytyra përhumbet, si pikë uji e avulluar
Mundohem të rizgjohem, t’i çel sytë të të gjej
Ti je larg, nuk e di sa larg je ti, por e di se
Largësia peshon sa vetë largësia, sa malli për ty!
Ndjenja shfaqet dhe rreh krahët lehtë e lehtë
E gjallë dashuria si rrahja e zemrës që ritmin ritmon
Malli im banon në dritën e hënës së plotë
Në dorën e piktorit dhe fjalët e mia varg
Largësia më bëri të krijoj fytyrën tënde
Ku shiu të kishte lagur, për aq sa kishte rënë
Ku dielli të kishte përflakur, për aq sa kishte përvëluar
Ku vetmia të kishte rrëmbyer, për aq sa ndihesh i vetmuar
Ku guximi të kishte shoqëruar, për aq sa bëhesh i pathyer
Ku bukuria të kishte zbukuruar, për aq sa hijeshia tepronte
Ta bëra portretin nga malli, për ta vrarë vetminë, harresën!
Tani më s’do ndiej ftohtë në çdo frymëmarrje.